Sunday, May 22, 2011

Përfundon numërimi i 12 kutive të fundit, Ristani: Nesër përmbyllim tabelën për 11 KZAZ

Tiranë, 22 maj 2011, NOA – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar para pak minutash numërimin e fletëve të votimit të kontestuara në të 12 kutitë e fundit që i përkisnin njësisë bashkiake nr 5.

Pas numërimit deri më tani të plot 122 kutive, garën e udhëheq kandidati demokrat Lulzim Basha me plot 173 vota të marra, kundrejt kandidatit të majtë Edi Rama që ka marrë 83 vota.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani duke kërkuar mbylljen e mbledhjes maratonë, theksoi se nesër do të përmbyllet tabela përmbledhëse e njësisë 5, ndërsa sipas tij do të përmbyllet edhe tabela përfundimtare e të 11 KZAZ-ve të Tiranës.

Pritet pra që në mbledhjen e nesërme të shihet se si do të vendoset për rezultatin për bashkinë e Tiranës, që siç tha Ristani pritet që të miratohet akti-normativ e më pas të përpilohet tabela përmbyllëse e rezultatit për kryeqytetin.

Më herët gjatë mbledhjes së KQZ-së, pas hapjes së kutisë 18 28/1 që i përket KZAZ-së 49, e njësisë bashkiake nr. 5, u konstatua vetëm një 1 votë në favor të kandidatit të “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha.

Ndërkohë që pas hapjes së 18 29/1 e po kësaj njësie, 1 votë e gjetur ishte në favor të kandidatit të “Aleancës për të Ardhmen” Edi Rama.

Ndërsa katër fletë votimi të tjera i përkisnin kandidatit për kryetar të njësisë bashkiake, pikërisht asaj tashmë të shpallur fituese për njësinë 5, Jeta Seitaj.

Një fletë votimi tjetër i adresohej Partisë Socialiste e vlefshme për Këshillin bashkiak.

U numërua gjithashtu edhe kutia 18/52, ku rezultuan dy vota në favor të kandidatit demokrat Lulzim Basha, dhe një në favor të ballit Kombëtar për këshillin bashkiak.

Ndërkohë numërimi i votave të kontestuara pranë KQZ-së vijoi nën kontestimin e palës opozitare, e cila përsëriti se ky veprim është i paligjshëm.

Nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi theksoi se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është kompetent të ndërhyjë në numërimin e KZAZ-ve. Me këtë vendimmarrje për katër njësi bashkiake u ndryshua edhe rezultati”, tha Subashi, duke argumentuar se është pikërisht kjo paligjshmëria.

Edhe përfaqësuesi ligjor i PS-së pranë KQZ-së, Genci Gjonçaj theksoi se “ne nuk kemi thënë të mos lexohet dhe numërohet vota. Ne jemi dakort të numërohet, por jo në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Ne jemi këtu për të bezdisur atë që shkel Kodin”, tha Gjonçaj.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani ka vijuar me shtimin e votave të numëruara në tabelën përmbyllëse të KZAZ-së për njësinë nr. 5, duke nënvizuar se kutitë e votave janë tërësisht të paprekura e të pamanipuluara, pasi ato janë vulosur me vulat dhe kodet e sigurisë përkatëse.

Ristani theksoi se “gjërat do të shkojnë pikërisht aty ku duhet”.

KQZ mbylli mbledhjen e sotme, për të vijuar mbledhjen e radhës të hënën paradite, kur pritet që ndoshta të dalë edhe rezultati përfundimtar për kryeqytetin, pas plot dy javësh nga zgjedhjet administrative të 8 majit.

mit/NOA

No comments: