Wednesday, May 25, 2011

Shqipëria e Erion Braçes.

Shkruan:
Bardh Frangu

Shoh në facebook një shqetësim të albanologut suedez Ullmar Qvick, i cili që nga Skandinavia përcjell zhvillimet e fundit në Shqipëri, që kanë të bëjnë me zgjedhjet e fundit. Miku i shqiptarëve ka mbetur i habitur me sjelljen e deputetëve socialistë. Pamjet brenda dhe jashtë KQZ-së i ka vlerësuar si një cirk. Qvick ka konstatuar se sjelljet e politikanëve shqiptarë në vendin e tij do të përbënin skandal të njëmendët dhe si të tillë këta politikanë nuk do të kishin gjasa të vazhdonin me politikë.

Sigurisht që albanologu Ullmar Qvcik ka dashur që nëpërmjet facebook-ut të ndajë shqetësimin me miqtë e tij shqiptarë, ndryshe nuk ka mundur ta habisë dhe shumë kjo sjellje e politikanëve shqiptarë, ndërsa në librin e tij për shqiptarët “Më shumë heroizma sesa grurë” ka dëshmuar se është njohës i mirë i zhvillimeve politike dhe kulturore, por edhe i etnopsikologjisë së shqiptarëve, duke e vlerësuar atë në kontekstin historik, për të nxjerrë në këtë mënyrë konstatimin se shqiptarët, krahasuar me suedezët, janë diku rreth dyqind vite pas.

Sigurisht që kjo vonesë e konstatuar me të drejtë nga Qvick edhe flet më së miri për zhvillimet aktuale në Shqipëri. Po nuk ishte sall ky shqetësim i albanologut suedez, që u bë shkas për këtë shkrim. Të lidhur për sistemin kabllor, qytetarët e Kosovës këto ditë me ankth qëndrojnë pranë dy dritareve televizive të dy kampeve politike në Shqipëri. Edhe nëpër kafene, të cilat vlerësohen si sallon i popullit, nuk diskutohet gjë tjetër pos për këto zhvillime. Në fakt këto ditë as që i interesojnë kujt zhvillimet në Kosovë. Nuk çan kokën kush as për deklaratat e Nazim Bllacës, Gani Gecit, Azem Sylës a Sokol Dobrunës, sikundër as për deklaratat gjithnjë e më të shpeshta e gjithnjë e më serioze për ndarjen e Kosovës.

Jo se këto nuk përbëjnë ndonjë lajm për Kosovën e ngulfatur nga problemet më të ndryshme, por pse, pos interesimit të natyrshëm, paketimi i lajmeve nga Tirana na vjen si shumë më atraktiv. Në fakt mediet në Shqipëri ka kohë që kanë dëshmuar se nuk janë pushtet i katërt, por pushtet i parë. Nga to udhëhiqet politika aktuale edhe qeveritare, edhe opozitare. Në këtë aspekt Shqipëria bën një shembull të paparë e të padëgjuar. Motiv shtesë për këtë shkrim u bë edhe dëshpërimi i mësuesit plak, i cili, që nga djegia e Shqipërisë së vitit 1997, ishte betuar se kurrë nuk do ta shkelte me këmbë këtë vend, të cilin e kishte dashur aq shumë. Ky vit i mbrapshtë ia kishte djegur edhe ëndrrën mësuesit, për ta lënë që të jetonte me hirin e saj.

Sigurisht që hero i këtyre ditëve edhe në Kosovë është bërë deputeti socialist Erion Braçe. Të gjithë e njihni këtë deputet të Partisë Socialiste të Shqipërisë. I vogël me shtat, i lehtë me peshë, me sy zhbirues, por me një zemër det urrejtjeje. Braçe duket të jetë ekzemplari më i dukshëm nga radhët e ish-pionierëve të Partisë së Punës, të cilët janë rritur duke kultivuar urrejtjen klasore, frutat e së cilës vazhdojmë t’i shijojmë dëshpërueshëm edhe sot e kësaj dite.

Ky tip bën megafonin më të fuqishëm të së majtës në Shqipëri. Gjuha e tij si e nepërkës ka bërë që të ngjallë aversion të paimagjinueshëm te shqiptarët e Kosovës. E nëse është aksiomatik fakti se gjuha është mjeti më identifikues i individit, ndërsa Braçe gjithnjë flet në emër të partisë së tij, kjo nënkupton faktin se Partia Socialiste e Shqipërisë vazhdon traditën e paraardhëses se saj (Partisë së Punës) në mbjelljen dhe kultivimin e urrejtjes në shkallë patologjike.

Dikush mund të provojë të arsyetojë këtë luftë të ashpër të së majtës për pushtet me faktin se ata përballen me një klasë antikomunistësh po aq të egër. Megjithatë, kjo nuk qëndron, sepse duhet pasur parasysh faktin se Shqipëria është i vetmi vend nga kampi i ish-komunizmit që ende nuk ka bërë një prerje ligjore me të kaluarën e saj të egër. Logjika e pushtetit parti është e dukshme në këtë vend, njësoj siç janë të dukshëm edhe bunkerët, që për një kohë të gjatë nuk do të hiqen nga faqja e këtij vendi. Për këtë edhe nuk u bë ligji për lustrimin, kaq i nevojshëm për një prerje të dukshme nga e kaluara tepër e hidhur.

Prandaj sot në politikë, në drejtësi, në media e ku jo tjetër, janë në pozita të fuqishme ata që janë të identifikuar si pjesëmarrës në krimet monstruoze të regjimit të egër komunist. Në kontekst të gjithë kësaj që u tha, reflektoi edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Ai me ironi tha se gjatë vëzhgimit të numërimit të votave, në një kuti ka parë edhe një votë për Hysni Milloshin! Arvizu, me një gjuhë të kultivuar diplomatike, kërkoi edhe nga lideri socialist Edi Rama që ta pushonte Erion Braçen, i bindur se gjuha e deputetit socialist po pikonte benzinë për djegien e këtij vendi.

Po për fat të keq kjo këshillë kaq dashamirëse e ambasadorit amerikan nuk shkrepi në logjikën piromane të liderit socialist, përkundrazi, Braçes iu bashkuan edhe deputetët e tjerë socialistë, të cilët u sulën ashpër mbi policinë e shtetit, e cila nuk bën gjë tjetër pos ruan rendin dhe sigurinë të sanksionuar nga ligjet që i kanë bërë po këta deputetë, të cilët një kohë bërtitën dhe bllokuan rrugët me motivin për hapjen e kutive, për çka edhe shkaktuan viktima në njerëz, ndërsa tash bërtasin dhe bllokojnë rrugët për mos hapjen e kutive! Madje, nuk duan të hapen as ato kuti ku gabimisht ka hedhur votën edhe presidenti i shtetit, Bamir Topi!

Sigurisht që këto veprime jakobiniste të tyre po i shfrytëzon në mënyrë të paskrupullt lideri i pozitës, antikomunisti Sali Berisha, i cili është i vetëdijshëm, njësoj si Rama, se në politikë mund të qëndrojë vetëm nëpërmjet konflikteve të hapura, të cilat, të udhëhequra nga mediet, kanë kontaminuar gjithë këtë vend të shqiponjave. Logjika e prodhimit të armiqve është një logjikë e bartur që lehtësisht lexohet në sytë e të dy liderëve. Ndryshe të gjithë ata që kanë lexuar me kujdes votën e zgjedhjeve të fundit humbësit më të mëdhenj kanë dalë të jenë Berisha dhe Rama.

Në fund, duhet thënë se është fat i madh që shqiptarët në historinë e tyre kanë pasur gjithmonë mbështetjen e SHBA-ve, kësaj force demokratike, për të cilën Papa Gjon Pali i Dytë është shprehur duke thënë se Zoti e ka krijuar këtë shtet për të vënë paqen dhe demokracinë në botë. Siç u pa edhe në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, ishte ambasadori amerikan Arvizu, ai i cili u angazhua me gjithë qenien e tij që procesi zgjedhor të mos dështonte që në start.

E sikur lideri socialist ta dëgjonte këshillën e ambasadorit Arvizu për pushimin e Braçes, sigurisht Shqipëria sot nuk do të mbulohej nga tymi i gomave, për ta errësuar edhe më perspektivën e integrimeve europiane. Një Shqipëri në sytë e Braçes, vërtet duket shumë e frikshme dhe shumë e pa perspektivë.

Basha i përgjigjet Kadaresë: Pse nuk tërhiqem dot nga gara

Basha dhe Kadare

Kërkesa për tërheqje nga gara me Ramën, Basha i përgjigjet Kadaresë

Tiranë, 21 maj 2011 NOA – Kandidati i Aleancës për Qytetarin, Lulzim Basha ka vendosur t’i përgjigjet me një letër shkrimtarit Ismail Kadare, lidhur me kërkesën që ky i fundit i bëri publikisht sot që të tërhiqet nga gara për Tiranën.

Në letër, z.Basha shpreh qëndrimin lidhur me kërkesën që i parashtron Kadare për t’u larguar nga gara ku deri tani nga numërimi i votave të kontestuara gjendet me 76 vota më shumë se rivali i tij Edi Rama.

Basha thotë se “duke u tërhequr, unë fyej votuesit, komisionerët, ligjvënësit, ligjet, gjykatat dhe vetë demokracinë”.

Kurse thekson se “me tërheqjen për shkak të presioneve politike, i bie të mos bëhen më zgjedhje në Shqipëri”.

Më tej z.Basha thotë se “çdo tërheqje e imja në këto kushte jo vetëm do të ishte një akt antidemokratik, por besoj se nuk do të pranohej as nga rivali im për Bashkinë e Tiranës sepse për pasojë edhe legjitimiteti i vijimit të kryetarit aktual të Bashkisë do të ishte i kompromentuar”.

Kurse shpreh bindjen: “Jam i bindur se rrethimi i institucioneve, kërcënimet me djegie dhe kryengritje apo pushteti i rrugës nuk janë më të pranueshme sesa votimi i lirë, numërimi i votës së vlefshme dhe vendimet e institucioneve”.

Më poshtë vijon letra e plotë e z.Basha:

I nderuar Zoti Kadare,

Lexova me vëmendje letrën tuaj dhe ju falënderoj për shqetësimin që shprehni në lidhje me të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ky shqetësim i përbashkët duhet të na preokupojë të gjithëve. Ndaj përfitoj nga kjo mundësi të paraqes këndvështrimin tim mbi faktet.

Në këto zgjedhje kanë votuar më shumë qytetarë të Tiranës se asnjëherë tjetër në historinë e saj. Votuesit e kanë shprehur tashmë vullnetin e tyre dhe institucionet përkatëse janë duke bërë ndërkohë numërimin e votës. Qytetarët kanë vendosur se kush e ka fituar këtë garë dhe se kush do të vijojë të administrojë qytetin.

Unë kam vendosur të respektoj të gjitha procedurat normative që parashikon proçesi i numërimit të votës në respekt të shtetit ligjor duke frymëzuar një qëndrim paqësor qytetar dhe në shërbim të stabilitetit e paqes sociale.

E gjithë filozofia e fushatës sime është mbështetur në dëgjimin dhe dialogun e drejtpërdrejtë me qytetarët. Ndaj sot e kam të pamundur të mbys zërin e mbi 124 mijë qytetarëve të cilët i janë përgjigjur pozitivisht planit dhe projektit tim për shndërrimin rrënjësor të kryeqytetit të shqiptarëve, që mjerisht po përjeton një kolaps urban, mjedisor dhe mund të themi ekzistencial. Nuk jam unë ai që vendos nëse do të bëhem apo jo kryetari i ardhshëm i Bashkisë. Ky është vendimi i votuesve dhe unë nuk kam asnjë të drejtë, që në asnjë rrethanë të braktis zgjedhjen që ata kanë bërë.

Unë besoj se gara dhe demokracia i vlejnë të ardhmes europiane të Shqipërisë. Ndërkohë që dhurimi në tavolinë ose pazaret në favorin tim apo të kundërshtarit, e dëmtojnë atë. Më mirë një garë deri në votën e fundit sesa një garë e munguar.

Duke u tërhequr, unë fyej votuesit, komisionerët, ligjvënësit, ligjet, gjykatat dhe vetë demokracinë. Me tërheqjen për shkak të presioneve politike, i bie të mos bëhen më zgjedhje në Shqipëri. Vërtet mund të shpresohet të kalohet më lehtë një sfidë imediate, por me çmimin e madh të rënies së demokracisë. Sistemi ynë demokratik është më mirë të përballojë sfida të vështira sesa të shpallë se përfundimisht nuk bën dot zgjedhje.

Unë nuk mendoj se instalimi i një pushteti që do mbante peng kryeqytetin në kundërshtim me vullnetin e zgjedhësve është më europian dhe demokratik sesa rotacioni politik që është baza e çdo demokracie.

Çdo tërheqje e imja në këto kushte jo vetëm do të ishte një akt antidemokratik, por besoj se nuk do të pranohej as nga rivali im për Bashkinë e Tiranës sepse për pasojë edhe legjitimiteti i vijimit të kryetarit aktual të Bashkisë do të ishte i kompromentuar.

Jam i bindur se rrethimi i institucioneve, kërcënimet me djegie dhe kryengritje apo pushteti i rrugës nuk janë më të pranueshme sesa votimi i lirë, numërimi i votës së vlefshme dhe vendimet e institucioneve.

Unë respektoj vullnetin e të gjithë atyre që kanë votuar pro meje, që kanë votuar për një ndryshim në Tiranë, si edhe ata që kanë votuar kundër, duke lexuar dhe respektuar çdo votë të tyre, respektoj ata që po presin me qytetari, pa dhunë, pa presion, si qytetarë të vërtetë europianë.

Jam i gatshëm të takohem para publikut dhe mediave, kudo dhe kurdo me rivalin tim për Bashkinë e Tiranës për një pakt moral dhe qytetar për respektimin e ligjit, për të pritur me qetësi vendimin e institucioneve, për t’i dhënë fund gjuhës së dhunës dhe për të pranuar verdiktin e qytetarëve të shprehur me votë.

Me respekt,

Lulzim Basha

LETRA E PLOTE E Z. ISMAIL KADARE

Share This :

Twitter Delicious Facebook Digg Stumbleupon Favorites More

Edit this entry.

4 Comments to “Shqipëria e Erion Braçes.”

  1. spirituali says:

    Letra përgjigje e z. Basha tregon sesa fisnik është ai dhe propozimi i Kadaresë sa është antidemokratik dhe pro politikës së rrugës e anticivilizimit. Kadareja respekton votat e majta ku janë në shumicë dhe ku janë në pakicë don t’i bëjë shumicë! Sipas Kadaresë nuk ka nevojë për zgjedhje e votime! Mjafton të pyetet Kadare se kush duhet ta udhëheq Shqipërinë apo Tiranën dhe ai të marrë pushtetin.

  2. Paul Palushi says:

    TURP. Shkrimtari i Oborrit vazhdon te beje prap pune Oborri…

    I madh si shkrimtar, ai per mua ka qene gjithmone shume i vogel si njeri.
    Kush eshte ai qe i propozon Lulzim Bashes te terhiqet?
    Pse letra nuk i drejtohet Neronit Shqiptar Edvin Rama?

    Kadare mund te jete shkrimtar, por ne matematike ai eshte ZERO. Ai i drejtohet L.Bashes qe te terhiqet meqe je ne “pozite” por harron se gara eshte me “opozitarin” qe e ka ate karrike prej tre mandateve dhe kerkon te katertin, 4 ne matematike shoku shkrimtar.

    L. Basha ka te drejte te marre vendime personale para se te kandidoje, por nuk ka te drejte qe te neperkembe voten e me shume se 50% qytetareve te Tiranes, sepse ato votuan ate sepse nuk donin te votonin E.Ramen. Kadare per kete i referohet Ismail Qemalit i cili nuk ishte i zgjedhur me vota por u caktua si figure honorike, keshtuqe shembulli nuk eshte i vlefshem, prap 4 ne matematike shoku shkrimtare.

    I vetmi qe ka mbajtur qetesi absolute pa ndezur zjarre militantesh ka qene L.Basha kur E.Rama dhe bastardet e tij s’kane bere tjeter duke eksituar turmat e perdorur zhargone te denja vetem per njerezit e nen urave te Lanes, dhe shoku shkrimtar kerkon te penalizoje viktimen e te inkurajoje agresorin1?…ky eshte subjekti i romanit tuaj te radhes qe nuk do te behet kurre “Nobel”?, 4 edhe per kete shoku shkrimtar

    Kush e ka lexuar parathenien e “Migjeni apo uragani i vertete” te shkruar nga shkrimtari i oborrit nuk do te shokohet nga deklarata e tij e sotme. E vetmja parathenie e shkruar nga Kadareja per nje shkrimtar tjeter…por ai perdor Migjenin per ti bere pusi e “vrare” gjithe paraardhesit e tij te famshem vetem e vetem qe figura e tij te dale mbi uje pa konkurence. Edhe pse te gjithe te vdekur prej dekadash ai ka frige prej tyre.
    Ai denigron ne shkallen me te ulet figura kombetare si Fishta, Koliqi, Harapi, Mjeda e te gjithe plejaden e kolleseve te letrave, por qe “per fatkeqesi te tyre” ishin veriore. Fatkeqesisht Kadareja fut ne te njejten pusi Politiken Shqiptare…por i mesuar ti ngule thiken mbas shpines duke e ditur se do te dale i pa ndeshkuar ai vazhdon ta beje ate pa “regret” per pasojat…

    edhe nji here TURP, shoku shkrimtar i Oborrit Komunist…

  3. Mark GJonaj says:

    Faleminderit Z. Kadare per kendveshtrimin e vlersimit te nje situate shperthyese nga momenti ne moment dhe qe propozimi juaj per ta vlersuar kete re te zeze qe u duk befasisht mbi truallin shqiptare; se ne rast se nuk merren masat e duhura me vetdije, ndergjegje juridike e politike nga kandidatet dhe kryetari i qeverise qe po e fusin kombin shqiptare ne nje rruge pa krye; dhe qe shkreptimat e para te fortunes kane filluar; do te jene pasojat katastrofike qe zor qe mund te rregullohen me.

    Ne qofte se do te thoshnim se gjithe ernat dhe fortunat e botes jane grumbulluar ne Ura e Matit; gjithe planet djallezore te permbysjes se rezultatit(kethimit ne te kundert) qe u dha botrisht nga mediat e shkruara dhe vizive; jane grumbulluar tek koka e Kucedres Berisha dhe trupi i saje Topalli. Asgje te mos kujtojme, te thene nga Berisha, qe gati ngordhi fare dhe ju tha peshtyma ne fyt; ai perseriti nje apo dy here shprehjen ogurzeze dhe paralajmeruese qe sido qe te dalin zgjedhjet, Rama duhet t’i pranoje; ndersa Topalli me nje mimike te trishtuar gjate konferencave per shtyp e perseriti disa here qe Z. Rama duhet te pranoje rezultatin. Dhe, kjo nuk thuhet ne hava; por dicka keta perbindesh kishin ose po venin ne levizje guret e “fitores”, per arritjen e qellimit.

    Dhe eshte e qarte si rrezja e Diellit se dyshja kryesore me derivatet e tyre i kishin marre “masat paraprake”, e kishin bere krimin dhe alibine e mbrojtjes; saqe Berishen po e gradojne aq shume nga komente e shkrime te djathta, deri dhe shansin qe mund te kete OKB-ja per t’u drejtuar nga ai. Hiqeni nga mendja iluziuonin z. Kadare se Basha mund ta pranoje propozimin tuaj shume largpames; sepse eshte pjese perberse e gjithe mases se trukimit per ta permbysur situaten ne tavoline dhe mu n’sy te popullit shqiptare dhe te gjithe atyre qe u ra rasti te monituronin e vezhgonin zgjedhjet.

    Pergjigjja e Bashes eshte formuluar nga dyshja e manipulimit dhe e pergaditjes se kesaje katraure. Ai, nuk ka se si ta zbatoje ne rastin konkret historikun e terheqjes dhe as qe mendon se kjo do te ishte rruga me e mire; perarsyese, eshte kryekeput produkt i Berishes nga njera ane dhe nga ana tjeter gjendet ne mes dy zjarreve; qe per te bere kete permbysje jane hargjuar shume te holla dhe kompromentuar shume persona dhe nga te dy anet e elektoratit; keshtu qe Bashes duhet t’i kene thene per veprimin qe nese te jap fitoren do te mbajsh kete qendrim; ose te Azemi Hajdari, ose te Remzi Hoxha, ose te Fatmir Xhindi, ose te vraret e Gerdecit, ose tek te katert e bulevardit qe i vrane dhe jane te lidhur e te betuar per te mos pranuar fajsine.

    Te gjitha pamundesite e mosterheqjes se kandidatures se Bashes, jane mashtrime,, manipulime, farsa dhe ne pritje te rezultatit te kamufluar, me fjalet popull, Tirane, elektorat si dhe me pritjen “padurim” te popullit krahapet te Tiranes per te dale nga gjendja qe e ka katandisur kryetari te Bashkise, qe ne te vertete ka ndodhur e kunderta. Por Z. Kadare, dua te permend dhe nje fakt qe asnjehere nuk i eshte permendur deri tani Z. Rama. Eshte fjala per daljen ne konfrence per shtyp pa filluar fushata; i cili theksoi qe pamvarsisht vendosjes se kandidatures se tij; populli dhe elektorati i Tiranes te shkoje dhe te votoje lirshem, pa u sforcuar dhe jo me idene se vetem une mund dhe duhet te fitoi, duke lene pershtypjen se ai kishte plane te tjera. Dhe me te drejte gazetari Mero Baze, kur jepet rezultati se ne Tirane fitues eshte Rama; e keshillon, qe si do qe te ishte me dhjet vota teper; Z. Rama te kalonte pragun ngadale me kujdes pa treguar eufori se kandidati tjeter ishte mjaft close(ngjitur) dhe per here te pare.

    Duke gjykuar ne nkerkesen tuaj te drejte dhe largpamse dhe pergjigjen e Bashes shume te prere, te ngrire dhe fikse; nuk mund te mos mendojme se me shume ate e detyron qendrimi ndaj veprimeve manipuluse te Berishes; se sa rreziqet qe i numeroni ju qe mund ti kanosen, kombit, atdheut dhe perspektives se demokracise dhe afrimit me Evropen. A mendoni Z. Kadare, qe nese Rama me Berishen nuk do te shkonin si macja me miun, por normal pozite me opozite konstruktive; do te ishte me e udhes qe duke pare se Berisha futi duart ne kutia dhe qe ne Shqiperi nuk ka aspak dhe me tere mend drejtesi; duhej te terhiqeshe Rama dhe ceshtjen ta dergonte deri ne Hage duke grumbulluar prova dhe materiale, qe, te vezhguesve te huaj do te ishin ma te besueshme. Mbeshtes, propozimin tuaj per dorheqjen e Bashes si kanditat per Bashkine e Tiranes dhe hedhe poshte si qytetare i vendit tim pergjigjen mosperfillse e manipuluese te Lulzim Bashes. Faleminderit dhe nje ujkend te gezuar!

  4. spirituali says:

    Sinjifikative është se në asnjë fjali Kadare nuk apelon për ruajtjen e qetësisë e të rendit kushtetues! Nuk përmend ndonjë rast në botë që të tërhiqet kandidati pas pothuaj përfundimit të zgjedhjeve. Përmend dorëheqjen e Ismail Qemalit. Kjo dmth. se disi Kadare e brazon veten me fuqitë Europiane!!!

No comments: