Ervin KOÇI
Aplikimi i taksës së mjeteve të përdorura në shitje të çdo mjeti nuk është e vetmi ndryshim për taksat e makinave. Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Transportit të Shërbimit Rrugor, Eduart Gjermeni, thotë se ndryshime janë bërë edhe në taksën e qarkullimit të mjeteve. "Në qofte se me ligjin e vjetër një qytetar kërkonte të regjistronte mjetin në muajin e fundit të vitit, ai ishte i detyruar të paguante taksën e plotë për gjithë vitin, pavarësisht se ai e përdorte mjetin një muaj. Ndërsa tani me futjen e ligjit të ri ai paguan vetëm për atë muaj që e përdor. E njëjta gjë ka të bëjë dhe përsa i përket mjeteve që dalin jashtë përdorimit",- bën të ditur zëvendësdrejtori i DSHTRR-së, Gjermeni. Sipas tij, taksa e mjeteve të përdorura ka një skemë të qartë llogaritjeje dhe përgjithësisht asaj i nënshtrohen të gjithë mjetet e transportit përjashtuar mjetet bujqësore. "Diferenca e kësaj takse ka të bëjë me taksën në momentin që e shet, e cila llogaritet duke shumëzuar cilindratin e mjetit, me koeficientin e karburantit i cili për makinat me naftë është 25, ndërsa për makinat me benzinë është 20. Ka të bëjë pastaj dhe me koeficientin vjetor që futet me grup-mjetet, ku grupi i mjeteve autoveturë e kanë këtë koeficient 0.5 dhe gjithë mjetet e tjera e kanë 0.25. Përjashtohen në këtë rast vetëm mjetet bujqësore",- thotë ai.
Rishitja
Në rastin e rishitjes së një makine pasi e ka paguar një taksë shitjeje me ligjin e ri në fuqi detyrimi që lind për tu paguar është shumë më i vogël. "Nëse do bëhet një rishitje e mjetit prapë do bëhet e njëjta llogaritje, por ka të bëjë me afatin kohor nga momenti i shitjes së parë, me shitjen pasardhëse. Kuptohet taksa është e vogël, sepse në këtë rast nuk ka të bëjë me diferencën e momentit kur futet mjeti nga importi por ka të bëjë me diferencën e shumave të taksave nga shitja e parë në shitjen pasardhëse",- vijon Gjermeni. Taksa e shitjes së mjeteve aplikohet që prej 13 korrikut për herë të parë në vendin tonë. Një taksë e ngjashme paguhet në të gjithë vendet e BE dhe ka si qëllim dekurajimin e shitjes së mjeteve të vjetëruara.
Ndryshimet
Ndryshimet e këtij ligji përfshijnë në vetvete taksa të reja që quhen "Taksa e mjeteve të përdorura të transportit" dhe "Taksa e karbonit", çka do të thotë rritje automatike të parave që duhet të paguajnë qytetarët. Ligji prek qytetarët që blejnë një makinë si kur paguajnë në doganë, ashtu edhe kur shesin, pasi do të kenë një detyrim të ri. Për automjetet deri në 5 vite përdorimi, taksa do të ketë një ulje të lehtë. Për ato nga 6 deri në 10 vite përdorimi, taksa ka një rritje të vogël, ndërsa ato mbi 10 vite përdorimi, taksa rritet në proporcionalitet me rritjen e viteve. Referuar ligjit që tashmë ka mbërritur në Kuvend, parashikohet taksimi për të gjitha shitjet e njëpasnjëshme që mund të pësojë një mjet. Formula e përllogaritjes së taksës në këtë rast është: “cilindrat në cm3 x koeficient fiks për çdo vit përdorimi x taksë fikse për llojin e karburantit”. Taksa fikse do të jetë 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën, koeficienti për vitet e përdorimit, 0.5 për autoveturat për çdo vit përdorimi dhe 0.25 për mjetet e tjera.
Kush nuk paguan
Të gjitha makinat që importohen dhe shiten brenda vitit nuk paguajnë taksë pasi diferenca mes taksës së importit dhe taksës së shitjes përllogaritet me të njëjtën formulë, pra diferenca është zero. Po ashtu janë të përjashtuara nga taksa e shitjes edhe makinat që blihen me leasing. Të përjashtuar nga kjo taksë janë edhe makineritë bujqësore. Për të gjithë llojet e tjera të mjetit aplikohen taksa shitjeje që përllogariten nga ekspertët e drejtorisë së shërbimit të transportit rrugor. Në varësi të mjeteve, këto taksa variojnë nga 500 mijë lekë deri në 5 milion lekë.
BOX//////////////////////////////
Ja gjobat më të shpeshta që mund t’ju shqiptohen në Shqipëri
Shumë kosovar, pos shpenzimeve për kalim të pushimeve në Shqipëri, marrin edhe ‘bakshishe’ për Policinë. Për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë në komunikacion, Policia e Shqipërisë, aplikon masa ndëshkuese, edhe për qytetarët e Kosovës, pushues në bregdetin fqinj. Kontrollimi i rrugëve në hyrje të Shqipërisë, bëhet bashkërisht me pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës dhe Policia e Shqipërisë kërkojnë mirëkuptim dhe zbatim me përpikëri të rregullave të qarkullimit rrugor e sidomos shpejtësitë e lejuara të pasqyruara me sinjalistikën e vendosur sipas rregullave të Republikës së Shqipërisë. Të gjitha akset janë të kontrolluara me radar statik dhe mobil, dhe në rast tejkalimi të shpejtësisë aplikohen këto masa ndëshkuese: Për tejkalim shpejtësie zbatohet Neni 140 i Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë ku pika 1 parashikon: deri 10 kilometra tejkalim shpejtësie, gjoba është 2000 (dymijë) lekë të reja, ekuivalente me 15 euro. Pika 2: Deri 20 kilometra tejkalim shpejtësie gjoba është 4000 (katërmijë) lekë të reja, ekuivalente me 30 euro. Pika 3: Mbi 20 kilometra tejkalim shpejtësie gjoba është 10000 (dhjetëmijë) lekë të reja, ekuivalente me 70 euro, si dhe tërheqja e patentës nga ana e policisë dhe dërgimi i kundërvajtësit në Gjykatë Administrative.
Ndërhyrjet e BSH në tregun e parasë gjatë tremujorit të parë të vitit 2010
Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2010 përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektimin e likuiditetit. Për të injektuar likuiditet, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor mesatarisht 17.49 miliardë lekë në javë, si dhe instrumentet rregulluese me maturim më të gjatë se një javë, marrëveshjen e riblerjes me maturim një dhe tre mujor. Marrëveshja e anasjelltë e riblerjes me maturim 1-mujor u përdor në një rast, mesatarisht 3.0 miliardë lekë. Edhe marrëveshja e anasjelltë tremujore u përdor në tre raste, mesatarisht 4.3 miliardë lekë për ankand. Gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2010, depozita njëditore u përdor me një nivel mesatar ditor prej 0.35 miliardë lekësh, në krahasim me 0.54 miliardë lekë në ditë gjatë 3-mujorit të kaluar. Përdorimi i depozitës njëditore ishte më intensiv gjatë ditëve të fundit të periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar.
Instrumenti i kredisë njëditore gjeti një përdorim minimal gjatë këtij 3-mujori (një rast përdorimi në nivelin 10 milionë lekë). Në 3-mujorin e parë të vitit 2010, BSH-ja nuk ka ndërhyrë në tregun e brendshëm valutor dhe nuk ka kryer veprime me bankat e nivelit të dytë. Gjatë kësaj periudhe, kanë vijuar të realizohen veprime të shitjes dhe të blerjes së valutës me Ministrinë e Financave. Blerjet e valutës së BSH-së nga MF-ja gjatë kësaj periudhe shënuan 4.87 miliardë lekë, ndërsa shitjet 6.22 miliardë lekë. Blerjet e valutës nga institucionet e huaja llogariten në 0.14 miliardë lekë (Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim “IDA” dhe Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim).
Në gjyq 30 ferma bujqësore, i kanë 100 milionë lekë borxh shtetit
Gjatë këtyre dy javëve inspektorët e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, së bashku me Drejtorinë e Tatimeve, po shkojnë në të gjitha subjektet, të cilat kanë përfituar nga programi 2KR, por nuk kanë paguar detyrimet. Për 30 subjekte kanë nisur proceset gjyqësore. Këto kontrata janë lidhur nga viti 2000, deri në vitin 2005 dhe detyrimi i pa-arkëtuar është 100 milionë lekë. Mungesa e një mase sigurie (kolaterali) ka vështirësuar arkëtimin e detyrimeve gjatë këtyre viteve. Nga granti japonez janë financuar 11 sera me ngrohje dhe 19 linja agro-përpunimi në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Shkodër, Berat dhe Vlorë. Pagesat e subjekteve duhet të kishin përfunduar në qershor të këtij viti, megjithatë afati përfundimtar është viti 2014, por në këtë rast me penalitete për vonesat.
Rusia ndalon eksportin e grurit, rritet çmimi në tregjet ndërkombëtare
Rusia do të ndalojë eksportin e grurit duke filluar nga 15 gushti deri më 1 dhjetor, pasi zjarret masive shkatërruan të mbjellat. "Mendoj se është mirë të paraqesim një embargo të përkohshme të eksporteve nga Rusia për grurin dhe produktet e tjera të agrikulturës që rrjedhin prej tij",- ka deklaruar kryeministri rus Vladimir Putin. Qeveria ruse ka ulur parashikimet për vjeljen e grurit për vitin 2010 në 70- 75 milionë ton, nga 97 tonë që ishin në vitin 2009. Njoftimi i Putin ka çuar në një rritje të çmimit të grurit për të 23-tin muaj rresht. Rusia ka eksportuar 21.4 milionë tonelata grurë vitin e kaluar, pothuajse çereku i prodhimit total. Ndërkohë, një tjetër element që ka ndikuar në rritjen e çmimit të grurit është edhe moti i keq në Kanada, ku është paralajmëruar një krizë ushqimore, që pritet të prekë vendet më të varfra.
Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 04.08.2010
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.58%
12M 12-mujor 7.00%
6M 6-mujor 6.16%
3M 3-mujor 5.34%
1M 1-mujor 5.07%
1Ë njëjavor 4.91%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.63%
1Ë njëjavor 6.25%
o/n njëditor 5.78%
12M 12-mujor 8.50%
6M 6-mujor 7.79%
3M 3-mujor 6.95%
No comments:
Post a Comment