Sunday, August 8, 2010

“SHTEGTO E KERKOJE EUROPEN, PO TA MERR SLLAVI TOKEN…!”


“…S’kemi tokë për të falur!”

Presidenti SEJDIUT

ZEF PERGEGA

Kush po pyet, o bacë

Për Ded Gjon Lula

E Hasan Prishtina

Me urra partizançe

Me gjokse jashtë e pa klina

Jemi nis tash sa vjet

Të hyjmë në Europë

Pa brekë në by…e pa tokë!

Informacioni që jepet në internet nga burime akademike universitare malazeze është kobzi për tokën shqiptare. Ngritja e një kordoni të zjarrtë sllav përgjatë bregdetit ulqinak, të kujton një bisturi, që ta shkul zemrën nga kraharori i vatanit. Kjo putër arushe, lëshur zingjirësh prej uralëve, e uritur për det shqiptari edhe për tokë, i bën karshillëk, jo vetëm vetullës së Bratilës dhe kalasë me rrënjë të kripura ne bregun ilirik, por edhe vetë horizontit blu të shikimit të banorit të lashtë arbëror të këtyre trojeve.

Një nga profesorët e katedrës së ekonomisë në universitetin e Podgoricës, në studimin e tij mbi shit-blerjen e tokës, thotë së janë shitur në bregdetin e Ulqinit 130 mijë troje, rusëve, serbëve dhe pak italianëve. Me saktësisht Predrag Ivanoviq ndër të tjera shkrun se të huajt në Mal të Zi kanë krijuar firma fiktive për të blerë toka e pasuri të tjera.

“Sipas kriterëve të legjislacionit, 80% e tokës është privatizuar, duke u krijuar 130 mijë pronarë privat të tokës. Janë pikërisht këta pronarë malazez dhe ulqinak që kanë realizuar shitjen e tokës të huajve…!” “ Po ku do të jetojmë?!”

Boshnjakizimim i tokave të Malësisë ka ardhur pas emigrimeve në mënyrë përmanente të malësorëve, kryesisht në Amerikë dhe në perëndim. Nuk është ende e qartë politika e zgjuar malazeze, nëse me këtë veprim me prapavija të rrezikshme kërkon të krijojë një Sarajevë të dytë në zemër të tokës shqiptare, pas dështimit të teorisë së Alia Izetbejgoviqit! Apo Mali i Zi kërkon t’i ndërsejë bosanasit e rinj, kafshatën e majme t’ua zërë në fyt, për t’i përdorur mish për top në një konflikt të mundshëm me shqiptarët?! Si dikur krajli u shiste nga një pushkë për të luftuar turkun që me pas të pushtonte Shkodrën, kryeqytetin e Ilirisë!

Sipas shtypit, tani Hrushovianet rus nuk kërkojnë bazën ushtarake të Vlorës të vendosin nëndetëset, por me anë të mafies po blejnë toka në vijen bregdetare deri në Sarandë! Politika e tyre e re dhe e vjeter e përcakton vendin tonë si republiken më të mirë sovjetike!. Plani ulqinak i ruseve preku bregdetin e Shqipërisë, si shpërthimi i naftës në golfin e Meksikës! Toka nuk duhet lejuar me ligj tu shitët të huajve! Se nuk kemi tokë as për të falur as për të shitur, ka cilësuar presidenti Sejdiu

Ende zyra për shkeljet e të drejtave të njeriut, e krijuar në Tuz nuk ka dhënë në shtyp ndonjë raport për këtë strategji të rrezikshme dhe as për shitblerjen e tokave në këtë trevë. Patriotizëm me të madh nuk do të njihte historia shqiptare se shitja e tokës tek shqiptari dhe vetëm blerja tek të tjerët! Gjithkush është i sigurtë se në rast se ndonjë do të jepte alarmin në diasporë se toka dhe trojet shqiptare po shkojnë për dhjamë qeni, do të ishin mbledhur aq dollarë për ti blerë këto troje që të mbetëshin shqiptare edhe si amanet i Ded Gjon Lulit dhe dëshmorëve të tjerë! I barazvlefshëm do të ishte ky patriotizëm, sikur çamet me t’u çelur kufinjtë e të jenë të lirë të lëvizin pa vargonjë ambasadash, të niseshin në këmbë me kurora me lule në dorë, duke i freskuar me burimet e tokës çame dhe të pushonin pak tek varrët e pronat e grabitura të të parëve! Po ashtu patriotizëm dhe sukses i identitetit shqiptar për tokën e vet do te ishte sikur të arrihej që politikës djallëzore për referendum për komunen e Tuzit, ti përgjigjej me vote, duke fituar të drejten e votimit në SHBA, sepse kur kishte nevojen e shkëputjes nga Serbia, Mali i Zi e siguroi pavarësinë nga vota e emigranteve shqiptarë, tëcilet shkuan nga Amerika të votonin atje ku kanë kullat dhe pronat.

Tregtarët e trojeve shqiptare edhe malazeze, duke ua kaluar në pronësi shtetasve të huaj, që nuk janë në Bashkimin Europian, bie në kundërshtim edhe me aspiratat e Malit të Zi për integrim në këto struktura.

…Një bosanasi i dhanë tokë në rrethinat e Tuzit. Gërmoi natë e gërmoi ditë. Kazma i ngeci në një kafkë, maja e së cilës e kishte shpuar tejpertej dhe veglës së punës iu thye bishti, ngase pjesën e metaltë s’po e lëshonte dheu. Bosansi gjeti një kazëm tjetër dhe filloi me ngazëllim të gërmonte themelin e shtëpisë së re. Atje në muzgun e ngrirë mbi ballë të Dheut, zbuloi një varr dhe një gur ku ishin shkruar inicialet e emrit dhe mbiemrit të të ndjerit të ruajtura nga një kryq.!

Çoju Vuksan Gela se na ka mësye oktapodi, që nuk din ç’ka është kombi!! Vetë e pate lënë amanet varrin ma çelni atje ku nuk shkel këmba e turkut!

Të huajtë po i ndërtojnë vendbanimet kolone mbi varrët tona! Po si shitën varrët?!

Ded Gjon Luli nuk e pranoi qesen e arit dhe nuk i shiti tokat tona, por ai, si lëgjëndë e flamurit dhe zemrën e shqiptarit, i mbrojti ato deri në pikën e fundit të gjakut. Me vijnë ndëmend vargjet:

Sonte hapën varre

Qielli vajton

Yjet gjak pikojnë

Sonte hapën varrët e trimave…!

Varrët e të parëve mbi prehjet e amanetit të martirëve, për t’i hedhur në përrua të huajt! Mos ma prek ti sllav truallin shqiptar se mijra vjet jam në Dheun tim të parë!

“Dheu i Zi” dikur tokë e Grudës, sipas një pohimi të një vizitori, tani quhet “Karabushkopole” nga se janë vendosur rreth 800 familje boshnjake në një sipërfaqe prej rreth 500 dynymësh, me rreth 3200 banorë

Po tani pushtimi nuk është ushtarak, se para tij shqiptari është mal mbi mal, i lën ndasitë menjëanë dhe bashkohet si graniti dhe s’e lëshon nga doara, as flamurin, as pushkën, as vëllanë! Sot flitet për pushtim ekonomik dhe interesa të ngushta, që kanë një fund të trishtuar.

Armiku me barbar sot është invesitori strategjik! Pas Romës, Bizantit dhe Osmanllisë, kjo është perëndoria e katërt e shtypjes për shqiptarin! Kundër kësaj perandorie është plotësisht e sigurtë se shqiptari nuk ka për të shprazur asnjë kundërshti! S’ka me Gjergj Kastriota e Gjergj Elez Alia!

“Këndo, këndo zogu i malit se nuk e njeh Memin e Smajlit” - i tha serbi serbit, që kishte shkelur tokën tonë. Kur vdiq ky patriot e la me amanet që varrin ta kishte mbi rrugë. Kur e pyeten se pse, ai u përgjigj së varri i tij do të ishte në vijen e kufirit mbasi tokat do të grabitëshin nga Fuqitë e Mëdha dhe ti jepen Malit te Zi. Ashtu ndodhi, varri i tij është buzë klonit në Kelmend.

Zakoni kanunor i shqiptarit ka patur një ligj. Kur dikudh shiste trual apo tokë në fillim pyeste antarët e familjës, të afërmit, komshijtë, fshatin, bajrakun dhe me pas leçitej në kishe. Ky rregull ka mbajtur dheun nga rreshqitja dhe themelit i ka dhënë një kuptim autokton në trojet e veta. Sot ky rregull quhet i vjetër.

Rri e dëgjoi nje plak të moçëm nga anët tona, i cili si me mburrje thotë: “ Një mik i imi në New-York ia ka shit tokën një rusi 5 milion dollarë. Pare e madhe se tash po shkojmë në Europë e s’ka problem…!”

Një pasdite vizitoi një nga eksponentet e diasporës së Michiganit, i cili ishte shtruar në spital. Fjala ra edhe për shitjën e trojeve.

“… Po shitën tokat rusëve me pazare të lira!- tha një malësor

“…Jo more, ato kanë blerë disa shpate të shkreta!-ia priti një tjetër i ardhur këto ditë nga vendlindja, si për thënë se ky veprim është ndërprerë.

“… Pas shumë vitësh ato shpate nuk do të quhen me emra shqiptarë por sllav!”-ia priti një tjetër. “Hajt e pati dhe kjo punë jemi nis drejt Europës!”

Me këtë shprehje u mbyll dhe kjo bisedë e rastësishme, por që në themel ka një fenomen të rrezikshëm. Në Malësi ende nuk janë evidentuar raste të shitjës së trojeve të huajve. Dy gjymtyrët e primare të një kombi, janë gjuha dhe teritori. Mëqenëse, për gjuhën po bëhemi të gjithë me anglisht dhe në komunën e Tuzit flasim tallava me serbisht, synimi është të na lënë pa tokë. Po ku do të hamë, o frajera?!

Shkurja në Europë nuk presuposon ta marrësh në thes tokën tënde dhe ta shprazësh diku në një djerrinë boshe. Shkurja në Europë është sëpari zgjidhja e mosmarrëveshjeve të gjata sa shekujt, me dialog, argument historik dhe mirëkuptim mes popujve, sidomos të kufijeve politik që edhe pse hunjt janë kalbur vërbojnë me tepër së kurrë. Shkurja në Europë nuk është dydje endacake vizash apo eksode masive, por aplikim i mënyrës së jetësës, barazisë ligjore, funksionimit të administratës shtetërore, të lirisë, të drejtave të njeriut, siç i kanë vendet europinane. Të shkosh në Europë do të thotë të vihen padrejtësitë në vend dhe ajo që na grabitën të bujë në kullën tonë, e pastaj bisedojmë! Tingëllon abuziv fakti se nisja drejt Europës është një garë atletesh me trasta bosh dhe atje do të gjëni minierat e arit, të cilat presin të mbushin hebet e ballkanasve! Shko me dije e kulturë në Europë, me paqe ndër veti e pa nerva dhe mos e shit as mos e kurvero atë tokë që ta la i pari!

Të huajt e kanë kuptuar shpejt nxitimin tonë: Etjen për para dhe politikë, se pushkën nuk na lën kush në krah! Me pak para, na mbajnë frymën gjallë me ndihmat e emigranteve në diasporë, me politikë na e kanë mbushur veshet, si sistemi i kaluar që e mbolli tokën me bunkera. 40 parti në Shqipëri, në një grusht Dhe 9-të në Malësi. Në Kosovë e kanë marr me seriozotet këtë punë. Tesera e partisë në Prishtinë është si credit card-ta në Amerikë!

Sami Frashëri ka shkruar se teritori shqiptar është 70 mijë km. katror. Studiusi francez Welavish thotë së toka shqiptare është 75 mijë km katror, ndërsa studiusi shqiptar, Selenica, i përcaton kufijt shqiptar brënda 80 mijë km. katrore. Sot ne kemi 28 mijë brënda Shqipërisë, 12 mijë të Kosovës dhe 10 mijë në Çamëri!

Nuk është një konstatim i çastit, por është një kumt arbëror në shtyllën kurrizore të shqiptarit, qëndrimi konseguent i Hasan Prishtinës, për mbrojtjën e Shqipërisë dhe Kosovës.

“…Mue në idenë time patriotike nuk ka me mund me me shtrue as ari as menia e armiqve. Mue ka me me shtue vetëm vdekja!” Hasan Prishtinën e kërcenuan, e burgosen, nëntë herë e dënuan me vdekje, i gritën prita e i thurën gracka, i afruan ar e çifliqe, grada e poste, por ai nuk pranoi ta ndërpriste luftën kundër gllabërimeve shovene të tokës shqiptare e asaj kosovare.

“Një jetë pata merre toka ime!”

…Nëpër shtëpitë e djegura të Kosovës, nëpër plasaritjet e pragjëve dhe vazove të bëra breshër me plumba serb, kanë çelur lule karafila. Një dorë e nëndheshme që kullon gjak, ua ka ushqyer rrënjët, për të ndritur sfidën e fëmijëve dhe brezave të shtetit të ri. Lulet me të bukura janë në Prekaz, Rugovë, Kaçanik… mbi varrët e vjetra e mbi varrët e reja, gjithë vijës së trashësë të llogorës çlirimtare!

Në Mitrovicë shteti serb po ua blen pronat shqiptareve autokton. Mbjell tek ata, nën hundën e ndërkombëtareve, frikën, pasigurinë e mengjezëve, ndez tensione me flakë, duke e ngushtuar sa një fije peri frymën e jetës në veri. Pse nuk blen ato shteti i Kosovës?! Malësorët, kosovarët dhe shqiptarët në diasporë, duke qenë të një kombi kanë bërë maksimumin me fonde e mjete të tjera për ta mbështetur shtetin e ri. Ky qëndrim i heshtur për Mitrovicen, a mos është bacë një kompromis i vjetër për ledhe të reja padronësh?!

Ruajeni si sytë e ballit truallin e të parëve, se pas 30-40 vitësh, kur të shkrythëni nëpër diskoteka e jetë nate, e shtyllën kurrizore ta tjetërsoni, pasi të keni ngrënë tri vakte hamburgër e të keni pirë coca-cola, s’ka me u ardh në pytje ç’është Shqipëria e kush është Kosova?!

Shekujt e kanë lënë një përvojë, kur ngrihet i madhi e gjaksori të të shtypë të lën pa tokë e me gisht në gojë! Kështu siç e keni nisë, jarana, ka me ndodh!

Jug-Veri Toskë e Gegeri

Kompreso e etheve shtrydhet

Në rrjedhë të Ibrit e të Vjosës

Pse kemi dy Shqipëri?

Dy princa kapedanë

Nje në Prishtinë e një në Tiranë!

Një shqipe me dy kokë

Një shtizë, dy flamur, njeri kuq e zi

Tjetri yje që rrëzohën përtokë!

Klone që mbajne piramida

Hunj të kalbur mbi gjymtyrë

Renkimit me dy emra

Nana Terezë e Gonxhe Bojaxhiu

Gjergj Kastrioti e Skenderbeu

Dy parti në pushtet

Kulla unit dy bajraktarë

Dy kryeqytete të shëmbura

Në pishtarë!

Në mushtin e pjergullës

Dielli i afrimit

Pse buzët rrudh…!!!

Kosovar, shqiptar, malësor, që kemi një palcë, mos e shit tokën mbi varrët tuaja, që korbi me pas ta mbajë kokën lart! Përmendorja e Car Dushmanit është rrëzuar nga sheshi i Prishtinës se ishte në tokë të huaj, por ai do përmbysur e shkulur nga ndërgjegja jonë!

Një jetë kemi lë ta marrë toka jonë!

Detroit, fillim korriku 2010

zefpergega434@ hotmail.com

No comments: