Wednesday, July 14, 2010

Tringë Smajlaj ­ Tringa e Grudës .

(Mali i Zi,Tuz,Simpoziumi shkencor”Tringa e Grudës”,më 30.12.2007)

Duke u përpjekur të komunikoj, përmes fjalës së shpirtit, me “Vajzën e Orelanit”shqiptar,Tringë Smajlen në 90-vjetorin e përjetësisë së saj,si kreshtë që himnizoi qëndresën e femrës malësore në emër të lirisë, në emër të dashurisë për trojet tona, ushtuan me dinjitet krenar brenda meje vargjet lapidare të lahutarit malësor,rapsodit të mirënjohur Jonuz Delaj:
“Hej lahutë sa e moçme je,
N’ gjak të ilirëve ti m’ke le,
Mbi tel tand shumë gishta ranë,
Në faqe tua shumë lotë t’u panë.

Esencialisht me gjuhën e poezisë popullore përjetohet domethëniaë më elegante e mbijetesës sonë si një popull me kushtrimin e luftës,po aq të shpirtit,vetëm në emer të jetës,vetëm për të qënë i lirë në pjesën tonë të diellit që aq padrejtësisht, pabesisht dhe përçudnisht u nëpërmkëmbë në rrugëtimin e një shekulli nga Evropa plakë. Një popull brilant si yni që falë maleve tona diti të ruajë deri në kohët moderne të pastër identitetin dhe gjuhën si vazhduese e gjuhës pelllazgo-ilire, gjuhën e Pitagorës e të Safos, gjuhën shqipe, këtë nënë të gjuhëve evropiane sipas Herodotit(Libri II,fq 5O­53)i cili për këtë interpretim shkencor të gjuhës pellazgo­ilire do të sulmohej egër nga Perikliu(495­425 p.k),burrë shteti i Athinës.
Si gjuha dhe identiteti i një populli në historinë e të cilit dashuria tragjikisht u përjetua që në zanafillen e fatit të tij si një dramë, si një konflikt brenda vetes, në emër të lirisë duke vënë mbi të gjitha dashuritë atë më sublimen:
Dashurinë për flamurin,dashurinë për troje të veta, dashurinë për një Shqipëri të lirë, çka hijeshonte dhe hijeshon stërnipat e ilirëve.
-A s’është pikërisht një vokal i tillë brenda cilitdo prej nesh ky përvjetor jubilar i Tringë Smajlës,Tringës së Grudës?
Pa tjetër kështu dhe vetëm kështu dhe poeti popullor vazhdon.Muza e tij poetike ngre përmes fjalës së shpirtit monumentin e heroinës në kujtesën e popullit të M.Madhe,kësaj treve që lindi nëna,vasha dhe bija që më shumë se me njerëzit e zakonshëm ngjanin me Zanat dhe Orët e malit,me kushtrimet e bjeshkëve tona.Një e tillë ishte edhe Tringë Smajlja:
N’Grudën tonë ka le një zanë,
Tringë Smalja i kanë thanë,
Paske le n’shpi t’mirit,
Asht e bija e Smajl Martinit.

Sa thjesht,sa mrekullisht e prezanton poezia popullore.Tringës populli nuk ia kurseu këngën,këtë dëshmi të përjetshme të përjetësisë si kreshtë e qëndresës duke sfiduar deri ligjet e natyres,feminilitetin e saj në emër të lirisë

Tringë Smajlja po viket:
Ma kadal ti biri i shkinës,
se këto janë trojet tona,
s’i shkel lehtë nipi i carinës,
ardh’ këndej rrotull veç ka e vona.

Dhe kushtrimi i shpirtit ,si kushtrim në një fushë beteje, kushtrimon me gjithë hijeshinë e tij në fjalët e heroinës, prototip i qëndresës dhe krenarisë së ligjshme të bijave të Malësisë, këtyre “zanave” që kurdoherë u gjëndën në krah të “kreshnikëve” të lirisë si Dedë Gjo’ Luli,Marash Uci,Çun Mula dhe Smajl Martini që do të falte jetën në emer të lirisë nën egërsinë e Anadollit:
Edhe ti turk prej Anadolli,
n’troje tona nuk ke punë,
nuk t’a lëshojmë ne kurrë flamurin,
Këtë flamur t’Skenderbeut,
që zbardh na ka në faqe të dheut.

“Në jetën shqiptare nuk është aspak një gjë e rrallë të takoje në rrugë,në kafene apo në pllajën me shi një njeri me “këngë”, pra një njeri për të cilin është ngritur një këngë.Kjo nuk do të thotë aspak se populli ta jepte lehtë këngën-shprehet Kadare. Duke medituar mbi këtë domethënie estetiko-filozofike ndjehesh si malësor pjesë e atij sadisfaksioni që i takon kësaj treve, ku bijat kreshnike si Tringa e Grudës,Nora apo Tonia e Kelmendit e të tjera si këto kishin ngritur në institucion qëndresen brenda vetes, virgjërinë në emër të jetës së lirë të trojeve të veta që kërcnoheshin nga carintë,këlyshët e Rusisë apo kopjet e tyre moderne gjatë historisë.
Dhe çfarë institucioni?!
“Për shumë kënd i panjohur dhe i çuditshëm,për shumë të tjerë i papërfytyrueshëm,por për trimëreshat malësore një institucion i veçantë”, thekson publicisti Halil Buçpapaj.Një realitet sa epik,sa lirik,sa absurd,sa tragjik,sa modern,sa postmodern,sa histori,sa post’histori.
Duke iu rikthyer sa thelbit epik,sa atij intim të jetës së Tringë Smajles në 90-vjetorin e saj të vdekjes përjeton forcën e dashurisë për liri, si domethënie ekzistenciale e kombit tonë .
Vetë malet shqiptare struken në gjirin e tyre trimërinë dhe humanizmin e llojit të vet, nën shembullin e Tringave ,Norave, Toneve,Dedë Gjo’ Lulëve,Smajl Martinëve e të vatravet tona në çdo familje malësore, të cilat do ta mrekullonin “Krajlicën e Maleve”, Edit Durhamin, në fillimin e shekullit të kaluar, me bujarinë,me fisnikërinë me besën e mikpritjen dhe altruizmin në emër të lirisë dhe dashurisë për njeriun në përgjithësi dhe mikun në veçanti.
Madje edhe Orët apo Zanat shqiptare, ndryshe nga ato greke apo të popujve të tjerë të Ballkanit, në poezinë tonë popullore paraqiten të humanizuara,aq sa ka zona të Shqipërisë,siç shprehet Kadare, që këto i thërrasin me emrin “nuse”.
Pushtimet me represionet e tyre mbi shqiptarët shkaktonin zhdukjen e meshkujve të familjeve të tëra..Kjo sillte, në jo pak raste ,që “zanat”e Malësisë së Madhe të pranonin kompromisin më tragjik brenda vehtes: Mohimin vullnetar të së drejtës së amësisë, si nënë, në emër të amësise së lirisë të trojeve shqiptare duke plotësuar kështu krahun e armatosur në përballje me pushtuesin.
“Pas pushtimit barbar osman të lëndinave,shesheve, e katundeve,ku këndoheshin e kërceheshin baladat e dikurshme, këto të fundit u zëvendësuan me kullat e zymta e të ftohta malësore,kurse koralet e famshme u zëvendësuan nga zëri vetmitar i lahutarit. Muza poetike vetvetiu u egërsua.
Ajo këngë vetmitare e lahutës,ai ankim i gjatë s’ishte gjë tjetër veçse një parandjenjë për të mos thënë një parashikim i vitit tragjik 1913,kur gati gjysma e trojeve shqiptare iu shkëputen trupit te Atdheut”-
- nënvizon Kadare në librin”Autobiografia e popullit tim në vargje”.

, Krajl Nikolla pat thanë dikur:
Vetë Malësinë s‘mund ta shtroj kurrë,
për pa e vra at’ lahutar
që në kange trimat po m’i ngjall,
n’ kuvend malet po m’i ul,
po lahutarin se vrava kurrë.
lahuton rapsodi

E kështu në jetë të jetëve ,brez pas brezi ,do të lahutohet kushtrimi i Tringës si kushtrim i një treve heroike për jetë të lirë e me dinjitet ,si kushtrim i nënave,motrave tona,si mbarë populli ynë, për një tokë që ushqen në vetvehte dhe ndaj kujtdo, që nderon jetën në liri të tjerëve,vetëm dashurinë.
Nuk kishte se si t’i shpëtonte Zhanë D’Ark e Malësisë muzës poetike të poetit tonë kombëtar,At Gjergj Fishtës.ashtu si Zhanë D’Ark franceze s’i shpëtoi dot gjenisë së Shilerit. Në se kjo e fundit do të ndizte fitoren e lirisë nga Orleani deri në Reims në Francën e 1429-ës duke merituar muzën poetike të gjeniut gjerman në veprën e tij të mirënjohur’Vajza e Orleanit”,
Zhanë D’Ark e Malësisë së Madhe do të ndizte me shembullin e saj vendosmërinë e patriotizmit të malësorëve për të shkruar në historinë tonë prologun dhe suportin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane më 28.11.1912.duke merituar përjetësinë e vet në eposin tonë ,“Lahuten e Malcis”të Homerit shqiptar.
Veç,po,’i vashë un jam tue pa,
vashë të re n’xhubletë të bardhë,
me nji rubë rreth ballit ardhë
qi mje m’vet’lla m’i ka ra;
e derdhë flokët jashta shamisë,
dalë më paksa n’derë të shpisë,
njanin brryl n’ballnik nguju’,
ndejka e këqyrka m’kambë haru,
si Nokshiqi rrin t’u kallë,
plaçkë si bahet gjaja e gjallë:
si npër përroska,zallë e rrëgallë
jesin dekun gra e fëmijë
për nën plumb t’Malit t'Zi.
Ata që kërkojnë ta “degdisin” muzën e Fishtës tek ndonjë zhanë d’ark tjetër shqiptare, duke marrë spunto nga një episod heroik i një vajze malësore gjatë luftës për mbrojtjen e Plavës dhe të Gucisë (1880), nuk tingëllojnë bindës.
Së pari, vepra e Fishtës është vetëm vepër arti, jo histori,pavarësisht referencave në jo pak raste ndaj personazheve real ,që ai pati rast t’i njohë drejtpërdrejt, kurse në rastin e Tringës ,si personazh artistik, poeti synon të plazmojë në një këndvështrim estetiko-filozofik shumë më të plotë botën shpirtërore të femrës malësore, paraqitur me aq ndjesi dhe delikatesë në planin social,erotik dhe human nga Mjeda në kryeveprën e tij ,aq të njohur si njëra nga perlat e letërsisë shqiptare,“Andrra e Jetës”.
Ёndërr që sipas Fishtës nuk mund të arrihej në një atdhe të robëruar,duke thyer kështu edhe mitin maskilist mbi qëndresën përmes një karakteri letrar artististiksht të plotë si heroinë e një vepre të përsosur dhe të përkryer,në formatin e një epi modern. siç shprehej E.Çabej duke iu referuar”Lahutёs sё Malcis”.
Ja dy pamje mjeshtërisht të realizuara nga Fishta duke na prezantuar heroinën e vet si përgjithësim i fuqishëm i bukurisë fizike të femrës malësore

“Ardhun shtatit si breshana,
synin hyll,ballin si hana,
dashka njeth si molla n’gem,
si nji lule shperthye n’rrem,
qi ka dal ashtu te dera,
sikur bin me çil\ pranvera.
sikur ban dielli me dal,
neper aha,brej e hala,
kaq gja t’mire Zoti e ka fale

Duke shpalosur profilin e saj si figurë humane, sa reale,sa ireale,sa konkrete,sa abstrakte,sa historike,sa universale falë kryqëzimit deri në përmasat e mitit brenda vehtes poeti vazhdon:

S’e askend t’vetin Tringa s’ka,
Tringe i thone, po, asaj bije malit,
veç tim’zon’ edhe nji vëlla
njat Curr Ulën pika e djalit,
po,me i prekun kryet n’tra.
qi ajo e do si sytë e ballit,
e qi as fat me i qit s’desh vetit,
virgjineshe po ndej ka n”voter,
sat për t’pasun vëllanë per s’ ng’jatit.

Kështu Fishta duke përjetuar shembëlltyren e një heroine si Tringa e Grudës, prototip i “zanave” malësore në krah të “kreshnikëve”gjatë historisë sonë, arrin të himnizojë shumë nga vlerat sa kanunore ,sa jokanunore, që në vizionin e popullit tonë dhe të së ardhmes së tij evropiane vijnë si një kapital i pazëvëndësueshëm në investimin tonë si identitet në Evropën e re.
E nëse dikujt mund t’i tingëllojnë jashtë kohe kënga jonë popullore,poezia e tij, e cila,sipas Kadaresë(vep.cit,fq.13), qe sa” si lajm,sa si kronikë,sa si dënim,sa si titull fisnikërie,sa si dëshmi,sa si hierarki” në të cilën hijeshon edhe Tringa jonë, për ne shqiptarët që Çështjen Kombëtare vazhdojmë ta kemi ende peng të historisë në post’histori, zëri i Dedë Gjo’ Lulit,i Çun Mulës,i Smajl Martinit, i Tringës, i Tonës dhe i Norës e shumë e shumë martirëve të lirisë mbetet aktual,mbetet zëri i thelbit tonë ekzistencial.
Poezia jonë popullore në tërësi, Fishta në veçanti, përmes penës së tij mjeshtërore shpreh nderimin më të lartë për ata që ai i quante fatosa të lirisë të cilët për t’i kënduar si duhet, sipas poetit tonë kombëtar, lypet Homeri.
Dhe në gjirin e këtij panteoni kreshnikësh e kreshnikesh hyn dhe Tringë Smajlja e cila në muzën e poetit popullor përjetohet si profil bjeshke:

veshun me qestek sahati,
me çakshirë dumashi,
me xhamadan lam në ar,
me kapicë deveje bardhë si bora e malit,
me besën e burrit, me bujarinë e shpirtit,
me dashurinë e pashoqe për njeriun,
me trimërinë e rrallë,
me kushtrimin për trojet tona

Sikur atëherë në Kuvend me Dedë Gjo’ Lulin hidhte kushtrimin për të falur gjakun,në emër të lirisë së trojeve tona nga pushtuesi sllavo-turk sot na fal mesazhin më fisnik ,si një vlerë sa lokale,sa kombëtare,sa historike,sa universale,për të dashur më shumë se kurrë njëri-tjetrin,
sepse vetëm dashuria,siç shprehej E.Koliqi,do ta bëjë Shqipërinë nuse,Shqipërinë-Nënën tonë të Madhe,tashmë pa diskutim në shekullin më fatlum të saj ,në shekullin e braktisjes së Prangave të Artificialitetit, drejt hapësirave të saj të mrekullueshme,që Zoti ia ka falë si pak kujt në glob,Shqipërisë sonë Natyrore,Nënës sonë të Përbashkët.
Kadri Ujkaj,kritik letrar

,

No comments: