Bisedë me poetin Sokol Zekaj në dy mjedise: në Koplik dhe në Tiranë. Kthimi i zhgënjimeve dhe dështimeve në energji krijuese, qëndrimi ndaj letërsisë së realizimit socialist dhe pse beson që poezia nuk do të zhduket kurrë
Një pjesë e kësaj bisede me poetin Sokol Zekaj (1948) është bërë në qershor 2008 në një kafene në Koplik, ku ai jetonte deri vitin e kaluar. Sapo kishte nxjerrë në qarkullim librin "Pjekuria", përmbledhjen e krijimtarisë 25-vjeçare në poezi.
Një vit më pas boton "Mollët" (Botimet Camaj&Pipa, Shkodër, 2009) dhe kjo u bë shkas për të vazhduar një bisedë të lënë përgjysmë me këtë njeri që u bë poet në moshë të vonë.
Sokol Zekaj është autor i vëllime poetike "E pamundura" (1993), "Zogjtë e perëndimit" (1997), "Nga ankthi te...", "Kantik për hijeshinë e shiut" (2001) dhe "Vera fantastike" (2003) për të cilin fitoi çmimin kombëtar të letërsisë "Penda e Argjendtë". Shkroi më pas "Ylberet dalin kur s'i presim" dhe romanin "Orët e dëshmive".
Ka përkthyer në shqip nga poezia moderne evropiane e Baudelaire-it, Verlaine-it, Rimbaud-së, Mallarmé-së, Apollinaire-it, Paul Éluard-it etj.
"Mollët" botohet një vit pas "Pjekurisë" që ishte një korpus i krijimtarisë suaj 25-vjeçare. Atëhere sikur nuk mendonit të shkruanit një libër tjetër, të paktën jo kaq shpejt.
Vjen një ditë kur njeriu nuk do të shkruajë më. Kjo ditë vjen atëherë kur i shter një burim i brendshëm, që e ushqen, që e vë në lëvizje njeriun. Camu flet për këtë.
Pas vëllimit "Pjekuria" m'u krijua një kohë e lirë, kohë e papritur nga zgjedhjet lokale.
Poeti ka një kohë të brendshme i shkëputur nga koha e jashtme. Gjatë kësaj kohe ndodh një akumulim nga jeta, leximet, refleksionet. Kjo lëndë ngjishet dhe në kushte të caktuara kërkon të realizohet.
Te "Mollët" doja diçka tjetër nga poezia: një mënyrë më korrekte, atë që quhet shpjegim dhe interpretim i tokës dhe i hapësirës ku jetojmë. Sot e ndjej si detyrë (jo se ka ndonjë detyrë në këtë drejtim) të jap interpretimin e tokës ku jetoj. Kjo s'do të thotë që poeti të vihet në funksion të temave të ditës, të bëjë një poezi të angazhuar sociale-politike. Nuk është kjo.
Për të arritur mënyrën korrekte dhe objektive të të parit të botës dhe sendeve, duhej t'i referoheshit fillit të gjërave?
Ju niseni nga rrënjët e paraardhësit tuaj te poezia "Mollët" dhe prisni që ai të lerë gjurmët e veta në jetë. Patjetër. Njeriu është dëshmues, duhet të japë dëshminë se ka qenë në këtë botë.
Atëhere kur ju nuk mundnit të linit gjurmën tuaj, në vitet '70 është fjala, ishit në armiqësi me mjedisin. Do të tregonit për këtë?
Ka qenë një kohë kur kam sakrifikuar për poezinë pastaj poezinë për jetën. Është ndeshje me botën reale dhe padyshim që nuk fiton. Humbja është më e madhe se fitorja dhe fatkeqësia më e madhe se lumturia. Dhe këto i bëhen lëndë poezisë.
Unë nuk mund t'ju them tani kur erdhën dështimet në jetën time. Por këto zhgënjime kanë si produkt një energji prodhuese më të madhe se sa lumturia e cila kur kthehet në fjalë, nuk ka ndonjë produkt artistik.
Ishit kthyer nga studimet për Agronomi dhe ishit një specialist i bujqësisë në vendlindje. Nga ç'drejtim erdhi poezia?
Ishin vitet e kolektivizimit në masë. Kthimi në Koplik ishte i natyrshëm.
Rrugën e poezisë e gjeta nëpërmjet Nazim Hikmetit. Ka mundësi që tek ai gjeta një finesë dhe dritë që nuk gjendej as në atë kohë, as sot. Kjo ishte nyja që e përcaktoi rrugën time.
Pse pikërisht Hikmeti?
Në komunizëm ishte mundësia që të lexoje libra mesatarë që më shumë të shpenzonin kohë. Nazim Hikmeti më zbuloi prirjen drejt ku kam shkuar.
S'bëhet poezia duke shkruar herë për një gjë, herë për një tjetër, dhe as nga përvoja kalimtare.
E keni fjalën për letërsinë shqipe të realizmit socialist?
Ndër më të mirët e poezisë shqipe të kësaj kohe janë mesatarë.
Si e argumentoni?
Është problemi i individualitetit. Lidhja e poetit me poezinë është esenciale. Lidhja e poetit me poezinë qëndron në esencën e qenies, është një lidhje e pakëputshme.
Botuat poezi në "Nëntori" dhe, ndërsa "vrisnit veten nëpër fusha si specialist i bujqësisë", vjen më 1984 libri i parë, "Vise me diell".
Plenumi IV kishte mbjellë frikë. Libri u prit mirë, por s'ishte e mjaftueshme. Po atë vit u shkëputa nga poezia. Ishte një terror psikologjik. Ndjeja që isha vonë, kjo më shqetësonte. Isha mes dy ekstremesh: poezi të mira dhe punë të dobëta që s'kishin asnjë vlerë...Dikur poezia e realizmit socialist është shitur dhe shumë madje.
Keni shkruar brenda "vijës"?
Nuk kam asnjë poezi që ta kem shkruar brenda vijës politike, edhe pse ishte një përpjekje ime për të parë a mund të bëj si të tjerët, të shkruaj në seri dhe brenda vijës politike.
Poezia s'mund të bëjë moral, s'është e lejueshme. Ajo duhet t'i japë lexuesit ndjesi dhe shpresë, edhe frymë, edhe dëshirë.
Pas furtunave në shekullin e njëzetë, cilët shqiptarë mbeten poetë sipas jush?
Poradeci, Mjeda, që megjithëse nuk janë përkthyer, janë të rangut evropian. Koha ndryshon, rrjedh, gjuha ndryshon, plaket, por ata janë poetë.
Ndërsa shkruanit "Mollët" po zhvendoseshit nga Kopliku në Tiranë. Tani jetoni këtu.
Shënon ky libër edhe ndarjen nga një botë e gjelbër?
Në vitin '95 bëra dy poezi me motive vendlindjen. Vendi ku ti jeton, çdo metër katror është një univers: këtu është ajri, qielli, rruga, njeriu. Problemi është të zbulosh analogjitë e sendeve të këtij mjedisi.
Poezia ka brenda gjithë problemet që ka jeta e njeriut. Kështu që jeta ime absolutisht s'ka qenë poezi. Mund të jetë poezi, por veçse është poezi duke qenë jetë. Njeriu duhet të ketë aq intuitë sa të projektojë gjërat e veta. Zakonisht ai kërkon t'i ikë substratit të vet. E ka më të lehtë të dalë jashtë vetes se sa të hyjë brenda. Vetvetja është e vështirë dhe këtu është problemi.
Realiteti është ndërlikuar, është ndërlikuar bota materiale, njeriu është ndërlikuar. A mund të bëhet poezi që ta lexojnë gjithë këta njerëz që kalojnë në rrugë?
Jam i kënaqur me atë që kam bërë, sepse kam bërë një botë. S'ka kurrfarë vështirësie për t'u kuptuar poezia ime. Por së pari duhet pranuar akti i leximit.
Përparimi është që njerëzimi të ndriçojë aftësitë e veta. Kështu vjen rigjenerimi. Njeriu ditë për ditë, orë për orë, bën atë që përcakton rrugën e së nesërmes dhe ai duhet të jetë aq i zoti sa ta trajtojë si duhet rrugën e vet, të mos mbyllet ndaj cilësive të veta. Njeriu duhet të jetë i zoti për jetën, as i talentuar as dhe gjeni. Ky është problemi.
Cila është përgjigja e poetit për joshjen nga forcat e jashtme? Si i bëhet ballë presionit të dritave, reklamës, tundimeve që provon natyra njerëzore?
Po njeriu nuk është i mbinatyrshëm dhe këto që përmendi ju s'janë gjëra të dënueshme, por ama janë një presion i llahtarshëm që i lënë në terr dhuntitë e njeriut. Ka një rrugë ku njeriut i duket se ecën. Ka dhe një univers që e mbështjell këtë rrugë.
Kurse poeti nuk krijon rrugën ku ecim përditë. Është një botë tjetër, një arkitekturë tjetër ajo që krijon poeti dhe që i flet njeriut. Në këtë proces krijohet një lëndë poetike që e tejkalon përvojën e rrugës. Tek pasuria e kësaj lënde është dhe vlera. Personalisht poezia më ka ndihmuar për të jetuar. Ka poetë, shkrimtarë që duke pasur lidhje sipërfaqësore me letërsinë, e kanë shfrytëzuar atë për karrierë në fusha të tjera.
Tek libri i fundit keni një poezi: "Benz" quhet. E përmendim për dy motive: për futjen e fabulës në poezinë tuaj dhe për motivin urban.
"Benz" është një refleksion psikanalitik. Them se poezia duhet të sjellë trajta dhe ngjyra të ndryshme, të jetë si kristali. Ajo që lexoni ju, ndryshe mund të lexohet nga një tjetër. Poezia moderne të krijon mundësinë për të lëvizur brenda saj, dhe lexuesit i jep mundësinë të jetë bashkautor.
Krijimtaria juaj kapi një majë të lartë në vitet dymijë. Njohu vlerësimin e kritikës dhe vlerësimin e atij lexuesi për të cilin shtypen tirazhe 300 po edhe 100 kopje. Duke lexuar vëllimin e fundit vëren me kënaqësi që nuk ka humbur nga horizonti ajo majë që ngjitët në moshë të vonë.
Kam bërë ristrukturimin e veprës sime, e kam bërë varg për varg. Vepra është e bërë, po edhe sikur të mos shkruaj më asnjë rresht, vepra është kryer.
Më vjen ndër mend Paul Valery kur thotë se do vijë një kohë kur shenjat matematikore do ta mbushin vetëdijen e njeriut. Koha e ka vënë në provë poezinë, edhe sot është në provë. Nuk ka publik ose ka shumë pak publik poezia.
Megjithatë nuk do të zhduket sepse ajo është në natyrën e njeriut. Gjendet kudo ku ekziston e bukura. Gjithmonë do të ketë njerëz që do ta duan poezinë sepse ajo u krijon mundësinë që të marrin emocione estetike.
Kjo sigurohet me edukimin e lexuesit. Nëse realizohet ky edukim që në moshë të hershme, atëherë poezia bëhet e kapshme madje e dëshirueshme për ata që duan të përjetojnë emocione që nuk i gjejnë në jetën e përditshme madje as në artet e tjera. E përditshmja nuk është e mjaftueshme për ne, për jetën.
Herë pas herë u bëni homazh simbolistëve në librat tuaj. Rimbaud-së sidomos.
U përkas atyre që janë formuar në një moshë jo të re. Dikur përveç lirisë mungonte dhe kultura poetike. Dhe poezia është kulturë.
Simbolistët më kanë ushqyer dhe ata i kam vendosur brenda meje. Pse ka ndodhur kjo? Poetikisht nuk jetoj në botën shqiptare, por me poezinë franceze, italiane etj. Pas nëntëdhjetës s'e di si ndodhi, por hyra në punë tjetër, në bibliotekë.
M'u krijua mundësia për të punuar. Kisha kohën që më duhej. Te simbolistët gjeta pasurinë e shprehjes, më hapi shtigje se si mund të krijohet poezia. Por unë doja të bëja poezinë time. I pari që ma mësoi këtë ka qenë Rimbaud. Problemi ishte si të çlirohej imagjinata. Llogarit që gjatë realizimit -socialist imagjinata kishte rënë në nivele të mjerueshme.
Naiviteti, imagjinata, intuita të mpira si nën efektet e një narkoze, nuk ndodh e njëjta gjë në kohën tonë për arsye të tjera?
Njeriu duhet të jetë ai që është në esencën e vet më të zhvilluar, duke shpalosur gjithë ndjenjat, idetë, imazhet, gjithë çfarë mund të prodhojë qenia e njeriut.
Çlirimi i imagjinatës ndodh kur krijohet një marrëdhënie e plotë mes vetëdijes dhe pavetëdijes. Vijnë gjëra që nuk i ke menduar. Nganjëherë vijnë edhe ide.
Është një intuitë që vepron jashtë arsyes së zakonshme. Për shembull, Pesoa është një poet që s'ka më kufizime. Ka çliruar gjithçka. Ka pasur lidhje fatale me poezinë.
Me "Mollët" ju bëni një kthim te fëminia, por si një fëmijë i rritur që pasi ka provuar gjithë çfarë ka parë, e përkufizon botën sikur të jetë duke e zbuluar nga e para.
Më vjen mirë që e thoni këtë. Kjo përshtypje krijohet prej sugjestionit të poezisë. Sugjestioni që ty të lind, bën që ti të futesh në një botë që e pranon si të vërtetë edhe pse si ëndërr, të krijon emocione dhe të pëlqen të rrish te kjo botë.
Këtë kam dashur.
No comments:
Post a Comment