Wednesday, May 25, 2011

Kadare, refuzoje Nobelin.

Edison Ypi

I dashur Ismail,

Lulzim Basha nuk e dëgjoi këshillën që i dhe për t’u larguar nga gara për kryetar bashkie. Si Ti sugjerimin tënd, po ashtu edhe Basha refuzimin e vet, e bëtë për të njëjtën arsye madhore: Për të mirën e Shqipërisë. Meqenëse natyrisht jo vetëm Ti dhe Basha, emrin e të cilit unë këtu po e vë përkrah emrit tënd po ashtu si Ti emrin e Bashës e vure pranë emrit të Ismail Qemalit, por edhe shumë e shumë shqiptarë të tjerë, mes tyre edhe unë, gdhihemi e ngrysemi duke menduar për të mirën e Shqipërisë, pikërisht për këtë, po të parashtroj në vazhdim një ide timen, të cilën kam do vite që po e bluaj me mokrrat e mendjes dhe po e përsos me kujdes me sitat e shpirtit.

Ideja ime, sado e qortueshme, e palejueshme, indiskrete, që mund të tingëllojë, është absolutisht e sinqertë dhe e thjeshtë:

Largohu nga gara për marrjen e çmimit “Nobel”!

Largimi Yt nga ajo garë do ishte një veprim në të mirë të Shqipërisë, pakrahasimisht herë më efikas se largimi i Bashës nga gara me Ramën. Jo në kuptimin primitiv, që atë çmim thjesht të mos e marrësh. Në një kuptimin të lartë. Që atë çmim absolutisht të merituar për Ty, të mos vazhdojnë ta mbajnë peng ca matufër të rrufjepsur, Ti, me largimin, atë largim, ta tejkalosh duke mos e përfillur, t’i fluturosh përsipër duke e përbuzur.

Mua, mikut tënd të kahershëm, respektuesit dhe mbrojtësit të zjarrtë, adhuruesit të pafund, lexuesit tënd të pasionuar pas çdo fjale dhe gërme mes milionave e milionave që ke shkruar, besoj se më lejohet të të drejtohem në këtë mënyrë. Më lejohet, sepse, si do mundohem ta qartësoj në vazhdim, ajo që po të sugjeroj, më duket mënyra më efikase për të arritur qëllimin e mësipërm, kryesoren e kryesoreve, të mirën e Shqipërisë, mbrojtjen e Saj nga ndotja.

Dhe ja konkretisht pse unë mendoj se Ti duhet të largohesh nga ajo garë.

Së pari, sepse Ti, si e kam thënë edhe herë të tjera, Nobeli Ty as që të duhet, sepse atë Ti e ke marrë, jo me 10 vota, por me miliona e miliona vota anembanë planetit. Dhe jo një herë të vetme. Por aq herë sa romane ke shkruar.

Së dyti, sepse pas kaq vitesh pritjeje ajo garë për atë çmim, aspak për fajin tënd, ka degraduar. Nuk duket më si garë serioze, por si pritje lodhëse, vardisje sfilitëse, e pamerituar, që Ty të merr energji dhe zagarët i bën të fërkojnë duart.

Së treti, impakti mediatik gjigand që do pasojë gjestin Tënd, nga Poli i Veriut në atë të Jugut dhe rreth e qark Ekuatorit, do bënte që bota mbarë të shtangej e mahnitur para gjestit tënd vetësakrifikues ndaj një komisioni pleqsh të rrjedhur.

Së katërti, simetria mahnitëse mes diferencave infinitezimale në garën Basha-Rama nga njëra anë, dhe distancës kolosale që Ty të ndan në favorin tënd me konkurrentët e tjerë të Nobelit, kjo simetri asimetrike madhështore, pse jo edhe hyjnore, në thelbin e saj të cilin s’po e zbërthej këtu, është një arsye më tepër në favor të efektit pozitiv kolosal të asaj që po të sugjeroj të bësh përmes kësaj profecie.

Së pesti, sepse, ndërkohë që largimi i Bashës nga gara, përtej simbolikës turbulluese të proverbave, mes shqiptarëve do të tingëllonte si: “Lëshoja rrugën budallait” apo “Kur të vjen e keqja, hapi derën”, gjë që do të shkaktonte një keqkuptim të dëmshëm ndër shqiptarët, përderisa s’jemi në asnjë kontekst estetik, sepse as rruga budallait s’ka pse t’i lëshohet, e as së keqes s’ka pse i hapet dera, ndërsa largimi Yt nga gara do jetë një gjë krejt tjetër e pambarsur me asnjë lloj keqkuptimi.

Së gjashti, sepse unë e kam që tani të qartë se po e bëre atë refuzim, nuk do ta bësh ndryshe veçse ashtu si di vetëm Ti; përmes një teksti të shkurtër, madhështor, që do lexohet me një frymë nga të gjithë lëçitësit e planetit dhe do mbetet në shekuj.

Druaj se duke t’u drejtuar në këtë mënyrë, jam duke ta prishur pakëz qejfin. Por unë, meqenëse kam bindjen se të flasësh për të mirën e Shqipërisë nuk është punë qejfi, por mund i madh, po vazhdoj.

Dhe meqenëse druaj gjithashtu se sugjerimin Bashës ia bëre në një sfond paksa jorealistik, atë sfond po mundohem ta qartësoj sadopak.

Sa u përket votimeve:

Nuk është Lulzim Basha në pushtet si thua Ti në letrën drejtuar atij. Si kryetar në detyrë i Bashkisë së Tiranës, në një pushtet që nga përmasat dhe efektet është gati-gati sa një kryeministër, në pushtet është Rama.

Sigurimistat, fanatikët dhe “Lajet” e komisioneve çorientuan demokratët e pavëmendshëm të hidhnin votën në kutinë e gabuar. Pati edhe komisionerë të tillë demokratë, por shumë më pak.

Votat e vlefshme që u hodhën në kutinë e gabuar, edhe sikur t’i kishte marrë era t’i kishte degdisur në ndonjë planet tjetër, atje do duhej vajtur për t’i numëruar.

Pse u kërkua numërimi i këtyre votave në mes të procesit? Sepse, më mirë vonë se kurrë! Mjaft që numërimi të bëhej si u bë, absolutisht transparent.

Nuk pati vota që të bënin rrugën e kundërt! Për shembull nga ndonjë kuti tjetër në kutinë e kryetarit të bashkisë. Ky fakt është i turpshëm. Por, si e tregoi qartazi numërimi, shumë më pak për demokratët.

Lidhur me ankesat për fukarallëk, ji i sigurt se janë të gjitha stisje propagandistike. Shqipëria sot është plot e përplot me shtëpi dhe vila të mëdha të reja edhe në fshatrat më të thella. Me supermarkata moderne plot me blerës dhe me autostrada e rrugë të asfaltuara që të çojnë kahmos, plot me vetura dhe kamionë që shtohen në përpjesëtim të drejtë me rritjen e çmimit të karburantit. Nëpër të gjitha qytetet, sa dhe në fshatra të largëta, të cilët fshatra jo rrallë kanë disko dhe calceto, disa edhe stadiume.

Nga kërcënimet burracake të opozitës për yxhym haxhiqamilesk kundër institucioneve, nuk vjen efektivisht asnjë e keqe. Të siguroj se ato s’janë veçse përpëlitje të paduruarish për të ardhur në pushtet vetëm për të vjedhur. Aq e vërtetë është kjo, sa, duke ironizuar me kalimin e pushtetit nga hajdutët tek hajdutët, ndërkohë që vazhdojnë të ndërtohen autostrada dhe të shpohen tunele e të bëhen plot punëra të tjera, aty-këtu kanë nisur të thonë se Shqipëria është një vend që sa më tepër të vidhet, aq më tepër pasurohet.

Të tëra këto, i dashur Ismail, unë nuk po t’i them aspak sepse jam i fiksuar pas largimit të Edi Ramës. Jo. Mua nuk më shqetëson Rama. Mua më shqetësojnë dhe më kallin datën turmat e fundit të ish-sigurimistëve dhe nomenklaturistëve që mbushin mitingjet e tij. Ata ëndërrojnë atë së cilës Ti kot i frikësohesh, ‘97-s. Të siguroj se kjo nuk është e mundur për një arsye tejet evidente: Sepse pothuaj të gjithë shqiptarët sot e kanë nga një pronë sado të vogël, të cilën duan dhe dinë të mbrojnë në çdo rrethanë. Në këto kushte, ç’u mbetet revolucionarëve të vonuar të bëjnë, të bllokojnë rrugët dhe të djegin goma makinash të përdorura. Edhe kjo kurrsesi nuk përbën rrezik. Për më tepër që veprime të tilla ata i bëjnë vetëm në ditët kur nuk bie shi dhe nuk bën tepër vapë.

Unë e përshkova një ditë mespërmes turmën e tyre përballë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Me të marrë të qarët. Hordhi që s’bën dot asnjë hata. Pa folur për retorikat e tyre të neveritshme revolucionare-folklorike, sa për të qeshur po aq dhe për të qarë, mbi 80% e tyre ishin mbi 50 vjeç. Plot ish-sigurimista të ngrysur, dhe “Laje” klithëse 100-kilogramëshe. Fare pak të rinj. Të rinj të çuditshëm. Sa të hakërryer po aq edhe të ngordhur!

Më beso, pra, i dashur Ismail: Në këto kushte, asgjë s’ka për të ndodhur dhe asgjëje s’është për t’iu frikësuar.

Megjithatë, në këtë mesele ka dhe disa gjëra të tjera bajagi interesante. Për shembull, Edi Rama dhe të tijtë ulërasin e bërtasin për 4 të vrarët përballë Kryeministrisë që i dërguan vetë, duke deklaruar qartë se nuk mbanin përgjegjësi për çfarë turma përballë Kryeministrisë do bënte. U vranë ata të shkretët. Ama, as sot, as mot e askurrë në të ardhmen para portës së Kryeministrisë asnjërit prej tyre s’do t’ia mbajë revolucionarja të afrohet.

Tjetër fakt, i çuditshëm për pseudo-analistët që pretendojnë se vetëm ç’thonë ata është e vërtetë, por jo për mua dhe shumë të tjerë: Rezultatet e këtyre votimeve provuan qartas se shqiptarët nuk konsideruan as shpërthimin e Gërdecit, as videot e Metës, as 4 katër të vrarët para Kryeministrisë, as Ruzhdien, e as plot gjëra të tjera nga ato që na shurdhoi opozita.

Prandaj, po të them se po s’ia dhamë sot dërrmën e fundit frymës së ndotur, ajo frymë e qelbur do të mbetet në Shqipëri ndoshta përgjithmonë. Dhe të trembesh apo të trembemi, se po s’u shpall fitues Edi Rama, drejt Tiranës do vërshojnë larot dhe “Lajet” e Vlorës, është krejt njësoj sikur të zëmë e të tmerrohemi se populli shqiptar do marshojë drejt Oslos, ngaqë KQZ-ja e Norvegjisë po ta zvarrit Ty çmimin “Nobel”.

Nëse asnjë nga arsyet e mësipërme nuk të duket e mjaftueshme për t’u larguar nga Nobeli, të lus për tjetër gjë. Nis e shkruaj një ese. Një ese, që në botë mund ta shkruash vetëm Ti. Për të shpjeguar shtershëm çudinë e çudirave të pandodhur kurrë më parë në historinë e botës; diferencën zero mes dy kandidatëve votuar në mënyrë përsosmërsisht simetrike nga qindra mijëra zgjedhës.

Këto fjalë po t’i thotë ai që të gjitha çastet e jetës së tij i ka të shënuara nga antikomunizmi dhe antikonformizmi, adhurimi për të bukurën, i cili leximin e librave të Tu e ka përdorur me sukses si bunkerin më të sigurt për të mos u prekur nga murtaja që e rrethonte, streha më e mirë për t’u ndier i lirë.

Refuzoje pra Nobelin.

Do jetë madhështore.

Më kujtohet një poezia Jote të cilën e ke shkruar kur ke qenë fëmijë. Një gjerman ushtar gjatë luftës kthehet turist në Shqipëri. Ky turist ish-ushtar u shtang diku, ku pa shtatoren e një shqiptari, të cilin e kishte vrarë me dorën e vet. Pas davaritjes së mahnitjes, gjermani, turisti, ushtari, nazisti, shqiptoi këto fjalë: “Po të mos e kisha vrarë, shqiptari vërtet do ishte gjallë, por Artit do t’i mungonte një statujë”.

Fjalë, të cilat unë po marr në sy t’i perifrazoj kështu: Do ta refuzoj Nobelin, xhepit tim do t’i mungojnë nja një milion e më tepër, por Shqipërisë do t’i fal një kryevepër.

www.edisonypi.com

Ismail Kadare, Gjesti politik i një shkrimtari apolitik

Shkruan:
Alfred Lela

Ismail Kadaresë nuk ia ka ënda të konsiderohet si shkrimtar politik. Sipas tij, ka vetëm një kategori autorësh; ata që janë ose nuk janë shkrimtarë. Por dikush tjetër ka thënë se edhe nëse nuk merresh ti me politikë, merret politika me ty. Gjithaq Kadaresë nuk i pëlqen të konsideruarit si disident. Disidenca ose edhe mungesa e saj janë në vetvete akte të natyrës politike. Në rastin kur një shkrimtar është disident, domethënë mospajtues me politikën ose natyrën e shtetit dhe të more-ve që rrjedhin prej tij, si në ligje ashtu edhe në frymë, ai po kryen një akt të natyrës politike. Po kaq politik është akti edhe kur shkrimtari zgjedh të pajtohet me frymën sunduese, ligjet e shtetit, dogmat kulturore dhe artistike, vullnetin apo ideologjinë përshkuese të një regjimi a shteti. Shkrimtari, pra, është politik, si me praninë ashtu dhe me mungesën në procesin politik, kulturor e social. E kundërta e asaj që mëton Kadare, është e vërtetë: shkrimtarët janë politikë, ose ata nuk janë shkrimtarë. Politika e shkrimtarisë nuk fillon e as mbaron me aktin sfidues të të kërkuarit të statusit të azilantit politik në Francë, siç bëri Ismail Kadare në vitin 1990. Ka politikë edhe te përzgjedhja e temave, simbolizmi, gjuha dhe kodifikimi i saj. Sidomos te Kadareja, një prej akteve të tij politike përcjellë përmes letërsisë është futja në standarde e fjalëve të gegnishtes; një akt disidence ky në një kohë kur gegnishtja ishte e dënuar nga klasa politike komuniste dhe rrethi i saj kulturor.

Edhe nëse një shkrimtar, brenda iluzionit të rrethanave ideale, e sheh veten si apolitik, koha në të cilën jeton e krijon është tejetej politike dhe si e tillë krijon predispozitat e vet në raport me shkrimtarin, pavarësisht shkrimtarit. Çmimi ‘Nobel’ në letërsi e jep këtë shembull. Të paktën në dekadën e fundit, vjeshta e ndarjes së këtij çmimi kthehet në një kontroversialitet të ri. Shtypi i përtej oqeanit e kritikon si antiamerikan dhe zëra të tjerë si shumë të dashuruar me autorët e majtë. Në Shqipëri është krijuar ndjesia se ‘Nobeli’ fërgëllon edhe nga antishqiptarizmi apo nga një ndjenjë e lehtë përbuzjeje kundër kombeve të vogla me shkrimtarë të mëdhenj.

Pra kemi një botë politike dhe çdo iluzion i të shpëtuarit prej “artit të së mundshmes” edhe nga mjeshtrit e letërsisë, e cila mund të cilësohet si “arti i të pamundurës”. Kjo botë politike yshtëse po aq sa letërsia, ka thirrur edhe emrin e një apolitiku si Ismail Kadare. Në një letër të hapur drejtuar kandidatit të së djathtës për kryetar bashkie të Tiranës, Lulzim Basha, shkrimtari ka kërkuar tërheqjen e tij nga gara. I ka kërkuar një politikani të jetë apolitik edhe pse gara për kryeqytetin është për politikën dhe mbi të gjitha për politikat (policy).

Ky përvijim i ri, i njëkohshëm me një libër ku përmblidhen tekste letrash, intervistash e polemikash mbi krimin në Ballkan, na sjell një Kadare ashtu siç juridikisht nuk ka dashur deri më tash të na vijë: mbi vullnetin e palëve, si President të Republikës. Ose jo. Shkrimtari i madh shpik një shenjë po aq të madhe, të tillë me mungesën e kësaj në këto anë dhe për këtë ai përmend Imsail Qemalin, të cilit duhet t’i bindet njëra palë. Letra e hapur e Kadaresë, që i vë një kushtëzim kalorsiak njërit prej ndërluftuesve, ndërkohë që e shmang tjetrin, përzgjedh një kryebashkiak në mes të gjithë këtij konflikti. Si në poezinë e tij “Tirana në dimër”, ku i gjatë, si natë e ankthshme n’udhëkryq shfaqet mes brymës kryebashkiaku.

Po kaq kalorsiak do të kishte qenë edhe një duel me pisqolla, pas të cilit fituesi do bëhej kryebashkiak. Por njërit prej ndërluftuesve nuk i sugjerohet të marrë pjesë me armën pa plumba në fole.

Keqkuptim apo mirëkuptim me Kadarenë

Nga Kujtim Çashku

Duke përshëndetur letrën e shkrimtarit Ismail Kadare, drejtuar politikanit të ri dhe kandidatit për kryebashkiak të Tiranës, z. Lulzim Basha, më është krijuar ndjesia nga disa reagime të shpejta ndaj kësaj letre, se shqetësimi i shkrimtarit është keqkuptuar. Letra e Kadaresë lidhet ngushtë me vizionet e një humanisti të madh, i cili është pjesë thelbësore e ndërgjegjes sonë kombëtare.
Shkrimtari, për nga natyra e vet, priret gjithnjë nga e mira. Madje, shpesh ai i atribuon shoqërisë vlera të cilat asaj vetë i mungojnë, por që shkrimtari dëshiron që një nga ato të bëhet pjesë e këtyre vlerave.
Nuk mendoj se i duhet kërkuar shkrimtarit apo artistit roli i gjykatësit apo i politikanit. Vepra e artit përmban politikë, por politika e saj s’mund të identifikohet me politikën e një partie apo qeverie të caktuar.
T’i kërkosh shkrimtarit apo artistit rolin e një politikani, ka gjasa që një rol i tillë ta bëjë atë me pahir një tiran apo diktator të vërtetë.
Janë krejt të rrallë shkrimtarët apo artistët që kanë preferuar të zëvendësojnë pushtetin e tyre të artit dhe letërsisë me pushtetin politik.
Për nga natyra, dueli mes shkrimtarit dhe politikanit është i përhershëm, sikurse është e përjetshme ndeshja e pushtetit koniunktural me atë universal.
Për shkrimtarin dhe artistin mbetet i shenjtë privilegji i misionit të pushtetit kulturor.
Fryma e vlerave etike e morale që shkrimtari përmend në letër, janë qartazi një garanci për soliditetin në vazhdim të shoqërisë sonë.
Vlerat e lartpërmendura, pa dyshim që janë pjesë e korpusit juridik, por ato nuk mund të njësohen me të. Vlerat etike e morale janë pjesë e kushtetutës shpirtërore të shoqërisë. Ato, edhe pse nuk shkruhen me ligje e nene të veçanta, përmbajnë në vetvete themelin e përhershëm të shoqërisë. Janë pikërisht këto vlera, të cilave u lind e drejta që ta emancipojnë e përsosin në çdo kohë korpusin juridik të shoqërisë. Ky korpus, në pamje të parë, për të funksionuar i duhet të jetë i ngurtë e solid. Mirëpo, edhe pse në dukje si i tillë, ai ka në bërthamën e tij mekanizmin e ndryshimit, me kushtin e vetëm që ky ndryshim të kryhet përmes votës së lirë të çdo qytetari.
Kur flas për votën, kam parasysh çelësin magjik të demokracisë. Ky çelës kishte humbur jo vetëm kuptimin, por edhe shenjën e tij, madje, për fat të keq, ende sot, pas 20 vjetësh, nuk është vlerësuar plotësisht.
Mund të themi se me këto zgjedhje për herë të parë, ne si shqiptarë, u bëmë më të vetëdijshëm për peshën specifike, qoftë dhe të një vote të vetme. Për herë të parë kuptuam se ndërrimi i pushtetit mund të kryhet pa armë e tanke, pa britma e histerizma pushtetarësh, por thjesht nga fuqia e heshtur e një vote të vetme. Them se këto zgjedhje ishin një leksion i fortë demokracie e qytetarie për të gjithë ne. Për herë të parë mund të themi se nisëm të çlirohemi nga idolatritë post-totalitare të fantazmës së fetishit të njëshit, të shpëtimtarit të “popullit” etj., etj.
Për here të parë vëmendja jonë u përqendrua te programet, vizionet, vokabulari politik, delegimi i pushtetit te qytetari e mjaft risi të huaja deri dje për demokracinë tonë, të bëra prezente nga zoti Basha. E keqe e madhe te ne mbetet se pushtetarët tanë nuk janë ende të mësuar me humbjen apo rotacionin paqësor të pushteteve.
Humbjen ata e identifikojnë me shkatërrimin e shtetit dhe të shoqërisë. Mospërballimi i kësaj humbjeje, psikikisht i çorodit ata, i bën agresivë e hakmarrës të rrezikshëm. Paniku i humbjes i detyron ata të zgjedhin për gjuhë komunikimi gjuhën e urrejtjes dhe strofkën e shpëtimit demagogjik. Britmat dhe ulërimat populiste përdoren si mjet emocional force për të ndërsyer turmat. Agresiviteti i humbësit në shoqëritë emotive, me kulturë zhvillimi kryesisht gojore, ka gjithnjë prirjen ta zhvendosë pushtetin nga institucioni te rruga dhe te vetëgjyqësia. Humbësit nga frika demonizojnë kundërshtarin e tyre dhe glorifikojnë liderin si hero shpëtimtar. Fantazma e frikës e bën humbësin ta ndajë shoqërinë në dy klasa, në dy kampe armike: në popull pozitar dhe opozitar.
Humbësit e shohin Shqipërinë si vend, popull e komb me shans të fundit, duke i ofruar atij një rrugë të vetme si barkë shpëtimi. Për ta përballuar këtë intoksifikim, mendoj se rregullat e lojës duhen ushtruar si proces jostacionar. Madje, edhe kur ato difektojnë gjatë rrugës s’duhet ndalur ushtrimi i tyre. E kundërta do të shmangte dinamikën që mbart vetë sistemi.
Do të bënte që në vend që korrigjimi të ndodhte gjatë rrugës brenda institucionit, por duke dalë jashtë tij, rruga do të bëhej si vlerë ndryshimi dhe pushtet i legjitimuar. Një keqpërdorim i tillë pushteti, në emër të popullit dhe pushtetit në emër të partisë, e zhyt kuptimin e institucionit dhe qytetarit në anonimatin popull, duke i përligjur formulën diktatoriale se partia bën atë që do populli dhe populli atë që do partia. Personalisht kam provuar mbi kurrizin tim dhunën e rrugës, madje gjoja në emër të shtetit, gjatë mbrojtjes së Akademisë së Filmit dhe multimedias “Marubi”.
Në fakt, ajo dhunë rruge ishte ndryshe nga ajo çfarë parashtrova më lart. Te “Marubi”, individë të veshur me lëkurën e pushtetit i anashkalonin institucionet që përfaqësonin, duke i degraduar këto institucione në dhunë rruge. Me këtë dua të them se nuk përjashtoj për asnjë çast dhunën e rrugës, të cilën e gjejmë sot në Parlament, ndër parti, qeveri e kudo në institucionet tona, por në rast se ne do ta legjitimojmë atë si forcë lëvizëse të shoqërisë, atëherë nuk duhet të çuditemi aspak se ky pushtet do të vazhdojë të jetë i tillë, pavarësisht forcës politike që vjen apo shkon nga pushteti. Është koha të çlirohemi nga fantazmat e së shkuarës. Këtë mund ta bëjmë në rast se do të besojmë së bashku se çelësi magjik në demokraci është leximi e dëgjimi i çdo vote qytetari. Më shumë se keqkuptim, unë e kam mirëkuptuar letrën e shkrimtarit Ismail Kadare si një letër të barasvlershme për këdo.

Kadare i madh, Kadare i vogël.

LUÇIANO BOÇI

Si njeri që përgjatë shumë viteve jam marrë me letërsinë, e kam konsideruar dhe e konsideroj Kadarenë si kolosin e letrave shqipe, si shkrimtarin që ka magjepsur dhe motivuar breza të tërë dhe kombe me stilin e tij, domethënien e veprës së tij, bukurinë e transmetuar, brenda të cilave ka dominuar gjithmonë një sens unik kërkese lirie dhe mirësie universale. Politikisht, e kam konsideruar si personalitet të angazhuar, i cili e vëzhgon politikën me dashurinë që trajton letërsinë dhe kërkon ta fusë atë në hullinë e shërbesës së interesave të shqiptarëve. Patriotikisht, e konsideroj si ambasadorin më të suksesshëm në promovimin e vlerave të pathëna dhe të patjetërsueshme të kombit tonë.
Dhe, përballë këtij vlerësimi, nuk është e lehtë të retushosh kritikën, e cila, fatkeqësisht, në këndvështrimin e interpretimit politik, duket e domosdoshme dhe imediate. Dhe, tek e fundit, njerëzit e mëdhenj jo gjithmonë thonë ose bëjnë gjëra të mëdha dhe normalisht gabimet stilistiko-politike janë pjesë e udhëtimit të tyre gjigant për të ndjekur madhështinë. Në një këndvështrim të imët, jeta e tyre është e mbushur me të atilla vogëlsira meskine, sa dhe njerëzit normalë (jo gjenitë) do të habiteshin për nga papjekuria, nëse i ballafaqonin ato me qëndrimet apo rrugëtimet e tyre personale. Kjo i ka ndodhur Gëtes, Hemingueit, Balzakut, Dostojevskit e shumë e shumë kolosëve të tjerë.
Dhe letra e hapur e Kadaresë për mua është një stacion i tillë, një vogëlsirë midis malit të madh të vlerave që Kadareja na ka dhënë dhe vazhdon të krijojë. Kërkesa e tij me argumente ekstra politikë, e mbushur me panikun e pasojës para një të marri, bie ndesh me mesazhet e shumta të veprave të tij për sublimen, sakrificën dhe betejën e vazhdueshme ndaj së ligës, së keqes, së shëmtuarës për triumfin e së drejtës, së mirës dhe së bukurës. Nëpër rreshtat e saj është shumë e vështirë të gjesh Kadarenë e kurajës për dritën e lirisë dhe të së vërtetës, është e vështirë të gjesh kalorësin e paepur të betejave të çartura dhe të pabarabarta me forcat e natës dhe të së kaluarës. Shkurt, Kadare aty nuk ka.
E thënë ndryshe, letra e Kadaresë ishte një perifrazim i thënies popullore “Budallait hapi rrugë”. Dhe, meqenëse Basha është i mençuri i kësaj historie, për shkak të këtij atributi, ky i fundit duhet t’ia falë Bashkinë e Tiranës të çmendurit Edi, i cili është gati, për shkak të humbjes së saj, të djegë Shqipërinë. Kjo është logjika primare e kësaj letre, e cila duhet thënë se nuk ka asnjë referencë me mitet apo legjendat e paharruara shqiptare, të cilat shpesh janë bazë frymëzuese e veprës kadareane. Njëkohësisht, kjo thirrje nuk përputhet as me tolerancën myslimane dhe as me mëshirën kristiane. Përpunimi i saj duhet parë nën logjikën e ftohtë të politikës, të ndërtimit të asaj që ne dhe Kadare kemi vite që e kërkojmë, të shtetit ligjor, i cili kërkon të materializojë në një pushtet vullnetin e sovranit dhe jo meqenëse ka një lloj pushteti (sipas letrës) duhet tradhtuar ky vullnet i shprehur qartë dhe taksativisht.
Nëse dikush nuk është dakord me mënyrën e shfaqjes së këtij vullneti, ka hapësirat e nevojshme të shprehë rezervat e tij dhe kërkesat e tij me të gjitha rrugët, qofshin ato ligjore apo ekstraligjore, por gjithmonë të përputhshme me paqen, tolerancën dhe prosperitetin, siç ka bërë dhe vetë Kadare me letrën e tij, por jo të imponojë zgjidhje emocionale që më shumë se zgjidhje, janë yshtje për thirrjen në skenë të mosarsyes.
Por, gjithsesi nuk duhet të harrojmë brenda kësaj kritike të vështirë një aspekt kadarean të përmbajtjes së vetë letrës. Ai mbetet i madh në letërsi, sepse vepra e tij ruan koherencën, është shumëkuptimshme, është shumëdimensionale dhe mbart mesazhe në çdo kohë që e lexon. Në këtë aspekt, letra nuk duhet parë kaq thatë, jo thjesht si thirrje ndaj Bashës për t’u tërhequr, pasi këtu gjithçka futet në terrenin e së pabesueshmes, por si mënyra më e mirë, më e butë, më bindëse për t’u thënë shqiptarëve se lideri i PS është politikani më i marrë, më i çmendur, pas të cilit nuk duhet të shkojë askush. Dhe, përballë këtij konteksti, Basha nuk mund të tërhiqet.
Thirrjes “Budallait (Ramës) hapi rrugë” i kundërvihet thirrja e vjetër, sa vetë era e re “Jepi Cezarit (Bashës) atë që i takon Cezarit”. Dhe, ajo që i takon nuk ka dyshim se është fitorja.
*Deputet i PD

Letra e madhe e Kadaresë dhe adresa e pasaktë

Nga Edi Lesi

E madhe, e gjerë dhe e shtrirë kudo është mendjemadhësia në Tiranë. Ka mendjemadhësi vend e pavend, dhe më shumë atje ku mendjet janë në të vërtetë të vogla. Në përgjithësi, Tirana mund të quhet një qytet mendjemadh, se të këtillë janë jo pak banorë këtu. Një mendjemadhësi e çartur do të ishte të bëje replikë me Ismail Kadarenë. Unë kam lexuar gjithçka që shkrimtari ynë i madh ka botuar. Jo vetëm letërsinë dhe eseistikën apo studimet, por edhe intervistat, mesazhet, shkrimet dhe letrat e tij. Sa herë, në emisionet e mëngjesit në televizione ku shfletohen gazetat, shoh se Kadareja është diku, ai vetë ose të tjerë që flasin për të, e mbaj vrapin te kioska më e parë për të blerë shtypin. Kur e kur, rrëmoj në bibliotekën time për të gjetur një libër të Kadaresë për ta rilexuar. Ndonjëherë, kur ndodh një ngjarje e rëndësishme në Shqipëri, them vetë me vete: a thua do të flasë Kadareja? Mendimi i tij është vetvetiu asiatër dhe sipëran, për shkak të distancës që ka me palët dhe duke qenë se përmasat e tij nuk kanë aspak nevojë të rriten duke mbajtur anë a kah. Mendimi i tij është një mentor i vyer për këdo që ka diçka në dorë dhe për krejt vendin nëse gjendet në udhëkryq. Është i vyer mesazhi i tij, sepse nuk ka asnjë dyshim që Kadareja e do Shqipërinë dhe kombin. Ismail Kadare nuk mund të rrinte indiferent në një situatë aspak të favorshme politike të krijuar pas votimit të 8 majit. Siç bënë të ditur mediat, ai i dërgoi dje pasdite një letër Lulzim Bashës, ku i kërkon të tërhiqet nga kandidimi për kryetar Bashkie. Ai thotë se kjo do ta shpëtonte vendin nga cikloni, i cili jo vetëm mund t’ia mbyllë rrugën përparimit të kombit shqiptar, por ta kthejë atë shumë vite prapa në histori. Kadare thotë se këtë letër, këtë kumt, mund t’ia kishte dërguar edhe Edi Ramës, por zgjodhi Lulzim Bashën, meqenëse ky i fundi është në pushtet, ndërsa tjetri në opozitë. Kjo është letra e një shkrimtari të madh; si e tillë, të bën të reflektosh thellë. Ai i thotë Bashës se një gjest i tillë do të nderonte atë dhe vendin. Nga asnjë lloj pozicioni, unë nuk do të mund të bëja dot një replikë me Kadarenë. Pretendoj se nuk jam një nga mendjemëdhenjtë e këtij qyteti, dhe i këtillë do të përpiqem të mbetem. As mosha, as profesioni, as dijet nuk do të më jepnin të drejtë të kundërshtoja shkrimtarin e madh. Vetëm në një cilësi mund të them se nuk jam dakord me këtë kërkesë të Kadaresë: si votues i 8 majit. Herët në mëngjes atë të diel i jam drejtuar qendrës së votimit dhe pa qenë asnjë moment ndërdyshas, kam votuar që Lulzim Basha të jetë kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës. I bindur se ky qytet ka nevojë për ndryshim, dramatik madje. I vendosur së pari se duhet të mbaronte koha e qeverisjes së metropolit në mënyrë despotike, sipas trilleve të kryetarit. Gjithaq, me shpresë te programi dhe premtimet e Lulzim Bashës për një administrim krejt të ri të Tiranës, ku spikat vendimmarrja konsensuale dhe pyetja e qytetarëve për shumë projekte. Deri më sot, çfarë ka ndodhur në qytet, është marrë vesh vetëm pas sendërtimit të projekteve dhe vendimet janë nyjëtuar gjithherë në një zyrë, diku, mes një grupi të vogël njerëzish rreth kryetarit. Me këtë gjykim dhashë verdiktin tim jo vetëm për të qenë në rregull me ndërgjegjen, por duke pasur një ndjenjë të fortë empatie se kësisoj do të vendosin shumica e votuesve të Tiranës. Dhe sot janë afërsisht 125 mijë qytetarë të kryeqytetit që kanë shkruar një letër, e kanë hedhur në kuti dhe kërkojnë që Lulzim Basha dhe projekti i tij të vijnë në fuqi. Në një farë mënyre, Ismail Kadare po kërkon që unë të heq dorë nga vota ime. Po u kërkon gjithashtu edhe 125 mijë qytetarëve të tjerë të bëjnë këtë gjë. Sepse kjo nuk është më një çështje personale e Lulzim Bashës dhe të ardhmes së tij. Ai është sot i dënuar të bëjë të kundërtën e asaj çka kërkon shkrimtari i madh. Basha përfaqëson ëndrrën për ndryshim. Tirana është një qytet i majtë, ku Edi Rama ka fituar herën e fundit me rreth 20 mijë vota diferencë ndaj kundërshtarit të tij. Sot rezulton se në kutitë e 8 majit ka më tepër vota për Lulzim Bashën. Kjo është një përmbysje dramatike, si ato të Homerit. Ky truall është shumë tragjik, gjë që e ka nxitur shpesh Kadarenë në letërsinë dhe studimet e tij. Epike mund të quhet edhe përmbysja që ka ndodhur më 8 maj. Edi Rama po i bën rezistencë këtij realiteti të ri, frymës së re, duke u kapur pas kleçkave të procedurës. Fakti është se ai jo vetëm ka humbur mijëra mbështetës, por ka humbur edhe zgjedhjet. Ka marrë më pak vota se Lulzim Basha. Edi Rama duhet të tërhiqet nga ky konflikt politik dhe pasojat që po sjell për vendin dhe të ardhmen. Ai përfaqëson të vjetrën në këtë rast, që rreket të qëndrojë me çdo kusht. Askush nuk e di nëse e reja do të jetë më e mirë. Por, të paktën, është konfirmuar se qyteti e kërkon ndryshimin. Nuk mund t’i kërkohet sot Tiranës të tërhiqet nga dëshira për të marrë një rrugë tjetër, të ndryshme nga ajo e 11 viteve. S’mund t’i thuhet një ëndrre të zhbëhet, të kthehet mbrapsht. E kam lexuar dy-tri herë letrën e Kadaresë. Është mbresëlënëse. Vetëm se duhej t’i drejtohej Edi Ramës, jo Lulzim Bashës.

Cfare na bere, zoti Nano!

Share This :

Twitter Delicious Facebook Digg Stumbleupon Favorites More

Edit this entry.

1 Comment to “Kadare, refuzoje Nobelin.”

Bashkimi says:

Edhe Kadare… e futi ne kuti te gabuar! Ashtu beri edhe topi i Rames.

No comments: