Vjen momenti kur veprimet duhen përcaktuar me fjalë të vërteta. Është e domosdoshme që fraza të zhvishet në funksion të thelbit.
Ajo që ndodhi dje në oborrin e institucionit të komisionit zgjedhor, ishte e tmerrshme. Deputetët e Partisë Socialiste ngjanin si palaço në cirk. Të gjithë me këmisha të zbërthyera, me sy të egërsuar që kacavirreshin mes policëve për të hyrë brenda komisionit, ku po zhvillohej mbledhja për të vlerësuar votat e kontestuara. Pamje e mjerueshme, duke lënë mënjanë estetikën, burra shtatzënë në kangjella po kërkonin të dhunonin institucionin e KQZ. Militantët e tyre, që i shoqëronin në këtë masivitet primitiv, për herë të parë dukeshin më të qytetëruar se vetë deputetët.
Këta deputetë, të cilët përfaqësojnë sovranin në Parlament, që japin deklarata për shtyp dhe ku shoqëria i dëgjon pasi i ka votuar, pikërisht këta dje kërkonin të dhunonin ligjin. Një situatë kaq absurde, dje superoi çdo limit që të çon në tolerancë. Këta deputetë, dje bënë thirrje që populli të mblidhet në revoltë popullore se po manipulohet rezultati i zgjedhjeve lokale. E përsëritur me mijëra herë kjo thirrje, që nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009, duket se bie vetëm në veshët e Partisë Socialiste. Ashtu si më parë, duhen vetëm 100 vetë për të krijuar zhurmë, për të dhunuar institucionet e shtetit, duhen vetëm 100 njerëz për të shqetësuar një vend të tërë.
Pritej dhe ishte parashikuar lehtësisht kjo situatë, por vetëm se ankthi që ka kapluar PS këtë radhë erdhi para kohe dhe u demonstrua para kohe. Rezultati akoma nuk është certifikuar.
PS me sjelljen e saj është ngjitur si sëmundje kokëfortë në trupin e shoqërisë. Çdo ditë sjell shqetësim, çdo ditë destabilitet, çdo ditë thirrje që më keq do të jetë nesër, çdo ditë në përpjekje për të dobësuar vendin dhe njerëzinë e tij. Vallë ç’duhet të ndodhë që kjo sëmundje të kurohet?
Bisedimet mes maxhorancës dhe opozitës?…
Jo, sepse janë refuzuar dhjetëra herë nga ana e PS. Transparenca, edhe kjo nuk merret në konsideratë. Dje mbledhja e Komisionit Qendror Zgjedhor ishte në sytë e të gjithëve. E monitoruar me kamera, “live” në të gjitha televizionet, të pranishëm përfaqësues të Partisë Socialiste. Por jo, edhe kjo nuk është e mjaftueshme.
Për PS, e mjaftueshme do të ishte vetëm fitorja, në kundërshtim me ligjin, me Kodin Zgjedhor, në kundërshtim me të gjithë dhe gjithçka. Vetëm ajo do të qetësonte PS. Tashmë konsiderohet e zakontë kjo sjellje dhe kjo luftë për pushtet me të gjitha mjetet, duke flijuar edhe popullin, edhe demokracinë e ndërtuar me copëza. Kurse e pazakonta pritet të ndodhë. Mbase PS arrin të arsyetojë, të respektojë ligjin, të respektojë shtetin, qytetarët e tij, të respektojë sistemin në të cilin bën pjesë.
Por pavarësisht thirrjeve të ambasadorëve në Tiranë, Arvizu, Sequi, Vorfarth, Partia Socialistë nuk reagon. Dje edhe Komisioni Evropian bëri thirrje për të respektuar ligjin, por përsëri asgjë. Deputeti i PS Gramos Ruçi foli ashtu, ashpër si gjithmonë, ku kërkoi revoltë popullore. Të cilën e kërkon të ndodhë me pahir, pasi populli thjesht po pret rezultatin nga institucioni përkatës.
Rënia e PS
Brenda një viti Partia Socialiste po shërben në rënien e saj. Në këtë rënie duket se ka vetëm një fund, të afërt, atë të liderit. Dje mbasdite, vetë kryetari i PS, Rama, i përhumbur në zemëratë dhe urrejtje pse numërohen votat një për një, lëshoi përsëri thirrje për revoltë kundër institucioneve të shtetit demokratike. Kjo situatë konfliktesh sigurisht që nuk mund jetojë në vazhdimësi. Kërkohet një zgjidhje, jo vetëm nga maxhoranca, por edhe nga ndërkombëtarët. Aktualisht, alternativat janë shteruar sepse Partia Socialiste nuk pranon asnjërën. Zgjidhja është vetëm një, lider i ri për PS. Radikalizmi i tij ka dobësuar aq shumë të Majtën, ku duket se vetëm disa eksponentë të saj, pjesë e Mendimit Ndryshe, arsyetojnë. Pjesa tjetër është turmë e udhëhequr nga Edi Rama. Ky investim në rënien e PS vjen nga interesat personale të vetë liderit: ambicia për kryeministër, dhe varësia ndaj bashkisë. E para është në plan, por e dyta është e domosdoshme për ekzistencën e liderit. E gjithë ajo bandë e PS, e shndërruar tashmë në të vetmen turmë në shoqëri, pa bashkinë e Tiranës do të shpërbëhej. Pak nga pak, liderin e PS do ta braktisinin edhe më të devotshmit, sepse bashkia është unaza e unitetit të tyre. Janë paratë, korrupsioni dhe aferat e krijuara në rendin e telefonit të prishur. Kjo turmë, që çdo ditë çirret për drejtësi, në fakt është një ulërimë për të mbajtur gjallë frymën e fundit që i bashkon: bashkia e Tiranës. Ushqimi i tyre i përditshëm kanë qenë taksat e popullit, pallatet e ngritura mbi teorinë e 20 përqindëshit, etj. Ky ushqim paskëtaj, pas rezultatit të certifikuar, do të kërkojë djersë të përditshme, punë. Kjo është plaga e vetme për të cilën qan lideri dhe turma e tij, ky është motivi i asaj dhune dje ndaj ligjit dhe institucioneve.
Por ka edhe diçka pozitive në këtë përçapje të dhunshme. Kjo sjellje e përsëritur kundër ligjit shërben që të mos merret seriozisht budallëku. Secili shikon dhe kupton se mbi ligjin, mbi sovranitetin e votës, nuk mund te jetë as turma, pjesa më e frikshme e shoqërisë. /Agon/
No comments:
Post a Comment