Sunday, August 8, 2010

Enigmat e pazbardhura të masakrës së 7 gushtit 2009

Artan CENA
TIRANË - Ende shumë enigma e mbulojnë ngjarjen e kobshme të ndodhur në Durrës si sot një vit më parë, kur katër efektivët të Policisë, pjesëtarë të Operacioneve Speciale, u ekzekutuan brenda pak çastesh nga Dritan Dajti. Në këtë ngjarje ngeli i vdekur dhe një djalë i ri, Ledion Mara, që policia e identifikoi si mik të autorit të kasaphanës. Edhe pse Dajti është sot në proces, shumë dritëhije kanë mbuluar operacionin e zhvilluar. Pesë persona të vdekur, mes të cilëve 4 punonjës policie, ishte “fatura” për arrestimin e super të kërkuarit Dritan Dajti, të dënuarit që, sipas policisë, prej vitesh ishte kthyer në një nga njerëzit më të fuqishëm të nëntokës së krimit. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 7 gushtit 2009 në Plazhin e Durrësit, ku autor i vrasjeve është Dritan Dajti, person i arratisur nga burgu në kohën e gjykimit, pasi akuzohej për vrasjen e një biznesmeni.
Misteret e ngjarjes
Disa mistere të pazbuluara dhe sot mbuluan operacionin e organizuar nga uniformat blu për arrestimin e Dritan Dajtit. Në kërkesën për gjykim të dërguar në gjykatë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, nuk ka shumë fakte për organizimin e operacionit për kapjen e personit më të rrezikshëm në Shqipëri. Ende pa u sqaruar ka ngelur dhe fakti se pse në këtë aksion nuk merrte pjesë RENEA, repart i specializuar për ndërhyrjet të tilla me rrezikshmëri të lartë. I pazbardhur ka mbetur dhe emri i drejtuesit të policisë që ka dhënë urdhrin për arrestimin e Dritan Dajtit në mes të qytetit të Durrësit dhe në kohën kur fluksi i pushuesve ishte më i larti i tërë vitit. Në detajet e zbardhura nga policia mësohet se Dajti ishte identifikuar dhe po ndiqej pasi dyshohej se drejtonte një rrjet të madh droge nga Durrësi në drejtim të Italisë. Policët që morën pjesë në operacion ishin të specializuar pikërisht për të kapur persona që merreshin me trafiqe droge, e jo të akuzuarit për vrasje.
Aksioni
Ajo që në fakt duhet të ishte një pritë nga policia për Dajtin u kthye në të kundërtën e planit. Këtu nisin dhe dyshimet duke bërë që hetuesit të mendojnë se kanë të bëjnë me një dekonspirim, pasi Dajti jo vetëm që nuk është kapur në befasi, siç pretendonin oficerët e operacionit, por ata e kanë kapur policinë në befasi. Megjithatë, hetuesit shtojnë se gjithçka do të analizohet me detaje të imtësishme. Por, deri tani, ende asgjë nuk është zbardhur për publikun. Policët që morën pjesë në këtë operacion, katër prej të cilëve mbetën të vrarë, nuk kishin veshur jelekë antiplumb, ndërkohë që kishin dijeni se ata po shkonin të kapnin një person me rrezikshmëri të lartë. Por, përpos anës procedurale të operacionit, hetuesit dyshojnë se policët mund të jenë dekonspiruar nisur nga fakti që Dajti me shokë po largoheshin të armatosur. Dikush i kishte tradhtuar policët duke i rrëfyer Dajtit se po u afroheshin prangat, çka dyshohet ta ketë detyruar Dritan Dajtit të mbrohet me armë në momentin e fundit. Dhe pikërisht për këtë arsye është arrestuar dhe një inspektor policie i zonës së plazhit, ku ndodhi dhe kasaphana. Hetuesit kanë rindërtuar mekanizmin e krimit të pesëfishtë që ndodhi në Plazhin e Durrësit. Sipas materialeve të mbledhura, ka qenë Dajti që ka qëlluar i pari mbi policinë, duke lënë, një nga një, katër policë të vrarë, ndërsa efektivat e njësisë operacionale kanë diktuar me vonese se Dajti dhe miku i tij i dyshuar Ledion Mara po qëllonin me armë duke e detyruar policinë të zbrazë armët e saj.

Kush është Dritan Dajti
Dritan Dajti, 39 vjeç, ka lindur në Tiranë më 17 nëntor 1971. Dajti ishte një i dënuar me 20 vjet heqje lirie nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale të vrasjes. Në fakt historia e tij u mediatizua kur Dritan Dajti u largua në mënyrë spektakolare nga dhoma e izolimit e Gjykatës së Tiranës, më 17 nëntor 2003, vetëm pak minuta para se të fillonte seanca kundër tij. Nga hetimet e mëvonshme rezultoi se gjithçka kishte qenë e planifikuar. Dajti mori një pistoletë në banjën e gjykatës, ku ishte vendosur më parë nga miqtë e tij. Me këtë pistoletë ai iu drejtua policëve të togës që kishin për detyrë ta ruanin dhe qëlloi disa herë në ajër. Por nuk ngurroi që pistoletën t’ia drejtonte edhe prokurorit, që në ato moment po bëhej gati për t’u futur në sallën e gjyqit. Dajti u arratis me pranga në duar, doli nga dera kryesore e gjykatës, u rrëzua një herë, po policia nuk mundi ta neutralizojë. Ai hipi në një motor, që drejtohej nga një person tjetër dhe u largua, ndërkohë që një person tjetër ende i paidentifikuar qëlloi disa herë me pistoletë në ajër në anën tjetër të rrugës, me qëllim tërheqjen e vëmendjes së policisë. Dy vjet më vonë, më 20 mars 2005, mendohet që ai t’i ketë shpëtuar përsëri nga duart policisë në një aksion ku u arrestua një tjetër njëri i njohur i botës së krimit, Emiliano Shullazi.

Minutë pas minute me ngjarjen e 7 gushtit 2009
Nuk dihet se në çfarë rrethanash, por pikërisht në kohën kur kanë nisur të shtënat, Dritan Dajti dhe dy të tjerët që e shoqëronin ishin duke u larguar nga hoteli. Dajti sapo kishin hipur në makinën e tij të tipit “Volkswagen Tuareg”, parkuar rreth 50 metra larg hotelit, në një rrugicë, madje e kishte ndezur atë, por duke u rehatuar në ndenjësen e prapme, në pritje të një prej shokëve, kur ka parë të parkohet me shpejtësi në krah një makinë e tipit “Ford Fiesta” pa targa. Prej saj, sipas dëshmive të banorëve të zonës, kanë zbritur dy oficerë policie të veshur civilë, por me maska të zeza, të cilët ishin pjesë e Skuadrës Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, një sektor i krijuar kohët e fundit. Nuk pohohet nëse i janë prezantuar njeriut në fuoristradën “Tuareg” si policë, por konfirmohet se menjëherë pasi ata kanë zbritur në tokë, janë qëlluar nga brenda. Njeriu që qëlloi nga brenda, nga ndenjësja e pasme të makinës, pa humbur kohë të ulte xhamin, duke e thërrmuar atë, pohohet të ishte pikërisht i superkërkuari Dritan Dajti. Viktima e parë e plumbave të Dajtit ka qenë pikërisht oficeri me gradën më të lartë, drejtuesi Fatos Xhani, që është rrëzuar përtokë pa frymë. Në të njëjtën kohë, një tjetër oficer i policisë ka qëlluar në drejtim të xhamave të makinës, por pa mundur ta neutralizojë Dajtin. Këtu nis edhe katrahura. Dajti zbret nga makina dhe e qëllon edhe oficerin tjetër duke i marrë jetën. Pasi zbret, Dajti ka parë në afërsi mikun e tij, të njëjtin që priste në makinë të merrte timonin, të vënë me shpatulla përtokë nga dy policë të tjerë, edhe këta me maska në kokë. Pa u menduar dy herë Dajti qëllon dy policët, duke lënë të vrarë edhe një të tretë dhe duke plagosur të katërtin. Një plumb i pakontrolluar, i qëlluar po nga pistoleta e tij, i merr jetën edhe shokut të tij, Ledion Mara, 23 vjeç, nga Lushnja. Duke u acaruar edhe më shumë se qëlloi shokun e vet, Dajti ndjek nga pas policin që plagosi, e mbërrin në afërsi të hotelit ku strehohej, përballë një lokali. Aty ai i afrohet dhe pa iu dridhur dora e qëllon me një plumb në kokë. Në një vendngjarje të tretë, një grup tjetër policësh kishin prangosur ndërkohë pa ndonjë kundërshtim, Erges Xhaxhin, kunatin e Dritan Dajtit. Policët e kishin parë në rrugë dhe e kishin goditur me parakolpin e makinës, duke e prangosur pa shumë zhurmë.

Si u krijua reparti GOS për ndërhyrjet tepër të rrezikshme
Sektori i Operacioneve Speciale, i njohur si GOS, është një prej strukturave, pjesë përbërëse e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Si një strukturë me punonjës pothuajse sekretë, informacioni rreth saj është i kufizuar. Burime pranë këtij grupi operacional sqaruan se fillesat e saj kjo strukturë i ka pasur rreth 4 vite më parë, mbi një strukturë të mëparshme të vitit 1998. Që prej fillimit, Sektori Operacional Special është ideuar për të qenë “pjesë aktive” e radhëve të policisë, vetëm në operacione të posaçme. Gjithashtu pjesë dominuese e filozofisë së saj është vëzhgimi dhe dokumentimi i veprimtarisë kriminale. Ndryshe nga efektivët e Shërbimit Informativ Shtetëror, efektivët e GOS-it kanë në kompetencën e tyre ndërhyrjen dhe deri në arrestimin e personave të inkriminuar në veprimtari të jashtëligjshme. Në hierarkinë e kompetencave në organigramën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, agjentët e GOS-it qëndrojnë mbi efektivët e tjerë të policisë, si edhe ato të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB). Varësia e tyre është nga Drejtoria, pjesë e së cilës janë strukturë. Ata angazhohen në luftën kundër krimit ekonomik, krimit të organizuar dhe të antidrogës. Bëhet e ditur se kjo strukturë ka rreth 40 efektivë. Të gjithë efektivët janë persona që kanë mbaruar Shkollën e Policisë dhe gëzojnë gradën “Inspektor”. “Rutina” e përditshme punonjësve të kësaj strukturë është vëzhgimi. Në vijim ata dokumentojnë veprimtarinë kriminale, duke realizuar përgjime ambientale, fotografime dhe filmime. Pas dokumentimit ata mund edhe të ekzekutojnë arrestimin e personave të inkriminuar. Agjentët e GOS-it punojnë nën koperturë, duke u veshur me rroba civile dhe duke i mbajtur armët e zjarri në vende jo të dukshme.

Policia do t’i nderojë katër policët më 9 gusht
Policia e Shtetit ka njoftuar ditën e djeshme se homazhet për katër efektivët e policisë, të vrarë në datën 7 gusht 2009, do të bëhen në datën 9 gusht, dy ditë pas 1-vjetorit të ngjarjes së rëndë. “Ditën e hënë, më datë 9 gusht 2010, në orën 10:00, pranë Varrezave të Dëshmorëve do të zhvillohet ceremonia përkujtimore për katër Dëshmorët e Atdheut të rënë në krye të detyrës një vit më parë: drejtues Fatos Xhani, k/inspektor Altin Dizdari, k/inspektor Kastriot Feskaj dhe k/inspektor Saimir Duçkollari”, - thuhet në njoftimin e bërë nga uniformat blu. Nuk është dhënë ndonjë arsye se pse homazhet ndaj policëve të vrarë në krye të detyrës do të kryhen dy ditë më vonë se njëvjetori i ngjarjes.


7 Gusht 2010

No comments: