Wednesday, August 11, 2010

Skema si emigrantët marrin 2 pensione, ja si plotësohet vjetërsia

Të gjithë ata persona që kanë vite të munguara pune mund t'i plotësojnë ato në mënyrë vullnetare për të përfituar pagesën e plotë të pensionit, ose për të mos humbur vitet e punës kur ata nuk arrijnë kufirin e duhur të përfitimit.


Drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në ISSH, Naim Balluku, ka shpjeguar dje për "Shekulli"-n se është drejt përfundimit një manual sa më praktik për të gjithë qytetarët që kanë nevojë të njihen me procedurat e pagesës së sigurimit vullnetar. "Janë shumë persona që kanë vite pune në Shqipëri, por që punojnë dhe jetojnë jashtë shtetit, të cilët mund të përfitojnë pensione duke derdhur pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore në mënyrë vullnetare. Me anë të kësaj pagese të gjithë personat që jetojnë jashtë dhe kanë periudha të paplotësuara të vjetërsisë në punë mund t'i plotësojnë ato dhe të marrin pension në Shqipëri",- shprehet Balluku, duke theksuar se, kjo kategori punonjësish, që janë emigrantë dhe që plotësojnë edhe vitet e punës në Shqipëri, ndryshe nga të tjerët, mund të përfitojë dy pensione pleqërie në kohën që do të kenë plotësuar moshën dhe vitet e nevojshme të punës, pasi mund të marrin pension si në Shqipëri ashtu edhe në vendin ku jetojnë.

"Dua të theksoj se kategoria më i interesuar është ajo pjesë e emigrantëve, në prag të pensionit, që ka pasur vite pune në Shqipëri, por që nuk i ka plotësuar vitet e duhura për të hyrë në skemë, apo vitet e plota, për të përfituar pension të plotë", -shprehet Balluku, i cili ka shpjeguar se përmes kontakteve me disa Patronate në Itali është bërë e mundur që shumë emigrantë të njoftohen edhe në mënyrë online për procedurat e sigurimit. Ndërkaq, sipas Ballukut, emigrantët edhe pse ndodhen jashtë shtetit mund të autorizojnë të afërmit e tyre, për të lidhur marrëveshje me strukturat e ISSH-së. Kjo marrëveshje do të lidhet në nënqarkun ku ka banuar i interesuari dhe ku mund të ketë të arkivuar dhe vjetërsi në punë nëpërmjet sigurimit të detyrueshëm.


Sa është pagesa
Aktualisht, pagesa aktuale për një muaj sigurim vullnetar është 3 633 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 16 820. Pra është 21.6% e kësaj page. "Nëse dikush dëshiron të plotësojë vitet e shkuara, ai do t'i paguajë me këtë masë kontributesh. Ndërkohë që nëse do të paguajë për vitet e ardhshme, ai ka një zbritje deri në 6 %, nëse paguan për të gjithë vitin", -ka shpjeguar Balluku. Kjo pagesë, sipas ballukut, shërben për të gjitha llojet e pensioneve: pensionin pleqërie, invaliditeti dhe familjar. "Ndërkaq, pagesa vullnetare lejon edhe pagesën për pensione më të larta se niveli bazë, sipas llogaritjeve mbi shumëfishin e pagave te paguara", -ka shpjeguar drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në ISSH.


Si paguhet sigurimi vullnetar
Sipas Ballukut, personi i interesuar për sigurim vullnetar duhet të paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku ai banon dhe duhet të marrë kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar. Personi i interesuar për këtë pagesë duhet të ketë me vete fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit, fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon si dhe fotokopje të letërnjoftimit elektronik. "Pasi bihet dakord për pagesën, sipas procedurës së përshkruar, dhe bëhet pagesa nga qytetari, inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë të re nëqoftëse nuk ka",- shprehet Balluku.


Shembull
Shtetasi A.D. ka gjithsej 15 vjet periudhë kohore të ndarë në 12 vjet periudhë sigurimi dhe tre vjet të pambuluar me sigurim. Ai dëshiron t'i mbulojë këto tre vjet me sigurim vullnetar. Masa e kontributit që do të paguhet nga shtetasi A.D do të jetë e barabartë me pagesën aktuale mujore për sigurim vullnetar, e cila aplikohet e tillë për gjithë periudhën tre vjeçare. Më konkretisht, pagesa aktuale për një muaj sigurim vullnetar është 3 633 lekë x 12 muaj x 3 vjet = 130 788 lekë(për tre vjet).



Tabela
Procedurat e pagesës dhe çfarë përfitohet nga sigurimi vullnetar


Kush përfiton nga skema e sigurimit vullnetar?

Të gjithë shtetasit shqiptarë që:
1. Kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar;
2. Për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm;
3. Janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre;
4. Nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi.


Çfarë përfitohet nga skema e sigurimit vullnetar?
1. Personi që ka paguar kontribut për sigurim vullnetar, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, është përfitues, sipas rastit, i:
- Pensionit bazë të pleqërisë;
- Pensionit të pjesshëm të pleqërisë;
- Pensionit të reduktuar të pleqërisë;
- Pensionit të invaliditetit;
- Pensionit të pjesshëm të invaliditetit.
2. Personi i siguruar për vitin korent dhe që ka paguar kontribute deri në nivelin maksimal, pasi plotëson kushtet e Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, është përfitues, sipas llogaritjeve, i:
- Pensionit të pleqërisë mbi kufirin e pensionit bazë;
- Dyfishit të pensionit bazë të pleqërisë.
3. Në sigurimin vullnetar, pasi janë plotësuar kushtet e Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, bën pjesë edhe pensioni familjar.


Cilat fusha mbulohen me sigurim vullnetar?

Me sigurim vullnetar mbulohen katër fusha të kësaj skeme:
I. Sigurim vullnetar për vitin korent.
II. Sigurim vullnetar për periudha të kaluara.
III. Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura.
IV. Sigurim vullnetar për degët e tjera të sigurimit.

I. Sigurimi vullnetar për vitin korent.
Sigurim vullnetar për vitin korent mund të paguajnë të gjithë shtetasit shqiptarë që:
- Kanë mbushur moshën 18 vjeç, deri në arritjen e moshës për pension;
- Nuk mund të sigurohen në sistemin e sigurimit të detyrueshëm;
- Nuk mund të sigurohen në sistemin e të vetëpunësuarve në bujqësi;
- Nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar.


Sa është masa e kontributit për sigurim vullnetar për vitin korent?

1. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës për efekt kontributesh të miratuar në periudhën kur bëhet pagesa.
2. Pagesa aktuale për një muaj sigurim vullnetar është 3 633 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 16 820 lekë x 21.6%. Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje:
- 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit Janar);
- 3% mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar);
- 1.5% mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar).
3. Por pagesat e vitit korent mund të bëhen edhe me shumëfishin e kuotës minimale mujore, 3 633 lekë, deri në pesëfishin e saj.


Përfitimet nga sigurimi vullnetar për vitin korent.
- Pensione bazë pleqërie, invaliditeti dhe familjar;
- Pensione më të larta se niveli bazë, sipas llogaritjeve mbi shumëfishin e pagave te paguara.

II. Sigurim vullnetar për periudha të kaluara.
Kush mund të paguajë sigurim vullnetar për periudhat e kaluara?
1. Shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar.
2. Shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve pasuniversitare.
3. Shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe dëshirojnë t'i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar.
4. Personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare mund të bëjnë sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara nga data 01.01.1994 deri në datën që kanë lënë shtetësinë.


Sa është masa e kontributit për sigurim vullnetar për periudhat e kaluara?

1. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurim vullnetar nga personi i interesuar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, masë e cila miratohet me VKM, për degën e pensioneve).
2. Pagesa aktuale për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale dhe është 3 633 lekë për një muaj sigurim vullnetar. Kjo kuotë i korrespondon pagës minimale mujore: 16 820 x 21.6%. Në këto pagesa nuk aplikohen zbritje.


Përfitimet nga sigurimi vullnetar për periudhat e kaluara.
-Vjetërsi pune, e cila influencon në plotësimin e kushteve për të përfituar një pension;
-Pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar, në nivel minimal.

III. Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura.
Kush mund të paguajë sigurim vullnetar për më shumë të ardhura?
1. Të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
2. Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korent.


Sa duhet të paguhet për sigurim vullnetar për më shumë të ardhura.

a) Personat e vetëpunësuar - sigurohen me pagë minimale mujore 16 820 lekë ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6%, pra është sigurim me kuotë fikse 3 633 lekë ose shumëfishi i kësaj kuote;
b) Të punësuarit - sigurohen me pagë minimale mujore 16 820 lekë ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6%, pra sigurim me kuotë fikse 3 633 lekë ose shumëfishi i kësaj kuote;
c) Punëdhënësit - sigurohen me pagë minimale mujore 16 820 lekë ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6%, d.m.th sigurim me kuotë fikse 3 633 lekë ose shumëfishi i kësaj kuote.


Përfitimet nga sigurimi vullnetar për më shumë të ardhura.
- Pensione bazë pleqërie, invaliditeti dhe familjar;
- Pensione më të larta se niveli bazë, sipas llogaritjeve mbi shumëfishin e pagave të paguara.

IV. Sigurim vullnetar për degët e tjera të sigurimit.
Kush mund të paguajë sigurim vullnetar për degët e tjera të sigurimit.
1. Të vetëpunësuarit, të punësuarit dhe punëdhënësit.
2. Ky sigurim bëhet nga të vetëpunësuarit vetëm për vitin korent.

Përfitimet nga sigurimi vullnetar për degët e tjera të sigurimit.
- Paaftësi të përkohshme në punë. Periudha e përfitimit për paaftësi të përkohshme në punë fillon në ditën e 15 të raportit mjekësor dhe zgjat jo më shumë se 6 muaj nga data e fillimit të pagesës;

Si paguhet sigurimi vullnetar.

1. Personi i interesuar, paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku ai banon dhe merr kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar.
2. Personi i interesuar duhet të ketë me vete dokumentat e mëposhtme:
a) Fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit;
b) Fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon;
c) Fotokopje të letërnjoftimit elektronik.
3. Nëse personi i interesuar bie dakord për t'u siguruar vullnetarisht, do të marrë dokumentin tip "Urdhër veprimi", i cili plotësohet nga inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore.
4. Duke disponuar këtë "Urdhër veprim" personi i interesuar paraqitet në bankë për të bërë pagesën. Me kryerjen e pagesës ai pajiset nga banka me "Mandat arkëtimi".
5. Pas marrjes së mandat arkëtimit, personi i interesuar rikthehet tek inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore, me të cilin lidh marrëveshjen e sigurimit vullnetar, që nënshkruhet nga personi i interesuar dhe inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (mandat arkëtimi në asnjë rast nuk i dorëzohet punonjësit të sigurimeve shoqërore. Ai është personal dhe mbahet nga vetë personi i interesuar).
6. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë të re nëqoftëse nuk ka.

No comments: