Wednesday, August 11, 2010

Liri Lushi te gratë që krijoi


Jorida Pasku |

Lufta e Shote Galicës për të ekzistuar, e Dorinës për t'u futur në jetë, e Shpresës për t'u emancipuar.


Liri Lushi, aktorja që u identifikua në ekran me portretin e këtyre grave, nxjerr nga sënduku i kujtimeve fragmentet e punës me Agim Qirjaqin e të tjerë

Të shtunën e parë të gushtit, në zhegun e mesditës, Liri Lushi bëri një copë rrugë nga apartamenti i saj pranë kafe "Vollga", deri te Teatri "Aleksandër Moisiu" për t'u takuar me të njohur dhe kujtimet e saj.


Rituali këtë vit seç kishte një qetësi. Korridori i teatrit nuk pipëtinte, përveç sportelistit të ri që i uroi mirëseardhjen "vajzës durrsake" dhe ndonjë punëtori që hynte e dilte.


Ngjyra e kuqe që vishte muret e teatrit aktores i ngrohën shpirtin. Mori me të shpejtë dy karrige, i vuri përbri statuja e Aleksandër Moisiut dhe mendoi nëse mund ta hapte baulen me rolet e heroinave, grave të guximshme, që duan të emancipohen, po edhe prostituta.


Janë: Shote Galica e Dila, Dorina, të rejat Shpresa dhe Vera, Hera dhe Marjana Pineda. Pak më tej shfaqeshin portretet e krijuesve të tyre Agim Qirjaqi, Haxhi Rama, Kadri Pirro, Bashkim Hoxha.


Në këtë teatër memec janë shfaqur dramat "Gërsheti i luftrave" (1978) dhe "Dorina" (1979) me regji të Kadri Pirros, "Shi në plazh" (1986) dhe "Tre burra kërkojnë një grua" (1995) me regji të Haxhi Ramës, "Këngë dashurie me korba" (1997) me regji të Bashkim Hoxhës. Role në teatër dhe kinema, kush të dilte më shpejt nga shpirti 55-vjeçar i Lirisë.


Nuk harroi të flisë për Shpresën te "Zonja nga qyteti" (1976), për Dorinën te filmi "Dorina" (1979) me regji të Agim Qirjaqit, për Dilën te "Rruga e lirisë" (1982), gazetaren te "Valsi i ngrirë në Prishtinë" (1999).


Liri Lushi ka dhjetë vjet që jeton në Ëinterthur të Zvicrës me bashkëshortin dhe dy fëmijët, Eni Kapon, 29 vjeç, student psikologjie, dhe Ani Kapon, 23 vjeçe, që ka mbaruar studimet për gazetari në Zyrih.


Në Zvicër ka interpretuar në filmat: "Dilema" (2002) me regji të Tobias Ineichen, "Strähl" (2006) me regji të Manuel Flurin Henry dhe "Ditë e natë" (2008) me regjisor Chris Niemeyer. Ka hapur një studio aktrimi dhe regjie që e ka quajtur "Aleksandër Moisiu" dhe sapo ka mbaruar vitin e parë të studimeve për administrim në fushën e arteve.

Znj. Liri bëtë rrugë në këtë vapë vetëm e vetëm që bisedën ta zhvillonim në teatrin "Aleksandër Moisiu"...
Mendoj se nuk ishte e rastësishme që pikën e takimit e lamë këtu, në Teatrin "Aleksandër Moisiu".


Më erdhi në kokë një vend të cilin nuk e mendova gjatë, por e pashë të domosdoshme për t'u takuar në teatër. Para disa ditëve, mbesa ime, 10 vjeçe, më pyeti: "Si ndihesh në skenë"? Iu përgjigja: "Më mirë sesa në jetë".


Kur keni qenë për herë të fundit këtu?


Me mendje në këtë godinë hyj çdo natë. Nuk mund ta them me saktësi rolin i fundit. Unë mendoj të vij të luaj prapë në këtë teatër. Nuk mbetet një dëshirë, por një plan konkret. Pavarësisht se jeta është e vrullshme.


Më ka nxjerrë përpara detyra të reja, si nënë. Kam dy fëmijë për t'i orientuar. Kur kemi ikur nga Shqipëria kanë qenë në moshë delikate, akoma nuk e kishin gjetur rrugën e tyre. Mendoj se nuk ka ardhur akoma koha të bëj arkivën. Kujtoj që ka qenë një punë me Bashkimin Hoxhën në filmin "Valsi i ngrirë në Prishtinë". Ndoshta i takon vitit 2000.


Ndërsa për teatrin, mund të them se tani më pëlqen edhe kjo ngjyra e kuqe që vesh muret. Çdo gjë e lidh me këtë teatër, mburrem me të. Për mua është më i bukuri në Shqipëri dhe ka pasur artistë të talentuar. Kanë qenë ata që më kanë mësuar. Më vjen shumë keq që nuk i gjej më që t'i takoj. Jeta është kështu. Ky është një mall i bukur.


Në galerinë e roleve që keni interpretuar vend kryesor zë gruaja heroinë, gruaja që thyen tabu, ajo që kërkon të emancipohet. Përmendim Shote Galicën. Kjo figurë duket se u prin të tjerave.


Më vjen mirë që jam e identifikuar me këtë personazh. Autori Avni Mula, që tani nuk jeton më, është pjesë e këtij suksesi, edhe ai është i brumosur te Shota. Po ashtu regjisori i dramës, Kadri Pirro, aktorët e tjerë. Nuk më takon vetëm mua që të jem e identifikuar me Shotën dhe me këtë heroinë.


Çdo artist në role të tilla, duhet të përpiqet të nxjerrë nga vetja një forcë kreshnikësh. Gruaja që kam interpretuar ka bërë një luftë për të mbijetuar. Një grua kosovare, duhet patjetër të rrëmbente armën.

I lidhni më flokët gërshet si atëherë?


Po i lidh gjithmonë. Natyrisht, që në atë portret kanë ndryshuar shumë gjëra.
Mendoj se të gjitha vitet lënë gjurmën e tyre. Po bisedoja mbrëmë me djalin tim, Enin, kur po ngjisnim shkallët e Teatrit "Aleksandër Moisiu" dhe i thashë: "Këto shkallë më tregojnë sa vjet kanë shkuar. Më përpara të merrja ty prej dore, e motrën në krahë me gjithë karrocë, kurse tani më duhet të mbahem te ty."


Jeta është treguar e pakursyer me ju, jeni e re, plot jetë, e bukur, e freskët...
Nuk i kushtoj vëmendje të veçantë anës së jashtme sepse më të vërtetë kam pasur shumë punë, qëkur jam larguar prej këtej.


Ndoshta masat mbrojtëse, mospirja e duhanit, intensitet në punë. Jam përpjekur që të bëj pak sport. Nëse mjekësia na ka vënë limit për jetën një njëqindvjeçar, unë them, përse të mos e arrijmë. Duhet të luftojmë për ta arritur. Jo nga ana e jashtme, rrudhat le ta bëjnë punën e tyre. Ato tregojnë që ke fituar në jetë, janë palosur shumë gjëra brenda teje.


Po shpirti si arrihet të mbahet i freskët dhe mendja e kthjellët?


Është detyra ime si artiste ta ruaj emocionin të freskët. Arma që kemi ne është emocioni i përzier me racionalitetin, për të arritur të ushqejmë ide dhe mendime te njerëzit. Freskinë e shpirtit e ruaj, e para nëpërmjet qëllimeve që i kam vënë vetes dhe e dyta, duke lexuar.


Kthehemi te një grua tjetër juaja, te "Dorina" e filmit televiziv (1979) me regji të Agim Qirjaqit. Është një femër që pranon dëshpërimin në jetën e saj martesore.


Kërkesa për ta emancipuar figurën e gruas ka qenë gjithmonë e pranishme në shoqërinë shqiptare, pavarësisht sa kanë qenë mundësitë tona të një vendi të izoluar. Dorina nuk ishte e trishtuar, vetëm se bashkëshorti i saj nuk vjen në shtëpi. Ajo kërkonte që burri të vinte dhe të bisedonin, të ishin shokë.


Dorina është një nga gurët që është vendosur në themelin e këtij zhvillimit të femrës shqiptare. Nëse e ndajmë me etapa historinë e grave që kam interpretuar, Shota ka bërë një luftë për të ekzistuar, Dorina ka bërë luftë për t'u futur në jetë. Unë mendoj që ky rol më ka ndihmuar për të gjetur disa gjëra në jetë.


Për të qenë nënë e mirë dhe aktore, për të shkuar përpara. Duhet të vlerësojmë punën e skenaristit Teodor Laço, që e përshtati dramën edhe për skenar televiziv. Kam respekt për të dy regjisorët që kanë bërë "Dorinën", Agim Qirjaqin për filmin dhe Kadrin Pirron për vënien në skenën e teatrit.


E quaj pasuri shpirtërore që kam njohur njerëz të tillë dhe më jepet e drejta t'i respektoj. Me të vërtetë i jep shpirtit bukuri. Ndjej dhimbje që asnjeri prej tyre nuk është më.


A mund të na sillnin pak kujtime nga puna me Qirjaqin?


Agimi i jepte prioritet inteligjencës. Kam punuar me regjisorë të tjerë, por një Agim nuk e kam gjetur dhe jam e sigurtë që nuk kam për ta gjetur më.


Ai ishte jashtëzakonisht njerëzor. Mund të kujtoj një ngjarje, me kënaqësi dhe me dhimbje. Kur punonim në ambientet e Kinostudios për të xhiruar filmin "Dorina"...Agimi...(përlotet) ka qenë artist i jashtëzakonshëm dhe më vjen keq që më duhet të them "ka qenë". Në kohën kur gruaja e vet lindtte në spital, ai ishte në setin e xhirimit. Erdhi dhe tha: "Gruaja ime ka lindur vajzë dhe do ta quaj Dorina". Agimi e ka dashur punën në piedestalin më të lartë.


Kujtojmë edhe dy personazhe simpatikë, Shpresën te "Zonja nga qyteti" dhe Verën te "Shi në plazh". Ka të tjera që doni t'i përmendi në këtë intervistë?


Ato prezantojnë femrën që kërkon të emancipohet, që kërkon të renë. Këto dy figura më kujtojnë edhe vitalitetin e gruas shqiptare. Me dashuri mund të flasë edhe për Mariana Pinedën e realizuar në Teatrin e Beratit me regjisoren Drita Agolli. Ky rol është si një fotografi e bukur për mua, të cilën e shoh shpesh, si për të punuar në skenë, po ashtu edhe për të jetuar për veten time. Marjana Pineda lufton për të mbijetuar, flijohet për dashurinë.


Çfarë ndryshoi 90-ta në punën tuaj?


Më kërkoi regjisori Haxhi Rama për rolin e një gazetareje te "Tre burra kërkojnë një grua" dhe regjisori Bashkim Hoxha për prostitutën te "Këngë dashurie me korbat".
Bashkimi punoi një figurë shumë interesante.


Duhej guxim i jashtëzakonshëm për të thënë ato që thuheshin në dramë. Ishte njësoj sikur të flasim për fotot e nudove sot. Veçse, në skenë duhej të zhvishnim fjalët. I jam mirënjohëse regjisorit, sepse ka krijuar një figurë që nuk i ngjan figurave të tjera, me të cilën krenohem.


Çfarë keni bërë 10 vite në Zvicër dhe cili është projekti i momentit që po merr kohën tuaj?


Në Zvicër jam angazhuar në prodhime kinematografike. Kam luajtur karaktere femrash të huaja, kroate, italiane. Kam edhe një studio që e drejtoj vetë. Quhet Studio "Aleksandër Moisiu" dhe aty studiojnë të reja.


Realizojmë dy premiera në vit. Qëllimi im mbetet krijimi i një teatri që të shfaqë në skenë problemet që kanë emigrantët në Zvicër. Rruga është e gjatë dhe e vështirë. Tani studioja po kalon një periudhë qetësie. Kam marrë përsipër të studioj për menaxhim në arte. Mendoj se njeriu të heqë dorë kurrë së formuari.


Arti para se të kërkojë të japë produktin e vet, më parë duhet të ekzistojë dhe për ta realizuar këtë është e domosdoshme të gjendet mënyra më efikase. Masteri në Zvicër më orienton në njohjen e kulturës, si një nga komponentët e rëndësishëm të trekëndëshit politikë-ekonomi-kulturë. Në këtë zhvillim dhe ndryshim të vrullshëm të jetës, ai kërkon një kualifikim për t'ju përgjigjur kërkesave të kohës.


Kujtuam të kaluarën tuaj artistike, folëm për projektet që keni në duar. Po cila është ajo forcë e natyrës suaj që ju shtyn t'i bëni të gjitha këto?


Si çdo njeri edhe unë jam komplekse. Jam e dobët përpara fëmijëve të mi. Alen Deloni, ka thënë që i vetmi njeri që mund të bëjë çfarë të dojë me mua është vajza ime.


Jam përpjekur që të jem e fortë dhe e kam lënë këtë ndjenjë të fitojë më tepër te unë, se kështu e do kjo kohë. Sot jeta është e shpejtë. Te një femër ekziston edhe fëmija tri vjeç dhe gruaja 55 vjeçe, sa jam unë tani.


Më pëlqen të kem edhe momente të dobëta sepse qetësohem, marr forcë, jam më njeri, (qesh). Njeri je edhe kur je shumë i fuqishëm, madje je tamam njeri. Më pëlqejnë njerëzit e fortë, sepse ata arrijnë. Jeta është një betejë. Për ta fituar këtë betejë, duhen organizuar forcat, duhen vënë qëllime jo shumë të afërta, sepse mund të pengohesh dhe të të merren këmbët.


Deri tani nuk kemi folur akoma për asnjë burrë dhe as për dashurinë.Kur kam mbaruar Akademinë e Arteve jeta ka qenë pak e vështirë.


Një aktoreje i duhej të sakrifikonte. Të parëve që u bie mbi kurriz sakrifica, janë bashkëshorti dhe fëmijët. Kam qenë çdo mbrëmje në punë.


Kam punuar larg shtëpisë, me muaj në xhirime. Besoj që për çdo familje të konceptuar në mënyrë klasike, është e vështirë për të thyer formën klasike të të jetuarit: që burri vjen në shtëpi
në orën 4.00 dhe gruaja në orën 3.00.


Për këtë i takon merita bashkëshortit tim.
Kurse, dashuria ngelet, është një motor i fuqishëm i jetës. Kur njeriu ka brenda vetes dashuri është i motivuar, krijon, sjell në jetë gjëra me vlerë.


Do të doja që të kisha gjithmonë pambarim dashuri për të gjitha gjërat që më rrethojnë. Më e rëndësishmja për mua është dashuria për njerëzit.


Nëse miqtë e mi, flasin shpesh për natyrën, e duan natyrën, të tjerë njerëz duan arkitekturën ose kafshët, unë gjithë jetën kam dashur njeriun. Është arritja më e madhe e natyrës dhe çdo gjë tjetër që ekziston është në shërbim të tij. Pas tij, vjen bukuria e natyrës, e arkitekturës.


No comments: