Wednesday, May 25, 2011

Tirana lexon votën, i thotë jo kryengritjes së Ramës

Nga Basir Çollaku

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, dje ofroi fisnikërisht një sjellje për t’u pasur lakmi për nga qytetërimi, duke braktisur e qëndruar mënjanë thirrjeve të dhunshme të Ramës, Ruçit, që e ftonin atë të pushtonin institucionet ligjore e kushtetuese, të cilat certifikojnë procesin zgjedhor. Dje Tirana lexoi e shpjegoi votën e saj të administruar dhe lënë pa marrë në konsideratë ligjore, dëgjoi qetësisht. Por ajo pa se në vend të saj, vërshuan të ftuar të çuditshëm që donin dhunë, përmbysje të rendit e sigurisë, shkatërrim fizik të institucioneve, vazhdim të “21 janarit”. E ne mbajmë mend se kryengritja vazhdon. Kjo është pjesa e fshehur pas togfjalëshit ëndrra vazhdon, është vërtetësia e misionit luftarak që të çon së paku në vrasje politike, por edhe në pasoja me kosto tepër të lartë për vendin. Kjo është më saktë ajo që ka thënë hapur forcërisht Edi Rama, duke i shtuar deklaratat e Gramoz Ruçit, Fatmir Xhafajt e shumë të tjerëve, që nuk u lënë kohë qytetarëve të jenë në të drejtën e pritjes ligjore. Partia Socialiste, në drejtim të emrave të vjetër, po merr keqësisht pamjen e një kazerme ushtarake, vetëm rreth këtyre njerëzve, sepse pjesa më e madhe e saj dhe votuesit e saj janë qytetarë që i përkasin bashkësisë evropiane në tërë dimensionin e saj, por ka prej tyre që shkojnë aty me tepër për të marrë porosi dhune, luftë, kryengritje, revoltë, përleshje, përballje, trup me trup sesa për të komunikuar apo për të dëgjuar mesazhe paqeje e dialogu e për të respektuar vullnetin e shprehur qartë, pastër. Thirrjet e luftës nga selia e PS-së tani e kapërcejnë 21 janarin dhe ngjasojnë me vitin ‘97 apo me 2 prillin e vitit ‘91, kur krimi sundonte mbi arsyen, të drejtën. Kryeministri Sali Berisha dhe kandidati për Tiranën, Lulzim Basha, kanë respektuar institucionet, u kanë bërë thirrje qytetarëve të gjithë Shqipërisë se presin vendimet që do të dalin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor. U kanë kërkuar mbështetësve, votuesve të tyre, që rezultojnë mbi 140 mijë më tepër në gjithë vendin, që të jenë të matur dhe të respektojnë institucionet. Kjo përbën diferencën e “Aleancës për qytetarin” dhe Tirana ka besuar se kjo është oferta më e mirë për ta qeverisur, duke i besuar deri më tani shtatë minibashki nga njëmbëdhjetë që janë në kryeqytet.

Mesazhi i Tiranës

I mbetur disi në harresë e mënjanë në fushatën elektorale të Partisë Socialiste, në ditën zgjedhore e në fazën e numërimit, përfolur për shkëmbime dhune me të tijtë brenda selisë rozë, shfaqet rebelues sërish Gramoz Ruçi, kryetari i Asamblesë Socialiste. “Në revoltë, në këmbë, në përleshje trup me trup” kanë qenë kryefjalët e mesazhit të tij, duke ftuar luftëtarët anonimë pranë KQZ-së që të mbrojnë votën e padhënë për ish-kryetarin që mbetet i izoluar në parti, duke mos mundur të kontrollojë situatën që i ka shpërthyer nga duart. Nuk ka kush të ndeshet në këtë temperaturë që ngrihet artificialisht sado qofshin vota, 20 më shumë majtas apo 20 më shumë djathtas, 250 mijë votues të tjerë që qëndrojnë në shtëpitë e tyre, janë miq të një qyteti që e duan atë njëlloj, pavarësisht se kush e administron në nivel lokal dhe qendror. Takimet e shumta me ambasadorët më të rëndësishëm që gjenden në Tiranë, ata që përfaqësojnë shtetet më mike e më të forta të planetit, e kanë pasur të vështirë të bindin Ramën se votat duhen numëruar të gjitha, pavarësisht aksidentit të kutisë ku janë gjendur në një proces të papërfunduar ende. Ndodhur në këtë braktisje nga banorët e Tiranës, Rama nxori sejmenët e fjalës që të lajmëronin ushtarët nga rrethet, autobusët që janë gjithnjë gati që të vijnë në kryeqytet të rrethojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të mbrojtur votat që ata nuk i kanë hedhur asnjëherë nëpër kutitë e 8 majit 2011. Duhet gjithnjë që Tirana të shkojë nëpër rrethe me modelin që përçon, sjelljen që reflekton, mesazhet që jep, e jo anasjelltas. Tirana duhet të shpërndajë atë që përfaqëson, cilësinë e qetësisë, paqes, drejtësisë së respektit ndaj votës. Në të gjitha fshatrat ka zbritur tensioni nga Tirana, ndërsa ka ardhur qetësia prej tyre, që kanë besuar e janë bindur në mënyrën si kanë votuar e janë numëruar, ndaj ajo nuk kërkon mysafirë për një darkë që s’e ka porositur, që s’e ka shtruar.

Ekspertët e selisë rozë kanë ngecur në hall, duke iu referuar bojës, kutisë, formës, pa hapur sytë që të shikonin se fletët e votimit ishin të qarta dhe vullneti nëpërkëmbej e ndërpritej në sekondën ku duhej të ishte fitues kryesocialisti Rama. Pa mbështetës, pa simpatizantë rebelë e të revoltuar, Rama dhe Ruçi u bashkuan si me 21 janar për të ndezur autobusët e rretheve, sepse qytetarët e Tiranës nuk dolën nga shtëpitë që të shkonin pranë KQZ-së, sepse në ato kuti të lëna jashtë numërimit gjendeshin votat e tyre që duhej të përfshiheshin në rezultatin që nuk ishte e nuk është bërë përfundimtar. Të gjitha ato vota që po i shtohen rezultatit, nuk u hodhën të hënën, as të martën e ditë të tjera të javës, por janë të ditës së diel të 8 majit, që kishte dekretuar Presidenti i vendit si datë zgjedhore. Votuesit i bënë të ditur Edi Ramës që duhet të ndalë shkatërrimin e së ardhmes së kryeqytetit e të gjithë vendit. Tirana ndihet e bezdisur nga arroganca e Ramës dhe ka shfrytëzuar mundësinë ligjore të së dielës së 8 majit t’ia thotë këtë hapur, por njëherësh t’i kujtojë se nuk ka ndërmend ta ndjekë në të shkuarën. Në krye të kryengritësve Rama nuk del asnjëherë vetë, nga selia, nga kullat, por përgatit njerëz të botës së dyshimtë që kanë në arkivin e tyre krime jo të pakta. Tirana kërkon që të dalë në punë çdo ditë, kërkon që dyqanet të mos rrinë mbyllur, që sipërmarrja e tyre të mos dështojë, që kryengritjet të mos jenë emri tjetër i këtij qytetit të fisëm, ndaj thanë, folën, braktisën ftesat e përsëritura për të rrëmbyer armët. Thirrjes për luftë nuk iu përgjigjën me shumë se 500 vetë dhe ky është mesazhi më i plotë që Tirana jep, është qortimi i matur që ajo i dërgon kryesocialistit. Nëse nesër ka autobusë të ardhur nga rrethet, mos vallë ata janë votuesit e orëve të fundit të 8 majit, pas thirrjes së selisë rozë për nxitim, trokitje, telefonata? Mos janë ata që vijnë të porositur për herë të dytë për të fotokopjuar Tiranën, për ta zhvendosur e për të luajtur me fatet e saj? Nuk ka aspak nevojë kryeqyteti që të drejtën t’ia sjellin qytetet e tjera, kur ia ka dalë vetë në çdo rast. Vota nuk është shëtitëse, ata nuk i kanë kontestuar në qytetet e tyre; nëse vijnë për të “mbrojtur” votën në Tiranë, atëherë janë duke dëshmuar se kanë qenë qiraxhinjtë e manipulimit që Rama ka bërë me njësitë e tij për të deformuar rezultatin në favor të tij?! Këtë herë ka qenë Tirana që e ka ndaluar, ashtu si do ta lërë të vetëm në ditët që do të vijnë, nëse ftesa është për revolucione të armatosura, për të ndjekur deputetë që thyejnë institucionet, qëllojnë policinë. Kryeqyteti do të ketë kryebashkiak atë kandidat që banorët e saj i kanë dhënë më tepër vota, atë që përfaqëson më shumë vullnete të shprehura. Ndryshimin mund ta ndalësh thjesht disa orë, aspak më tepër dhe Tirana di të flasë, por është mirë të dish ta dëgjosh për t’u bërë pjesë e saj dhe jo kryengritjes kundër saj.

Filip Gordon i SHBA: Jo dhunë, as fjalë për dhunë


Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur lidhur me zhvillimet e fundit në Shqipëri se partitë politike duhet të bashkëveprojnë dhe të largohen nga retorika dhe veprimet negative që ndikojnë për keq. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Filip Gordon në një deklaratë mbi Shqipërinë u ka kërkuar palëve në Tiranë që të respektojnë procesin zgjedhor dhe të ruajnë qetësinë.

Ndihmës Sekretari është shprehur se dhuna dhe retorika që kërcënon për dhunë ose nënkupton akte dhune, nuk është me vend dhe përbën kërcënim për të ardhmen e Shqipërisë. Gordon thekson se SHBA vijon të ndjekë nga afër situatën në Shqipëri që nga zgjedhjet e 8 majit. “Politikanët shqiptarë duhet të përqendrohen në shkëmbime konstruktive, në vepra që i shërbejnë një vendi me një të ardhme në Bashkimin Evropian dhe jo tek retorika apo veprimet negative, që vetëm e denigrojnë këtë proces”,- është shprehur ndihmës sekretari i Shtetit Amerikan. Gordon shprehet se populli shqiptar meriton një demokraci të qëndrueshme, bazuar në vlerat universale dhe shtetin ligjor. Ndihmës Sekretari Gordon ka nënvizuar rëndësinë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të kryejë funksionin e tij në mënyrë të qëndrueshme dhe transparente, në përputhje të plotë me ligjin, për të krijuar besim tek qytetarët dhe për të garantuar integritetin e mandatit të këtij institucioni.
Gordon:
Politikanët shqiptarë duhet të përqendrohen në shkëmbime konstruktive, në vepra që i shërbejnë një vendi me një të ardhme në Bashkimin Evropian dhe jo tek retorika apo veprimet negative, që vetëm e denigrojnë këtë proces.

KE: I kemi sytë në Tiranë, presim rezultatin

Komisionit Europian është shprehur qartësisht se po e vëzhgon nga afër çdo orë procesin pas zgjedhor në Tiranë.

Natasha Butler, zëdhënëse e Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule, ka sqaruar pikëpyetjet dhe dyshimet lidhur me shtyrjen e vizitës së Presidentit të KE-së, Barroso si dhe qëndrimin e KE-së mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri.

Së pari, Butler sqaroi se shtyrja e vizitës nuk do të thotë se Bashkimit Europian nuk angazhohet në proceset integruese të Shqipërisë dhe me atë çka po ndodh këtu. Lidhur me integrimin, tha ajo, procesi do të varet nga përmbushja e 12 kritereve të përcaktuara në opinionin e vitit 2010 për Shqipërinë.

“Nuk ka patur asnjë lloj mosangazhimi në lidhje me Shqipërinë. Përkundrazi, Komisioni Europian, komisioneri Stefan Fule dhe Presidenti Barroso po vëzhgojnë nga shumë afër situatën aktuale që prej zhvillimit të zgjedhjeve më 8 maj. Në veçanti, ashtu siç e kemi përsëritur, Komisioneri Fule e tha edhe në Parlament disa muaj më parë, se në 12 kriteret kyçe që u përcaktuan në Opinionin e vitit të kaluar për Shqipërinë, kriteri kyç i zbatimit të të gjitha masave, të të gjitha standardeve europiane dhe ndërkombëtare të procesit zgjedhor është një punë që duhet të bëhet nga vetë Shqipëria.

Pra, në këtë kuadër, në mënyrë që standardet europiane të përmbushen, është kyçe që Komisioni Qendror Zgjedhor të luajë rolin e tij, duke garantuar respektimin e kuadrit ligjor dhe në veçanti, transparencën e procesit”,- tha Butler.

Sa i takon procesit zgjedhor, KE, tha zëdhënësja e komisionarit Fule, i ka drejtuar sytë nga Shqipëria dhe po e ndjek procesin në mënyrë të vazhdueshme. Butler vuri theksin tek procesi i nxjerrjes së rezultatit, i cili duhet të jetë transparent dhe i pavarur, në mënyrë që në fund të ketë vetëm një rezultat.

“Ne të gjithë kemi kthyer një sy tashmë drejt transparencës së procesit. Roli i KQZ-së në veçanti është që të kthehet në rolin kyç, që është ai i institucionit të pavarur në këtë proces. Ka një rol kyç për të luajtur prandaj po e vëzhgojmë nga shumë afër. Është e rëndësishme që ky proces të zhvillohet absolutisht i lirë nga ndërhyrjet politike. Ju e dini se nuk mund të ketë dy rezultate të ndryshme për këto zgjedhje, prandaj rezultati duhet të publikohet pa asnjë vonesë, dhe të gjithë hapat duhen ndërmarrë në respektim të plotë të rregullave dhe procedurave. Ne po e ndjekim këtë zhvillim nga shumë afër tashmë dhe po e vëzhgojmë atë ditë pas dite, apo më saktë, orë pas ore”,- u shpreh Butler. Përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme në BE, Katherin Ashton, është shprehur se BE do të shprehë qëndrimin e saj pas përmbylljes së procesit zgjedhor.

Butler:

Pikë së pari, më lini të qartësoj se nuk ka patur asnjë lloj mosangazhimi në lidhje me Shqipërinë. Përkundrazi, Komisioni Europian, komisioneri Stefan Fule dhe Presidenti Barroso po vëzhgojnë nga shumë afër situatën aktuale që prej zhvillimit të zgjedhjeve më 8 maj. Në veçanti, ashtu siç e kemi përsëritur, Komisioneri Stefan Fule e tha edhe në Parlament disa muaj më parë, se në 12 kriteret kyçe që u përcaktuan në Opinionin e vitit të kaluar për Shqipërinë, kriteri kyç i zbatimit të të gjitha masave, të të gjitha standardeve europiane dhe ndërkombëtare të procesit zgjedhor është një punë që duhet të bëhet nga vetë Shqipëria. Pra, në këtë kuadër, në mënyrë që standardet europiane të përmbushen, është kyçe që Komisioni Qendror Zgjedhor të luajë rolin, e tij duke garantuar respektimin e kuadrit ligjor dhe në veçanti, transparencën e procesit. Ne të gjithë kemi kthyer një sy tashmë drejt transparencës së procesit. Roli i KQZ-së në veçanti është që të kthehet në rolin kyç, që është ai i institucionit të pavarur në këtë proces. Ka një rol kyç për të luajtur prandaj po e vëzhgojmë nga shumë afër. Është e rëndësishme që ky proces të zhvillohet absolutisht i lirë nga ndërhyrjet politike. Ju e dini se nuk mund të ketë dy rezultate të ndryshme për këto zgjedhje, prandaj rezultati duhet të publikohet pa asnjë vonesë, dhe të gjithë hapat duhen ndërmarrë në respektim të plotë të rregullave dhe procedurave. Ne po e ndjekim këtë zhvillim nga shumë afër tashmë dhe po e vëzhgojmë atë ditë pas dite, apo më saktë, orë pas ore.

Stonestreet: Numërimi i votave në sy të të gjithë shqiptarëve ishte i jashtëzakonshëm

OSBE/ODIHR do të ndjekë procesin deri në mbyllje / – Falenderon kryeministrin Berisha-
Kreu i misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri, Jonathan Stonestreet ka zhvilluar takime me krerët e shtetit. Fillimisht ai u prit nga Presidenti i Republikës Bamir Topi. Gjatë këtij takimi është diskutuar mbi situatën pas mbajtjes së zgjedhjeve. Presidenti Topi është shprehur se edhe OSBE/ODHIR-i, në prag të nxjerrjes së raportit të ndërmjetëm për zgjedhjet vendore të 8 majit, duhet të vazhdojë të japë kontributin dhe ndihmesën e saj në zgjidhjen ligjore e institucionale të situatës si dhe në përmirësimin e Kodit Zgjedhor aktual. Stonestreet është takuar dhe me Kryeministrin Sali Berisha, ku u shpreh se Misioni i OSBE/ODIHR do të ndjekë të gjitha fazat e procesit zgjedhor deri në përmbylljen e plotë të tij. Stonestreet falënderoi Berishës për bashkëpunimin me qeverinë shqiptare dhe gjithë institucionet e saj, si dhe për transparencën e plotë që qeveria ofroi, duke u krijuar të gjitha kushtet për të realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe me sukses të plotë misionin e tyre. Në takim u vlerësua ecuria e qetë dhe pa asnjë incident e procesit zgjedhor gjatë ditës së zgjedhjeve, saktësia dhe transparenca e procesit te numërimit, gjatë të cilit vëzhguesit shqiptar dhe ata ndërkombëtar patën akses të plotë për të vëzhguar numërimin e votave të qytetarëve shqiptarë si dhe u vlerësuan një sërë aspektesh pozitive të cilësuara si arritje në këto zgjedhje, në dallim me zgjedhjet e mëparshme dhe që janë përfshirë edhe në Raportin e Ndërmjetëm të ODIHR.

Stonestreet theksoi se në aspektin e përdorimit të burimeve të administratës publike u pa një përmirësim i qartë në krahasim me zgjedhjet e shkuara dhe vlerësoi sjelljen tërësisht profesionale dhe të paanshme të Policisë së Shtetit gjatë gjithë procesit. Gjatë këtij takimi është theksuar nevoja dhe rëndësia e fillimit të reformës zgjedhore. Gjithashtu, kreu i misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR është takuar dhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, takim me të cilën është shprehur se “gjatë ndjekjes nga afër të numërimit të votave nuk kisha përjetuar asnjëherë diçka të tillë, në sensin pozitiv. Numërimi i votave në sy të të gjithë shqiptarëve ishte i jashtëzakonshëm”. Topalli nga ana e saj është shprehur se është e rëndësishme që KQZ-ja, duhet lënë të punojë dhe të ndalet dhuna kundër institucioneve të pavarura .

Arvizu: Që nesër të ecin paralel procesi ligjor dhe qetësia

Ambasadorët e SHBA, BE dhe OSBE në zyrën e Edi Ramë

Tre ambasadorët e Trojkës në Tiranë: Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, ambasadori i Komisionit të Këshillit të Europës, Etore Sekui dhe ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, dje mbasdite kanë zhvilluar një takim me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Mediat fokusuan fillimin e takimit, aq më tepër që pritet ndërhyrja e fuqive perëndimore për të bindur kryetarin e PS të heqë dorë nga dhuna. Takimi ka zgjatur më shumë se dy orë; nisi në orën 18:00 dhe përfundoi në orën 20:20.

Në përfundim të takimit ambasadori i SHBA-së, Arvizu, bëri një deklaratë për mediat. Zoti Arvizu u shpreh se darka e së premtes ka një lajm të mirë pasi mbeten dhe dy ditë nga e hëna. Nga ana tjetër ambasadori tha se është plotësisht dakord me qëndrimin e ndihmës sekretarit të Shtetit Amerikan, i cili kërkoi që politikanët shqiptarë duhet të përqendrohen në shkëmbime konstruktive, dhe të shmangin retorikat apo veprimet negative.

“Kam punuar në Shtëpinë e Bardhë, dhe ajo çka themi ne kur është ditë e premte, është se ka dhe dy ditë kohë deri sa të fillojë puna të hënën. Qëndrimi im është i njëjtë si ai i z. Gordon të Departamentit Amerikan të Shtetit”,- tha Arvizu. Ambasadori i SHBA-së gjatë deklaratës së tij lidhur me situatën aktuale politike theksoi se tani ecin paralel procesi ligjor dhe qetësia e qytetarëve. “Ne folëm për mundësi. E rëndësishme është që njerëzit të mbesin të qetë, i vendosim paralelisht si kuadrin ligjor ashtu edhe qetësinë e njerëzve”,- u shpreh Arvizu.

OSBE/ODIHR: Policia, profesionale

Kukan: Ata që presin proces normal po ushtrojnë dhunë

Roli i Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor është vlerësuar nga kreu i Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Jonathan Stonestreet. Ai e cilësoi tërësisht profesionale dhe të paanshme sjelljen e saj gjatë zhvillimit të zgjedhjeve me 8 maj. Kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian për Marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor, Eduard Kukan, ka deklaruar se është i zhgënjyer me disa individë, të cilët procesin normal zgjedhor e kanë kthyer në dhunë ndaj forcave të policisë dhe institucioneve. “Unë mund të flas me kaq pasion pasi kam qenë shumë i përfshirë me situatën në Shqipëri, por jam i zhgënjyer. Jam i zhgënjyer sepse zgjedhjet lokale siguruan mundësi të shkëlqyera për Shqipërinë, për të treguar se janë politikisht më të maturuara dhe do të kishin dërguar më shumë mesazhe pozitive. Por po ta shihni situatën tani, njerëz që përleshen me policinë… më vjen keq për këtë”,- tha Kukan.

Përveç kësaj, sot në deklaratat e Partisë Socialiste është dënuar sjellja e Policisë lidhur me protestën e zhvilluar para ambienteve të Komisionit Qendror Zgjedhor. PS ka denoncuar dhunën e ushtruar ndaj dy personave. Kreu i PS-së, Rama, është shprehur se “nëse nuk dalin para ligjit dhunuesit, do jenë drejtuesit e Policisë së Shtetit që do të mbajnë personalisht përgjegjësi të drejtpërdrejtë përpara ligjit për këtë dhunë”.

Lidhur me ketë, zyra e informacionit pranë Policisë së Shtetit ka bërë të ditur se nga drejtoria e Policisë së Tiranës po kryhen verifikimet e nevojshme “për sqarimin e faktit nëse punonjësit e policisë kanë kryer shkelje të disiplinës, sipas përcaktimeve të bëra në rregulloren e Disiplinës së Policisë së Shtetit”. Gjithashtu nga Shërbimi Qendror i Kontrollit të Brendshëm, kanë filluar hetimet për veprimet e punonjësve të policisë përgjatë ushtrimit të detyrës si dhe sqarimin e mëtejshëm të rrethanave nëse ka elementë për veprime të dhunshme të punonjësve të policisë. Policia ka bërë të ditur se gjatë protestës para KQZ-së kanë marrë dëmtime 12 punonjës policie, përmes të cilëve dhe zv.drejtori i Policisë së Tiranës.

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, gjatë takimit me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, është shprehur se proceset në vend të kryen mbi bazën e shtetit të së drejtës.

“Nuk duhet të ketë presion mbi institucionet, dhe këto të fundit duhet të veprojnë sipas ligjit”,- tha Volfarth. Ambasadori i OSBE-së tha se “që nga janari i 2011 kanë ndodhur ngjarje në Shqipëri, dhe disa prej tyre kanë nevojë për një analizë dhe shqyrtim ligjor”.

Rebelim pa kauzë

Frrok Çupi

Mund të ishte shkruar shqip: “pa shkak”, por meqë politika e majtë ka thënë “kauzë”, kështu po e shkruaj. Në një film të regjisorit Nicholas Ray, i cili vizaton një lagje të varfër, me adoleshentë dhe me kriminelë në konfuzion moshe dhe krimi, aty nga viti 1955, vjen qartë kjo ide. Filmi mban titullin “Rebelë pa shkak”, i cili tani njihet si ikonë e aktorit të madh James Dean… Nuk mund të besohet tanimë një film i ri me këtë titull, sepse në kohët tona moderne nuk ka më rebelim pa shkak. Por ç’po ndodh këto ditë mes nesh?

Gjithçka pa shkak, pa një ndodhi më parë…

Kjo që po ndodh nuk ka akoma shkak. Duhej të kishte ndodhur një gjë që të shkaktonte tërë këtë zallamahi që e shikojnë njerëzit. Ja çfarë po shikojnë: Mbaruan votimet e 8 majit dhe gjithë bota na shikoi me simpati “sa shqiptarë të mirë”. Pastaj? Pastaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që sot është “zoti” që mban në dorë Bibkën e zgjedhjeve, hyri në punë për të numëruar çdo votë. Pastaj selia e Komisionit u rrethua nga disa militantë, disa deputetë, disa policë të Bashkisë, disa nëpunës të Bashkisë dhe disa të inkriminuar. U betuan se do të “djegin gjithçka”, mes të të cilave edhe fletët e votimit. Duhej fshehur çdo gjurmë për humbjen në votime të kryetarit të PS, Edi Rama. Qoftë edhe duke e djegur gjithçka. Militantët dhe deputetët, në tentativë që shefit t’i shfaqeshin në ekran në zyrat e PS, nisën të qëllojnë mbi policinë dhe plagosen pesë prej tyre. U betuan se “nuk do ta lejojnë” Komisionin Qendror të Zgjedhur që të numërojë votat. Prej tre ditësh kanë rrethuar selinë e KQZ, ndërsa kryetari i PS (edhe kandidat për Bashkinë e Tiranës) kërcënon që nga selia e kuqe se “do të djegë vendin, në qoftë se…”. “Në qoftë se…” nënkupton se po nuk i dhanë karrigen e kryetarit të Bashkisë, atëherë do të djegë gjithçka. Kryetarët socialistë të bashkive në rrethe, në vend që të “ndërtonin shtëpi” për qytetarët e vet, kanë zënë rrugët dhe po iu venë flakën gomave të vjetra e druve të sjella. Mediat e huaja po transmetojnë sikur këtu është luftë; dhe, kaq i intereson kryetarit të PS me shtabin. Këto kanë ndodhur sigurisht. Por kanë ndodhur pa shkak, domethënë pa ndodhur gjë.

Çfarë duhej të kishte ndodhur?

Duhej të kishte përfunduar procesi zgjedhor. Mirëpo akoma nuk ka përfunduar, madje nuk ka përfunduar procesi i numërimit. Në një moment të numërimit, kur Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste (ish-komuniste) perceptoi se ishte 10 vota para rivalit Lulzim Basha, bash në atë sekondë thërriti: “Fitova!”. Pasi tha “Fitova!”, tha fjalën tjetër “Zjarr!”. Kjo nënkuptonte se kushdo që vazhdon të numërojë votat deri në fund, “do të digjet”. Këtu filloi procesi i dhunës dhe i idesë për të vënë zjarrin në rrugë e për të mbytur çdo qelizë qetësie e stabiliteti në vend e rajon. Të drejtën për djegur vendin “në qoftë se nuk fitoj unë”, nuk e ka askush. Por aq më tmerrësisht pak, ka të drejtë dikush që ta bëjë këtë në momentin kur akoma nuk ka ndodhur as fitorja as humbja. Procesi ishte në rrugë, ishte duke ndodhur.

Pastaj duhej të kishte ndodhur që të ishte shpallur rezultati zyrtar.

Por edhe pas kësaj, kush ka aq pak mend e moral sa të ngrehë armët dhe të kërkojë postin “me çdo kusht”, por pa asnjë të drejtë. Pastaj do të kishte konstatuar me fakte se “ka padrejtësi”, dhe padrejtësinë ta dërgonte në gjykatë. Edhe kjo duhej të kishte ndodhur, por nuk ka ndodhur akoma. As ka rezultat, as ka padrejtësi, as ka çështje në gjykatë… Duhej të kishte ndodhur kjo, të paktën. Por edhe sikur të kishte ndodhur, përsëri askush nuk ka të drejtë të ngrejë dhunën dhe krimin më këmbë. Përsëri bëhet pyetja: Çfarë duhej të kishte ndodhur?… Të paktën prej dyqind vjetësh deri sot, nuk mund të pranohet asnjë reagim i dhunshëm për shkak se dikush humb postin në votime.

Por asgjë nuk ka ndodhur.

Megjithatë militantë të Partisë Socialiste (ish-komuniste) në rrethet ku fituan si kryetarë në bashkitë, bllokuan rrugët, i bllokuan me zjarr në shenjë lufte dhe terrori komunist, dhe… cili ishte shkaku? Iu kanë humbur votat kryetarëve të bashkive në ato rrethe? Jo. Iu ka humbur gjë në qytet dhe nuk lejojnë hajdutin të dalë nga “kështjella”?… Jo, përsëri. Nuk ka ndodhur asgjë për të izoluar qytetarët e tyre në unazën e zjarrtë të qytetit. Qytetet janë izoluar, njësoj si në kohë kolere. Zjarret kanë bllokuar hyrje- daljet. As turistë, as hallexhinj, as emigrantë, as çudi-shikues nuk mund të hyjnë më në qytet; madje as dasmorët a njerëz për mort. Këtë shkaktuan zjarret në qytete. Po për cilin shkak?… Thanë se po i rrëshqet posti kryetarit të një qyteti tjetër, që quhet Tiranë… Paska ndodhur asgjë, veç kolera e mendjes së militantëve dhe kryetarëve të bashkive.

Veçse një gjë ka ndodhur vërtet:

Kryetari i shtetit, Presidenti i Republikës, me sa duket iu kishte premtuar mbrojtje zjarrvënësve; zjarrvënësve duke nisur që nga kryetari i Partisë Socialiste (ish-komuniste). Bamir Topi, president i deleguar prej Partisë Demokratike, ka votuar në favor të Edi Ramës, i Partisë socialiste (ish-komuniste). Kjo u zbulua dje. Por më parë ishin hapur fjalët se “Topi do të kthejë vendimin e KQZ dhe do të shpërndaje Parlamentin…. atëherë do të marrim pushtetin”. Me sa duket premtimi i Presidentit për “zjarr e hekur”, ka ndodhur. Megjithatë, edhe kjo është ndodhi false, sepse askush nuk mund të shkelë mbi njeriun sot, dhe mbi jetën e tij. As Topi, madje as Rama.

Puçi i Ramës nga frika e Diellit

“Banda e Squfurit dhe e socialistëve feudalo – borgjez, rreziku numër një për kombin tonë, për lirinë, demokracinë e përparimin e vendit”

Nikoll Prenga

Një fjalë e urtë popullore thotë: “Miku i shtirur është më i rrezikshëm se armiku i vërtetë, më kriminel se krimineli”

Ecuria e një vendi kushtëzohet nga dy baza të së njëjtit trung. E para, përgjegjësia qytetare për njerëzit dhe vendin e tyre . E dyta, përgjegjësia e lidershipit për të mbajtur premtimet për të fituar besimin e popullit, ku po të ketë vullnet, seriozitet, besnikëri e pastërti, natyra është aq bujare sa i gëzon të gjithë.

Kur uniteti dhe lufta e të kundërtave transferohet në kontradikta antagoniste, vendin dhe kombin e kërcënojnë rreziqe e katastrofa të mëdha me një kosto të vajtueshme.

Ne Shqiptarët, jo pak, por plot 20 vjet jemi në kërkim të asaj që thuhet e nuk bëhet, po kërkojmë atë që akoma nuk po e gjejmë. Pse? Besimi i tepruar i popullit, duratrokitjet e tepruara pa e ditur se për çfarë duartroket, mania e përvetësimit të të mirave për vete dhe faturimi i të këqijave tek të tjerët është njëra anë.

Ana tjetër, banda e squfurit dhe ajo e socialistëve feudalo-borgjezë ,ku vetëm fjalët kanë të majta, me vepra krahasohen me kapitalizmin barbar, me pamje deri te hunda .Po t’i shohësh në procesion, rruga e tyre flet premtim, mashtrim, kërcënim, shfrytëzime.

Paraja dhe pushteti janë motoja e tyre, ku dita e llogaridhënies nuk do jetë e largët për shkatërrimin që i kanë bërë ekonomisë, shoqërisë e vlerave kombëtare. Në emër të së drejtës, por kundër saj si me fjalë ashtu edhe me vepra e mbushen vendin me varfëri e varre. Teoritë perandorake, padituri, varfëri, përçarje, mashtrim, kërcënime për të garantuar sundimin nuk mund t’i pranojë koha e shekullit modern, që pretendojmë të ndërtojmë botën e re në zemër të Europës.

Sot ne shqiptarët jemi përballë dy rreziqeve: E para dhe më e rrezikshmja, jemi përballë rrezikut të vetvetes, se nuk mblidhemi të tërë si luani kur kërcen lumin, por godasim vllai-vëllain me bërryla, gjë që po dëmton më gjerë se brenda vendit.

E dyta:Rrezikut që vjen nga qarqet shoviniste primitive në politikën “majtiste”. Prandaj pseudomajtistët duhet të korrigjojnë qitjen, të mos mashtrojnë dhe të largojnë thonjtë e zezë të grabitjes së popullit, se nuk ka lumë që ua lan gjynahet. Mjaft bijtë e bijat e shqipes janë veshë me të zeza, largoni pilotët e vdekjes.

Ta konkretizojmë me zgjedhjet lokale të 8 majit. Është folur e stërfolur për parime demokratike, janë bërë ligje dhe kode që vete i keni miratuar, sa asnjë vend tjetër në botë nuk ka më shumë .

Zgjedhjet u bënë të qeta, me kulturë demokratike e sense qytetare, ku është e para herë në këta 20 vjet.

Ata që nuk durojnë shprehjen e të drejtës e besimit qytetar në një ditë, për të besuarin e mijëra ditëve, s’bëjnë gjë tjetër veçse shpërdorojnë çdo gjë, shkelin paktin, shkatërrojnë vlerat, të drejtat e demokracinë.

Por njeriu i verbuar për pushtet e pasuri nuk njeh kufij.

U bëj apel potencialeve të nderuara socialiste të kalibrit Mejdani, Pëllumbi, Mojsiu, Islami, Meksi, Milo, gjithë socialistëve të ndershëm të distancohen nga banda e squfurit e instaluar në bashkinë e Tiranes e kokën e P.S. Shpresojmë të keni forca të çliroheni nga banda e feudalit Rama, të çliroheni nga thirrjet histerike të Ngjelës ,që duan me çdo kusht 13.000 të vdekur për karrigen e tij. Harron kodoshi se kur bijve e bijave të Shqipërisë u këputej shpirti me ushqim të pakët e nga ngricat e mëdha për ndërtimin e veprave madhështore, që e radhiten vendin ndër vendet e përparuara të botës, ai lyente ko..t me mjaltë e gjalpë dhe këpucët i kishte me sistem ngrohje me babanë e tij Kiço Ngjela.

Pikërisht kjo bandë rrënoi gjithçka, grabiti dhe do dhe të hasmërojë e asgjësojë shqiptarët.

Të ruajmë moralin dhe vendin e nderit së bashku si shqiptar.

Dua ta mbyll shkrimin me fjalët e të madhit Tolstoi “Në tre ujëra u kredhëm, në tre lumenj gjaku u lamë, në tri finja u ziemë. Jemi më të pastrit ndër të pastrit”. /Te gjitha nga: AGON/

Ambasadorët mbyllin takimin me Ramën: Pritja e rezultatit të bëhet qetësisht

Edi Rama me ambasadoret

Tiranë, 20 maj 2011, NOA- Prej afro dy orësh përfundoi takimi mes kryesocialistit Edi Rama dhe ambasadorëve në vendin tonë, atij të SHBA Aleksander Arvizu, atij të BE Etore Sequi dhe kreut të OSBE Eugen Wollfarth.

Pas daljes nga takimi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu, deklaroi se qëndrimi i SHBA-ve është i njëjtë me qëndrimin e Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit Filip Gordon.

Duke lënë të nënkuptohet se dhuna që kërcënon institucionet e vendit nuk është me vend dhe se palët duhet të ruajnë qetësinë si dhe të respektojnë procesin.

Më tej ai shtoi se pritja e rezultateve duhet të bëhet në mënyrë më të qetë.

Sakaq ky është takimi i disatë i diplomatëve shqiptarë me kreun e socialistëve, që nga data e mbajtjes së zgjedhjeve, për shkak të klimës së tensionuar në vend.

Nga ana e tij kreu i opozitës Edi Rama i ka kërkuar në vijimësi faktorit ndërkombëtar që të luajë rolin e tij në Shqipëri dhe të mos e lerë vetëm në një moment të tillë.

a.y/NOA

PS, plan për protesta në rrethe dhe lënie mandatesh

Deputeti,Paulin STERKAJ në tentative për të ça kordonin e policeve

Mbledhja e fundit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe tensioni në oborrin e këtij institucioni pritet të pasqyrohen edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë. Partia Socialiste dhe deputetët e saj janë nisur drejt zonave të tyre, për të organizuar protesta dhe reagim të simpatizantëve të saj. Deputetët Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Mimi Kodheli, Gramoz Ruçi dhe kreu i socialistëve Edi Rama, i kanë kërkuar popullit të ngrihet në këmbë për të mbrojtur demokracinë dhe zgjedhjet e përmbysura në tavolinë. “Apeli ynë për çdo qytetar të ndershëm të këtij vendi është të bashkohet me ne, paqësisht por vendosmërisht. Shqipëria nuk është Egjipt, Shqipëria nuk është Tunizi, Shqipëria nuk është as Libi. Prandaj, në këtë vend s’mund të ketë vend edhe për qytetarë të lirë edhe për diktaturën që vret, siç vrau sot lirinë. Të gjithë në këmbë, të gjithë në rrugë, të gjithë në betejë për mbrojtjen e lirisë themelore”, u shpreh Ruçi, duke ftuar të gjithë qytetarët në revoltë. Përveç protestave që do të nisin që ditën e sotme, ku mund të ndodhin dhe bllokime të akseve kryesore, socialistët kanë diskutuar dje në radhët e tyre edhe për një skenar ekstrem të lënies së mandateve të deputetëve, nëse nuk ka një reflektim të mazhorancës në raport me zgjedhjet e 8 majit. Burimet nga grupi parlamentar socialist thanë se është hedhur kjo ide, por ende nuk është konkretizuar në ndonjë vendimmarrje zyrtare të kupolës së partisë më të madhe në opozitë. Burimet nga selia rozë sqaruan se fillimisht është hedhur ideja e një lënie mandati në mënyrë simbolike nga disa deputetë, gjatë vizitës që do të kryejë të premten presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso dhe komisioneri për zgjerimin, Stefan Fule. Gjithsesi nuk përjashtohet as versioni ekstrem i lënies së mandateve nga i gjithë grupi parlamentar, çka do të thellonte ndjeshëm krizën politike në të cilën ndodhet vendi. Pas mbledhjes së fundit të grupit parlamentar të PS-së, deputeti Saimir Tahiri tha se “Nesër do të ndodhë më shumë se sot”. Tahiri vërejti se grupi i PS-së kishte kolauduar qëndrimin për të vijuar reagimin në mbrojtje të votës së lirë.

Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, i shoqëruar nga komisioneri europian për zgjerimin, Stefan Fule, kanë nisur turin zyrtar në Ballkanin Perëndimor. Siç u njoftua dje zyrtarisht, ata do ndalojnë me takime në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri, nga datat 19-20 maj. “Ata do të zhvillojnë takime me liderët politikë të vendeve respektive, ashtu sikurse me përfaqësues të shoqërisë civile, duke u theksuar mbështetjen e komisionit për perspektivën europiane”, tha zëdhënësja e komisionit europian. “Vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Europian. Zgjerimi mbetet një mjet i fuqishëm për të përmirësuar demokracinë, shtetin ligjor, sigurinë dhe prosperitetin në Europë. Por liderët dhe qytetarët e këtyre vendeve duhet që të shërbejnë për të ndërtuar të ardhmen europiane. Do të inkurajoj partnerët tanë për të ecur përpara me reformat”, u shpreh për median para vizitës, presidenti Barroso. Ndërkaq, komisioneri europian Stefan Fule tha se viti 2011 është viti i mundësive për politikën e zgjerimit, për të gjithë Ballkanin Perëndimor. “Shumë mund të bëhet nëse partnerët tanë do të arrijnë të përmbushin reformat që ne presim. Procesi i anëtarësimit nuk është i lehtë, por vendi aspirant ecën para me reformat dhe BE ecën para me anëtarësimin”, u shpreh Fule. Harta, sipas tij, është shumë e qartë dhe është deklaruar së fundi edhe në publikimin e progres raporteve apo opinioneve në vitin 2010.

Share This :

Twitter Delicious Facebook Digg Stumbleupon Favorites More

Edit this entry.

6 Comments to “Tirana lexon votën, i thotë jo kryengritjes së Ramës”

  1. Thumi says:

    Eshte nga zona e administratorit ky deputeti ?!

  2. Kodi Zgjedhor says:

    republika e shqipërisë
    kuvendi

    L I G J

    Nr.10 019, datë 29.12.2008

    KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

    Në mbështetje të neneve 81 pika 2 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,

    K U V e N D I

    I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

    V e N D O S I:

    PJESA I

    DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

    KREU I

    OBJEKTI, PËRKUFIZIME DHE PARIME

    Neni 1

    Qëllimi dhe objekti

    1. Ky Kod ka për qëllim caktimin e rregullave për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen, si dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për në Kuvendin e Shqipërisë, për organet e qeverisjes vendore dhe referendumet.
    2. Në këtë Kod janë objekt i rregullimit:
    a) caktimi i zonave zgjedhore;
    b) afatet, procedura dhe kompetenca për regjistrimin e subjekteve zgjedhore;
    c) organizimi dhe funksionimi i administratës dhe komisioneve zgjedhore;
    ç) afatet, procedura dhe kompetencat për përgatitjen e listës së zgjedhjeve;
    d) financimi i subjekteve zgjedhore;
    dh) zhvillimi i fushatës zgjedhore;
    e) procedura e votimit dhe shpalljes së rezultateve;
    ë) shqyrtimi i ankimimeve dhe vendosja e sanksioneve administrative dhe penale;
    f) rregulla të tjera në lidhje me zgjedhjet.

    Neni 2

    Përkufizime

    Në këtë Kod termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
    1. “Data e zgjedhjeve” është data e votimit, e caktuar me dekret të Presidentit të Republikës.
    2. “Institucione të posaçme” janë burgjet, vendet e paraburgimit, si dhe spitalet ose institucionet e tjera shëndetësore, që pranojnë pacientë për më shumë se tri ditë.
    3. “Kandidat i paraqitur nga një grup zgjedhësish” është një kandidat për deputet ose për kryetar bashkie a komune, ose për këshillin e bashkisë a të komunës, që nuk mbështetet nga asnjë parti politike dhe që propozohet nga zgjedhësit, në përputhje me këtë Kod.
    4. “Kandidat” është një shtetas shqiptar, i regjistruar si kandidat për deputet ose për kryetar bashkie a komune, ose për këshillin e bashkisë a të komunës, në përputhje me këtë Kod, për të cilin do të votohet në zgjedhje.
    5. “Koalicion” është grupimi i dy apo më shumë partive politike për të konkurruar së bashku në zgjedhje, në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë Kod.
    6. “KQV” është Komisioni i Qendrës së Votimit.
    7. “KQZ” është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili është organi më i lartë shtetëror i përhershëm, i ngarkuar për administrimin e zgjedhjeve, në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë Kod.
    8. “KZAZ” është Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor, që ngrihet dhe funksionon në përputhje më këtë Kod për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë dhe zgjedhjet vendore.
    9. “Listat e zgjedhësve” janë dokumente zyrtare të zgjedhësve, që burojnë nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile për çdo zonë të qendrës së votimit, të hartuara në përputhje me këtë Kod.
    10. “Listë shumemërore” është lista e kandidatëve për deputetë ose për këshillat e bashkisë a komunës, e hartuar dhe e regjistruar në përputhje me këtë Kod.
    11. “Marrëdhënie krushqie e afërt” është lidhja e krushqisë midis anëtarit të komisionit dhe kandidatit, ku njëri prej tyre është prind i bashkëshortit ose bashkëshortes së tjetrit apo motër ose vëlla i bashkëshortit ose bashkëshortes, apo bashkëshort i motrës së bashkëshortes ose të bashkëshortit apo bashkëshorte e vëllait të bashkëshortes ose të bashkëshortit.
    12. “Parti parlamentare” është partia politike që ka fituar dhe zotëron të paktën një vend në Kuvend nga zgjedhjet pararendëse.
    13. “Parti politike” është një parti e regjistruar në përputhje me ligjin nr. 8580, datë 17.2.2000 “Për partitë politike”.
    14. “Përfaqësues i subjektit zgjedhor” është një person i autorizuar i subjektit zgjedhor për të përfaqësuar interesat e tyre dhe për të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve zgjedhore, në emër dhe për llogari të subjektit zgjedhor.
    15. “Periudhë zgjedhore” është periudha e vitit, e përcaktuar në këtë Kod, gjatë së cilës zhvillohen zgjedhjet periodike të radhës për Kuvendin e Shqipërisë dhe organet e qeverisjes vendore.
    16. “Qendër votimi” është mjedisi i caktuar për zhvillimin e votimit, në përputhje me këtë Kod.
    17. “Regjistri Kombëtar Elektronik i Gjendjes Civile” është baza elektronike e të dhënave të shtetasve, i hartuar sipas dispozitave të ligjit për gjendjen civile.
    18. “Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve” është rezultati i shpallur nga KQZ-ja, në përputhje më këtë Kod dhe që përfshin:
    a) numrin e votave, numrin e mandateve dhe listën emërore të deputetëve të zgjedhur për çdo subjekt në zonën zgjedhore, si dhe në shkallë vendi, në përputhje me rregullat e këtij Kodi;
    b) rezultatin e votimit për kandidatët për kryetarë bashkie dhe komune, të cilët janë zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë në zonë zgjedhore përkatëse;
    c) numrin e votave të fituar nga secili subjekt në shkallë kombëtare, bazuar në rezultatin e votave të fituara nga çdo subjekt zgjedhor në votimin për këshillat e qeverisjes vendore; dhe
    ç) rezultatin e votimit për çdo alternativë në referendum, sipas dispozitave të këtij Kodi.
    19. “Rishikimi i listave” është procesi i fshirjes ose i shtimit të emrave apo i ndryshimit të të dhënave në listat e zgjedhësve, në përputhje me këtë Kod.
    20. “Subjekte zgjedhore” janë partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, si dhe kandidatët për kryetarë të organeve të qeverisjes vendore, të regjistruar në përputhje me këtë Kod.
    21. “Zgjedhës në Forcat e Armatosura ose në Forcat e Policisë së Shtetit” janë të gjithë zgjedhësit, që shërbejnë në Forcat e Armatosura ose në Forcat e Policisë së Shtetit, me vendqëndrim në një repart ushtarak ose të rendit.
    22. “Zgjedhje të pjesshme” janë votimet për të plotësuar vendin e kryetarit të bashkisë a të komunës, si dhe për zgjedhjen e një këshilli të ri vendor në rast shpërndarjeje.
    23. “Zgjedhje” janë votimet për Kuvendin, për njësitë e qeverisjes vendore dhe referendumet.
    24. “Zonë e qendrës së votimit” është një zonë gjeografike brenda territorit të një bashkie, komune ose zone zgjedhore, e përcaktuar në përputhje me këtë Kod.
    25. “Zonë zgjedhore” është ndarja administrativo-territoriale e qarkut për zgjedhjet në Kuvend dhe bashkia apo komuna për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore.
    Neni 3

    Parime të përgjithshme

    1. Zgjedhjet janë periodike.
    2. Zgjedhjet bëhen me votim të lirë, të fshehtë, të barabartë dhe të drejtpërdrejtë, sipas rregullave të parashikuara në këtë Kod. Zgjedhësit e ushtrojnë lirisht të drejtën e votës.
    3. Çdo shtetas shqiptar, që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, pa dallim race, etnie, gjinie, gjuhe, bindjeje politike, besimi, aftësie fizike ose gjendjeje ekonomike ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë Kod.
    4. Çdo zgjedhës ka të drejtën e vetëm një vote për zgjedhjen e një subjekti zgjedhor.
    5. Subjektet zgjedhore janë të lira të bëjnë paraqitjen e programeve të tyre zgjedhore në çdo formë dhe mënyrë të ligjshme.
    6. Komisionet zgjedhore, të parashikuara në këtë Kod, i përmbushin funksionet e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë të paanshme dhe transparente.
    7. Me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj, ndalohet vënia në përdorim të subjekteve zgjedhore i mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme pronë publike, si dhe i burimeve njerëzore të administratës publike të çdo niveli.
    8. Institucionet e administratës publike, të çdo niveli, me veprimtarinë e tyre nuk duhet të cenojnë zhvillimin e zgjedhjeve.

    Neni 4

    Emërimi dhe detyrat e nëpunësit ndërlidhës

    1. Aparati i Këshillit të Ministrave dhe i Kryeministrisë, çdo ministri, zyra e prefektit dhe bashkitë janë të detyruara të caktojnë nëpunës ndërlidhës, përgjegjës për shkëmbimin e informacionit me KQZ-në, për veprimtaritë që kanë lidhje me administrimin ose zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike, jo më vonë se 24 orë pas caktimit të datës së zgjedhjeve.
    2. Për emërimin e nëpunësit ndërlidhës i dërgohet njëkohësisht njoftim me shkrim KQZ-së, në të cilin përfshihet emri i nëpunësit, detyra ose titulli që mban, adresa e punës, si dhe numrat e telefonit dhe faksit. Në rast se ndonjëra nga këto institucione nuk cakton nëpunësin e vet ndërlidhës, në përputhje me kërkesat dhe brenda afatit të përcaktuar në këtë nen, atëherë titullari i institucionit përkatës konsiderohet se ka marrë përsipër funksionin e nëpunësit ndërlidhës.
    3. Nëpunësi ndërlidhës ka për detyrë t’i paraqesë KQZ-së informacion të plotë me shkrim për urdhrat e titullarit për çdo veprimtari që mund të ndikojë ose dëmtojë administrimin ose zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të drejta, demokratike dhe transparente. Ky informacion i jepet me shkrim KQZ-së jo më vonë se 10 ditë përpara datës së përcaktuar për fillimin e veprimtarisë.
    4. Nëpunësit ndërlidhës i jepet aksesi i informacionit në nivelet më të larta të institucionit të vet, me qëllim shkëmbimin e informacionit me KQZ-në.
    5. Në rast se KQZ-ja vlerëson se veprimtaria e institucionit mund të dëmtojë ose të pengojë administrimin ose zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të drejta, demokratike dhe transparente, atëherë KQZ-ja informon me shkrim nëpunësin ndërlidhës të institucionit përkatës jo më vonë se 5 ditë përpara datës së përcaktuar për fillimin e veprimtarisë.

    Neni 5

    Ndalimi i përdorimit të forcave dhe strukturave të posaçme

    1. Forcat komando dhe forcat e tjera të ushtrisë ndalohen që të përdoren gjatë gjithë fushatës zgjedhore, përveçse me urdhër me shkrim të ministrit që mbulon rendin publik dhe Ministrit të Mbrojtjes, kur këto forca nevojiten për ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë, në zëvendësim të punonjësve të Policisë së Shtetit ose në zbatim të detyrimeve ndërkombëtare. Një kopje e urdhrit me shkrim i dërgohet menjëherë KQZ-së.
    2. Ndalohet përdorimi i forcave komando dhe i forcave të tjera të ushtrisë për ruajtjen e objekteve që kanë lidhje me zgjedhjet.
    3. Forcat e ushtrisë ndalohen të kryejnë ushtrime ose manovra ushtarake jashtë reparteve ose vendeve të dislokimit të tyre gjatë gjithë fushatës zgjedhore.
    4. Në të gjitha llojet e zgjedhjeve ndalohet përdorimi ose pjesëmarrja e punonjësve apo strukturave të Shërbimit Informativ Shtetëror.

    KREU II

    VËZHGUESIT

    Neni 6

    E drejta për të caktuar vëzhgues

    1. Çdo parti politike, e regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor, ka të drejtë të caktojë nga një vëzhgues në KZAZ, në KQV dhe për çdo tavolinë në Vendin e Numërimit të Votave pas regjistrimit të kandidatit/kandidatëve për zonën zgjedhore përkatëse ose pasi ka paraqitur listë shumemërore. Në rast se partitë politike paraqiten në zgjedhje si koalicion, të drejtën për të caktuar vëzhgues e ka vetëm koalicioni. Kandidatët e partive politike nuk kanë të drejtë të caktojnë vëzhgues.
    2. Organizatat joqeveritare shqiptare dhe të huaja, si dhe organizatat ndërkombëtare të specializuara ose të angazhuara në mirëqeverisjen dhe demokratizimin, përfaqësuesit e shteteve të huaja dhe të medies kanë të drejtë të dërgojnë vëzhgues në zgjedhje.
    3. Kandidatët e paraqitur nga një grup zgjedhësish në zonat e tyre përkatëse kanë të drejtë të caktojnë nga një vëzhgues në KZAZ, në KQV dhe në Vendin e Numërimit të Votave.
    4. Akreditimi i vëzhguesve pranë komisioneve zgjedhore bëhet mbi bazën e të dhënave vetjake të çdo vëzhguesi. Akreditimi mund të përfshijë një ose më shumë qendra votimi ose një apo më shumë zona zgjedhore. Një organizatë joqeveritare shqiptare apo koalicion i tillë, parti politike, koalicion ose kandidat i propozuar nga zgjedhësit nuk mund të ketë në të njëjtën kohë më shumë se një vëzhgues të pranishëm në një qendër votimi. Çdo organizatë joqeveritare e huaj, si dhe organizatat ndërkombëtare nuk mund të kenë në të njëjtën kohë më shumë se dy vëzhgues të huaj në një qendër votimi.
    5. Kërkesat e vëzhguesve shqiptarë për akreditim i paraqiten KQZ-së jo më vonë se 15 ditë para datës së zgjedhjeve. KQZ-ja miraton kërkesat jo më vonë se 5 ditë nga paraqitja e tyre. Kërkesat e vëzhguesve të huaj paraqiten në KQZ jo më vonë se 72 orë para datës së zgjedhjeve. KQZ-ja miraton kërkesat e vëzhguesve të huaj brenda 24 orëve nga paraqitja e tyre. Ndaj refuzimit ose mosdhënies së akreditimit mund të bëhet ankim, sipas procedurave të këtij Kodi.
    6. KQZ-ja ka të drejtë, me udhëzim të veçantë, t’u delegojë KZAZ-ve kompetencën e akreditimit të vëzhguesve, sipas pikave 2 dhe 3 të këtij neni.

    Neni 7

    Të drejtat dhe detyrat e vëzhguesve

    1. Gjatë kryerjes së detyrave të tyre, vëzhguesit kanë këto të drejta:
    a) të vëzhgojnë pa pengesë të gjitha aspektet e përgatitjes dhe zhvillimit të zgjedhjeve dhe të gjitha fazat e procesit zgjedhor;
    b) të paraqesin vërejtje me shkrim para komisioneve të zgjedhjeve për çdo lloj parregullsie që vërejnë;
    c) të shohin ose të këqyrin dokumentacionin ose materialet e procesit zgjedhor;
    ç) të drejta të tjera të përcaktuara në këtë Kod apo në aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.
    2. Vëzhguesit kanë këto detyra:
    a) të respektojnë kërkesat e këtij Kodi dhe udhëzimet e KQZ-së për vëzhgimin e zgjedhjeve;
    b) të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe të mos bëjnë propagandë për asnjë kandidat, parti apo koalicion në qendrat e votimit ose në vende të tjera të ndaluara sipas këtij Kodi;
    c) të paraqiten para komisioneve të zgjedhjeve me autorizimin e lëshuar nga KQZ-ja, si dhe me një dokument identifikimi të pranuar nga KQZ-ja;
    ç) të mos mbajnë shenja dalluese, që shërbejnë si mjete propagande ose që mund të ndikojnë mbi vullnetin e zgjedhësit;
    d) të mos dhunojnë të drejtën e votuesit për të votuar në fshehtësi dhe të mos pengojnë procesin e votimit, të numërimit dhe administrimit të zgjedhjeve.

    KREU III

    PERIUDHA ZGJEDHORE DHE DATA E MBAJTJES SË ZGJEDHJEVE

    Neni 8

    Periudha zgjedhore

    Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor. Bëjnë përjashtim nga ky rregull rastet e parashikuara në pikat 3, 4, 5 dhe 6 të nenit 9 të këtij Kodi.

    Neni 9

    Caktimi i datës së zgjedhjeve për Kuvendin

    1. Data e zgjedhjeve për Kuvendin caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës, sipas rregullave të parashikuara në nenin 65 të Kushtetutës. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në një nga dy të dielat e fundit, brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në nenin 8 të këtij Kodi dhe në çdo rast jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit. Në rast se mandati i Kuvendit përfundon më herët se 30 ditë nga fillimi i periudhës zgjedhore, zgjedhjet zhvillohen në periudhën zgjedhore pararendëse. Për efekt të këtij Kodi, mandati i Kuvendit mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së mbledhjes së parë të tij.
    2. Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Me vendim të Kuvendit, mbyllja e legjislaturës ose shpërndarja e tij bëhen jo më shpejt se 45 ditë para datës së caktuar për zgjedhjet dhe jo më vonë se 30 ditë para kësaj date.
    3. Në zbatim të pikës 5 të nenit 87 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve jo më vonë se 24 orë pas shpërndarjes së Kuvendit. Zgjedhjet zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit. Datë e shpërndarjes së Kuvendit është data e votimit të pestë, sipas pikës 5 të nenit 87 të Kushtetutës, kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Presidentin e ri.
    4. Në zbatim të pikës 4 të nenit 96 të Kushtetutës, kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, jo më vonë se 24 orë pas votimit të parashikuar në pikën 3 të po atij neni, Presidenti i Republikës dekreton shpërndarjen e Kuvendit dhe cakton datën e zgjedhjeve. Zgjedhjet zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.
    5. Në zbatim të pikës 2 të nenit 104 të Kushtetutës zgjedhjet zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.
    6. Kur për shkaqe të tjera nga ato të përmendura në pikat 2, 3, 4 dhe 5 të këtij neni Kuvendi vetëshpërndahet, atëherë Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve jo më vonë se 24 orë pas shpërndarjes së tij. Kuvendi shpërndahet në ditën e votimit të tij për vetëshpërndarje. Zgjedhjet zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.

    Neni 10

    Caktimi i datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore

    1. Data e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës. Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, Presidenti zbaton rregullat e parashikuara në pikat 1 dhe 2 të nenit 9 të këtij Kodi.
    2. Për efekt të këtij Kodi, mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.
    3. Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit. Në rast ankimi të organit të shpërndarë ose të shkarkuar, zgjedhjet zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga mbarimi i afatit që ka organi i shpërndarë për të ankimuar vendimin e Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese, kur kjo e drejtë nuk është ushtruar, ose data e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në rast se është ankuar në këtë gjykatë brenda afatit të nenit 115 pika 2 të Kushtetutës. Në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit.

    Neni 11

    Orari i votimit

    1. Kur data e zgjedhjeve caktohet ndërmjet 31 marsit dhe 15 tetorit, qendrat e votimit hapen në orën 700 dhe mbyllen në orën 1900.
    2. Kur data e zgjedhjeve caktohet ndërmjet 16 tetorit dhe 30 marsit, qendrat e votimit hapen në orën 700 dhe mbyllen në orën 1800.
    3. Askush nuk mund të votojë pas orës së mbylljes së qendrave të votimit, me përjashtim të zgjedhësve që presin për të votuar në kohën e mbylljes, sipas procedurave të parashikuara në këtë Kod.

    PJESA II

    INSTITUCIONET PËR PËRGATITJEN DHE
    ADMINISTRIMIN E ZGJEDHJEVE

    KREU I

    KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE (KQZ)

    Neni 12

    Përbërja e KQZ-së

    1. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përbëhet nga 7 anëtarë.
    2. Anëtar i KQZ -së mund të emërohet çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote, i cili përmbush këto kritere:
    të jetë me moshë mbi 30 vjeç;
    b) të jetë me arsim të lartë;
    c) të ketë përvojë profesionale prej jo më pak se 5 vjet punë, të paktën në një nga fushat e mëposhtme:
    i) në fushën e së drejtës;
    ii) në administratën publike;
    iii) në administrimin e zgjedhjeve;
    iv) si drejtues i organizatave jofitimprurëse, të cilat kanë objekt të veprimtarisë së tyre mbrojtjen dhe zhvillimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, zhvillimin e zgjedhjeve demokratike apo politikat publike;
    ç) të mos jetë i dënuar penalisht;
    d) të mos ketë qenë anëtar i ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit;
    dh) të mos ketë qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit në 5 vitet e fundit;
    e) të mos ketë shërbyer në 5 vitet e fundit si punonjës në Policinë e Shtetit, në Forcat të Armatosura dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror;
    ë) të mos jetë larguar nga administrata publike apo çdo funksion publik për shkelje të detyrës.

    Neni 13

    Mandati dhe koha e punës e anëtarëve të KQZ-së

    1. Anëtari i KQZ-së ka mandat 4-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje.
    2. Fillimi dhe mbarimi i mandatit të anëtarit të KQZ-së përcaktohet në këtë Kod.
    3. Anëtari i KQZ-së e ushtron këtë detyrë me kohë të plotë. Funksioni i tij është i papajtueshëm me çdo detyrë ose funksion tjetër politik, publik ose privat, me përjashtim të mësimdhënies.
    4. Përpara fillimit të detyrës, anëtari i zgjedhur i KQZ-së kryen betimin para Kuvendit, në një ceremoni publike. Teksti i betimit është: “Betohem në nderin tim se do të angazhohem me të gjitha forcat e mia për realizimin e zgjedhjeve të drejta, të lira dhe demokratike në Republikën e Shqipërisë, do të siguroj dhe do të mbroj integritetin dhe fshehtësinë e votës, do të ruaj paanësinë në kryerjen e detyrës si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe do të tregoj profesionalizëm në kryerjen e saj”.

    Neni 14

    Zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së

    1. Kuvendi i Shqipërisë zgjedh anëtarët e KQZ-së sipas kësaj procedure:
    a) 2 anëtarë propozohen nga partia që ka numrin më të madh të vendeve nga partitë e shumicës parlamentare dhe 2 anëtarë nga partia e opozitës parlamentare që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë;
    b) subjektet propozuese, në fazën e përzgjedhjes, paraqesin jo më pak se dy kandidatura për secilën vakancë. Kryetarët e grupeve parlamentare të subjekteve propozuese përzgjedhin kolegjialisht 4 kandidatura, në përputhje me kriteret e parashikuara në shkronjën “a” të kësaj pike. Subjektet propozuese të shkronjës “a” përzgjedhin një kandidaturë nga secila gjini;
    c) kandidaturat e përzgjedhura sipas shkronjës “b” të kësaj pike i paraqiten Kuvendit për miratim;
    ç) anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të shumicës. Anëtari i gjashtë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës. Grupimi propozues paraqet një listë me jo më pak se dy kandidatura për vakancën përkatëse.
    Kuvendit i paraqitet për votim lista e kandidatëve që ka siguruar numrin më të madh të nënshkrimeve mbështetëse të deputetëve të grupeve respektive parlamentare të shumicës dhe opozitës parlamentare, përfshirë edhe deputetët e dy partive më të mëdha të secilit grupim. Në rast se dy apo më shumë lista sigurojnë numër të njëjtë nënshkrimesh mbështetëse, të gjitha kandidaturat e përfshira në këto lista futen në votim.
    2. Votimi për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së, sipas këtij neni, zhvillohet në një ditë të vetme.

    Neni 15

    Zgjedhja e Kryetarit të KQZ-së

    Anëtari i shtatë dhe njëkohësisht Kryetar i KQZ-së, zgjidhet jo më vonë se 7 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, sipas nenit 14 të këtij Kodi, sipas procedurës së mëposhtme:
    a) grupi parlamentar i partisë më të madhe të shumicës parlamentare i paraqet Kuvendit një listë prej jo më pak se katër kandidaturash. Në këtë listë nuk mund të përfshihen kandidatura të propozuara sipas shkronjës “a” të pikës 1 të nenit 14 të këtij Kodi;
    b) grupi parlamentar i partisë më të madhe të opozitës parlamentare përzgjedh dy nga kandidaturat e propozuara sipas shkronjës “a” të këtij neni. Kandidaturat e përzgjedhura i kalojnë Kuvendit për votim;
    c) Kryetar i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit.

    Neni 16

    Zëvendëskryetari i KQZ-së

    1. KQZ-ja zgjedh si Zëvendëskryetar një nga anëtarët e KQZ-së, të zgjedhur mbi bazën e propozimit të partisë më të madhe të opozitës parlamentare, sipas pikës 1 shkronja “a” të nenit 14 të këtij Kodi.
    2. Zgjedhja zhvillohet me votim të fshehtë, sipas procedurës së mëposhtme:
    a) në një fletë votimi shkruhen emrat e dy anëtarëve të KQZ-së, sipas pikës 1 të këtij neni;
    b) secili prej anëtarëve voton, duke bërë shënimin përkatës, për një nga emrat që janë në fletëvotim;
    c) anëtari që ka marrë 5 vota zgjidhet Zëvendëskryetar i KQZ-së;
    ç) në rast se asnjë prej kandidatëve nuk ka marrë numrin e kërkuar të votave, bëhet një raund i dytë votimi. Anëtari që merr më shumë vota në raundin e dytë zgjidhet Zëvendëskryetar i KQZ-së. Votimi zhvillohet brenda së njëjtës ditë.
    3. Zëvendëskryetari zgjidhet deri në fund të mandatit.
    4. Mbledhja për zgjedhjen e Zëvendëskryetarit, kur mungon Kryetari, drejtohet nga anëtari më i vjetër në moshë i KQZ-së dhe procedura e zgjedhjes zhvillohet në prani të një noteri.

    Neni 17

    Të drejtat dhe detyrat e anëtarit të KQZ-së

    1. Paga dhe privilegjet e anëtarit të KQZ-së janë të njëjta me pagën dhe privilegjet e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Paga e Kryetarit të KQZ-së është 10 për qind më e lartë se paga e anëtarit.
    2. Anëtari i KQZ-së ushtron funksionin në mënyrë të pavarur. Ai voton në përputhje me ligjin.
    3. Anëtari i KQZ-së nuk merr pjesë në shqyrtimin dhe votimin e një çështjeje kur:
    a) ka marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të katërt me ndonjë nga kandidatët që kanë paraqitur ankim në KQZ; ose
    b) ka një nga pengesat e parashikuara në nenin 37 të Kodit të Procedurave Administrative.
    4. Tërheqja nga shqyrtimi dhe votimi i çështjes deklarohet me shkrim nga anëtari i KQZ-së, ose mund të kërkohet nga çdo përfaqësues i subjekteve zgjedhore apo nga anëtarët e tjerë të KQZ-së. Tërheqja nga shqyrtimi dhe votimi i çështjes ose vendimi i KQZ-së për përjashtimin e anëtarit nga shqyrtimi dhe rezultati i votimit regjistrohet në procesverbal.
    5. Pas mbarimit të funksionit, anëtari i KQZ-së rikthehet në funksionin publik të mëparshëm dhe kur kjo nuk është e mundur, në një vend të njëjtit nivel në organet e administratës publike.

    Neni 18

    Ndërprerja para kohe e mandatit të anëtarit të KQZ-së

    1. Mandati i anëtarit dhe Kryetarit të KQZ-së përfundon përpara afatit kur:
    a) kryen veprimtari politike, njëkohësisht me detyrën e anëtarit të KQZ-së;
    b) mbush moshën për pension;
    c) vdes;
    ç) jep dorëheqjen nga detyra;
    d) dënohet me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
    dh) me veprim ose mosveprim cenon rëndë veprimtarinë e KQZ-së për përgatitjen, mbikëqyrjen, drejtimin dhe verifikimin e të gjitha aspekteve që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe referendumet, si dhe me shpalljen e rezultateve të tyre;
    e) mungon, pa shkaqe të arsyeshme, në dy mbledhje radhazi të KQZ-së, ose në periudhë zgjedhore për më shumë se 5 ditë;
    2. Shkarkimi i anëtarit të KQZ-së bëhet me vendim të Kuvendit, pas propozimit të KQZ-së për shkaqe të parashikuara në shkronjat “a” “d” “dh” dhe “e” të pikës 1 të këtij neni. KQZ-ja është e detyruar të fillojë procedurën për propozimin e shkarkimit jo më vonë se 5 ditë nga marrja dijeni për shkakun. Në rastet e tjera të pikës 1 të këtij neni, anëtari i KQZ-së lirohet me vendim të Kuvendit pas njoftimit nga ana e KQZ-së.

    Neni 19

    Zëvendësimi i anëtarëve të KQZ-së

    1. Anëtarët e rinj të KQZ-së zgjidhen jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të anëtarëve që largohen. Anëtarët e rinj fillojnë detyrën ditën e nesërme pas përfundimit të mandatit të anëtarit që largohet ose pas bërjes së betimit në rastin e përfundimit të parakohshëm të mandatit.
    2. Në rast të mbarimit të parakohshëm të mandatit të anëtarit të KQZ-së, Kuvendi emëron një anëtar zëvendësues brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të vakancës nga KQZ-ja, sipas shkronjave “b” “c” dhe “ç” të pikës 1 të nenit 18 të këtij Kodi ose nga çasti i shkarkimit. Të drejtën për propozimin e kandidaturave e ka i njëjti subjekt politik që kishte propozuar anëtarin që i kishte mbaruar mandati, nëse subjekti i plotëson kriteret e përcaktuara në pikën 1 të nenit 14 të këtij Kodi. Në të kundërt, kandidaturat propozohen nga partia politike, e cila i plotëson kriteret e renditjes dhe përkatësisë. Në rastin e zëvendësimit të Kryetarit, zhvillohet e njëjta procedurë votimi, sipas nenit 15 të këtij Kodi.
    3. Në rast se mandati i një anëtari të KQZ-së përfundon para kohe gjatë periudhës së zgjedhjeve, ai zëvendësohet nga Kuvendi sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 48 orë nga krijimi i vakancës.
    4. Anëtari zëvendësues qëndron në detyrë deri në mbarimin e afatit të mandatit ligjor që gëzonte, sipas aktit të zgjedhjes, anëtari i larguar para kohe.
    5. Nëse mandati i KQZ-së përfundon në 9 muajt e fundit të mbarimit të mandatit të Kuvendit, atëherë Kuvendi, jo më vonë se 9 muaj nga data e mbarimit të mandatit të tij, zgjedh anëtarët e rinj të KQZ-së, sipas procedurave të parashikuara në nenet 14 dhe 15 të këtij Kodi, duke ruajtur kurdoherë raportet e barabarta të përfaqësimit politik. Anëtarët e zgjedhur e marrin detyrën jo më vonë se 24 orë pas bërjes së betimit.

    Neni 20

    Kompetencat e Kryetarit dhe Zëvendëskryetarit të KQZ-së

    1. Kryetari i KQZ-së ka këto kompetenca:
    a) drejton mbledhjet e KQZ-së dhe përfaqëson KQZ-në në marrëdhënie me institucionet e tjera;
    b) kryen funksionet e drejtuesit administrativ të institucionit. Në zbatim të kompetencave, sipas kësaj shkronje, Kryetari i KQZ-së nxjerr urdhra të brendshëm vetëm në bazë dhe për zbatim të vendimeve të KQZ-së.
    2. Zëvendëskryetari i KQZ-së kryen detyrat e Kryetarit në mungesë të tij.
    3. Kryetari i ushtron kompetencat në bazë të shkronjës “a” të pikës 1 të këtij neni së bashku me Zëvendëskryetarin. Të gjitha aktet e nxjerra në bazë të shkronjës “b” të pikës 1 të këtij neni nënshkruhen edhe nga Zëvendëskryetari, përndryshe janë të pavlefshme. Bëjnë përjashtim rastet kur Kryetari ose Zëvendëskryetari nuk ushtrojnë funksionet për arsye objektive.

    Neni 21

    Kompetencat e KQZ-së

    KQZ-ja ka këto kompetenca:
    Nxjerr, në bazë dhe për zbatim të ligjit dhe brenda sferës së juridiksionit të saj, vendime dhe udhëzime me fuqi juridike të përgjithshme në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
    Merr vendime për njësimin e praktikave zgjedhore.
    Drejton dhe kontrollon kolegjialisht, nëpërmjet çdo anëtari ose strukturave të saj, procesin parazgjedhor dhe atë zgjedhor.
    Miraton kufijtë e zonave të administrimit zgjedhor, në përputhje me këtë Kod.
    Propozon ndarjen e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet në Kuvend.
    Regjistron pjesëmarrjen në zgjedhje të subjekteve zgjedhore për zgjedhjet në Kuvend, në përputhje me proceduarat e këtij Kodi.
    Shpall me vendim rezultatin e zgjedhjeve për çdo zonë zgjedhore, kandidatët fitues për zgjedhjet në Kuvend, kandidatë fitues për anëtarët e këshillave për organet e qeverisjes vendore.
    Shpall me vendim rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në shkallë vendi, në përputhje me këtë Kod.
    Kryen, me shpenzimet e veta, kurse trajnimi jo më vonë se 30 ditë pas emërimit të anëtarëve të KZAZ-ve dhe në përfundim të tyre, pas kryerjes së testimeve, u jep atyre dëshminë përkatëse. Për anëtarët e KQV-ve kryen, me shpenzimet e veta, sesione kualifikimi për legjislacionin zgjedhor. KQZ-ja merr masa dhe organizon edhe programe për edukimin zgjedhor të shtetasve.
    Kryen trajnime për administrimin zgjedhor jashtë periudhës zgjedhore dhe në mënyrë periodike për të gjithë të interesuarit dhe shpërndan dëshmitë përkatëse. Trajnimet mund të jenë të përgjithshme dhe të specializuara për funksione të veçanta të administrimit të zgjedhjeve.
    Emëron dhe shkarkon, në përputhje me këtë Kod, anëtarët e KZAZ-së dhe i mbikëqyr ata në përmbushjen e detyrave të tyre.
    Boton buletinin e zgjedhjeve, i cili përmban rezultatet e zgjedhjeve për çdo zonë zgjedhore dhe qendër votimi, raportin për shpenzimet zgjedhore, si dhe publikon raportet, sipas nenit 91 të këtij Kodi.
    Paraqet në Kuvend, brenda muajit shkurt të çdo viti, raportin vjetor për veprimtarinë e vitit të kaluar.
    Përgatit projektbuxhetin vjetor, sipas ligjit përkatës, për funksionimin e institucionit dhe, pas miratimit me ligj të buxhetit, përcakton strukturën e shpenzimeve buxhetore.
    Ushtron kontrollin mbi financimet e fushatës zgjedhore, në përputhje me këtë Kod.
    Përgatit projektbuxhetin për zgjedhjet e pritshme dhe administron fondet e vëna në dispozicion nga Buxheti i Shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme në shërbim të zgjedhjeve, duke marrë vendim për strukturën e shpenzimeve buxhetore dhe donacioneve të ndryshme për zgjedhjet.
    Shqyrton dhe zgjidh ankesat e subjekteve zgjedhore për zhvillimin e procesit zgjedhor, në përputhje me rregullat e këtij Kodi.
    Harton dhe shpërndan modelet për ankimet zgjedhore, në përputhje me rregullat e këtij Kodi.
    Cakton masën e shpërblimit për anëtarët e KZAZ-ve, KQV-ve dhe anëtarët e grupeve të numërimit.
    Vendos sanksione administrative kundër personave, që kryejnë kundërvajtje administrative në lidhje me zgjedhjet, si dhe bën kallëzim penal për vepra penale në lidhje me zgjedhjet.
    Miraton strukturën, organikën dhe strukturën e pagave të administratës së KQZ-së me kohë të plotë pune dhe asaj me kohë jo të plotë.
    Ngre zyra rajonale të përhershme apo të përkohshme, me qëllim zbatimin e detyrave që burojnë nga ky Kod dhe nga aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.
    Mban dhe përditëson regjistrin e administratës zgjedhore, ku përfshihen trajnimet dhe masat disiplinore të marra ndaj tyre.
    Emëron, në përputhje me procedurat e këtij Kodi, Sekretarin e Përgjithshëm të KQZ-së.
    Miraton Rregulloren e Organizimit dhe Funksionimit të KQZ-së, duke përfshirë edhe mënyrën e zhvillimit të mbledhjeve.
    Kryen detyra të tjera, që burojnë nga ky Kod ose nga ligje të tjera.

    Neni 22

    Mbledhjet e KQZ-së

    1. Mbledhjet e KQZ-së thirren nga Kryetari ose të paktën nga dy anëtarë të KQZ-së. Në çdo rast, thirrja e mbledhjes nuk i nënshtrohet votimit dhe duhet të përmbajë rendin e ditës të mbledhjes. Në rendin e ditës përfshihet çdo kërkesë e ardhur nga të paktën dy anëtarë të KQZ-së.
    2. Gjatë periudhës nga caktimi i datës së zgjedhjeve deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, KQZ-ja mblidhet rregullisht çdo ditë, ndërsa në periudhën tjetër të vitit të paktën një herë në muaj. Mbledhjet e KQZ-së mbyllen me caktimin e rendit të ditës për mbledhjen pasardhëse.
    3. Njoftimi për mbledhjen, së bashku me rendin e ditës, shpallet publikisht në hyrje të selisë së KQZ-së dhe pranë selive të KZAZ-ve të interesuara për çështjen, të paktën 24 orë para orës së caktuar për fillimin e mbledhjes. Njoftimi për mbledhjen u dërgohet të gjitha partive parlamentare, si dhe publikohet në faqen e internetit të KQZ-së.
    4. Në fillim të çdo mbledhjeje çdo subjekt zgjedhor i regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje ose persona të tjerë të interesuar, vetëm një herë dhe për një kohë jo më të gjatë se 5 minuta kanë të drejtë të flasin për çështje që nuk janë përfshirë në rendin e ditës.
    5. Mbledhjet e KQZ-së janë të vlefshme kur marrin pjesë jo më pak se 4 anëtarë të saj, me përjashtim të rasteve kur kërkohet shumicë e cilësuar për marrjen e vendimit, sipas nenit 24 të këtij Kodi.
    6. Çdo mbledhje e KQZ-së fillon sipas përcaktimit të bërë në pikën 4 të këtij neni. Në mbledhjet e KQZ-së kanë të drejtë të diskutojnë dhe të japin mendime vetëm anëtarët e KQZ-së, përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore, sipas nenit 26 të këtij Kodi, si edhe personat që lidhen me përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve. Në fillim të çdo mbledhjeje KQZ-ja përcakton me vendim kohën për të folur për çdo të interesuar.
    7. Mbledhjet e KQZ-së janë kurdoherë publike.

    Neni 23

    Aktet e KQZ-së dhe hyrja në fuqi e tyre

    1. KQZ-ja, në bazë dhe për zbatim të ligjit, mund të nxjerrë vetëm këto akte:
    a) vendime;
    b) udhëzime.
    2. Aktet me karakter normativ të KQZ-së kanë fuqi mbi të gjithë territorin e vendit dhe janë të detyrueshme për të gjithë.
    3. Çdo akt normativ i KQZ-së votohet tri herë, sipas radhës së mëposhtme:
    a) votohet në parim;
    b) votohet nen për nen ose, sipas rastit, pjesë për pjesë;
    c) në fund votohet në tërësi.
    4. Aktet normative të KQZ-së kanë karakter të përhershëm dhe zbatohen si rregull për të gjitha zgjedhjet. Këto akte rishikohen në rast të ndryshimit të ligjit apo për shkaqe të tjera që përligjin ndryshimin e tyre. Aktet për përgatitjen e zgjedhjeve si rregull miratohen apo ndryshohen jo më vonë se 60 ditë nga data e zgjedhjeve.
    5. Aktet normative të KQZ-së hyjnë në fuqi pas botimit të tyre në Fletoren Zyrtare, përveç rasteve kur rrethanat diktojnë hyrjen e menjëhershme në fuqi, ndërsa aktet e tjera hyjnë në fuqi menjëherë. Aktet normative me fuqi të menjëhershme publikohen jo më vonë se 24 orë në radiotelevizionin publik, si dhe në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së.

    Neni 24

    Vendimmarrja në KQZ

    1. Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me:
    a) shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas neneve 162, 163 dhe 166, pika 3 të këtij Kodi;
    b) pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore, sipas nenit 123 të këtij Kodi dhe vendimet lidhur me ankimet kundër vendimeve të KZAZ-ve për rezultatin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore;
    c) kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi;
    ç) shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në zonën zgjedhore apo në të gjithë vendin dhe përsëritjen e tyre;
    d) aktet me karakter normativ dhe që kanë për qëllim rregullimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet;
    dh) propozimin për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, sipas pikës 2 të nenit 18 të këtij Kodi;
    e) miratimin e strukturës organike të KQZ-së, si dhe rregulloren e funksionimit të KQZ-së;
    ë) caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas nenit 76 të Kodit;
    f) caktimin e zonave të administrimit zgjedhor, sipas nenit 27 të Kodit.
    Vendimet e tjera miratohen me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQZ-së.
    2. Vendimet e KQZ-së nënshkruhen nga të gjithë anëtarët që kanë marrë pjesë në votim. Secili prej anëtarëve të KQZ-së, përbri nënshkrimit të tij, shënon me shkrim mënyrën e tij të votimit, sipas rastit “pro” ose “kundër”. Anëtarët në pakicë duhet të paraqesin mendimin e tyre të pakicës ose atë alternativ jo më vonë se 24 orë nga marrja e vendimit. Mendimi i pakicës i bashkëngjitet vendimit përkatës.
    3. Çdo vendim i KQZ-së zbardhet brenda 24 orëve nga marrja e tij. Jo më pak se dy ekzemplarë origjinalë të vendimit ose, sipas rastit, edhe të udhëzimit të KQZ-së, mbahen në arkivin e KQZ-së. Vendimet publikohen menjëherë në faqen zyrtare të KQZ-së.

    4. Sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së, gjatë periudhës zgjedhore, jep, kundrejt kërkesës të çdo subjekti zgjedhor, pa pagesë, brenda 24 orëve nga paraqitja e kërkesës, kopje të vërtetuara të vendimeve të KQZ-së. Jashtë periudhës zgjedhore, si dhe për çdo person tjetër të interesuar kopjet e akteve të KQZ-së jepen kundrejt një pagese, sipas akteve përkatëse në fuqi.

    Neni 25

    Sekretari i Përgjithshëm dhe administrata e KQZ-së

    1. Për funksionimin dhe përmbushjen e detyrave që burojnë nga ky Kod, KQZ-ja ka administratën e vet, të përbërë me nëpunës të shërbimit civil. Procedurat e rekrutimit, transferimit, ngritjes në detyrë, lëvizjes paralele dhe shkarkimit nga detyra bëhen në përputhje me përcaktimet e bëra për institucionet e pavarura në ligjin nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”.
    2. Sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së është nëpunësi më i lartë civil i administratës së KQZ-së dhe emërohet në përputhje me procedurat e ligjit për statusin e nëpunësit civil. Në çdo rast KQZ-ja është e detyruar të emërojë një nga tre fituesit e konkursit për rekrutimin e Sekretarit të Përgjithshëm.
    3. Sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së duhet të plotësojë kushtet e përcaktuara në nenin 12 të këtij Kodi dhe të ketë përvojë pune jo më pak se 5 vjet në fushën e së drejtës ose të administratës publike.
    4. Sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së kryen këto detyra:
    a) merr masa për organizimin e mbledhjeve të KQZ-së, përgatit materialet e mbledhjes, si dhe bën njoftimet përkatëse;
    b) merr masa për botimin e akteve të KQZ-së dhe bërjen publike të tyre;
    c) merr masa për plotësimin e kushteve të punës së anëtarëve të KQZ-së, sipas kërkesave të tyre, në zbatim të këtij ligji dhe të akteve nënligjore të nxjerra nga KQZ-ja;
    ç) është përgjegjës, drejton dhe organizon punën për zbatimin e vendimeve të KQZ-së apo urdhrave të Kryetarit, sipas nenit 20 të këtij Kodi;
    d) ndjek zbatimin e buxhetit dhe merr masat përkatëse për të;
    dh) propozon për miratim në KQZ Rregulloren e Brendshme të Organizimit dhe Funksionimit të Administratës së KQZ-së; dhe
    e) kryen detyra të tjera të përcaktuara nga ky Kod.

    Neni 26

    Përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore në KQZ

    1. Çdo parti politike ose koalicion partish politike, nëpërmjet drejtuesit më të lartë të saj, mund të caktojë me autorizim një përfaqësues dhe një zëvendës të tij pranë KQZ-së.
    2. Përfaqësuesit e partive parlamentare që kanë marrë pjesë në zgjedhje janë me status të përhershëm pranë KQZ-së. Ata kanë të drejtë të marrin pjesë në të gjitha mbledhjet që zhvillon KQZ-ja. Përfaqësuesit e partive joparlamentare apo të partive të krijuara rishtazi gjatë legjislaturës kanë të drejtë të marrin pjesë vetëm në mbledhjet e KQZ-së të zhvilluara në periudhë zgjedhore.
    3. Përfaqësuesit e partive në KQZ nuk kanë të drejtë vote. Ata, në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë Kod, si dhe në akte të tjera, kanë këto të drejta:
    a) të marrin fjalën dhe të diskutojnë në mbledhje të KQZ-së;
    b) të paraqesin kërkesa dhe propozime pranë KQZ-së;
    c) të marrin kopje të akteve të KQZ-së;
    ç) të njihen dhe të marrin kopje të dokumentacionit zgjedhor, të miratuar nga KQZ-ja;
    d) të njihen dhe të marrin informacion për të gjitha aspektet e procesit zgjedhor, pa cenuar veprimtarinë e KQZ-së apo edhe të strukturave të tjera zgjedhore.
    4. Të gjitha veprimet e kryera nga përfaqësuesit të partive parlamentare apo joparlamentare konsiderohen sikur të jenë kryer nga vetë partitë përkatëse në cilësinë e tyre si subjekte zgjedhore.
    5. Përfaqësuesit janë të detyruar të respektojnë rregulloren e KQZ-së, si dhe etikën e mbledhjeve dhe të komunikimit. Në rast të thyerjes së tyre merren masat e parashikuara në rregulloren e brendshme të KQZ-së.

    KREU II

    ZONAT E ADMINISTRIMIT ZGJEDHOR (ZAZ) DHE KOMISIONET
    E ZONAVE TË ADMINISTRIMIT ZGJEDHOR (KZAZ)

    Neni 27

    Zonat e Administrimit Zgjedhor

    1. Zonat e Administrimit Zgjedhor ngrihen dhe funksionojnë për çdo lloj zgjedhjeje dhe referendumi, sipas këtij Kodi.
    2. Juridiksioni territorial i ZAZ-ve si rregull është i njëjtë me rrethin administrativ, sipas ligjit që rregullon organizimin territorial të Republikës së Shqipërisë. Rrethet që kanë më shumë se 70 mijë shtetas me të drejtë vote ndahen nga KQZ-ja në më shumë se sa një Zonë e Administrimit Zgjedhor, në përputhje me kriteret e mëposhtme:
    a) pandashmëria e territorit të komunës dhe bashkisë;
    b) vazhdimësia dhe kompaktësia e territorit, duke shmangur barrierat gjeografike;
    c) mundësi të mira komunikimi brenda territorit;
    ç) numër i përafërt zgjedhësish.
    3. Asnjë Zonë Administrimi Zgjedhor nuk mund të shtrihet gjeografikisht në dy ose më shumë qarqe apo rrethe të ndryshme brenda të njëjtit qark.
    4. Bashkitë që kanë më shumë se 40 mijë shtetas me të drejtë vote përbëjnë Zonë Administrimi Zgjedhor më vete, kur numri i përgjithshëm i shtetasve me të drejtë vote në shkallë rrethi është më i madh se 70 mijë. Në bashkitë që kanë mbi 100 mijë shtetas me të drejtë vote, KQZ-ja mund të krijojë dy Zona Administrimi Zgjedhor më vete, me numër të barabartë zgjedhësish, si dhe duke ruajtur vazhdimësinë dhe kompaktësinë e territorit të zonave të qendrave të votimit. Për Bashkinë e Tiranës secila nga njësitë bashkiake përbën Zonë Administrimi Zgjedhor më vete.
    5. Zonat e Administrimit Zgjedhor miratohen nga KQZ-ja jo më vonë se 9 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit, mbi bazën e numrit të shtetasve me të drejtë vote në datën e fundit të periudhës zgjedhore për caktimin e zgjedhjeve, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Jo më vonë se 10 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile i dërgon të dhënat KQZ-së, të ndara sipas njësive të qeverisjes vendore.
    6. KQZ-ja, jo më vonë se 5 muaj para datës së zgjedhjeve, mund të ndryshojë kufijtë e ZAZ-së, sipas kërkesave të këtij neni, vetëm nëse ka ndryshim të kritereve për caktimin e tyre sipas pikave 2, 3 dhe 4 të këtij neni.

    Neni 28

    Ngritja e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor

    1. Vendimi për ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor merret nga KQZ-ja jo më vonë se 90 ditë para datës së zgjedhjeve.
    2. Partitë politike propozojnë kandidaturat përkatëse për anëtar të KZAZ-së jo më vonë se 15 ditë para afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni.

    Neni 29

    Përbërja e KZAZ-së

    1. KZAZ-ja përbëhet nga 7 anëtarë dhe sekretari, të cilët emërohen nga KQZ-ja, sipas procedurës së mëposhtme:
    a) dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës parlamentare, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e opozitës parlamentare, një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare dhe një anëtar propozohet nga partia e dytë e opozitës parlamentare. Në rast se nuk arrihet baraspeshimi politik, sipas kësaj shkronje, grupi përkatës kompensohet me kandidaturat e partisë kryesore deri në baraspeshimin politik shumicë-opozitë;
    b) anëtari i shtatë propozohet në gjysmën e KZAZ-ve nga partia e parë e shumicës parlamentare, kurse gjysma tjetër nga partia e parë e opozitës parlamentare, sipas kritereve objektive të bazuara në:
    i) përzgjedhjen rastësore;
    ii) shpërndarjen e barabartë në territorin zgjedhor;
    c) sekretari i KZAZ-së duhet të jetë jurist dhe propozohet nga partia, e cila propozon zëvendëskryetarin e KZAZ-së;
    ç) 30 për qind e anëtarëve të propozuar përkatësisht nga partia më e madhe e shumicës dhe partia më e madhe e opozitës, në shkallë vendi, duhet të jenë nga secila gjini.
    2. Kryetari dhe zëvendëskryetari i KZAZ-së zgjidhen nga KQZ-ja, me propozim të KZAZ-së. Në KZAZ-të ku anëtari i shtatë i përket partisë kryesore të shumicës parlamentare, kryetar zgjidhet njëri nga anëtarët e KZAZ-së, përfaqësues i partisë kryesore të shumicës parlamentare, kurse në gjysmën tjetër zgjidhet njëri nga anëtarët e KZAZ-së, përfaqësues i partisë kryesore të opozitës parlamentare. Zëvendëskryetari është i përkatësisë politike të kundërt me kryetarin.
    3. Anëtarët e KZAZ-së nuk punojnë me kohë të plotë. KQZ-ja përcakton orarin e punës së KZAZ-së gjatë periudhës së zgjedhjeve dhe jashtë saj. Për punën e kryer anëtarët përfitojnë shpërblim në masën e përcaktuar me vendim të KQZ-së.
    4. Renditja e partive për efekt të ndarjes së vendeve në KZAZ, sipas përcaktimeve të këtij neni, bëhet mbi bazën e numrit të mandateve që ka fituar partia politike nga zgjedhjet pararendëse për Kuvendin. Në rastin e zgjedhjeve vendore, renditja përcaktohet mbi bazën e numrit të votave të fituara në shkallë vendi për këshillat vendorë në zgjedhjet pararendëse nga partitë parlamentare.
    Në rast se dy ose më shumë parti kanë të njëjtin numër mandatesh dhe nuk është e mundur të përcaktohet partia përfituese, renditja e tyre përcaktohet mbi bazën e numrit të votave të fituara në shkallë vendi. Nëse dy ose më shumë parti kanë të njëjtin numër votash, renditja përcaktohet nga KQZ-ja me short.
    5. Nëse partitë politike të shumicës parlamentare dhe të opozitës parlamentare, që kanë të drejtë të paraqesin kandidatura për KZAZ-të, nuk e ushtrojnë këtë të drejtë në afatin e përcaktuar në pikën 2 të nenit 28 të këtij Kodi, kjo e drejtë u kalon automatikisht partive që vijnë në radhë me numër vendesh në Kuvend pas të parave, brenda grupimit përkatës. Kur kjo nuk është e mundur, propozimet bëhen sipas pikës 1 shkronja “a” të këtij neni.
    6. Në rastet e zgjedhjeve të pjesshme ose të parakohshme, KZAZ-ja ngrihet jo më vonë se 10 ditë nga data e nxjerrjes së dekretit të Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve.
    7. Kur vendi i një anëtari të KZAZ-së mbetet vakant, ai plotësohet në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë nen brenda 15 ditëve nga data e krijimit të vakancës. Gjatë periudhës së zgjedhjeve, vendet vakante plotësohen brenda 3 ditëve.
    8. Kur vendi i një anëtari ose sekretarit të KZAZ-së mbetet vakant në ditën e zgjedhjeve, propozimi në KQZ duhet të dorëzohet jo më vonë 3 orë nga çasti i krijimit të vakancës. Në rast se subjektet me të drejtë propozimi nuk propozojnë kandidaturë në KQZ, kjo e drejtë i kalon partive politike të të njëjtit grupim që vijnë pas tyre në Kuvend për nga numri i vendeve të fituara në Kuvend në zgjedhjet pararendëse. Nëse edhe këto parti nuk propozojnë anëtarë, KQZ-ja emëron kryesisht anëtarët e KZAZ-së deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje.

    Neni 30

    Papajtueshmëritë me detyrën e anëtarit dhe të sekretarit të KZAZ-së

    Anëtari dhe sekretari i KZAZ-së nuk mund të jenë:
    a) deputetë ose kandidatë për deputetë në Kuvend;
    b) kryetarë të bashkive ose komunave;
    c) ushtarakë, punonjës të strukturave të Policisë së Shtetit ose të Shërbimit Informativ Shtetëror; ose
    ç) anëtarë apo sekretarë të një komisioni tjetër zgjedhor.

    Neni 31

    Kushtet për emërimin e anëtarit dhe të sekretarit të KZAZ-së

    Anëtar dhe sekretar i KZAZ-së mund të emërohet çdo person që plotëson kushtet e mëposhtme:
    a) gëzon të drejtën për të qenë zgjedhës;
    b) ka arsim të lartë dhe në rastin e sekretarit të jetë jurist;
    c) është me vendbanim brenda zonës zgjedhore përkatëse;
    ç) nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
    d) ndaj tij nuk është marrë masë disiplinore në proceset zgjedhore të mëparshme.

    Neni 32

    Shkarkimi dhe lirimi i anëtarëve dhe i sekretarit të KZAZ-së

    1. Anëtari dhe sekretari i KZAZ-së shkarkohen nga detyra me vendim të KQZ-së kur:
    a) shkelin dispozitat e këtij Kodi ose të akteve nënligjore në zbatim të tij lidhur me detyrat e KZAZ-së;
    b) dënohen me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
    c) mungojnë pa shkaqe të arsyeshme për më shumë se tri mbledhje rresht të KZAZ-së, ose në periudhën zgjedhore nuk paraqiten në detyrë pa shkaqe të arsyeshme për më shumë se 2 ditë rresht; ose
    ç) nuk marrin pjesë në trajnimet ose nuk kalojnë testimet e organizuara nga KQZ-ja.
    2. Anëtarët dhe sekretari i KZAZ-së lirohen nga detyra me vendim të KQZ-së kur:
    a) kanë marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të katërt me ndonjërin nga kandidatët që konkurrojnë në zonë;
    b) janë në marrëdhënie pune me ndonjërin prej kandidatëve të përfshirë në listën shumemërore të një partie apo koalicioni që konkurron në zonë;
    c) nuk plotësojnë më kushtet për të qenë zgjedhës;
    ç) nuk kanë më vendbanimin e tyre në zonën zgjedhore;
    d) subjekti zgjedhor që i ka propozuar kërkon zëvendësimin e tyre.
    3. Anëtari dhe sekretari i KZAZ-së lirohen/shkarkohen nga detyra nga KQZ-ja, kryesisht ose me propozim të subjekteve zgjedhore, vetëm për shkaqet e parashikuara në këtë nen. Në çdo rast, kërkesa për lirim ose shkarkim duhet të përmbajë edhe argumente dhe fakte për shkeljen e pretenduar. Në rastin e parashikuar në shkronjën “d” të pikës 2 të këtij neni ky rregull nuk zbatohet dhe kërkesa pranohet në çdo rast.

    Neni 33

    Detyrat e KZAZ-së

    KZAZ-ja kryen këto detyra:
    a) përgjigjet për administrimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve në ZAZ, sipas dispozitave të këtij Kodi dhe akteve nënligjore të nxjerra nga KQZ-ja;
    b) emëron kryetarin, zëvendëskryetarin, anëtarët, sekretarët e KQV-ve, dhe anëtaërt e grupeve të numërimit, të përfshira në juridiksionin e ZAZ-së, sipas këtij Kodi;
    c) regjistron në Librin e Protokollit të Mbledhjeve dhe, sipas rastit, verifikon informacionet ose pretendimet e subjekteve zgjedhore në zonë;
    ç) afishon në një vend të dukshëm listat përfundimtare të zgjedhësve, dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe të dhëna të tjera, që lidhen me zhvillimin e zgjedhjeve në zonë;
    d) administron buxhetin e caktuar nga KQZ-ja;
    dh) garanton shpërndarjen në kohë të materialeve të votimit;
    e) merr në dorëzim nga KQV-të materialet e votimit dhe kutitë e votimit;
    ë) përgatit dhe miraton tabelën përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve për çdo subjekt zgjedhor në ZAZ dhe ia dërgon atë KQZ-së, së bashku me materialet e tjera të nevojshme, në përputhje me nenin 122 të këtij Kodi;
    f) regjistron subjektet zgjedhore dhe kandidatët për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore;
    g) shpall kandidatët fitues për kryetar të njësisë vendore;

    Neni 34

    Detyrat e sekretarit të KZAZ-së

    Sekretari i KZAZ-së kryen këto detyra:
    a) përgjigjet për administrimin teknik dhe kushtet e punës së KZAZ-së;
    b) protokollon kërkesat, ankesat dhe njoftimet drejtuar KZAZ-së;
    c) mban dokumentacionin zgjedhor të arkivuar;
    ç) përgatit, në përputhje me udhëzimet e kryetarit, materialet për mbledhjen e KZAZ-së dhe ua shpërndan ato anëtarëve;
    d) mban procesverbalet e mbledhjeve të KZAZ-së;
    dh) kryen zbardhjen e vendimeve të marra nga KZAZ-ja dhe i vulos ato;
    e) regjistron në protokoll vendimet e KZAZ-së dhe ua përcjell ato menjëherë subjekteve të interesuara;
    ë) u jep subjekteve zgjedhore ose personave të tretë, pa pagesë dhe brenda 24 orëve nga paraqitja e kërkesës, kopje të vërtetuara të vendimeve të KZAZ-së ose procesverbaleve të mbledhjeve të tyre;
    f) regjistron në protokoll marrjen në dorëzim të materialeve zgjedhore të dërguara nga KQZ-ja, sipas nenit 99 të këtij Kodi dhe përgjigjet për administrimin dhe ruajtjen e tyre, në përputhje me kërkesat e këtij Kodi;
    g) me kërkesë të zgjedhësve, lëshon vërtetime nëse emri i zgjedhësit gjendet ose jo në listat përfundimtare të zgjedhësve në zonën përkatëse të administrimit zgjedhor;
    gj) regjistron në protokoll vërejtjet që vëzhguesit i paraqesin komisionit.

    Neni 35

    Mbledhjet dhe vendimet e KZAZ-së

    1. Mbledhjet e KZAZ-së janë publike.
    2. Mbledhjet e KZAZ-së janë të vlefshme kur në to marrin pjesë shumica e të gjithë anëtarëve të KZAZ-së. Vendimet e KZAZ-së merren me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KZAZ-së. Sekretari nuk ka të drejtë vote.
    3. Vendimet e KZAZ-së nënshkruhen nga të gjithë anëtarët që kanë marrë pjesë në votim. Secili prej anëtarëve të komisionit, krahas nënshkrimit të tij në vendim, deklaron votën “pro” ose “kundër”, si dhe arsyetimin përkatës.

    4. Vota e anëtarëve që janë në kushtet e konfliktit të interesit, të parashikuar në nenin 32 pika 2 të këtij Kodi dhe nuk janë liruar nga detyra, sipas atij neni, është e pavlefshme dhe nuk llogaritet në kuorum.
    5. Në rast se KZAZ-ja nuk arrin të marrë vendim brenda afatit përkatës, çështja i dërgohet brenda 24 orëve për shqyrtim KQZ-së nga kryetari i KZAZ-së ose të paktën nga dy anëtarë, ose mund të ankimohet në KQZ nga subjekti zgjedhor i interesuar.

    KREU III

    KOMISIONI I QENDRËS SË VOTIMIT (KQV)

    Neni 36

    Përbërja e KQV-së

    1. KQV-ja përbëhet nga 7 anëtarë dhe sekretari dhe formohet sipas mënyrës dhe kritereve të nenit 29 të këtij Kodi për çdo lloj zgjedhjeje me përjashtim të shkronjës “ç” të pikës 1 të nenit 29 të këtij Kodi.
    2. Anëtarët dhe sekretari i KQV-së emërohen vetëm për periudhën e zgjedhjeve. Propozimet për anëtarë dhe sekretar të KQV-së bëhen jo më vonë se 45 ditë para datës së zgjedhjeve dhe në rastin e zgjedhjeve të pjesshme apo të parakohshme 20 ditë para datës së zgjedhjeve. KZAZ-ja emëron anëtarët e KQV-ve jo më vonë se 5 ditë nga paraqitja e propozimeve, kur konstaton se propozimi është në përputhje me kërkesat e neneve 37 dhe 38 të këtij Kodi. Në çdo rast emërimi i tyre bëhet jo më vonë se 20 ditë para datës së zgjedhjeve.
    3. Në rastet e zgjedhjeve të pjesshme ose të parakohshme, KQV-ja ngrihet jo më vonë se 15 ditë nga data e nxjerrjes së dekretit të Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve.
    4. Kur vendi i një anëtari ose sekretarit të KQV-së mbetet vakant, ai plotësohet brenda 3 ditëve, por jo më vonë se 24 orë para hapjes së procesit të votimit. Zëvendësimi i anëtarëve të larguar në ditën e zgjedhjeve bëhet jo më vonë se 2 orë nga njoftimi i largimit.
    5. Zëvendësimi i anëtarëve dhe sekretarit të KQV-së bëhet, si rregull, me persona, të cilët kanë trajnim për legjislacionin zgjedhor.

    Neni 37

    Papajtueshmëritë me detyrën e anëtarit dhe sekretarit të KQV-së

    Anëtari dhe sekretari i KQV-së nuk mund të jenë:
    a) deputetë ose kandidatë për deputetë në Kuvend;
    b) kandidatë ose të zgjedhur në organet e zgjedhura të qeverisjes vendore;
    c) ushtarakë, punonjës të strukturave të Policisë së Shtetit ose të Shërbimit Informativ Shtetëror; ose
    ç) anëtarë apo sekretarë të një komisioni tjetër zgjedhor.

    Neni 38

    Kushtet për emërimin e anëtarit dhe sekretarit të KQV-së

    1. Anëtar ose sekretar i KQV-së mund të emërohet çdo person që plotëson kushtet e mëposhtme:
    a) gëzon të drejtën për të qenë zgjedhës;
    b) ka të paktën arsimin e mesëm;
    c) është me vendbanim brenda zonës zgjedhore përkatëse;
    ç) nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi; dhe
    d) ndaj tij nuk është marrë masë disiplinore në proceset zgjedhore të mëparshme.
    2. Sekretari i KQV-së, si rregull, ka arsimin e lartë.

    Neni 39

    Shkarkimi dhe lirimi i anëtarëve dhe sekretarit të KQV-së

    1. Anëtari dhe sekretari i KQV-së shkarkohen nga detyra me vendim të KZAZ-së kur:
    shkelin dispozitat e këtij Kodi ose të akteve nënligjore në zbatim të tij, lidhur me detyrat e KQV-së;
    b) dënohen me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
    c) nuk paraqiten në detyrë pa shkaqe të arsyeshme për më shumë se 2 ditë rresht; ose
    ç) nuk marrin pjesë në trajnimet ose nuk kalojnë testimet e organizuara nga KQZ-ja.
    2. Anëtarët dhe sekretari i KQV-së lirohen nga detyra me vendim të KZAZ-së kur:
    a) kanë marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të dytë me ndonjërin nga kandidatët që konkurrojnë në zonë zgjedhore për organet e qeverisjes vendore;
    b) janë në marrëdhënie pune me ndonjërin nga kandidatët që konkurrojnë në zonë;
    c) subjekti zgjedhor që i ka propozuar kërkon zëvendësimin e tyre;
    ç) nuk plotësojnë më kushtet për të qenë zgjedhës.

    Neni 40

    Detyrat e KQV-së

    1. KQV-të ngrihen dhe funksionojnë për të gjitha llojet e zgjedhjeve.
    2. Anëtarët e KQV-së përgjigjen për zhvillimin e zgjedhjeve në qendrën e votimit, duke zbatuar detyrat e parashikuara në këtë Kod dhe aktet nënligjore të nxjerra në bazë dhe për zbatim të tij.

    Neni 41

    Detyrat e sekretarit të KQV-së

    Sekretari i KQV-së kryen këto detyra:
    a) përgjigjet për administrimin teknik dhe kushtet e punës së KQV-së;
    b) protokollon kërkesat, ankesat dhe njoftimet drejtuar KQV-së;
    c) mban dokumentacionin zgjedhor të arkivuar;
    ç) përgatit, në përputhje me udhëzimet e kryetarit, materialet për mbledhjen e KQV-së dhe ua shpërndan ato anëtarëve;
    d) mban procesverbalet e mbledhjeve të KQV-së;
    dh) kryen zbardhjen e vendimeve të marra nga KQV-ja dhe i vulos ato;
    e) regjistron në Librin e Protokollit të Mbledhjeve vendimet e KQV-së dhe ua përcjell ato menjëherë subjekteve të interesuara;
    ë) u jep subjekteve zgjedhore ose personave të tretë, pa pagesë dhe brenda 24 orëve nga paraqitja e kërkesës, kopje të vërtetuara të vendimeve të KQV-së dhe të procesverbaleve të mbledhjeve të tyre;
    f) regjistron në protokoll marrjen në dorëzim të materialeve zgjedhore, sipas nenit 100 të këtij Kodi, nga KZAZ-ja dhe përgjigjet për administrimin dhe ruajtjen e tyre, në përputhje me kërkesat e këtij Kodi;
    g) regjistron në protokoll vërejtjet që vëzhguesit i paraqesin KQV-së;
    gj) përgjigjet për vendosjen e materialeve zgjedhore në Kutinë e Materialeve të Votimit dhe vulosjen e saj me vulat me kodet e sigurisë.

    Neni 42

    Mbledhjet dhe vendimet e KQV-së

    1. Mbledhjet e KQV-së janë publike.
    2. Vendimet e KQV-së merren me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQV-së. Sekretari nuk ka të drejtë vote.
    3. Vendimet e KQV-së nënshkruhen nga të gjithë anëtarët që kanë marrë pjesë në votim. Secili prej anëtarëve të komisionit, krahas nënshkrimit të tij, deklaron në vendim votën “pro” ose “kundër”, si dhe arsyetimin përkatës.
    4. KQV-ja merr vendim për:
    a) hapjen e votimit;
    b) pezullimin e votimit;
    c) kërkimin e ndihmës nga Policia e Shtetit për rivendosjen e rendit në qendrën e votimit;
    ç) largimin e forcave të policisë pas rivendosjes së rendit në qendrën e votimit;
    d) largimin e personave të caktuar nga mjediset e qendrës së votimit, sipas nenit 110 të këtij Kodi;
    dh) përcaktimin e numrit të personave që kanë votuar në qendrën e votimit në rast kundërshtimi, sipas nenit 113 pika 2 të këtij Kodi;
    e) mbylljen e votimit.
    5. Në rast se KQV-ja nuk arrin të marrë vendim brenda afatit përkatës, çështja i dërgohet menjëherë për shqyrtim KZAZ-së nga kryetari ose nga të paktën dy anëtarë të KQV-së, apo mund të ankimohet në KZAZ nga subjekti i interesuar. Vendimi i KZAZ-së zbatohet nga KQV-ja.

    Neni 43

    Përbërja dhe përgjegjësitë e KQV-ve të posaçme

    KZAZ-ja, në përputhje me këtë Kod dhe me udhëzimet e KQZ-së, i propozon KQZ-së krijimin e KQV-ve të posaçme në institucionet e posaçme. Këto komisione kanë të njëjtën përbërje dhe të njëjtat përgjegjësi si edhe KQV-ja.

    P

  3. POPULLI says:

    Përpëlitet revolta e humbësit – has në revoltën e qytetarëve

    Edvini s’po di ku të futet nga përgjegjësitë që i vijnë prej katastrofës elektorale. Me tentativa përpëlitëse, ai nxori dje falangat e pakësuara, por hasën kudo rezistencën e qytetarëve, të cilët kërkojnë zbatimin e ligjit dhe qetësimin e situatës. Pas mesditës, bllokimet e rrugëve u zëvendësuan me kuisje antiligjore, ndërkohë që në mbrëmje, u shfaq deklarata se sa shumë do të ishin, nëse s’do t’i falej bashkia e Tiranës

    Qytetarët injorojnë thirrjet e Ruçëve dhe Braçeve, të urdhëruar nga njeriu i politikës së rrugës, Edvin Rama, për protesta të dhunshme dhe revoltë popullore. Kryetari socialist dhe njëherazi kandidati që humbi zgjedhjet për bashkinë e Tiranës, Edi Rama, duket se është i vendosur t’i shkojë deri në fund çmendurisë së tij psikologjike, për të keqpërdorur qytetarët dhe simpatizantët partiakë të majtë, por as kjo s’duket se do i funksionojë. Ajo që parashikohej para se të zhvilloheshin zgjedhjet lokale, po gjen zbatim të përkryer aktualisht në situatën post-zgjedhore. Edi Rama s’ka vullnet të pranojë leximin e votës së qytetarëve, pasi ata janë shprehur qartë kundër politikave të tij destruktive dhe me synim cenimin e stabilitetit politik, social e atë ekonomik. Në kushtet kur Bashkimi Evropian bën thirrje për dialog konstruktiv, nga ana tjetër është Edi Rama ai që kundërpërgjigjet se s’ka ndërmend t’i imponohet vullnetit kushtetues të qytetarëve të Tiranës, të cilët në 8 maj ndëshkuan me votë “betejën” e tij politike. Qytetarët folën qartë dhe vota e tyre meriton të lexohet deri në fund, pavarësisht një keqkuptimi shumë teknik dhe aspak të dëmshëm për procesin zgjedhor. Është banalitet i pa-konceptueshëm të mendosh se vota e hedhur në kutinë e gabuar kthehet në votë të pavlefshme, në një kohë kur procesi për votimin e kryetarit të bashkisë, minibashkivë dhe këshillat bashkiake, zhvillohet në mënyrë të unifikuar. Thirrjet për revoltë popullore kanë reflektuar në një pjesë të qyteteve të kontrolluara nga besnikë të Ramës, të cilët në shkelje të hapur me ligjin kanë bllokuar disa nga akset kryesore të vendit, me slogane të çuditshme të tipit si, “Mos prekni votën”. Këto turma nxiten nga deputetë të opozitës, të cilët qëndrojnë në krye të protestuesve dhe sigurisht që përgjegjësia për çdo incident si në dëm të forcave të rendit ashtu edhe të protestuesve, do bjerë mbi deputetët nxitës dhe mbi urdhër-lëshuesin e tyre, Edi Rama. Protestat u zhvilluan në qytetet si Durrës, Fier, Vlorë dhe Kavajë, me pjesëmarrje të dobët, ndërsa u vërejt një indiferencë e theksuar e qytetarëve të Elbasanit dhe të Korçës. Para se, Edi Rama të lëshojë urdhra partiakë të sensit revoltë popullore dhe protesta të dhunshme, duhet të mendojë mirë se, për çfarë do lloj situate të padenjë, përgjegjësia bie mbi të dhe vetëm mbi të. Vota do lexohet deri në fund, pasi ky është detyrimi më i rëndësishëm ligjor si dhe një nga kriteret e institucioneve ndërkombëtare për një proces zgjedhor me standarde Evropiane.

  4. Kodi Zgjedhor says:

    Une deshta te duket i plote, por sic duket nuk e pranoi volumi i kufizuar i rubrikes! Administratori mundet te na e sjelle te plote kete ligj, qe ta shohin te gjithe. Une e lexova dhe jam 1milion % i bindur se ligji nuk po shkelet, pervec nga banditet e rruges. Gjejeni vet ne google dhe binduni se votat qe po numrohen sefundmi, jane te vlefshme dhe asnje nen i ligjitnuk mohon vlefshmerine e tyre, pasi qe as nuk permendet hudhja e fleteve ne kuti te gabuara. Tani shihet e qarte se keta bastarde te rruges duan pushtet me cdo kusht.

  5. spirituali says:

    U panë “demokratët” si ky që është mbi polic që në emër të lirisë e demokracisë /tipike komuniste/ dhunon ruajtësit e përfaqësuesit e Shtetit. Votat nuk janë numru të gjitha, dhe nuk ka dalë rezultati përfundimtar. Ka dalë ai paraprak. Me rezultat paraprak nuk mund të shpallet fitues askush. Sikur destruktivët me në krye Ramën të kishin sadopak lidhje me shtetin ligjor, kishin vepruar sipas ligjit. Nëse KQZ ka gabuar është Kolegji zgjedhor, etj. Por jo, anarshistët pranojn që humbjen e vet ta shpallin dhe kërkojn që ta shpallin /KQZ, etj./ fitore.
    Mjer shqiptarët për sockomunistët e vet!

  6. Mark Deda says:

    Per ato individe qe dritarja e dijes i ka kapaket mbyllur.
    Vete fakti qe problemin e zhgjedhjeve ,si organet ligjore perkatese te shqiperise.ashtu edhe vezhguesit evropian,ambasadori amerikan,kerkojne qe organeve perkatese ti jepet rruge e lire qe te zbatohet ligji dhe kushtetuta.
    Sikur te ishte ndryshe siq thone social-komun-ramistat,atehere qeverise dhe Sali berishesh do tu kundervenin sikur ne LIBI,SIRI ,apo EGJYPT,.
    Por hapeni dritaren dhe merrni pake fryme ne shekullin 21.

No comments: