Partia Demokratike i paraprin një vendimi të mundshëm negativ të Kolegjit Zgjedhor, lidhur me vlerësimin e votave të gjendura në kutitë e gabuara, të cilat e bën kandidatin e saj
Lulëzim Basha fitues të garës së Tiranës. Për këtë qëllim, ajo ka depozituar të enjten në mesnatë një kërkesë ankimore, me anë të së cilës godet vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me anë të së cilit u shpall rezultati për Bashkinë e Tiranës dhe kërkon që në tabelën përmbledhëse të rezultateve të përfshihen dhe votat që do të dalin nga procesi i rivlerësimit të 403 votave të kontestuara gjatë numërimit nga GNV-të. Kjo është kërkesa e dytë që ka si objekt të saj goditjen e vendimit nr. 711, pasi në të njëjtën ditë me PD, të njëjtin vendim e ankimoi dhe PS, por natyrisht jo me të njëjtën përmbajtje.
Kërkesa
Në këtë proces dhe në fazën aktuale ku gjendemi, PD vlerëson se është e nevojshme të paraqesë kërkesën e saj në KQZ, për të shqyrtuar, rivlerësuar dhe rinumëruar, dhe për pasojë edhe të përfshihen në rezultatin e përgjithshëm të Tiranës, të gjitha votat e kontestuara në procesin e numërimit dhe vlerësimit fillestar të votave të hedhura për kandidat për kryetar të Bashkisë Tiranë, dhe që si rregull janë në zarfin e fletëve të votimit të kontestuara. Në kërkesën e tyre, demokratët kërkojnë këqyrjen, rivlerësimin dhe rinumërimin e fletëve të votimit, të administruara në zarfin e fletëve të votimit të kontestuara. Një gjë e tillë, sipas tyre, është e mundur të bëhet pasi në bazë të Kodit dhe praktikës së Kolegjit Zgjedhor, votat e kontestuara janë vota të caktuara dhe që mund të kërkohen të vlerësohen nga një subjekt politik. Gjatë procesit zgjedhor të datës 8 maj në zonën zgjedhore, Bashkia Tiranë, këto fletë votimi në këto qendra, si rregull, janë veçuar dhe janë futur në zarfin përkatës të fletëve të votimit të kontestuara, ndaj PD vlerëson se është plotësisht e mundshme që ato të merren dhe të rivlerësohen. “Aktualisht, ne vlerësojmë se në këtë fazë është me vend dhe me rëndësi për t’i shtuar legjitimitetin dhe besimin e duhur publik procesit zgjedhor në Tiranë, që edhe këto vota të kontestuara dhe të identifikuara për kandidat të Bashkisë Tiranë të merren, të këqyren, të vlerësohen, rinumërohen dhe reflektohen në rezultat për kryetarin e Bashkisë Tiranë. Kjo mundësi është tërësisht ligjore. Këto vota janë në cilësinë "vota të cilat mbartin mëdyshje", pavarësisht se ato i janë nënshtruar vendimmarrjes respektive të KZAZ-ve, të njësive bashkiake të Tiranës dhe rezultati i vlerësimit të tyre është përfshirë në tabelë”, - thuhet në këtë kërkesë.
Provat
Kërkesën e tyre, demokratët e shoqërojnë dhe me një aneks të veçantë që ka të bëjë me provat mbi të cilin lindin dyshimet për të bërë hetimin e nevojshëm administrative të këqyrjes dhe rivlerësimit të fletëve të votimit të kontestuara. Ndaj bashkëlidhur me kërkesën ata paraqesin dhe një tabelë me numrat e KZAZ-ve dhe qendrave të votimit, të cilat pretendohet se kanë fletë votimi të kontestuara. Në aneks jepen KZAZ-të përkatëse, numri i qendrës së votimit dhe shënimet përkatëse në faqen e procesverbalit të librit të Protokollit të Mbledhjeve të KZAZ-së. Në total bëhet fjalë për rivlerësim të vetëm 403 votave të gjendura në 26 kuti votimi. Në këtë kërkesë ankimore, PD evidenton se nuk kërkon këqyrje/rivlerësimi/rinumërim të fletëve të votimit në të gjitha ato qendra votimi ku ka të dhëna të dokumentuara se ka vota të kontestuara, për shkak se janë gjendur me kundrafletën bashkëngjitur. Siç argumentohet në këtë kërkesë, PD sqaron se fleta e votimit me kundrafletë nuk mund të konsiderohet e pavlefshme, pavarësisht përcaktimit ligjor, kjo pasi një gjë e tillë ka ardhur nga defekte në menaxhim dhe punën e administratës zgjedhore të nivelit të parë, dhe aspak për shkak të shprehjes së paqartë të vullnetit nga ana e zgjedhësve. “Ne gjykojmë se mangësitë e administrimit e procesit nga komisioneve zgjedhore përkatëse nuk mund dhe nuk duhet të zhvlerësojnë votën e shprehur qartë në datën 8 maj 2011 për kandidatin për kryetar bashkie të zonës zgjedhore Tiranë”, - thuhet në kërkesë. Kërkesa e PD-së ashtu si dy kërkesat e PS-së për rezultatin e Tiranës janë hedhur dje në short duke përcaktuar relatorët, ndërsa sot do të bëhet dhe relatimi dhe caktimi i datës së shqyrtimit të tyre në seancë.
No comments:
Post a Comment