Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot paradite në Zyrën e tij një takim të veçantë pune me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksander Arvizu, me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Etore Sekui si dhe me Kreun e Prezencës së OSBE-së, Eugen Volfart lidhur me situatën paszgjedhore në vend si dhe procesin e administrimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Ambasadorët Arvizu, Sekui dhe Volfart, pasi shprehën mbështetjen e palëkundur për Presidentin Topi dhe për rolin e tij moderator, pozitiv dhe konstruktiv si respektues i Kushtetutës, ligjeve të vendit dhe si simbol i unitetit të popullit, theksuan rëndësinë e ruajtjes së maturisë dhe të ekuilibrit si dhe të respektimit të ligjit dhe të institucioneve të shtetit, të cilat janë jetike për të demokracinë e sotme dhe të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë.
Pas takimit, Presidenti Topi, në prani të tre ambasadorëve u shpreh para mediave të shumta të pranishme: “Sapo kemi mbaruar një takim të ri të radhës me tre ambasadorë të nderuar, përfaqësues të vendeve mike dhe partnere të Shqipërisë, të cilët dëshiroj edhe njëherë t’i falenderoj përzemërsisht për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për të asistuar dhe për të ndihmuar në të gjitha situatat e vështira të karakterit politik që ka kaluar dhe po kalon Shqipëria!
Specifikisht kemi diskutuar për situatën aktuale pas zgjedhjeve të datës 8 maj në Shqipëri. Natyrisht, zgjedhjet ishin një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Dëshiroj që nëpërmjet jush të falenderoj të gjithë popullin shqiptar, i cili me ndërgjegje të plotë të vetëdijes demokratike mori pjesë masivisht në zgjedhje me një kulturë demokratike për t’u përshëndetur!”, tha presidenti Topi.
“Natyrisht e thënë në mënyrë të përsëritur, sikurse e ka edhe Kodi Zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese të realizuara me vullnetin ekskluziv të dy partive kryesore më datën 21 prill të vitit 2008, administrimi i zgjedhjeve, i procesit zgjedhor është një përgjegjësi e partive politike, të cilat edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e ndërtuan në mënyrë bipartizane. Pavarësisht nga kompozimi i institucioneve, nëse këto bëhen me përfaqësimin e partive, detyrimi nuk është thjesht partiak. Detyrimi është kushtetues, është ligjor, është moral para të gjithë qytetarëve, të cilët e kanë shprehur vullnetin e tyre në mënyrë korrekte. Kështu që ne dëshirojmë që të kemi një përfundim sa më korrekt të procesit zgjedhor, i cili përfundon ashtu sikurse e prashikon ligji dhe të gjitha standardet ligjore!
Nga ana tjetër, dëshirojmë që të shprehim shqetësimin tonë për rritjen e emocioneve politike, për ato episode, të cilat nuk janë të këndshme për asnjë vend dhe aq më shumë për një vend anëtar të NATO-s! Klasa politike, udhëheqësit politikë duhet t’i kthehen ndërgjegjjes civile, t’i trajtojnë gjërat ashtu sikurse e thotë Kushtetuta dhe ligji, të bien në një terren qytetar, të mos krijojnë asnjë lloj situate tensioni! Dhe pastaj gjithçka do të vendoset sikurse e parashikon ligji dhe vetëm ligji. Ne nuk jemi në epokën para ligjit. Ne jemi në epokën kur ka ligj dhe ligji është i detyrueshëm të respektohet nga cilido, pa paragjykuar askënd nëse në vetëdijen e tij fshihen edhe elementë të përkrahjes apo të ndërgjegjjes partiake apo politike. Sidomos sot është shumë e rëndësishme që njerëzit t’i drejtohen këtij momenti që është substancial për demokracinë shqiptare. T’i drejtohen ligjit dhe vetëm ligjit!
Ne u bëjmë thirrje të gjithë që të japin mesazhe për qetësi. U bëjmë thirrje të gjithë që t’i largohen çdo momenti tensioni. Këto kemi diskutuar me zotërinjtë e nderuar ambasadorë. Kemi pasur një shans, të cilin unë e kam konsideruar si jo të humbur, por të vonuar: mosardhjen e Presidentit të Komisionit Evropian në Shqipëri. Realizimi i vizitës në Beograd dhe në Prishtinë dhe mosardhja në Tiranë, natyrisht që nuk është shenjë e mirë për Tiranën, së cilës i vonohet agjenda shumë e rëndësishme evropiane. Në Evropë ne nuk shkojmë për disa politikanë. Në Evropë ne shkojmë për të gjithë popullin shqiptar.
Edhe njëherë ju falënderoj edhe ju për ndjekjen hap pas hapi të një procesi, i cili është mjaft kompleks, por që jam i bindur se do të përfundojë me sukses dhe në qetësi të plotë”, tha presidenti Bamir Topi gjatë takimit me ambasadorët.
No comments:
Post a Comment