Dy mbledhjet e rrufeshme të udhëheqjes së lartë të Partisë së Punës të 8 tetorit 1982 i janë kushtuar fund e krye goditjes së Kadri Hazbiut, deri në atë kohë ministër i Mbrojtjes.Fillimisht, Byroja Politike e shpalli ish-emblemën e Sigurimit të Shtetit, që së fundi kryente detyrën e kreut të Mbrojtjes, element antiparti, që me veprimet dhe mosveprimet e tij kishte shkaktuar pasoja të rënda në praktikën e organeve të Ministrisë së Brendshme. Pastaj, Sekretariati i Komitetit Qendror zyrtarizoi shkarkimin administrativ nga funksioni i lartë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Në debatet midis sekretarëve të KQ, ku merr pjesë edhe Adil Çarçani, ish-kryeministri i Shqipërisë, siç del nga procesverbali i mbledhjes, bie në sy preokupimi për motivacionin e shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes. Goditja e Kadri Hazbiut, njërës prej figurave kryesore të lidershipit komunist që nga periudha e luftës, ishte një ngjarje që nuk mund të gëlltitej lehtë nga opinioni i brendshëm dhe ai i jashtëm. Paraprakisht, krerët e lartë mendojnë ta shesin lajmin si një largim për arsye shëndetësore e pensioni. Aty për aty bien në një mëndje, por ndërhyrja e Ramiz Alisë për një moment e nis debatin nga e para. I pari që përqafon opsionin e numrit dy të udhëheqjes së partisë, është Enver Hoxha, i cili shprehet për një njoftim të thatë që bën të ditur shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes dhe zëvendësimin e tij me Prokop Murrën. Nga sa diskutohet më tej, forumi i lartë i Partisë konkludon në një opsion të ndërmjetëm: “Kadri Hazbiu të shkarkohet nga detyra e ministrit të Mbrojtjes Popullore, për mungesë të theksuar vigjilence dhe për gabime të rënda, në kundërshtim me vijën e Partisë dhe me interesat e shtetit, gjatë kohës që ka punuar si zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme”. Përtej diskutimeve për procedurat formale për goditjen politike të Hazbiut në këtë mbledhje, Enver Hoxha komunikoi edhe shkarkimin e tërë shpurës së drejtuesve të lartë të shtatmadhorisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Sakaq, me cilësinë e komandantit të Përgjithshëm, shpallin emrin e Prokop Murrës, deri në atë kohë sekretar i parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës, në detyrën e ministrit të Mbrojtjes dhe drejtuesit e tjerë të rinj të këtij dikasteri. Sipas vendimit të mbledhjes së Sekretariatit të KQ të tetorit 1982, Veli Llakaj shkarkohet nga detyra e zëvendësministrit të parë të Mbrojtjes dhe e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, dhe zëvendësohet në këtë funksion nga Kiço Mustaqi, deri në atë periudhë, drejtor i Drejtorisë së Përgatitjes Luftarake dhe Stërvitjes. Po kështu, shkarkohet nga detyra e zëvendësministrit të Mbrojtjes, Maliq Sadushi, dhe emërohet Simon Ballabani;(deri në atë kohë komandant i grupimit të Tiranës. Në vend të zëvendësministrit, Nazar Berberi, emërohet Jaçe Lulaj. Ndërkaq, zëvendësministri tjetër i Mbrojtjes, Alfred Moisiu, zëvendësohet me Bajram Manen.
ENVER HOXHA: Jemi mbledhur për të diskutuar emërimet e drejtuesve të rinj të Ministrisë së Mbrojtjes. Kam këtu emrat e tyre. Të tërë këta që po propozojmë janë ushtarakë dhe kanë mbaruar shkollat tona, jo jashtë. Konkretisht, në vend të Veli Llakajt, të cilin do ta shkarkojmë hëpërhë, do ta vëmë në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes, propozojmë të vendosim Kiço Jani Mustakun. Tash ne duhet të marrim një vendim, në bazë të disa propozimeve tona. Ne të Sekretariatit kemi punuar dhe i kemi marrë një nga një shokët që drejtojnë tashti në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, duke filluar që nga Veli Llakaj dhe deri te Alfred Moisiu dhe kemi ardhur në këto rezultate. Ne mendojmë ta ndërrojmë ekipin e Shtatmadhorisë, e cila është vjetërsuar, sepse ata që shërbejnë sot atje, kanë të meta të theksuara politike dhe dobësi morale. Disa mund të kenë eksperiencë, por na bie detyrë të çojmë atje njerëz me moral të lartë dhe vendosmëri të madhe dhe me përvojë. Të tërë këta që po propozojmë, janë ushtarakë që kanë mbaruar shkollat tona, jo jashtë. Tani ky është drejtor i Drejtorisë Operative të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Kiço Mustaqi, pra, mendojmë të emërohet zëvendësministër në këtë dikaster dhe shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.
I ke biografitë e këtyre, Ramiz?
RAMIZ ALIA: Ja, këtu i kam, po Kiçon e njohin shokët.
Të gjithë: E njohim Kiçon, është djalë shumë i mirë.
ENVER HOXHA: E dyta, Simon Konstandin Ballabani, tani Komandant i Grupimit të 6-të, të emërohet zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, në vend të Maliq Sadushit, i cili shkarkohet nga kjo detyrë dhe të nxirret në pension. Ky ka kaluar edhe moshën. E treta, Jaçe Ali Lulaj, tani Komandant i Korpusit të 7-të, të emërohet zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, në vend të Nazar Berberit, i cili të shkarkohet nga kjo detyrë dhe të mbetet në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes. E katërta, Bajram Bilal Mane, tani Komandant i Korpusit të 3-të, emërohet zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, në vend të Alfred Moisiut, i cili të shkarkohet nga kjo detyrë dhe të mbetet në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. E pesta, Mendu Backa, të shkarkohet nga detyra e zëvendësministrit të Mbrojtjes Popullore dhe të nxirret në pension. Prandaj këto do t’i firmos menjëherë nesër në orën 10:oo ose 11:oo, pasi të marrë punën në dorëzim Prokopi, të tërë të vijnë këtu.
RAMIZ ALIA: Dakord, dakord, shoku Enver.
ENVER HOXHA: Do të marrim edhe disa masa të tjera për forcimin e aparatit të Ministrisë së Mbrojtjes, drejtorëve e nëndrejtorëve, me qëllim që kjo Ministri të jetë në duar të sigurta. Të gjithë, brenda 5-6 ditëve, të marrin detyrën dhe të tjerët të gjejnë vendin që meritojnë. Duhet të ecet drejt, shpejt dhe mirë. Kaq kisha unë për t’ju thënë.
RAMIZ ALIA: Nesër duhet të bëjmë edhe atë që duhet të dërgojë Adili( Çarçani, në atë kohë kryetar i Këshillit të Ministrave) në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Vendimin e Byrosë Politike për Kadriun e kemi formuluar kështu: “Byroja Politike e Komitetit Qendror me datën… (këtu nuk po e vëmë datën) vendosi: Kadri Hazbiu të shkarkohet nga detyra e ministrit të Mbrojtjes Popullore, për mungesë të theksuar vigjilence dhe për gabime të rënda, në kundërshtim me vijën e Partisë dhe me interesat e shtetit, gjatë kohës që ka punuar si zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme”. Pra, këto dy motivacione po vëmë tani, “mungesa të theksuara vigjilence dhe gabime të rënda në kundërshtim me vijën e Partisë dhe interesat e shtetit”. Prokop Murra, deri tani sekretar i parë i Komitetit të Partisë për Rrethin e Tiranës, të emërohet ministër i Mbrojtjes Popullore. Ky do të jetë dokumenti i Byrosë Politike, kurse nga Presidiumi i Kuvendit Popullor për publikun do të themi që Kadriu shkarkohet për arsye shëndetësore ose si ta mendojmë, apo thjesht shkarkohet nga detyra.
ADIL ÇARÇANI: Pse të mos e themi që shkarkohet nga detyra si ministër i Mbrojtjes Popullore dhe në vend të tij emërohet ministër i Mbrojtjes Popullore shoku Prokop Murra? Ndoshta do të ishte më mirë kështu…
RAMIZ ALIA: Domethënë, të mos vëmë asnjë motivacion, vetëm shkarkohet si ministër i Mbrojtjes?
ENVER HOXHA: Po, edhe nuk është nevoja ta shtypim ne atë, pse ta shtypim? Kur të dalë gazeta zyrtare e Presidiumit, atje le të dalë, pse ta botojmë me shtypin qendror?
RAMIZ ALIA: Mund edhe të mos e botojmë, s’ka gjë, se do të dalë edhe gazeta zyrtare.
ADIL ÇARÇANI: Për efekt të brendshëm të gjithë do ta marrin vesh këtë vendim, çështja është për botën e jashtme, s’ka pse të botohet, mendoj.
RAMIZ ALIA: Për brenda merret vesh ky vendim menjëherë.
LENKA ÇUKO: Ja, nesër vjen ministri i ri në dikaster dhe përnjëherë merret vesh nga të gjithë. Duhet të bëjmë kujdes…
ENVER HOXHA: Mund ta vëmë shprehjen që Kadri Hazbiu u shkarkua se do të vëmë tjetrin, që u ngarkua Prokop Murra. Po mirë, le të merret vesh jashtë, pse të kemi frikë ne?
RAMIZ ALIA: Po edhe për jashtë, pse të mos e vëmë? Kështu edhe llafeve ua mbyllim gojën.
ADIL ÇARÇANI: Atëherë, botojmë vetëm shkarkohet Kadriu dhe emërohet Prokopi. Drejt, më mirë është të botohet.
RAMIZ ALIA: Sidoqoftë, duhet vlerësuar mënyra se si mund të komentohet ky akt zyrtar që nuk është i zakonshëm…
ENVER HOXHA: Prandaj duhet bërë kujdes…
RAMIZ ALIA: Çështja tani është, që ne ta shpallim se Kadriu del në pension, apo të mos e themi kështu? Unë mendoj të mos e vëmë hiç, po të themi vetëm atë, që shkarkohet si ministër i Mbrojtjes dhe ministër në vend të tij emërohet filani. Nuk ka pse të themi detaje të tjera…
ENVER HOXHA: Ashtu, ashtu, se po të themi në pension, kuptojnë si është puna.
HEKURAN ISAI: Atë interpretim do ta bëjnë njerëzit, sido që të botohet. Çfarë do që të themi ne, njerëzit do bëjnë komentet e tyre…
ENVER HOXHA: Tashti këto që miratuam, duhet të kthehen në vendime, pastaj t’i firmosë Komandanti i Përgjithshëm.
RAMIZ ALIA: Po, po, jam plotësisht dakord.
ADIL ÇARÇANI: Nesër në ora 10:00 t’i thërresim ne zëvendësministrat dhe drejtorët dhe t’ua komunikojmë zyrtarisht.
RAMIZ ALIA: Jo, jo, këta do t’i thërrasë këtu vetë shoku Enver.
ENVER HOXHA: Zëvendësministrat e rinj do t’i thërras unë, prandaj të jenë gati të tërë atje ku janë. Me ata që shkarkohen të veprohet me komunikimet zyrtare. Kush është për t’u emëruar në detyrë, t’ua themi. Tjetër gjë besoj se nuk kemi…
Përplasjet e Enver Hoxhës me kreun e Sigurimit të Shtetit
Përplasjet e para të Enver Hoxhës me Kadri Hazbiun u shfaqën disa muaj pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Fill pas ngjarjes së bujshme të dhjetorit ‘81, kreu i lidershipit komunist ngriti strategjinë e eliminimit të komplotit të madh, sipas tij, organizuar nën rrogozin e Partisë nga poliagjenti Mehmet Shehu. Deri në maj ’82, marrëdhëniet e Enverit me Hazbiun, asokohe ministër i Mbrojtjes, kishin vazhduar “kreshento”. Së paku, deri në ato momente në paranojën e kreut të Partisë nuk përfshihej emri i njeriut që kishte drejtuar për disa dekada me radhë Policinë Sekrete të vendit. Pikërisht në këtë periudhë, ish-ministri i Brendshëm u paraqit për herë të parë para shefit të tij me një autokritikë reflektuese, lidhur me përgjegjësitë e tij ndaj veprimtarisë armiqësore të ish-kryeministrit. Enver Hoxha që e dëgjoi me vëmendje gjatë një takimi në zyrën e tij, nuk e pa të arsyeshme publikimin e ndjesës së Hazbiut. Madje ja shprehu hapur se nuk ishte e nevojshme një gjë e tillë. Gati tre muaj pas kësaj, Hoxha do të ndërronte mëndje duke nisur sulmin e hapur kundër ish-mikut të dikurshëm, fillimisht në mbledhjen e Sekretariatit të KQ e më vonë në Byronë Politike, ku do ta akuzonte as më shumë e as më pak me të njëjtat akuza si Mehmet Shehun. Sipas tij, ish-ministri i Brendshëm kishte qenë njëri ndër protagonistët e grupit armiqësor që do të eliminonin udhëheqjen kryesore të PPSH-së për të vendosur kapitalizmin në Shqipëri. Nga aq sa konfirmohet në dokumentet sekrete të udhëheqjes së lartë të kësaj periudhe, kjo stuhi kryqëzate e Enverit ndaj Hazbiut i parapriu goditjes fatale që e çoi këtë të fundit para skuadrës së pushkatimit.
Urdhri i ditës që shkatërroi shtatmadhorinë e Ushtrisë
Pasditen e 9 tetorit 1982, shtatmadhorët e Ushtrisë përjetuan një tërmet të vërtetë. Të thirrur me urgjencë në një mbledhje të jashtëzakonshme në Ministrinë e Mbrojtjes, drejtuesit e lartë të Forcave të Armatosura u njohën njëri pas tjetrit me urdhrin e shkarkimit nga detyra, të komunikuar nga ministri i porsaemëruar Prokop Murra. I nënshkruar nga Enver Hoxha me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm, dokumenti njoftonte zyrtarisht vetëm zëvendësimin e lidershipit të Ushtrisë, me ushtarakë të tjerë madhorë, pa shpjeguar motivacionet e rokadës së paparë herë tjetër në praktikën e ushtrisë. Paranoja e kreut të Partisë për një puç ushtarak nga “poliagjenti” Mehmet Shehu dhe ish-ministri i Mbrojtjes Kadri Hazbiu, në këtë rast nuk ishte thjesht humbje besimi për drejtuesit e lartë të Ushtrisë. Mekanizmi i penalizimit të tyre, fillimisht duke i larguar nga funksionet e rëndësishme, rikthente një lloj sigurie te Komandanti i Përgjithshëm, që e ndiqte situatën në ushtri me një shqetësim të jashtëzakonshëm. Viktima e parë e urdhrit të tij ishte shkarkimi i Veli Llakës, deri në atë kohë zëvendësministër i parë i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe zëvendësimin e tij me Kiço Mustaqin, ish-drejtorin e Drejtorisë Operative dhe Stërvitjes në Ministrinë e Mbrojtjes. Llaka, i ardhur në kreun e shtatmadhorisë pas dënimit të Petrit Dumes, tanimë u degdis në garnizonin e Cërrikut me një detyrë të ulët(shef stërvitjeje brigade), për tu gjurmuar nga afër nga policia sekrete. Sipas të njëjtit urdhër, Maliq Sadushi, zëvendësministri tjetër i Ministrisë së Mbrojtjes, dilte në pension dhe në vend të tij emërohej Simon Ballabani, ish-komandanti i Grupimit të Gjashtë të Tiranës. Jaçe Lula, ish-Komandant i Korpusit të Shtatë të Burrelit, zëvendësonte Nazar Berberin, zëvendësministrin që kalonte në dispozicion të Ministrit të Mbrojtjes, sigurisht në një detyrë të dorës së dytë. Bajram Mane, ish-Komandant i Korpusit të 3-të, caktohej zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, në vend të Alfred Moisiut, i cili emërohet me detyrën e shefit të xhenjos së Brigadës së Burrelit. Po kështu, Mendu Backa, shkarkohej nga detyra e zëvendësministrit të Mbrojtjes Popullore dhe të nxirrej në pension. Ndërkaq një dyzinë tjetër drejtuesish të lartë, u ccgraduan duke zbritur disa shkallë nga piramida e karrierës ushtarake. Kishte ndër ta që dolën të padëshirueshëm, por edhe që u burgosën me motive nga më të ndryshmet.
AFRIM IMAJ
No comments:
Post a Comment