Sunday, August 8, 2010

Valbona Halili: “Më këndon shpirti”

Këngëtarja e mirënjohur e muzikës popullore shqiptare Valbona Halili sapo ka hedhur në tregun muzikor shqiptar albumin e saj të ri të titulluar “Më këndon shpirti”. Ajo si gjithmonë sjell për dashamirësit e këngës popullore shqiptare këngë popullore që burojnë nga shpirti i saj duke i kënduar me një mjeshtëri të lartë artistike dhe një profesionalizëm të padiskutueshëm. Edhe këtë here Valbona ka bashkëpunuar me kompozitorin e mirënjohur dhe të talentuar Edi Balili. Pas suksesit me albumin e parë ajo prêt një suksese tjetër të madh edhe me këtë album. Në një intervistë për “Albania Wkeend” ajo tregon gjithçka rreth këtij albumi si dhe aktiviteteve të saj artistike. Kur ka nisur puna për albumin tuaj që sapo ka dalë në tregun muzikor shqiptar? Kam shumë kohë që jam marrë me përgatitjen e këtij albumi muzikor. Duke parë edhe suksesin që pati albumi im i parë para tre vjetësh jam munduar që edhe në këtë album të jap shpirtin duke ju përkushtuar shumë në realizimin e tij. Këngët e këtij albumi janë punuar me shumë kujdes dhe me kohë që të dilte diçka e bukur për të kënaqur publikun e gjerë.

Së fundi jeni shfaqur për publikun me albumin më të ri “Më këndon shpirti”. Sa këngë përmban albumi juaj?

Ky album përmban 9 këngë dhe titullohet “Më këndon shpirti”, shtatë këngë janë krijimtari e re si në kompozim dhe tekste ndërsa dy këngë janë potpuri dhe të njohura më parë si këngë, por që unë i kam sjellë ndryshe në këtë album. Çdo këngë është punuar në maksimum, kam sjellë tendenca të reja muzikore për të kënaqur dhe shijet e publikut. Për tekstet kam bashkëpunuar me të mirënjohurit Jorgo Papingji, Armand Trebicka dhe Rozana Radi, ndërsa kompozimet dhe orkestrimet e këngëve janë realizuar nga kompozitori dhe orkestruesi i mirënjohur dhe shumë I talentuar Edi Balili.

Ju në këtë album keni dhe një këngë duet me këngëtarin e njohur Muharrem Ahmeti. Si lindi ky bashkëpunim?

Kam realizuar këngën “Sonte do ta tundim” me këngëtarin e njohur Muharrem Ahmeti duke parë edhe kërkesat e tregut, prandaj mendova se një bashkëpunim i tillë do të plotësonte dëshirat e fansave me këtë këngë që është shumë e veçantë dhe tepër alegre edhe për të kërcyer. Nganjëherë duhet të plotësojmë edhe kërkesat e publikut si dhe duhet të sjellim edhe tendenca të ndryshme muzikore për dashamirësit e këngës popullore.

Spotin e albumit e keni realizuar me aktorin Julian deda. Pse pikërisht kjo zgjedhje?

Edhe këtu mendova të sjell diçka ndryshe dhe jo të njëjtë si më parë. Juli është aktor i njohur dhe nuk është konsumuar më parë me spote albumesh. Edhe kjo besoj se është një risi që unë e sjellë duke prezantuar albumin tim një aktor kaq i njohur si ai.

Po për videoklipet ç’mund të na thoni. Sa këngë do ti realizoni klipe?

Njëri videoklip i këngës “Nuse ka e nuse s’ka” është përfunduar dhe ka nisur transmetimi nëpër televizione. Këtë klip e kam realizuar nëpër fshatra të Tiranës, si Petrelë, Vorë, Maminas, meqë edhe fibula e këngës është e tillë që motra del për të kërkuar nuse për të vëllanë. Mendoj se ka dalë diçka e bukur që publiku do ta pëlqeje, pra është diçka ndryshe si në fabulën e këngës ashtu edhe në realizimin e videoklipit. Në fakt unë të gjitha këngët e këtij albumi do ti realizoj videoklipe, por gradualisht sepse do shumë kohë dhe një përkushtim të madh.

Çfarë këngësh përmban albumi juaj i ri?

Ky album përmban këngë ku secila ka fabulën e vet, këngë për emigrantët, për nusen, këngën “Milioneri” me ide të Armand Trebickës ku u munduam të gjenim një fabul për këtë këngë e cila nuk I përket milionerëve të parasë por milionerëve në shpirt, balada si dhe një këngë vlonjate të cilën unë e kam kënduar me shpirt sepse kam dhe pak origjinë nga Vlora, por Shqipëria e mesme mbizotëron në të gjithë albumin sepse unë njihem për këngëtare e këngës popullore të trevës së Shqipërisë së mesme.

Çfarë po përjetoni tani me daljen e këtij albumin ë treg?

Ndjehem mirë dhe shumë e lumtur që pas një lodhje dhe pune të madhe më në fund arrita ta nxjerr në treg në një periudhë të përshtatshme edhe për publikun. Besoj se sado pak do jua shuaj pak vapën me këngët e mia këtë verë të nxehtë. Pas suksesit të albumit të parë mezi e prisja këtë moment. Dua që publiku të kënaqet dhe natyrisht që këto ditë pres edhe reagimet e fansave të mi.

Po për lukun kush është kujdesur?

Veshjet I kam porositur sipas një katalogu dhe mora fustanet që më pëlqenin duke zgjedhur edhe ngjyrat e përshtatshme. Make up është bërë nga Artur Muça dhe fotot e albumit nga Eliano Kalemi. Jam shumë e kënaqur nga puna e tyre dhe i falënderoj shumë për kujdesin që kanë bërë.

Cilat janë angazhimet e Valbona Halilit në këtë periudhë?

Jam shumë e ngarkuar me gëzimet familjare si edhe koncerte të shumta nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë. Tani që doli edhe albumi I ri do të jem e pranishme për pushuesit në plazhet e vendit ku ata pushojnë. Kjo periudhë është më e ngarkuara dhe unë do të përpiqem që të jem pranë fansave të mia.

Në fund të kësaj interviste çfarë do ti thoshit lexuesit?

I përshëndes të gjithë lexuesit e gazetës “Albania” dhe të gjithë fansat e mi duke ju uruar pushime të mbara dhe shijoni këngët e këtij albumi sepse vërtet do të kënaqeni.





7 Gusht 2010

No comments: