Frrok Çupi
Kur ishte vetëm 25 vjeç, Teodor Keko pat shkruar një poezi të shkurtër dhe e botoi një të diele në gazetën e vetme letrare “Drita”. Poezia thoshte kështu, pak a shumë: “Sa herë shkoj në varreza, shikoj emra të të njohurve”. Natyrshëm, për Dorin, si për çdo moshatar të tij, ata që flinin atje nuk kishin qenë kurrë “këtu në fshatin tonë”, domethënë nuk i dihet nëse e kishin parë ndonjëherë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku bëheshin xhirot e mëdha të mbrëmjeve. Megjithatë, poeti i ri e kishte pësuar tronditjen, mes atyre që preheshin në varreza kishte parë emra të njohurish. Erdhi një ditë, para tetë vjetësh, me 20 gusht, një ditë shumë të nxehtë si sot, Teodor Keko, shumë para kohe, përmes dhimbjes sonë dhe indiferentizmit të vet, u shtri përjetë atje në lëndinë. E ëma, Xhanfize, një artiste e mirënjohur e vendit, aq sa mbillte lule mbi emrin e të birit, aq kërkonte aty afër një copë vend për “shtratin” e saj të përjetësisë. Edhe ajo shkoi një ditë.
Kështu shkojnë të njohurit.
Para dy ditësh shkoi një mjek popullor që, në të ritë e vet, kishte eksperimentuar me trupin e tij sikur nuk do të vinte një ditë kur do të jepte “llogari” para vetes për atë që bëri. Edhe pak më parë, një shkrimtar u nda pasi ishte lodhur e strapacuar sa me librat aq edhe me miqtë. Ndoc Gjetja, poet, kishte mundur të shkruajë një vjershë të fundit ku “këndonte” mbi varrin e tij. Edhe Bekim Fehmiu, ky aktor ikonë për portretin tonë shqiptar, shkoi duke e ditur se do të pushonte mes të njohurve në Prizren. Para këtyre janë larguar emra shumë të njohur të artit e të kulturës, të letërsisë dhe të arkitekturës, të shkencës dhe diturisë.
Çfarë po ndodh me vdekjen e të njohurve?
Pjesa më e dukshme është sjellja jonë kur i përcjellim, sjellje që shpesh mund të konsiderohet qesharake. Nganjëherë i shikon njerëzit që qajnë “pa fund” për të njohurit dhe të adhuruarit e tyre- gjë që nuk mund të quhet serioze. Seneka, një filozof i madh i lashtësisë, ka shkruar se vajtimi pa fund për mikun është i pavërtetë, miku mund të qahet vetëm pak minuta. Kjo është pjesa jonë e shëmtuar ndaj atyre që shkojnë.
Shëmtimi tjetër është se vetëm atë ditë kur iu vendoset emri në lëndinën e varrezave, vetëm atë ditë disa njerëz mësojnë emrin e tyre. Kur vdiq Javer Malo, një gazetar, përkthyes dhe diplomat i shquar, ishte korrik si sot, dhe vdekja ndodhi në mbrëmje vonë. Në redaksinë e televizionit publik RTSH ra telefoni për lajmin. “Mirë, po e transmetojmë- tha gazetari- po çfarë është Javer Malo?!”...
Sjellja e tretë është sjellja e të gjallëve ndaj të gjallëve, por disa “janë duke vdekur” dhe disa të tjerë nuk kuptojnë çfarë po ndodh. Përsëri bëhet fjalë për “njerëzit e njohur”, por jo si në kontekstin e poezisë së Teodor Kekos kur ishte vetëm 25 vjeç. Në këtë rast, “të njohurit” që po ndiejnë vdekjen janë shkrimtarë e akademikë, letrarë e artistë të tjerë. Jo thjesht nga mosha, por për shkak se nuk gjejnë “dritare nga të marrim frymë”- thonë ata. Dje, akademikun Alfred Uçi, pedagogu im i Estetikës, e pashë më të çuditur se kurrë para një filxhani kafeje. “E shikon çfarë ndodh?”...- më tha. Ky e ky e ky (përmendi disa emra të njohur) nuk kanë ku të botojnë as letërsi, as histori, as esse... Profesori kishte pasur edhe rastin që kishte telefonuar në një redaksi gazete për të thënë pikërisht këtë mendim, por në një formë më të butë, dhe nga ana tjetër i ishte përgjigjur një gazetare e stilit aktual. “Kemi botëkuptime të ndryshme, zotëri- ishte përgjigjur ajo- megjithëse nuk ju njoh kush jeni”. Profesori ishte mërzitur aq shumë sa këtë vajzë nisi ta quante vetëm “picirruke”... Kjo është vdekja prej së gjalli e një pjese të njerëzve të njohur, të cilët e ndiejnë fundin e tyre, por kapen jo aty ku duhet, kapen te pjesa që po iu përgatisin “varrin”. Domethënë te media kamericiale, klienteliste, e angazhuar për të shërbyer pronarin që s’ka lexuar kurrë libra dhe prandaj është shumë i qetë para vdekjes së të njohurve.
Sjellja fundit, po kaq e shëmtuar, është sjellja e njerëzve shumë të panjohur që po tentojnë të bëjnë emër për ditën e fundit. Ka shumë e shumë njerëz që mendojnë si të kujtohen pas ditës së fundit në jetë. Kjo është kategoria e të identifikuarve rastësisht, përmes pasurimit, ose përmes vrasjes së disa njerëzve, ose përmes politikës. Sa shumë deputetë kemi rrotull që shtyjnë me bërryla përditë në media vetëm me qëllimin që një ditë t’u kujtohet emri. Pse do t’u kujtohet, as vetë nuk e dinë. Ndonjëri do të kujtohet pse u vra duke shkuar në një motel, një tjetër nuk kishte vënë rripin e sigurimit, ndërsa ndonjë tjetër për shkak se është i biri i babait që ka qenë dikush. Ja kaq.
Njerëzimi i dedikon energjitë më të shumta vdekjes se jetës.
No comments:
Post a Comment