(Në 80-Vjetorin e lindjes së poetit tonë të madh,Dritëro Agolli)
Meditimi për Dritëroin, në 80-Vjetorin e lindjes së Tij, erdhi brenda meje nën pushtetin e atyre vlerave sa humane,sa estetike të përjetuara nga njohja sa reale, sa ireale e universit brilant agollian,si një kënaqësi e llojit të vet për një lexues të kualifikuar. Njohja ime Dritëroin,veprën e tij, ka marrë jetë si lexues i kujdesshëm, sidomos i poezive të tij lirike, tepër të këndshme,gjithë patos patriotik,erotik, estetik dhe humanist,ku spikat dashuria e pafund e një shpirti të madh për njeriun,për natyrën, për jetën.
Në këtë kontekst do të kujtoja veçanarisht poezitë: “Malli i parë”,” Nëna ime”,”Qeni im i plakur”, “Vjersha e parë”,”Kënga e tokës”,”Pleqëria”,”Mundja e Lekë Dukagjinit”deri tek poemat si:”Baballarët”,“Poema e të pagjumëve”,”Baladë e ashpër”etj.kushtuar “baltës” në kuptimin e asaj krijimtarie e cila merr spunto nga psiqika e popullit, çka i shkojnë aq bukur një poeti “liriku i tokës,demoni i fjalës”.
Kujtoj, mes tjerash, botimin në vitin 1974 të poemës”Nënë Shqipëri” me rastin e 30-Vjetorit të Çlirimit të Atdheut, në kuadrin e të cilit poeti fitoi edhe Çmimin I Kombëtar në letërsi. Parë edhe pas kaq vitesh botimi, apo anatemimesh, poema në fjalë, me pak krasitje të asaj pjese që e kërkonte “formati”, i reziston kohës
Më vonë njohja me Dritëroin ka vijuar disi historike kur kujtoj se më 12 qershor 1991 ai do të ishte njëri ndër bashkëthemeluesit e PSSHsë. Krejt interesant, në këtë ditë, qe reagimi i Dritëroit në sensin e krijimit të një të majteje moderne,si alternativë, një ëndërrim i brishtë për komunistët çlirimistë si: H.Xhelo, LL.Fundo, K.Boshnjakun etj, në vitet “30të përballë grupimit tjetër,bolshevikëve, brenda KONAREsë si: K.Tashko, A.Kelmendi,S.Malëshova etj. të hapur drejt stalinizmit,ndryshe shuarjes së identitetit shqiptar të vetë lëvizjes sonë komuniste .
Në vitet e pluralizmit kam patur rastin,si shkrimtar,të vizitoj shtëpinë e Dritëroit në qendër të Tiranës, po aq edhe atë në plazhin e Durrësit. Në se në te dy rastet përjetoje një pamje sa klasike, sa moderne,ku në gjithçka lexohej shije e hollë dhe kulturë,në të dytën të impresiononte ballkoni gjithë lule shumëngjyrshe nga shijohej deti Adriatik.
Dritëroi flet shtruar,ngadalë,duke të marrë me vehte.Sadija,shoqja e jetës, e ndjek me një kujdes dhe respekt të llojit të vet.Ata edhe në heshtje komunikojnë mrekullisht me njëritjetrin...Natyrisht në këto takime diskutonim rreth problemeve të ndryshme si: Ç’mendonte poeti rreth zhvillimeve tona demokratike ? .
A do të ekzistonte shteti shqiptar pa fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si pjesë e kolalicionit botëror progresist? Ra komunizmi,por a mund të themi që ra edhe “Jalta”? Mund të pranohet se vërtet Enver Hoxha e ka shitur Kosovën?
Do ta dëshronte Dritëroi një Shqipëri Natyrore të Bashkuar?Cili është koncepti i tij mbi disidencën shqiptare,kur dihet që poeti drejtoi për 27 vite LSHA? Si shpjegohet fakti që në kulmin e lulëzimit të diktaturave kemi edhe lulëzim të krijimtarisë artistike?
Çfarë mendonte Dritëroi mbi dukuri të tilla si harresa e vlerave tona kulturore të traditës,injorimi i tyre? Ç’është dashuria për poetin?Si i vlerëson ai konsideratat e kritikës evropiane për të si “Gogoli shqiptar” referuar romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”? Po vlerësimet ndaj mjaft krijuesve shqiptarë si: Kadare,Kongoli,Zhiti,Mustafaj
2.
etj.? Si i komenton poeti anatemime të tilla si: ”shqiptarët ende lexojnë Dritëroin dhe Kadarenë” të revistës”Ars”në Shkodër etj.etj,? Ajo që s’mund të harrohet dot gjatë këtyre
bisedave krejt njerëzore është thjeshtësia e tij emblematike,siç është pamja e tij deri në përfeksion poetike...Si kritik letrar dhe gazetar televiziv kam patur rast të takohem me jo pak personalitete në tërë atë hapësirë që thirret Shqipëri Natyrore në bashkëbiseda të lira, apo drejtpërdrejt me publikun e gjërë,por personalitet,madje akademik,që të jetë kaq i çiltër,aq vetvehtja si njeri i lirë,larg çdo kompleksi ,deri në madhështi si Dritëroi nuk kam takuar.Kur e pyet lidhur me vlerësime të tilla si:”Uitmani”,”Shekspiri ”,”Kafka” apo “Gogoli” shqiptar të kritikës perëndimore ndaj krijuesve shqiptarë,Dritëroi të përgjigjet:
”Krahasimet jo me Kafkën, Shekspirin, Homerin,Gogolin,apo me Uitmanin etj.nuk janë tjetër vetëm zakone të kritikëve të huaj,të cilët,sipas meje, i bëjnë për t’u bërë qejfin shkrimtarëve të vendeve të vegjël si yni.Kadri, këto i kam konsideruar gjithmonë si ana periferike e gjërave,pa mohuar aspak faktin se letërsia jonë e madhe,si e tillë, nuk është aspak më e vogël se ajo e huaj. Sikur, nga ana tjetër,sado të thuhet që Dritëroi ka qenë komunist,përsëri atje është hiri im,kurse e vërteta është libri im”
Dritëroi gjithnjë ka ushqyer humanizmin ,kurrë konfliktualitetin. Si një lirik i madh, krejt i ri shpirtërisht, edhe pse mosha ka bërë punën e vet,Dritëroi është një monument investimi për dashurinë. Pikërisht nga një“ballafaqim” brilant me të gjatë një interviste në mjedisin e detit Adriatik, në maj 2006, për TVKoplikun më ka lindur impresioni estetik: ”Hapësira e poetit si hapësirë e shpirtit”,
ndryshe kthjelltësia e shpirtit si kështjellë identiteti.
Dritëroi nuk ka frikë nga vetvehtja,gjithësesi tek ai shpaloset njeriu i lirë,tejet skeptik ndaj euforisë,madje aspak entuziast as dje me dogmën komuniste,aq të propaganduar, “Njeriu i ri vepra më e shkëlqyer e Partisë”:
Ka njerëz që pakëz pozitë të kenë
E ngrysin ballin e fjalët shtrëngojnë në dhëmbë,
Dhe janë të lumtur kur shpirtin ta brejnë
Dhe janë të lumtur kur ndjenjat t’i shtypin me këmbë!
( “Nënë Shqipëri”,fq.83)
Të flasësh për Dritëroin është vërtet një privilegj total: Sa profesional, sa moral,sa estetik. Sikur të fisnikërohet jo vetëm fytyra, por gjithçka brenda teje.Sikur ke pronësuar virtualisht ekskluzivitetin agollian t’u takosh të gjithëve me komentin e fjalës së tij si vlerë universale.Vlera si kjo mund të plazmohen vetëm nga ama e një shpirti të madh si ai i Dritëroit.një hapësirë njohjeje dhe kualitet vizioni jo të zakonshëm .Si i tillë komenti kushtuar veprës së Dritëroit,pse jo dhe jetës së tij,jo vetëm mua,por çdo interpretuesi,apo studiuesi të apasionuar do t’i dhuronin vetëm çaste lumturie.
. Siç e thotë studiuesi i njohur i letrave shqipe,Dr.Moikom Zeqo,tek libri i tij”Liriku i tokës,demoni i fjalës”,një libër intim kushtuar poetit të madh:
“Dritëro Agolli është një nga shkrimtarët më të shquar shqiptarë.
Ai ka krijuar profilin e tij si një shkrimtar i traditës,por jo thjesht tradicional, i cili ka një shpirtëzim të botës shqiptare si një aspekt të jetës e të motiveve letrare përmes të
cilave të kujton personalitete lirike shqiptare të kohërave nga Naim Frashëri deri tek Lazgush Poradeci”.(M.Zeqo”Liriku i tokës,demoni i fjalës”fq.54)
3.
Dritëroi gjithnjë është treguar i ndjeshëm ndaj dashurisë si ama e jetës sonë,po aq ndaj dinjitetit të jetës së grave dhe vajzave, ndryshe ndaj seksit të bukur. siç e vlerësonte Migjeni,poeti ynë i madh, duke iu referuar kritikut të madh rus, Bjelinskit.
. Për Dritëroin dashuria nuk plaket kurrë,po aq nuk njeh moshë.kurse gruaja,në përgjithësi,është si ajri që thithim,është oksigjeni i jetës...
Kjo ka sjellur që poeti ta përjetojë plot indinjatë rolin e shëmtuar të shkuesve apo të mblesve, siç i quan Dritëroi në poezinë”Mundja e Lekë Dukagjinit”. Dritëroi mjeshtërisht e përjeton shkuesinë si njëra ndër urat që na lidh me skllavërinë brenda vehtes,pavarësisht metamorfozave, të cilat duhen denigruar në të gjitha format e shfaqjes së tyre.
Ne sillemi më mesjetarë se vetë Lekë Dukagjini,edhe pse në vend të qelesheve,mund të kemi vënë kravata ,nënkupton poeti,nëqoftëse nuk luftojmë me të gjithë forcën tonë për shkatërrimin rrënjësor të këtij pushteti poshtërues në ditët tona,çka mund të arrihet duke i shpëtuar së pari sjelljes mesjetare të secilit prej nesh brenda vehtes.
Në këtë vështrim anatemimi nga Agolli i kësaj dukurie sa tradicionale,sa moderne mes nesh vjen krejt aktual: Shkuesit ende veprojnë, paçka se kanë ndrruar maskat,ngjyrat,format e komunikimit,por jo thelbin, kur shohim që vajza 15 16 vjeçe të martohen me meshkuj me diferenca të jashtëzakonshme moshe .Çka bën që në fakt çifti në atë që thirret jetë intime, dashuri normale, të mos plotësohet kurrë.ndryshe të mbetet pre e hijes së një opinioni anadollak, maskilist me shkëlqim të rremë..
Në këtë kontekst poeti ynë i madh vjen sa aktual,sa universal me mesazhet e veprës së vet, përballë skllavërimit postmodern, me të gjitha larmitë e shfaqjes së tij,
sa të dukshme,sa të padukshme,shprehje e ndotjes patriarkale,mesjetare , në një shoqëri,si kjo jona, që rreket të jetë e njerëzve të lirë, edhe pse, për hir të së vërtetës, vazhdon po aq të mbetet peng i “zhurmave të erërave të dikurshme” sa kohë që vetë fati ynë si komb do të mbahet peng i një sjelljeje për t’u qarë e për t’u qeshur,si filozofi Bamkë Qylollarësh, që kanë pushtuar institucionet tona.
...Sjellje politike të cilën me aq dinjitet sa artistik,sa jetik,sa ireal,sa real Dritëroi do ta thërriste vënçe: Shkërllatokraci,pre e burrërisë së sëmurë shqiptare, nën trysninë e një mentaliteti,madje aspak komunist,por thjesht feudal,si në kohën e kapedanëve dhe të bajraktarëve: ”Unë kam një gjel dhe gjeli im duhet t’i mundë të gjithë gjelat e tjerë” do të nënvizonte gjithë indinjatë poeti ynë i mirënjohur. Ja kumti që buron nga vepra e Dritëroit në një Shqipëri që akoma nuk po guxon të heq bragashat, do të thoshte Migjeni,poeti tjetër i madh shqiptar,me të cilin Dritëroin e bashkon jo vetëm ditëlindja,13 Tetori,por universaliteti i veprës së tyre, si bij të kësaj Shqipërie që ëndërron të jetë nesër, realisht, një shoqëri e hapur, progresiste..
Ja mesazhi që sjell në këtë përvjetor nderi për cilindo nesh Ditëlindja e Dritëroit si vetë Vepra e Tij që dritëron rrugëtiminn tonë si komb drejt sfidës serioze të gjetjes së vetvetes me dinjitet dhe jo si skllevër të një realiteti postmodern, ku depersonalizimi,si formati më i ligësht i qenies,i sjelljes së njeriut, po kthehet në mjet jetese...
Vjen natyrshëm ky kumt brenda cilitdo që do të përjetojë thelbin estetiko-filozofik të veprës së poetit tonë të madh,Dritëro Agolli,”Nderi i Kombit”,në 80-Vjetorin e tij të lindjes,si kumti poetik që merr jetë si një obligim krejt fisnik ndaj Dritëroit: Njëri nga poetët më njerëzorë të kësaj toke..
Koplik,shtator 2010.Kadri Ujkaj,kritik letrar
No comments:
Post a Comment