Monday, July 12, 2010

Vajza e Sazan Hadërit: Ç’më shkroi në letrën e fundit pesë minuta para pushkatimit

Vajza e Sazan Hadërit: Ç’më shkroi në letrën e fundit pesë minuta para pushkatimi
afrim imaj

Alma Hadëri, vajza e vetme e të pushkatuarit në burgun e Burrelit natën e 2 gushtit ‘67, ende nuk i ka mbushur të dyzetepestat, por nga mënyra si rrëfen të duket më e madhe, pavarësisht pamjes së brishtë dhe vështrimit zhbirues.
Drama që ka përjetuar e ka mësuar t’i fsheh brenda vetes emocionet e trishta e të shfaqet e qetë para të tjerëve. Megjithatë, kur bie fjala për babain, historia e të cilit e ka ndjekur pas tërë jetën, vlaga e kujtimeve e nxjerr disi nga vetja dhe sakaq humbet në rrjedhën e tyre. I vjen e gjallë para syve gjyshja që e tërhiqte përdore për diku larg, mbas maleve, por me gjithë atë lodhje sfilitëse, ajo nuk e kuptonte përse, nga që nuk takonte askënd. “Ku ta dija, shprehet Alma, se pas atyre shkrepave, na priste babai. S’kisha si ta dija, isha e vogël, fare e vogël.”Sakaq, vajza e të dënuarit që u vra natën e 2 gushtit në burgun e Burrelit, mban mënd se edhe emrin ja ka mësuar vonë, shumë vonë. “Në ditën e parë të shkollës, saktëson Alma duke kujtuar shqiptimin e atësisë nga mësuesja e klasës së parë. Ka vrapuar pas këtij çasti drejt shtëpisë me lot në sy për të mësuar diçka nga nëna e gjyshja. Ato më në fund e kanë sqaruar se babai nuk jeton, ka ndërruar jetë në Burrel. Po përsëri, vetëm kaq, ishin pak për tu njohur me historinë e tij. Ditë pas dite pastaj nuk ka reshtur së kërkuari, deri sa ka prekur të vërtetat tronditëse. Të vërtetat e asaj vdekje të pazakontë, i kushtuan shumë. Ajo kujton se fillimisht e privuan nga e drejta për të mbajtur shallin e pionierit, pastaj teserën e anëtarësisë së organizatës së rinisë dhe në fund nga e drejta për studime universitare ndërkohë që ishte e para e shkollës. Gjithsesi, jeta rrodhi si ujët. Jeta rrjedh e bën të sajën. Fëmijët rriten, vajzat plaken, pleqtë vdesin. Kujtimet mbeten. Një çast kur Alma Hadëri mendoi se e kishte tëplotë dosjen e të atit, dikush e këshilloi se kishte akoma punë. Yt atë,para se të vritej, i tha ai, ka lënë një testament për ty. Atëherë duhej kërkuar përsëri, duheshin takuar banorët e dhomës 7. Në inventarin e kujtimeve të saj kërkonte të hynte duke u hasharitur një lajmëtare e ardhur nga larg. E ardhur nga skëterra, ku i kishin degdisur të atin që nuk e pa kurrë. Sazan Hadëri pesë minuta para se ta vrisnin u ul e i shkroi të bijës. Po çfarë....
Zonja Alma! Ju jeni vajza e vetme e Sazan Hadërit. Si jeni njohur me lajmin për vrasjen e tij gjatë tentativës për tu arratisur nga burgu i Burrelit?
Kur vranë babain, unë kam qenë e vogël, dy vjeçe. Pra, mund të orientohesha me fatkeqësinë e ndodhur. Faktin se im at nuk jetonte e kam marrë vesh vonë, po dhe atëherë nuk më sqaruan për rrethanat e vdekjes. Me të vërtetën jam mësuar dalëngadalë, pas interesimeve të shumta me kërshërinë e fëmijës. Gjithsesi, e kam pasur të vështirë të pajtohem me të. Këdo që pyesja, më përgjigjej qortueshëm: Mos! E ka vrarë shteti! Lere të pushojë ku ka rënë! Për vite me radhë kështu...
Pra, ju nuk e keni njohur babain, nuk e keni parasysh fare imazhin e tij...
Nuk e mbaj mënd fare, por nga rrëfimet e të tjerëve, kam fiksuar një imazh të tij. Së pari, nga tregimet e mamasë dhe gjyshes. Më ka dashur çmendurisht, thonë ato. Çohej tre katër herë gjatë natës për të më parë. Madje më vinte veshin në kraharor për të kontrolluar frymëmarrjen. Të gjitha pasditet i rezervonte të më shëtiste me karrocë te parku “Rinia”. Ka qenë i rrallë, i veçantë në marrëdhëniet me mua, kujton mamaja...
Kur jeni njohur për herë të parë me lajmin se babai tuaj nuk jetonte?
Ka qenë shumë e rëndë e dramatike ajo ditë. Shkoja për tu regjistruar për herë të parë në shkollë. I zgjata mësueses certifikatën, e ajo duke i diktuar të dhënat sekretares, lexoi gjenalitetet e mia: Alma Sazan Hadëri! Citimi i saj më vrau veshin dhe aty për aty kujtova mos ishte ndonjë ngatërresë e zyrtarit të gjendjes civile. Ja shpreha këtë mësueses, por ajo bëri sikur nuk dëgjoi. Deri atëherë dija për mbiemër atë të familjes së mamasë. Fjalën Hadëri nuk e kisha dëgjuar herë tjetër. Po kështu dhe emrin e babait. E kuptova se diçka nuk shkonte dhe e befasuar siç isha, u largova me një frymë në shtëpi. Mama, si është puna?-i thashë. As jam unë vajza jote? Ajo më mori në prehër dhe me lot në sy më tregoi atë që ma kishte fshehur prej vitesh. Babai ka vdekur! Fjalët e saj më goditën si shigjetë. Për një moment mbeta si e ngrirë. Sakaq,ime më shkoi në dhomën tjetër dhe erdhi me një fotografi të madhe në dorë. Ky është yt atë!, tha duke ma zgjatur. E mora. Nuk e kisha parë kurrë atë fytyrë. I hodha një sy vetëtimthi. Ishte babai. Dukej burrë i pashëm, fisnik, me vështrim të ëmbël. Disa çaste qëndrova me të në duar. Mamaja thotë se kam folur gjatë përball tij, po mua nuk më kujtohet çfarë kam thënë. Më vonë më pruri albumin me fotografitë e tij. Ishin dhjetëra të tilla. Pastaj u ulëm shtruar si dy shoqe të afërta. Folëm gjatë. Mësova shumë gjëra atë ditë. Po përsëri vetëm faqen e parë të historisë së babait munda të zbuloj...
Mamaja më në fund të foli për babain...
Atë ditë mësova emrin e babait dhe faktin që kishte vdekur. Vetëm kaq. Isha fëmijë e si i tillë nuk mund të shkoja më tej. Sa për rrethanat e tragjedisë, nuk bëhej fjalë. Në rastin e babait, nuk ishte një vdekje e zakonshme, por një vrasje politike...
Sidoqoftë, me kalimin e kohës e mësuat se ishit vajza e një të dënuari që ishte pushkatuar në burgun e Burrelit...
Këtë e kam marrë vesh krejt rastësisht, në një aktivitet të çetës së pionierit. Ishte ceremonia kur për herë të parë do merrnim shallin e kuq të pionierit. Kur erdhi radha ime dhe shkova të paraqitesha në tribunë, komandantja e çetës më tha se nuk ka shall për ty. Pse?, i thashë unë. Nuk ka, kështu ka thënë partia, ma ktheu ajo prerë. Është e vërtetë, më tha gjyshja kur shkova në shtëpi, kështu ka thënë partia. Çka partia me mua, unë i kam të gjitha dhjeta?, ja ktheva e revoltuar. Nuk ka gjë me ty, por me babain tënd, shtoi ajo dhe më tregoi pak a shumë atë që kishte ndodhur në Burrel. Ishte diçka tronditëse kjo për mua, por jo e pakapërcyeshme. Fakti që nuk kuptoja rrezikun e ngjarjes, më bënte ta harroja lëndimin për përjashtimin nga radhët e pionierëve. Megjithatë, e keqja do shfaqej sërish. Goditja e dytë erdhi më e fortë kur do futesha në radhët e rinisë. Teksa të gjithë morën dokumentin e anëtarësimit, mua më nxorën jashtë nga salla. Nuk e meriton, thoshin njerëzit nën zë se është vajza e armikut të popullit. Ika në shtëpi duke qarë, bile me dënesë. E njëjta gjë edhe kur mbarova shkollën e mesme. Isha e para e shkollës “Nimete Progonati”, por e përjashtuar nga e drejta për të shkuar në universitet. Arsyeja, si gjithnjë-babai! Po kështu në festivalin e muzikës. Zura vendin e parë në Tepelenë, por isha e padëshirueshme për konkurrimin kombëtar, për mungesë të besimit politik. Në vendin tim shkoi një tjetër...
Çfarë raportesh kishte familja juaj me babain gjatë kohës që ai vuante dënimin?
Atë e vizitonte më shpesh gjyshja. Ajo e ndoqi si në burgun e Laçit dhe në atë të Burrelit. Në çdo takim babai e porosiste të mos mundohej, por ti sillte një herë të vetme vajzën e ta mbyllte përfundimisht atë punë. Aman vajzën!, i përgjërohej. Më çoi e mira nënë dy herë aty. Një herë në Laç, e një herë në Burrel. Në të dyja rastet nuk na lejuan ta takojmë. Arsyeja e kësaj sjellje, me sa kam mësuar më vonë, lidhej me natyrën rebele të babait me punonjësit e shërbimit. Me sa duket, e dinin pikën e dobët të tij dhe aty hakmerreshin barbarisht. Iku i gjori, iku me njç peng të madh. Sa herë e qante gjyshja me ligje, kuptohet fshehtas, se armiqtë ishin të ndaluar t’i vajtoje, ja thoshte dhe këtë fakt...
Kur të kanë treguar se babain e kanë vrarë në burg gjatë tentativës për tu arratisur?
Kam qenë e rritur kur mësova rrethanat si ishte vrarë babai. Asokohe flisnim gati ilegalisht për këtë ngjarje në shtëpi. Vetëm pas viteve 90 kemi mundur ta mësojmë të plotë ndodhinë e asaj nate tragjike gushti. Të parët që takova nga bashkëvuajtësit e babait, më thanë të kërkoja se kishte lënë një testament për mua. Ka lënë një letër, më tha miku i tij Naim Pashai. Ai të kishte pikë të dobët, por kërkoje se do ta gjesh. Dhe kërkova e kërkova për ditë e muaj me radhë. E gjeta. Nuk kishte lumturi më të madhe kur mora në dorë amanetin e babait të shkruar vetëm pesë minuta para se të vritej.


“Do shkoja në Itali, të jetoja si njeri”

Do iki se këtu nuk jetohet! Në Itali po, aty ka liri! Plotë 25 vite burg i kushtoi Sazan Hadërit tentativa për tu arratisur në pranverën e vitit 65. Në procesin e zhvilluar në Gjykatën e Tiranës, ai u shpreh hapur: “U nisa me bindje, por më kapët. E dija çmë priste po të bija në duart tuaja. Tani bëni ç’të doni. Në fund të fundit nga burgu në burg do të shkoj.” I vendosur në qëndrimin e tij, Hadëri, për asnjë çast nuk u tërhoq nga rrebeshi i pyetjeve të prokurorit dhe gjykatësve. Në pjesët e tjera, dokumenti i hetuesisë pasqyrohen rrethanat në të cilat ishte ngritur plani i arratisjes dhe mjetet me të cilat do të realizohej sprova e rrezikshme....

HETUESI: I pandehur Dazan Hadër Hadëri, akuzoheni se në vitin 1965 dhe deri para se të arrestoheshit më 6 prill 1966 në bashkëpunim dhe me shokë të tjerë, keni bërë përgatitje për tu arratisur jashtë shtetit, duke bërë pjesë në një grup të organizuar personash. E kuptuat vendimin mbi njoftimin e akuzës që ju lexova?
SAZAN HADËRI: E kuptova vendimin mbi njoftimin për akuzën.
HETUESI: Çfarë keni për të thënë për akuzën që ju bëhet?
SAZAN HADËRI: Akuzën që më bëhet e pranoj plotësisht për arsye se unë bashkë me shokët e tjerë Zyber Alimehmetin, Ismail Kapllanin e të tjerë kam bërë përgatitje për tu arratisur jashtë shtetit duke bërë pjesë në një grup të organizuar personash.
HETUESI: Na shpjegoni rrethanat si do të arratiseshit?
SAZAN HADËRI: Një ditë duke bërë shëtitje me Malon dhe Zyberin filluam të bisedojmë për çështjen e arratisjes. Aty vendosëm që para se të arratisemi të sigurojmë armë. Duke debatuar për pamundësinë e sigurimit të armatimit, na lindi përçarja dhe më në fund unë u thashë që nuk do arratisem se kam gruan dhe fëmijën. Malua ra dakord me mua. Kështu që këtë bisedë e lamë me kaq. Pas këtij takimi, unë u takova rastësisht një herë me Malon, i cili më tha se Zyberi është pleksur me një vajzë e cila ka qenë në burg, kështu që ai do llap, kështu që këtë çështjen e arratisjes ta lëmë një herë në heshtje. Unë i thashë mirë dhe do ta shikojmë këtë punë...Zyberi mua më ka thënë që ka dhe një shok tjetër, i cili ka qenë i arratisur jashtë shtetit në Jugosllavi e Itali dhe është kthyer përsëri në Shqipëri nëpërmjet Ambasadës shqiptare që është në Itali. Ai më tha se e ka pyetur për çështjen e kalimit të kufirit dhe për jetën si e kishte kaluar aty dhe ky shoku për në Jugosllavi i kishte thënë që kishte kaluar keq. Aty kishin therur në kamp një grek dhe nga Jugosllavia ishin arratisur në Itali ku i kishin mbajtur mirë. Aty ka liri, më thoshte ai. Aty bën qejf dhe shkon nga të duash dhe jo si këtu që jetohet keq ku punojmë si kafshë dhe hamë vetëm bukë me fasule apo gjizë. Për këtë shokun Zyberi më tha që kur të vendosim neve për tu arratisur do ti them dhe atij që ta marrim me vete pasi është dakord të vijë.
HETUESI: Na thuaj çfarë përgatitje të tjera keni bërë për çështjen e arratisjes jashtë shtetit?
SAZAN HADËRI: Nga sa më kujtohet, çështjen e arratisjes e kemi biseduar bashkë vetëm dy herë. Një herë jemi mbledhur në shtëpinë e Zyberit dhe një herë në shtëpinë time. Në shtëpinë e Zyberit jemi mbledhur në dhjetor 65 dhe kemi biseduar e kemi ranë dakord që të arratiseshim të katër duke marrë motoskafin që do të vidhnim në Liqenin artificial të Tiranës. Me të bëmë planin se do të arratiseshim nga deti për në Itali. Kemi biseduar edhe për të gjetur armë, në mënyrë që secili nga ne të kishte nga një armë. Për këtë bëmë planin që ti vidhnim në depon e ministrisë së Brendshme, duke vepruar një natë kur unë të isha me shërbim 24 orë aty. Mirëpo kur ata erdhën dhe vodhën depon gjatë natës, morën prej aty disa revole relikt dhe mësimore...
HETUESI: Pse donit të arratiseshit në Itali dhe jo në ndonjë vend tjetër?
SAZAN HADËRI: Arsyeja që neve deshëm të ikim në Itali ka qenë se Zyberi na ka thënë se një shoku i tij që ishte arratisur në Jugosllavi dhe në Itali, i ka treguar për jetën që bëhej andej. Ai i kishte thënë se në Jugosllavi kishte kaluar shumë keq. Kur kishte vajtur në Itali e kishin pritur shumë mirë dhe ja kishte kaluar mirë. Aty, i kishte treguar ai Zyberit bëhet jetë shumë e mirë, ka liri dhe respektohen të drejtat e të gjithëve. Unë rashë dakord se në Itali kisha një bashkëfshatarin tonë, i cili quhet Neshet Kolonja, megjithëse në të vërtetë unë atë nuk e kam njohur asnjëherë. Me një fjalë do shkoja në Itali, për të jetuar si njeri.
HETUESI: I dinit pasojat, po të kapeshit duke u arratisur?
SAZAN HADËRI:
Patjetër që i dija, por kisha vendosur e nuk mendoja të kthehesha nga rruga e nisur. E dija që më priste burgu, por në fund të fundit nga burgu në burg do shkoja në arrest se do kapesha, siç ndodhi.
Vijon nesër

Meqenëse ty të kam këtu, unë të them të mos më marrësh për të çmendur. Këtë e vendosa me vullnetin tim. Po shkoj drejt vdekjes, prandaj në rast se unë vritem, të gjitha rrobat e mija, që mbeten ti marrësh ti.
Amanet po më takove vajzën ndonjëherë t’i thuash se e kam dashur shumë. Për atë do punoj po shpëtova.
Të falat e fundit
Sazan Hadër Hadëri
मिट

No comments: