Wednesday, May 25, 2011

Këshilli i Europës: Të respektohet ligji dhe institucioni

Përfaqësuesja e lartë për politikën e Jashtme në Bashkimin Europian

Cathrine Ashton, përfaqësuesja e lartë për politikën e Jashtme në Bashkimin Europian është shprehur se palët duhet të gjejnë një zgjidhje me marrëveshje, duket qenë se rezultati për Bashkinë e Tiranës është i ngushtë. Ashton ka bërë thirrje që të pritet me qetësi rezultati përfundimtar dhe nga ana tjetër ka theksuar se drejtuesit e partive mbajnë përgjegjësi për cenimin e jetës së qytetarëve.

“U bëj thirrje të gjithë liderëve politik në Shqipëri të presin me qetësi finalizimin e procesit të zgjedhjeve, në mënyrë konstruktive dhe me fokus tek e ardhmja.

Kjo duhet të bëhet në kuadër të institucioneve ekzistuese dhe brenda rregullave dhe kuadrit ekzistues ligjore. Të gjithë liderët politik mbajnë përgjegjësi të veçantë për cenimin e jetës së qytetarëve”,- theksoi përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme në BE. Ashton ka nënvizuar se BE ka vëzhguar procesin zgjedhor dhe po pret finalizimin e tij për të bërë vlerësimin përfundimtar të procesit.

“Pas votimit më 8 maj, ne jemi duke respektuar numërimin e votave dhe jemi duke pritur publikimin e rezultateve zyrtare, përpara se të bëjnë një vlerësim përfundimtar”,- përfundon deklarata e Ashton.

Lidhur me situatën e tensionuar politike në Tiranë ka reaguar dhe Komisioneri për Zgjerimin në KE, Stefan Fule. Në komunikatën për shtyp bëhet thirrje për respektim të ligjeve dhe për maturi. ”BE i bën thirrje dhe inkurajon të gjitha palët e interesuara (partitë politike, individët, institucionet shtetërore duke përfshirë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve), që të mbështetet në atmosferën konstruktive që mbizotëroi në ditën e zgjedhjeve dhe gjatë fazave të mbetura të procesit zgjedhor, për respektimin e rregullave dhe tregojnë përmbajtje. Të gjitha hapat duhet të bëhen në kuadër të institucioneve dhe në përputhje me rregullat”,- thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e Komisionerit për Zgjerim.

Deklarata e përfaqësueses së lartë të BE Catherine Ashton

Catherine Ashton, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikën e jashtme bëri sot deklaratën e mëposhtme:

“Pas votimit të 8 majit, ne kemi vëzhguar procesin e numërimit të votave deh publikimin e rezultateve finale, përpara se të bënim vlerësimin tonë.

Rezultati tepër i ngushtë në zgjedhjet për bashkinë e Tiranës do të thotë se të dyja palët duhet të tregojnë mirëkuptim, të kapërcejnë diferencat e tyre deh të gjejnë zgjidhjen. Zhvillimet e sotme (dje) tregojnë për një situatë politike delikate.

Unë u bëj thirrje të gjithë liderëve politikë në Shqipëri dhe në Tiranë të mbështesin finalizimin e procesit me qetësi, me konstruktivitet deh me një fokus tek e ardhmja. Kjo duhet bërë me anë të institucioneve ekzistuese dhe me kuadrin ligjor ekzistues, me rregullat e praktikat e tij.

Të gjithë liderët politikë në Shqipëri mbajnë përgjegjësi për mos-rrezikimin e jetës së qytetarëve të vendit.”

Butler: Lëreni KQZ të bëjë punë e tij

Natasha Butler zëdhënëse e Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule është shprehur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet lënë të kryej funksionin e saj pasi është ky institucioni që garanton dhe administron procesin zgjedhor. “KQZ ka një rol kyç i cili është ai i respektimit të standardeve se të plotësimit të rregullave dhe veprimit sipas ligjit. KQZ ka gjithashtu edhe një rol kyç të rëndësishëm në rezultatin në numërim dhe transparencën e rinumërit. Ndaj KQZ duhet lënë që të bëjë rolin e saj për të tranparencë, duke i nxjerrë sa më shpejt të jetë e mundur këto rezultate, që më pas dhe ne të shohim rezultatin” deklaroi Butler.

Lidhur me situatën e tensionuar politike në Tiranë Komisioneri për Zgjerimin në KE, Stefan Fule ka lëshuar një komunikatën për shtyp ku bëhet thirrje për respektim të ligjeve dhe për maturi. ”BE i bën thirrje dhe inkurajon të gjitha palët e interesuara (partitë politike, individët, institucionet shtetërore duke përfshirë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve), që të mbështen në atmosferën konstruktive që mbizotëroi në ditën e zgjedhjeve dhe gjatë fazave të mbetura të procesit zgjedhor, për respektimin e rregullave dhe tregojnë përmbajtje. Të gjitha hapat duhet të bëhen në kuadër të institucioneve dhe në përputhje me rregullat”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e Komisionerit për Zgjerim.


Presidenti i KE-së Barroso shtyn vizitën në Tiranë, shkak situata politike

Jose Manuel Barroso, Presidenti i Komisionit Evropian, ka shtyrë vizitën që kishte parashikuar të zhvillonte sot në Shqipëri. Shkak është bërë situata e tensionuar politike në Tiranë. Zëdhënësja e Barrosos është shprehur se Presidenti i KE-së nuk është i gatshëm të japë mesazhe pozitive për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian pasi qëllimi kryesor i vizitës ishte “për të theksuar mbështetjen e Komisionit për perspektivën evropiane”. Në reagimin e zëdhënëses së tij theksohet se situata nuk është e favorshme për qëllimin e vizitës së presidentit të KE-së.

“Presidenti Barros ka vendosur që të shtyjë vizitën. Qëllimi i kësaj vizite ishte perspektiva evropiane e Shqipërinë me theks të veçantë implementimin e 12 rekomandimeve të paraqitura në progres- raport. Por zhvillimet që po ndodhin lidhur me votat e 8 majit ndikojnë dhe nuk janë aspak të favorshme për të diskutuar në këtë drejtim”,- tha zëdhënësja e Barrosos.

Ndërkohë, zëdhënësja e Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule është shprehur se kjo vizitë do të shtyhet deri në normalizim të situatës.

Doris Pack: Reagimi i opozitës është shenjë për mosnjohje të rezultatit

Deputetja e Parlamentit Europian dhe anëtare e delegacionit për Ballkanin Perëndimor në këtë parlament, Doris Pack, është shprehur se ajo që po ndodh në Shqipëri është shenjë për mos pranimin e rezultatit. Eurodeputetja ka theksuar se Partia Socialiste duhet të pranonte numërimin e çdo vote në një kohë që një gjë të tillë ka kërkuar vitet e fundit.

“Rama gjithmonë ka kërkuar që të tregohet kujdes me çdo votë të hedhur, ndaj edhe tani duhet të pranojë që të gjithë të tregojnë kujdes me nxjerrjen e rezultatit. Unë mendoj se do të numërohet në mënyrë korrekte, por për aq sa i njoh unë shqiptarët, gjërat nuk duket se do të shkojnë edhe aq mirë. Çdo njeri që ka marrë pjesë në këto zgjedhje dhe ka votuar duhet të ketë të drejtën që t’i numërohet vota. Dhe nëse ka nevojë për rinumërim, unë mendoj se duhet bërë, jo pas një viti, por direkt pas zgjedhjeve. Duke bërë këtë gjë, atëherë do jemi në gjendje të shohim se çfarë do të ndodhë. Zgjedhjet kanë shkuar mirë për aq sa i kam ndjekur, dhe askush nuk mund të jetë i pakënaqur për rezultatin, PS mori më shumë qytete, PD më shumë vota”, është shprehur Pack për televizioni “AS”.

Protestat paszgjedhore për europalamentare tregojnë se politikanët janë duke u sjellë në mënyrë të papërgjegjshme. “Duhet të pranojnë numërimin dhe të vazhdojnë punën, për këtë janë zgjedhur, jo për të dalë në rrugë. Mendoj se është një turp për politikanët atje. Kështu kanë bërë edhe më parë dhe sado që unë e kam thënë shpesh, askush nuk dëgjon. Ndihem e frustruar nga politikanët shqiptarë atje, jo nga populli. Më vjen keq për njerëzit që janë shumë më të pjekur se politikanët”, tha ajo. Doris Pack ka bërë këto komente ndërsa ndodhej në Prishtinë së bashku me një delegacion të Parlamentit Europian.

Internacionalja Socialiste bën thirrje për rrugë demokratike

Internacionalja Socialiste bën thirrje për një “rrugë demokratike, ligjore e politike” për zgjidhjen e situatës së tensionuar në Shqipëri. Në këtë deklaratë thuhet se zhvillimi i një procesi zgjedhor demokratik është parashkusht për integrimin në Bashkimin Europian. “Një demokraci funksionale kërkon zgjedhje të lira e të ndershme dhe respektimi i rezultateve të zgjedhjeve të 8 majit është një test kyç për kredencialet demokratike të Shqipërisë, dhe një parakusht për zhvillimin në të ardhmen dhe integrimin e mëtejshëm Europian. Është jetike për Shqipërinë që tabelat e votave të certifikuara nga komisionerët e të dyja partive gjatë numërimit fillestar javën e shkuar të respektohen”,- thuhet në deklaratë. Internacionalja Socialiste e konsideron vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të rinumëruar votat e hedhura gabim në disa kuti votimi “si një përpjekje anti- demokratike për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve”. Internacionalja Socialiste shprehet se “përmbysja e rezultatit fillestar është thellësisht shqetësuese, duke vënë në pikëpyetje përsëri legjitimitetin e votimit në Shqipëri e duke zgjatur akoma më shumë tensionin politik që ishte prezent që më parë në këtë vend”.

Këshilli i Europës: Të respektohet ligji dhe institucioni

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Torbjorn Jagland ka shprehur shqetësim për situatën në Shqipëri dhe ka kërkuar nga palët vetëpërmbajtje. Jogland është shprehur se sjellja e tyre duhet të jetë në respektim të plotë të procesit demokratik, në vijim të tensioneve në rritje në Shqipëri. “I bëj thirrje të gjithë liderëve politikë të gjejnë një rrugëdalje nga kriza aktuale, në respekt të plotë të kuadrit ligjor dhe institucional dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të tensionit. Shqiptarët meritojnë më shumë”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës

Fratini: Partitë të tregohen të matura

Franko Fratini, ministri i Jashtëm i Italisë, në një komunikatë për shtyp ka reaguar për zhvillimet politike në Shqipëri. Fratini është shprehur se duhej lejuar që institucionet të kryejnë detyrën për të cilën janë ngarkuar dhe nga ana tjetër u ka bërë thirrje partive që të tregohen të matura në veprimet e tyre.

“Ngjarjet që kanë ndodhur këto ditë na lënë të shpresojmë se institucionet përgjegjëse për procesin zgjedhor të bëjnë punën e tyre në mënyrë të paanshme dhe me eficencë. Partitë politike pjesëmarrëse në garën elektorale duhet të moderojnë gjuhën e komunikimit, deklaratat dhe veprimet. Të gjithë duhet të garantojnë sigurinë e publikut në të gjithë territorin. Italia ka mbështetur gjithmonë proceset demokratike në Shqipëri dhe rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian ndërsa ditët e fundit festuam përvjetorin e anëtarësimit të saj në NATO”, është shprehur Fratini. Ministri italian vlerësoi se është në interesin e vendit që Shqipëria të vazhdojë në rrugën e saj drejt Evropës duke treguar përgjegjshmëri dhe maturi politike..

/AGON/

No comments: