15 vjet më parë (10.08.) vendimi i gjykatës kushtetuese për kryqin i trazoi shpirtrat në Bavari. Dy prindër ishin ankuar atëherë ndaj rregullit, që në shkollat popullore në Bavari të vendosej kryqi i krishterë. Gjykatësit kushtetues në Karlsruhe në vitin 1995 u dhanë të drejtë dy prindërve, duke iu referuar detyrimit të shtetit për neutralitet. Por marrëdhënia e ngushtë e partneritetit mes Kishës dhe shtetit në Gjermani nuk është aq e lehtë të zhbëhet, megjithë ndarjen në parim mes të dyve. Dhe kështu në Bavari është sërish në fuqi rregulli për vendosjen e kryqit në në klasat e mësimit, vetëm se me një formulim të ri. Statusi i veçantë që gëzojnë bashkësitë e krishtera jo vetëm në Bavari por në gjithë Gjermaninë bëhet edhe më i dukshëm në sfondin e rritjet së pranisë dhe perceptimit publik të fesë islame. Ky status i veçantë ka rrënjë të thella në histori.
Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Zyrat shtetërore të tatimeve mbledhin kuotat e anëtarësimit të kishave të krishtera në bazë të të ardhurave personale të qytetarëve.
Rrënjë të thella në histori
Kur kishat e krishtera në Gjermani thërrasin besimtarët në meshë, ato nuk i tërheqin ata me porosi të shtetit, shteti është ideologjikisht neutral. Por kjo nuk e pengon atë të kujdeset për një raport të veçantë partneriteti me Kishën. Laikët gjermanë pas Luftës së Parë Botërore luftuan për modelin konsekuent francez: "Qysh në revolucionin e nëntorit (rrëzimi i monarkisë në vitet 1918/19) pati një përpjekje për të realizuar një ndarje krejt radikale të shtetit nga Kisha. Por kundër saj Kisha e Katolike dhe ajo Protestante mobilizuan përkrahësit e tyre dhe me demonstrime masive e penguan ndarjen radikale: atëherë grindja shpërtheu para së gjithash për temën konfliktuale të mësimit fetar në shkolla", thotë historiani i kishës nga Dortmundi, Michael Basse.
Megjithëse shteti nuk mund të përcaktojë vetë përmbajtjen e mësimit fetar, ai garanton për të një vend të caktuar në kurrikulën mësimore. Ngjashëm ndodh edhe me kualifikimin teologjik në universitetet shtetërore, ku Kisha përcakton qartë bashkë me shtetin përmbajtjen.
Bildunterschrift: Katedralja e Këlnit
Taksa për Kishën
Unike në të gjithë botën është në Gjermani e ashtuquajtura "taksë për Kishën": zyrat shtetërore të tatimeve mbledhin kuotat e anëtarësimit të kishave të krishtera në bazë të të ardhurave personale të qytetarëve. Ndarja e sotme e punës daton që nga ligji i i Vajmarit për fenë i vitit 1919, dhe parashikon trajtim të qartë preferencial për kishat e krishtera: "Në kushtetutën e Vajmarit flitet vërtet për bashkësi fetare por faktikisht janë veçuar Kisha Katolike dhe ajo Protestante pasi ato janë bërë ente të së drejtës publike. Me këtë janë të lidhura privilegje të caktuara si p.sh. avantazhe fiskale dhe kjo i dallon kishat nga grupe të tjera fetare."
Kisha kryen detyra sociale të shtetit
Krahas taksës për kishën dhe mësimit fetar një nga fushat ku shteti dhe kisha bashkëpunojnë ngushtë është përkujdesja shpirtërore në ushtri. Edhe shumë spitale, azile të moshuarish, kopshte fëmijësh dhe struktura kualifikimi janë në Gjermani në duart e Kishës, e cila kryen kështu praktikisht një pjesë të detyrave sociale të shtetit. Në këmbim shteti angazhohet për mbrojtjen e ditëve të diela dhe atyre të pushimit dhe u vë kishave në dispozicion kohë transmetimi në programet në radion dhe televizionin publik.
Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Kisha kryen detyra sociale të shtetit
Në financimim e Kishës në Gjermani marrin pjesë të gjithë taksapaguesit: pasi krahas taksës për Kishën, Kisha Katolike dhe Protestante marrin çdo vit më shumë 400 milionë euro nga buxheti publik. Me këto para paguhen për shembull rrogat e ipeshkvijve. Këto pagesa kompensuese e kanë zanafillën në epokën e Napoleonit, kur prusianët në fillim të shekullit të 19-të shpronësuan kishat. Si kompensim për tokat me të ardhurat e të cilave Kisha ishte financuar deri atëherë, shteti merrte pjesë në mbulimin e shpenzimeve rrjedhëse të Kishës. Kjo traditë nga e kaluara vazhdon deri në ditët e sotme në formën e kontributeve shtetërore, të cilat bëjnë që edhe ateistët dhe myslimanët të kontribuojnë në financimin e ipeshkvijve të krishterë.
Kush kërkon të reformojë rrënjësisht ndërthurjen e ngushtë mes shtetit dhe kishave në Gjermani, duhet të kapërcejë pengesa të vështira. Kontratat mes kishave dhe shtetit si dhe ato mes Vatikanit dhe Republikës Federale të Gjermanisë mund të anulon vetëm nëse bien dakord të dyja palët.
Autor: Andreas Noll/ Eliana Xhani
Redaktoi: Aida Cama
No comments:
Post a Comment