Monday, August 9, 2010

Uzbekistani, testi i fundit kuqezi para fushatës eliminatore për “Euro 2012″

Më 11 gusht, të mërkurën, në orën 20:30, stadiumi “Niko Dovana” i Durrësit do të presë për herë të parë një ndeshje të kombëtares kuqezi, zyrtare, edhe pse miqësore. Pikërisht stadiumi në fjalë do të jetë edhe “arena”, ku kombëtarja e Shqipërisë do të testojë vetveten, në prag të nisjes së kualifikueseve në grupe për Euro 2012. Trajneri Josip Kuzhe do t’i shikojë të tijtë në veprim, për të ditur më shumë se ku është secili lojtar kuqezi me përgatitjet, por edhe grupi, mbi të cilin mbështetet përfaqësuesja jonë e futbollit. Miqësorja e së martës do të luhet ndaj Uzbekistanit, sikurse thamë, në kuadër të pëgatitjeve për fushatën eliminatore të Euro 2012-ës. Sikurse dihet, më 3 shtator, kuqezinjtë do të ndeshen me Rumaninë në transfertë, ndërsa katër ditë më pas me Luksemburgun në shtëpi, duke stratuar kësisoji zyrtarisht edhe fazën eliminatore në grupe për këtë event. Grumbullimi i kombëtares është bërë që prej së dielës në hotel “Tirana International”. Si rrjedhojë, edhe stërvitja do të zhvillohet në kryeqytet. “Selman Stërmasi” dhe “Skënder Halili” janë dy fushat, ku kuqezinjtë do të zhvillojnë seancat stërvitore para ndeshjes miqësore.
Kombëtarja nuk gjen fushë për stërvitje
Mosakordimi i punëve të kombëtares kuqezi, kryesisht nga sektori përkatës në FSHF, që merret me organizimin e programit stërvitor gjatë grumbullimit para ndeshjeve, ka bërë që të hënën të ndodhë një cudi “made in Albania”. Që nxjerr në pah sërish amatorizmin dhe rrokopujën që ekziston në futbollin shqiptar. Edhe kur bëhet fjalë për kombëtaren, që është pika më kryesore e futbollit të një vendi. Kështu, e grumbulluar në Tiranë, kombëtarja ka qenë e detyruar të hënën të lëvizë “si cifuti në shkretëtirë”, për të gjetur një mjedis ku të zhvillonte seancën stërvitore. Seanca e pasdites së të hënës është shtyrë në orar, nga 18:00 në 18:30, gjë që e ka nervozuar jo pak trajnerin kroat Josip Kuzhe. Në kompleksin sportiv “Skënder Halili”, në orarin e paralajmëruar për stërvitjen e kombëtares, po zhvillonte seancën e vet stërvitore Tirana, e kthyer nga përgatitorja e Pukës. Për pasojë, lojtarët kuqezinj janë detyruar të shkojnë në stadiumin “Selman Stërmasi”, por edhe aty ishte e pamundur të stërviteshin. Në këtë stadium kishte filluar stërvitjen ekipi kundërshtar i Uzbekistanit, i cili mbërriti ditën e sotme në Tiranë. Një konfuzion I madh ka përfshirë stafin teknik të kombëtares, por edhe vetë lojtarët, që janë parë tepër të irrituar nga kjo situatë absurde. Në këto kushte, kombëtarja është rikthyer sërish në kompleksin “Skënder Halili”, ku ka filluar stërvitjen fillimisht në anekin e tij, në pritje të përfundimit të stërvitjes së Tiranës.
Lojtarë pa ekip dhe nga kampionati shqiptar!
Nëse mund të ketë një të ashtuquajtur “viti zero“, ky ka mbërritur për kombëtaren shqiptare në futboll. Mjafton t’u referohesh disa argumenteve bazë të lojës së futbollit, për të mbërritur në këtë përfundim. Të tillë si mungesa e ekipeve për disa titullarë kuqezinj, apo provat e dështuara të elementëve të rinj jashtë kufijve. Cka e shtrëngon lakun deri në atë pikë, sa “frymëmarrja“ për trajnerin Kuzhe bëhet më e vështirë se kurrë. Natyrisht, edhe shanset e kuqezinjve për të bërë dicka pozitive në eliminatoret në grupe të Euro 2012, minimizohen maksimalisht. Kështu, kombëtarja kuqezi ka “humbur“, të paktën përkohësisht, të pazëvendësueshmnin deri tani, Ervin Skelën, i cili, nga ana e vet, duhet përgëzuar, sepse ka treguar dinjitet, duke mos iu bërë “barrë“ kombëtares, në kushtet kur është pa ekip. Por, pa ekip janë edhe lojtarë të tjerë, duke nisur nga zëvendësuesi i Skelës, i thirrur në kushtet emergjente. Dorian Bylykbashi është “de facto“ pa ekip, kështu që forma e tij sportive, në kushtet e negociatave për një ekip të ri, mbetet për t’u parë, ashtu sikurse edhe kompensimi i mungesës së Skelës. Për të vijuar më tej, me Klodian Duron, Gilman Likën, Ervin Bulkun, Kristi Vagjelin, që të gjithë pa ekip. Një situatë alarmante, që tregon se kombëtarja kuqezi ndodhet para udhëkryqit të vërtetë, ku “legjionarët“ pa ekip s’mund të afrojnë kushedi se cfarë, përderisa po sorollaten si “cifuti në shkretëtirë“, në kërkim të sistemimit të vetvetes, ndërsa lojtarët e kampionatit modest shqiptar nuk e kanë cilësinë e nevojshëm, për të përfaqësuar me dinjitet fanellën kuqezi. Mjafton të kujtojmë faktin se elementi më i spikatur i superligës sonë, Elis Bakaj, nuk mundi të kalonte askund, në një skuadër jashtë kufijve, sepse atje “flitet ndryshe“. Pra, shtatori duket se po vjen, ndërkohë që kombëtarja kuqezi gjendet në pikën e saj më kritike.
Bylykbashi në vend të Skelës, mungon Basha
Josip Kuzhe ka shpallur listën e Kombëtares për ndeshjen miqësore ndaj Uzbekistanit, takim i cili do të luhet më 11 gusht në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit. Bie në sy mungesa e Ervin Skelës, i cili nuk e ka pranuar ftesën e trajnerit të përfaqësueses shqiptare. Arsyeja: lojtari është ende pa skuadër dhe në këtë gjendje nuk është ndjerë qoftë moralisht, por edhe fizikisht i aftë për t’u grumbulluar me ekipin për këtë ndeshje. Një gjë të tillë s’e kanë bërë lojtarë të tjerë, edhe ata pa ekip, si K.Duro, Bylykbashi, K.Vangjeli, G.Lika, E.Bulku etj. Mësohet se Skela i ka pohuar vetë Kuzhesë para disa ditësh, se nuk do të vinte për ndeshjen ndaj Uzbekistanit, duke e konsideruar veten “të tepërt”, përderisa nuk ka gjetur skuadër për sezonin e ri futbollistik. Ftesa ndaj fantazistit të Kombëtares qe dërguar në adresën e klubit të TuS Koblenzit, skuadra e fundit për të cilën ka luajtur Skela. Menjëherë pas refuzimit nga ana e vlonjatit, Kuzhe është vënë në lëvizje duke grumbulluar Dorian Bylykbashin, lojtar të cilin e pat thirrur edhe vitin e kaluar, sapo kroati kishte marrë drejtimin e kombëtarës shqiptare. Gjithsesi, edhe Bylykbashi është në “ujëra të turbullta” përderisa nuk ka gjetur definitivisht skuadrën me të cilën do të aktivizohet për sezonin e ri. Mesfushori rezulton si lojtar i Dnjepër në kampionatin ukrainas të futbollit, por realisht, ai sikundër edhe Bulku janë “de fakto” të larguar nga ky klub dhe tani thjesht po negociojnë për zgjidhjen e kontratës dhe marrjen e dokumentacionit. Bylykbashi kërkohet nga Dinamo dhe me gjasa do të firmosë për këtë ekip, ndërsa Bulku ka snobuar sërish kampionatin shqiptar, duke shpresuar në një kontratë jashtë. Veç tyre, në “ditë të hallit” janë edhe Klodian Duro e Gilman Lika, dy lojtarë këta që nuk kanë momentalisht skuadër. Që të dy mendohet se do të rikthehen në Shqipëri, pasi një ardhme e tyre në kampionatet e huaja duket mëse e zymtë.
Ndërkohë, jashtë kësaj miqësoreje ka mbetur Migjen Basha, për të cilin u tha më parë se tashmë është pjesë e kombëtares kuqezi. Edhe pse u përfol shumë, madje edhe vetë trajneri i kombëtares, përsëri Migjen Basha nuk është thirrur për ndeshjen e 11 gushtit. Duke humbur një mundësi të artë për ta parë në një ndeshje miqësore lojtarin në fjalë, që luan në në Itali. Mendohet se shkak mund të jetë mospajisja në kohë e lojtarit me pasaportë shqiptare.
Uzbekistani, testi i fundit miqësor
Ekipi kombëtar shqiptar do të zhvillojë më 11 gusht testin e fundit përpara fillimit të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian. Kundërshtari i ekipit përfaqësues A, të drejtuar nga trajneri Josip Kuzhe, do të jetë ekipi i Uzbekistanit. Trajneri dhe stafi i tij do të kenë mundësinë që të kryejnë kolaudimet e fundit, përpara se ekipi të zhvillojë takimet e para eliminatore më datat 3 dhe 7 shtator. Përpara këtij takimi Shqipëria ka zhvilluar edhe tre takime miqësore, gjatë këtij viti. Kështu kombëtarja ka fituar në Tiranë, kundër Irlandës së Veriut, më 3 mars 1-0. Me të njëjtin rezultat, kombëtarja ka mundur edhe Malin e Zi më 25 maj në Podgoricë dhe me Andorrën më 2 qershor në Tiranë.

Lista e lojtarëve anti-Uzbekistan
Trajneri i kombëtares, Josip Kuzhe, ka bërë para pak ditësh publike listën e futbollistëve që do të grumbullohen për miqësoren e 11 gushtit, ku përballë kuqezinjve do të jetë Uzbekistani. Në listën e bërë publike nuk ka shumë surpriza, por ajo që bie në sy është mungesa e kapitenëve Ervin Skela dhe Altin Lala, si dhe rikthimi në kombëtare i mesfushorit Dorian Bylykbashi. Kroati i pankinës së Shqipërisë ka menduar që për këtë test të 11 gushtit të thërrasë 22 lojtarë, pjesë e së cilës janë tre portierë. Për arsye dëmtimi, portieri veteran Arjan Beqaj ka munguar në grumbullimet dhe ndeshjet e fundit, që kanë kryer kuqezinjtë. Por “gardiani” kosovar Beqaj së bashku me Hidin dhe Ujkanin, përbëjnë treshen e portierëve, që do të jenë në dispozicion të trajnerit Kuzhe. Mbetet për t’u parë se cilin nga këta të tre do të preferojë Kuzhe nga minuta e parë. Mungesa e dy kapitenëve, Lala dhe Skela, nuk ka të bëjë me zgjedhjen e trajnerit, por të lojtarit, pasi dihet se mesfushori i Hanoverit, Altin Lala nuk është plotësisht në formë, pasi ka kaluar dëmtime të shpeshta. Ndërsa fantazisti vlonjat Ervin Skela ka preferur të mos grumbullohet me kuqezinjtë për këtë miqësore për shkaqe personale, pasi, siç është shprehur ai, për momentin është pa ekip. Në mungesë të tyre është rithirrur mesfushori Dorian Bylykbashi. Edhe kësaj radhe trajneri Kuzhe ka preferuar të përfshijë për këtë ndeshje miqësore disa nga afrimet e fundit, si Gjergji Muzaka dhe Ahmet Jonuzi. Më 8 gusht do të ndodhë grumbullimi i parë i lojtarëve, që do të përgatiten për miqësoren e 11 gushtit. Sikurse është bërë e ditur Shqipëria do të luajnë ndaj Uzbekistanit në Durrës, ku do të përurohet edhe impianti i ri i ndriçimit i stadiumit “Niko Dovana”.
Para kësaj miqësoreje, kuqezinjtë tanë kanë zhvilluar edhe dy takime të tjera miqësore, ku më 3 mars kanë mundur 1-0 në Tiranë, Irlandën e Veriut dhe më 25 maj në Podgorisë kanë fituar po 1-0 ndaj Malit të Zi. Miqësore e radhës, ndaj Uzbekistanit, është edhe testi i fundit i kuqezinjve para fillimit të “aventurës” së tyre për eliminatoret e Euro 2012-s, ku siç dihet, sipas kalendarit, më 3 shtator do të luhet në Bukuresht ndaj Rumanisë dhe pas 4 ditësh, më 7 shtator, do të luhet ndaj Luksemburgut në Shqipëri.

Të besuarit e Kuzhes
Arjan Beqaj (Olimpik Nikosia)
Isli Hidi (Dinamo)
Samir Ujkani (Novara)
Andi Lila (Tirana)
Armend Dallku (Vorskla Poltava)
Kristi Vangjeli (pa ekip)
Ansi Agolli (Karabak)
Lorik Cana (Gallatasaraj)
Endrit Vrapi (Skënderbeu)
Debatik Curri (Gençlebirligi)
Ervin Bulku (pa ekip)
Dorian Bylykbashi (pa ekip)
Klodian Duro (pa ekip)
Jahmir Hyka (Mainz 05)
Gilman Lika (pa ekip)
Emilian Vila (Dinamo)
Gjergj Muzaka (Dinamo)
Erjon Bogdani (Çezena)
Hamdi Salihi (Rapid Vienna)
Edmond Kapllani (Augsburg)
Elis Bakaj (Dinamo)
Ahmed Jonuzi (Vorskla Poltava)

Miqësoret e Kuzhes, në krye të kuqezinjve
26.05.2010: Mali i Zi - Shqiperia 0-1
04.03.2010: Shqiperia – Irlanda e Veriut 1 - 0
14.11.2009: Estonia – Shqiperia 0 - 0
13.08.2009: Shqiperia – Qipro 6 - 1
11.06.2009: Shqiperia – Gjeorgjia 1 - 1

Uzbekistani, me 4 mungesa kryesore ndaj Shqipërisë
Uzbekistani është një shtet në Azinë Qëndrore. Që njihet si njëra ndër pesë ish-Republikat Sovjetike të Azisë Qendrore, së bashku me Kazakistanin, Kirgistanin, Taxhikistanin dhe Turkmenistanin. Kombëtarja e këtij vendi do të jetë edhe kundërshtari i kuqezinjve tanë, të drejtuar nga Josip Kuzhe, më 11 gusht, në një miqësore që do të luhet në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Një test general ky për kombëtaren e Shqipërisë, i fundit i këtij lloji, para nisjes së ndeshjeve kualifikuese në grup, për Euro 2012. Sikurse raportojnë mediat e këtij shteti, kombëtarja e Uzbekistanit do të jetë pa katër lojtarët e vet kryesorë në miqësoren e 11 gushtit kundër Shqipërisë, ndërkohë që trajneri i tyre vijon ndërtimin e përfaqësueses, për ta pasur gati deri në ndeshjen zyrtare, ndaj Katarit, në kuadrin e “AFC Asian Cup 2011”. Traineri Vadim Abramov, në këtë post që nga prilli i këtij viti, ka grumbulluar 19 lojtarë për ndeshjen kundër Shqipërisë, ndërkohë që ka konfirmuar mungesa të rëndësishme, si atë të Server Djeparovit, që i është bashkuar këtë vit FC Seulit, në Korenë e Jugut, të sulmuesit Maksim Shatskikh, pjesë e Arsenalit në Ukrainë, të mesfushorit Jasur Hasanov, pjesë e Lakhoya, në Katar, dhe të Denisov Vitali, lojtar i Dnipros, në Ukrainë. Trajneri Abramov shkoi në Rusi dhe Ukrainë dy javët e fundit, për të parë lojtarët e tij, në ndeshjet e ligave përkatëse atje, ndërkohë që vendosi të përfshijë në kombëtaren që do të luajë ndaj Shqipërisë mesfushorin e Rubin Kazanit, Vagiz Galiulin, si lojtarin e vetëm, që luan në një ligë të huaj, jo atë uzbekistanase. Abramov i mori frenat e ekipit kombëtar të Uzbekistanit në prill të këtij viti, duke zëvendësuar Mirdjalal Kasimov, por akuzat ndaj tij vërshuan të forta, pas humbjes 3-1 ndaj Armenisë, në ndeshjen e pare, të luajtur në maj. Lista e lojtarëve, të grumbulluar për miqësoren me Shqipërinë, është si më poshtë:
UZBEKISTANI
Portierë: Ignatiy Nesterov (Bunyodkor), Aziz Ashurov (Lokomotiv)
Mbrojtës: Maqsud Karimov (Nasaf), Artem Filiposyan (Nasaf), Sahob Juraev (Bunyodkor), Jaroslav Krushelnitsky (Shurtan), Anzur Ismailov (Bunyodkor), Shavkat Mullajanov (Almalyk), Akmal Shorahmedov (Andijan)
Mesfushorë: Victor Karpenko (Bunyodkor), Timur Kapadze (Bunyodkor), Muzafar Umirzakov (Lokomotiv), Azizbek Haydarov (Bunyodkor), Odil Akhmedov (Pakhtakor), Vagiz Galiulin (Rubin Kazan - Rusia)
Sulmues: Shavkat Salomov (Nasaf), Alexander Geynrikh (Pakhtakor), Igor Taran (Shurtan), Olim Navkarov (Lokomotiv).

No comments: