1899 - 1987
Malli
Syri-i bukur që t'u mvrenjt -
Syri yt që më lëndon
Do më lerë-a von a shpejt,
Do më lerë-a shpejt a von.
Sapo shpirti m'u delir -
Shpirti im i nxirë krejt -
Do më lerë me pahir
Syri-i bukur që t'u mvrenjt.
E do mbetem përnjëmend
Varfanjak si mbret pa fron:
Mbretëresha që më çmend
Do me lerë-a shpejt a von.
Do me lerë-a von a shpejt,
Do me lerë-a shpejt a von,
Syri i bukur që t'u mvrenjt -
Syri yt që më lëndon.
Qoftë-aherë-ose tani -
Do të qaj aq dashuri
Që të humb me mall te ti?
Maja e Çelur
Lulet lulëzuan
me të parë djellë
kushedi ç'duruan
që kur janë mbjellë:
që kur u përzien
me rër' e me ujë,
dhe u lagn' e u lyen
pa bujë e rrëmujë.
Pa zë psherëtimi,
zë e vaj të kotë,
i ngurroj thellimi
nënë dhen' e ftohtë.
Edhe balt' e ndotur,
edhe llum' i ndyrë
i patnë përlotur
me ngjyrë e mënxyrë.
Ato piperonin
me një sulm i qetë
dhe mbinin e shkonin
që përposh përpjetë.
Që ngaj errësira
brenda në dhè thellë
ndillnin krejt të lira
dritën edhe qelltë.
Sa me rënd' i mbante
rrënj' e balt' e nxirë
dh' i tërhiqte e s'i ndante
për në fundësirë,
dhe sa m'i padukur
edhe sa m'i zjarrtë
ishte sulm' i bukur
për në qiejt' e lartë,
aq më lirë e fshehur,
dh' aq më me ngadalë
rritnin pa pandehur
sulmin e pandalë:
Dhe ja, ndizet era
mbi barishte e bimë!
Ja! qesh pranëvera
nëpër ngashërime!
çeli gjinë e sajë,
përmbi degë e fletë
atje lart në majë!
Poradeci
Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir
Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.
Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb' i natës që po bije,
Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir...
E kudó krahin' e gjërë më s'po qit as pipëlim:
Në katund kërcet një portë...në Liqer heshtë një lopatë...
Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë...
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t'im.
Zotëroj më katër anë errësira...
Po tashi:
Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi...
Dimër
Shpirti im që sot u mbyll
Dhe gëzimin m'a përzuri.
Nëpër mal e nëpër pyll
Zu dëbora prej qëkuri.
Bjenë flokët një-nga-një
Mi katundin e shkretuar.
Dyke mardhur nënë të
Dheri fjet e ri mbuluar
Flet nga-dal e shpirti im,
Dhe në zi pikoj si fleta,
Pa me qit as pipëlim
Tërë fili, tërë jeta.
Ndjej vajtimthin e një shpesi:
Psherëtin me zë te ti
Jet' e trembur se mos vdesi...
Shpirtit
Të lus, o Lajmës i qielluar!
O Frym' e Zotit, vetë Zot!
Me hirin t'ënd të pashteruar
Që ka mburim përjetësije,
Hirplot, o Shpirt, nër gaze Ti-je.
Dhe nër mjerime je hirplot!
Ti botës s'onë-i prure lajmin
E nj'ëndërimi të pafaj:
Për mallin t'ënd me të pastajmin
Ti kuvendon që përmbi botë,
Dhe në gëzim i bije lotë,
I bije gas në zi të saj.
Kur del mi male yll'i ditës
e shuhet nata prapa ti,
Ti me vështrimin vetëtitës
çkëlqen në fund të zemrës s'ime
Dh'i bën prej këngës së një grime
Një të përjetshme-harmoni.
E kur pat humbur jet' e dherit,
Kur syr' i lodhur m'u përgjum,
Në shkëndijim të kandilerit
M'i cfaq ylberin e një rruaze...-
Fatlum, o Shpirt, ti je nër gaze,
Dhe nër mjerime je fatlum!
Sot hapa sytë që-me-natë
E po këndoj si kurrëkush:
drejt lartësisë se pamatë
Ah. mëshiro të ngjite- i cmuar
Prej gjirit t'im të përvëluar
Fjalim'i mallit t'im mjerush।
Syt' e Lumtur
Ishe vogeloshe...isha mituri...
Kur më dole mbudhe, ti moj lumja ti!
Vinte perëndimi me të vagëlluar
Pa m'i shtire tinës ata syt' e shkruar.
Shtatë vjet me-radhë t'i kam përshëndetur.
Kur më pe së pari, more-e m'u largove,
Kur më pe së dyti, more-e m'u afrove,
Kur më pe së treti, more-e më pushtove,
Të putha në gushë, ti m'u turpërove,
Papo ule kryet e shkove vajtove।
Je Ulur Fort
Kujtimi im që më s'më jep të qetë,
Kujtimi im q' u llaftaris pas teje,
Në qetësi ësht' isker prej rrufeje,
Në ças llaftare zjarr e flakë vetë.
Çkëlqen si prush kur skëterrohen retë,
Kur mall' i dhembshur zë buçet ndaj meje.
Kuptimin t'im o! ndjeje-ahere, ndjeje,
Se n'atë hof m'a ndrin ah! zemr' e shkretë.
Kaq mot-më-mot shkëndijat m'j-u shpërndanë
Gjith përmi kulm të bimës më së gjatë...
M'j-u përeluan gjith me tjetër anë...-
Je ulur fort, po syt' e mi të panë:
Plot me stoli kjo lul' e zemrës s'ate!
Si kopsht i mbushur plot me jargavane.
Përse të Dua
Se të desha vetë,
Dhe t'u nqasa vetë,
Dhe të putha vetë-
Prandaj.
Dhe të humba largë,
Dhe të ndoqa largë,
Dhe të gjeta largë-
Prandaj.
Se të desha prapë,
Dhe t'u nqasa prapë,
Dhe të putha prapë-
Prandaj.
Dhe të humba vashë,
Dhe të ndoqa vashë,
Dhe s'të gjeta vashë-
Prandaj.
Se të gjeta grua,
Dhe të desha grua,
Dhe të putha grua-
Prandaj.
Dhe s'më flet përhera,
Dhe s'më nqas përhera,
Dhe më plas përhera-
Prandaj.
Prandaj vashë-e grua,
Fshehtësi për mua-
Prandaj।
Zemra
Bëj e ri mendohem,
Të mos t'afërohem,
Bën e ri mendohesh
Të mos m'afërohesh.
Dhe ri bëj e bëjnë
Mos të shkoj andejnë,
Dhe ri e bën bejnë
Mos të shkosh këtejnë.
Ha! tek bëj kështuzë,
Hop! të shoh këtuzë!
Ha! tek bën ashtuzë,
Hop! buzë-për-buzë.
Pa me puth një herë,
Pa të puth dy herë,
Pa më puth tri herë,
Të puth tridhjet herë,
Uf! moj zemrë-e mjerë...
Zemër-lule-e-verë,Gas-e-vrer-përherë,
Zemër-kopsht-me-erë,
Zemëra-skëtere।
Durimi
Tashi me gas, tashi me lot,
Tashi dhe nj'herë,
Duro durimin si për-mot
E si përher.
Mendo mendimin zemërak,
Ndaj vjen të sjellë
Sa leu e zjeu e shfreu me gjak
Në zemër fellë;
Sa pati shkrirë aq ëmbëlsi
Dyke kënduar,
E vaj e zi e shkrumb e hi
Të pambaruar;
Dyke përflakur plot me gas,
Plot afsh të ndritur,
Një mall të math që më vjen pas,
Kujtim-zhuritur;
Vjen ku përplaset përmi dhé,
Nër ulërimë,
e greminuar si rrufe,
Kjo jeta ime;
Ku mban shtrëgatën me sa mund,
Dhe kësaj radhe,
E hapur krejt, gjer mu në fund,
Ah plag'e madhe;
Fund e gjehenë e ang i zi,
Jetë pas jete,
Yll-dashuri! Hon-lemeri
Që mbaj me vete!
Edhe mendoj mendim me lot,
Me përvëlime,
Duroj durim të mbushur plot
Me zemrën t'ime.
Gremina
Ti sot as qesh as qan,
Ri larg e qetë.
Në shpirtin t'ënd ti mban
Një faj për jetë.
Një dashuri me gas,
Siç fryri era,
E zure shpejt në ças,
E le përhera.
U ngrove-ashtu sa mund,
As shumë-as pakë,
S'të ndriu përdrejt në fund
E bardha flakë:
Më ndriu e griu e shkriu
Ah mua zjarri!
U mvarrësh un'i ziu
Mi buzë varri!
E nuk më dhemb aspak
Një vdekje-e gjallë,
Ndaj qava lot me gjak,
Si në përrallë;
Ndaj hoqa rëndë-ashtu,
Gjer në greminë,
Llaftarën që më zu
Për dashurinë;
Për dashurinë-o Zot,
Që shemb një burrë,
Që s'e pat ndjerë dot
Gruaja kurrë;
Që lind e ndritur krejt,
Bukuriplotë!
Me dritën drejt-për-drejt
Nga drita jote!
E s'jep të qetë,
E zjen e bren e shfren,
E s'vdes përjetë।
Vdekja e Noisit
Me zjarr ju flas... me zjarr
Në gjirin tim kam hapur varr...
Që t'i jap shpresë- edhe t'ja marr...
Un' ik liqerit zemërak
Fatlum dh' i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak:
Se vijnë- urtuar zogjtë-e mi,
Dh'u jap ushqim me dashuri-
Një dashuri për llaftari:
Pa nis ah! Gjirin ta godas...
Dh'e hap ah! gjirin për një ças...
Dh'i nginj ah! zogjtë- e vdes me gas!...
Ahere - helmohet e buçet
Pas mallit tim liqer-i shkret,
E rrit tallazin posi det.
Ay e tund , ay e shkund,
Ay e hap sa me të mund,
Gjer mun në gjit,gjer mu në fund.
E shpirtin dyke ma përcjellë
Më thotë ah! shih sesa 'sht'i fellë...
Ky gjir'i em që të pat pjellë...
Me zjarr ju flas...
Me zjarr...
Kujtimi
Edhe në mungove,
Edhe në ndryshove,
Edhe në dredhove,
Në më gjarpërove:
Kujt j-a dhè mungimin?
Kujt ja dhè ndryshimin?
Kujt j-a dhe dredhimin?
Kuja gjarpërimin?
Mungime-e ndryshime,
Mungime-e dredhime,
Dh'ato gjarpërime-
Hon për zemrën t'ime.
Zemr' e mall i parë,
Zemërëz' e vrarë
Kujton dyke qarë,
Pushton me llaftarë
Lulen e pavdarë,
Trupin e pangarë.
Pa ri pshoj qetuar
Dyke ëndëruar
Ndaj po puth nër duar-
Si ndaj koh' e shkuar-
Fort i dhëmshëruar,
Fort i lumtëruar,
Ballin dritë-qëruar
Syrin qjell-kulluar,
Gjirin-vajzëruar,
Trupin-qumështuar
No comments:
Post a Comment