-- Pak minuta më parë KQZ finalizoi dhe kutitë e fundit të ardhura nga KZAZ nr.49
-- Arben Ristani: respektuam të drejtën legjitime të qytetarëve për të numëruar çdo votë
KQZ mbylli procesin e numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar dhe nesër pritet zbardhja e vendimit që e shpall Lulzim Bashën si fitues të bashkisë së Tiranës me 78 vota diferencë me rivalin e tij të opozitës. Procesi s’ka asnjë pikëpyetje nga ana e integritetit dhe pritet të mos pësojë ndryshime as gjatë procesit të ankimimeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mandaton Lulzim Bashën fitues të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës. Pas një maratone të gjatë procesi, prej më shumë se 2 javësh nga dita e votimit, KQZ në rolin e KZAZ-së së Tiranës, finalizoi sot procesin e numërimit të votave të kontestuara, duke shpallur edhe fituesin e këtyre zgjedhjeve, i cili është kandidati i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha. Lulzim Basha fitoi këtë garë me një diferencë prej 78 votash. Lulzim Basha arriti të marrë 171 vota, kundrejt 83 votave të kandidatit socialist, Edi Rama. Numërimi i kutive të fundit që kishin mbërritur nga KZAZ nr. 49 në kryeqytet që i përket njësisë bashkiake nr. 5, nuk ndryshoi të dhënat në rezultate, edhe pse të dy kandidatët kanë marrë vota të konsiderueshme. Epërsinë e tij, Lulzim Basha e kishte vënë që në numërimin e vota të kontestuara në njësitë bashkiake nr. 8, nr. 6, nr. 9 dhe nr.1 1. Numërimi i çdo vote të qytetarëve tregoi se verdikti i tyre ishte për ndryshimin e madh të kryeqytetit, të atij ndryshimi që do të pagëzohej në 8 maj 2011. Sigurisht, kjo nuk është një fitore për Lulzim Bashën, as për Partinë Demokratike apo koalicionin “Aleanca për Qytetarin”, por në radhë të parë është një fitore për vetë qytetarët e Tiranës, të cilët me vullnetin e tyre të pavarur, i dhanë fund dogmës së betonit, abuzimit dhe keqadministrimit të qytetit. Tirana pritet të njohë një dimension të ri zhvillimi si dhe një kulturë demokratike në drejtim të menaxhimit, administrimit dhe shërbimit ndaj qytetit dhe komunitetit.
Arben Ristani: respektuam të drejtën legjitime të qytetarëve për të numëruar çdo votë
“Zgjedhësi ka votuar ndershëm, lirshëm si dhe ka hedhur votën atje ku ai mendonte se duhet ta hidhte. Ne respektuam të drejtën legjitime të qytetarëve për të numëruar çdo votë të vlefshme” Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani u shpreh dje pas mbylljes së numërimit të votave të kontestuara se institucioni që ai kryeson, zbatoi ligjin si dhe respektoi të drejtën kushtetuese të qytetarëve, duke numëruar me përpikmëri votën e tyre. Sipas Ristanit, KQZ u kthye në rolin e një KZAZ-je, për të rregulluar punën e institucioneve në varësi të saj. “KQZ është organi më i lartë i administratës zgjedhore. Ai mund të marrë të gjitha kompetencat e institucioneve në varësi të tij, në këtë rast të KZAZ-ve. Praktika për të është shumë e larmishme dhe ka ecur rigorozisht. Ka shumë raste si në 2011, 2003, 2007 dhe 2009-ën, ku KQZ ka marrë rolin e institucioneve në varësi, për të bërë më mirë atë që këto s’e kishin bërë siç duhet. Ne zbatuam ligjin, për numërimin e çdo vote të qytetarëve të Tiranës. Ligji parashikon që çdo votë është e barabartë. Neni 117 dhe 118 i kodit zgjedhor, parashikojnë qartë se kur vota është e vlefshme dhe e pavlefshme. Votat e hedhura në kutinë e gabuar, janë vota të vlefshme. Zgjedhësi e ka bërë të qartë votën e tij, ai ka votuar vetëm për njërin prej kandidatëve. Vota e hedhur në kutinë e gabuar, ka qenë një gabim teknik”- u shpreh kreu i KQZ-së. Ristani shtoi më tej se do të ishte më e lehtë nëse ligji do ta kishte parashikuar më parë këtë situatë. “E mira do ishte sikur ligji ta parashikonte këtë çështje, por eksperienca zgjedhore në Shqipëri nuk e kishte ndeshur një fenomen të tillë. Kjo për shkak edhe të rezultatit të ngushtë në këto zgjedhje të të dy kandidatëve, për të cilën besoj se edhe për 100 vitet e ardhshme nuk besoj se do të përsëritet”- deklaroi Ristani. Ai tha se vendimi i KQZ, është akt i ankimueshëm si dhe subjektet ankimuese mund të ndjekin rrugët ligjore.
KQZ, i jep fund një maratone të gjatë numërimi votash
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbylli dje procesin e numërimit të fletëvotimeve të hedhura në kuti të gabuara nga zgjedhësit, gjatë procesit të votimit të 8 majit në bashkinë e Tiranës. Fletëvotimet e fundit që u administruan dje nga KQZ, i përkisnin ato të KZAZ-së nr. 49, në njësinë bashkiake nr. 5 në kryeqytet. Para nisjes së këtij procesi, Komisioni u përfshi nga debatet, pasi përfaqësuesit e opozitës, sërish e kundërshtuan numërimin e fletëve të kontestuara, si një veprimtari e paligjshme që nuk parashikohet në kodin zgjedhor. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani mbrojti ligjshmërinë e numërimit të këtyre fletëve, që sipas tij është aplikuar dhe në zgjedhjet e kaluara, ndërsa iu referua dhe rekomandimeve të raportit të OSBE/ODIHR të 2009-s. Ai përsëriti se KQZ ka vendosur që të këqyrë të gjitha kutitë e votimit dhe të numërojë votat e pa-numëruara për kryetar bashkie, këshilli bashkiak, kryetar njësie bashkiake, vota të cilat kanë mbetur të pa-numëruara. “KQZ si niveli më i lartë i administratës zgjedhore ka të gjitha kompetencat ligjore për të përmbyllur procese të tilla duke marrë dhe kompetencat e komisioneve të niveleve më të ulëta të administratës zgjedhore dhe shembuj të tillë kemi pasur me bollëk gjatë historisë së zgjedhjeve, si në vitin 2001, 2003 2007. Pra, ka qenë një rrjedhë logjike dhe një mënyrë të vepruari kjo kur KQZ ka marrë kompetencat e KZAZ-së për ta përmbyllur procesin”, shpjegoi Ristani. Gjatë të shtunës në mbrëmje, KQZ hapi 14 kuti me fletë të kontestuara nga 22 në total që i përkisnin KZAZ-së nr. 49, për t’i dhënë fund procesit të numërimit mbrëmë rreth orës 22:30. Ndërkaq, në fillim të mbledhjes së djeshme, KQZ rrëzoi me 7 vota dy kërkesa ankimore të ardhura nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që kontestonte numërimin e votave për këshillin bashkiak Gjirokastër, si dhe kërkesën ankimore të kandidatit të pavarur për komunën Rukaj, Qarku Dibër. Të dyja ankesat u hodhën poshtë me të njëjtin argument si të pabazuara në prova dhe ligj.
Kuti të numëruara - 125
Lulzim Basha, vota të vlefshme - 171
Edi Rama, vota të vlefshme - 83
No comments:
Post a Comment