Kukan: Për çdo paqartësi trokisni në dyert e Komisionit të Venecias
* Marrë nga Radio DW
Eduard Kukan, kryetar i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, sugjeron asistencën e Komisionit të Venecias ndaj Kolegjit Zgjedhor nëse kanë paqartësi në marrjen e vendimeve lidhur me votat e kontestuara apo të hedhura në kutitë e gabuara. Kukan, në një intervistë për Dojçe Vele, duke folur për situatën pas-zgjedhore, është shprehur se tensionimi i situatës do të sillte efekte negative për Shqipërisë. Sipas tij pritet një sjellje e përgjegjshme e politikanëve në mënyrë që një gjë e tillë të kapërcehet.A ka garanci që vendimi i Kolegjit Zgjedhor për fituesin e zgjedhjeve bashkiake në Tiranë të jetë profesional dhe i pavarur nga ndikimi i politikës? Drejtësia e kapur nga politika është një nga mangësitë e sistemit demokratik në Shqipëri, e vënë në dukje në Progres Raportet e KE. Po tani si mendoni se duhet të veprojë Kolegji Zgjedhor?
Kukan: Ekspertë ligjorë dhe ekspertë të Kolegjit Zgjedhor duhet të marrin vendime të mbështetura në ligj dhe nëse ata kanë paqartësi, mund t' u drejtohen institucioneve ndërkombëtare, ndofta Komisionit të Venecias, që ka profesionistë të vërtetë. Ne po i bëjmë thirrje këtij Kolegji të ndjekë procedura profesionale, transparente dhe të marrë vendime të pavarura nga politika. Baronesha Ashton dhe Komisioneri Fyle dolën me një deklaratë të përbashkët në fillim të kësaj jave, ku u kërkuan partive vetëpërmbajtje, pasi procesi zgjedhor nuk ka përfunduar, dhe Kolegji Zgjedhor pritet të marrë vendimet e tij. Mendoj që institucionet ndërkombëtare mund të ndihmojnë në garantimin e marrjes së vendimeve nga Kolegji Zgjedhor, vendime që duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe të pavarura.
Si do ta karakterizonit situatën politike në Shqipëri? Ju ishit në krye të delegacionit të Parlamentit Europian, që vëzhgoi sesi shkoi dita e zgjedhjeve, 8 Maji, dhe sapo keni raportuar në Komisionin e Politikës së Jashtme të këtij Parlamenti gjetjet dhe përshtypjet tuaja?
Kukan: Përshtypja e delegacionit të Parlamentit Europian për ditën e zgjedhjeve, 8 majin, ishte që ajo shkoi në përgjithësi mirë, qetë, pati disa parregullsi, por jo të ndonjë rëndësie dramatike. Zhvillimet, që pasuan ditën e zgjedhjeve, krijuan probleme vetëm në Tiranë, pasi si në pjesë të tjera të vendit këto probleme nuk u shfaqën. Ato u krijuan, kur KQZ mori vendimin që të përfshinte në numërimin e votave edhe ato fletë votimi të hedhura gabimisht jo në kutinë e votimit për kryetarin e bashkisë, po në kuti të tjera. Opozita e kundërshtoi këtë vendim të KQZ, duke organizuar protesta dhe demonstrata. Vendimi i KQZ preku integritetin e procesit zgjedhor. Shkurt, situata aktuale në Shqipëri është e ngjashme me atë të pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Them kështu pasi në thelbin e kësaj situate, të krijuar pas ditës së votimeve, qëndron përsëri mungesa e vullnetit politik, apo paaftësia e drejtuesve politikë, për t'u përfshirë në një dialog të vërtetë, për të gjetur zgjidhje konsensuale të situatës, për të kapërcyer diferencat në qëndrime dhe arritur kompromisin, marrëveshjen që mund të sigurojë funksionimin e institucioneve demokratike. Procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende, por zhvillimet post- elektorale tregojnë se ka mosmarrëveshje të thella mes partive politike, të cilat shkaktojnë tensione të larta politike dhe çojnë në kërcënimin nga ana e opozitës për të bojkotuar përsëri aktivitetet e parlamentit, gjë që nuk është normale në një shoqëri demokratike, e cila duhet të mbajë gjallë dialogun e vërtetë politik dhe t' i zgjidhë problemet përmes tij.
Zgjedhjet lokale të 8 Majit janë parë nga BE si testi kryesor, që do të tregojë progresin në ecurinë demokratike të Shqipërisë. Situata, që sapo përshkruat, krijon idenë se ky test nuk u kapërcye. Sa e dëmton prishja e integritetit të procesit zgjedhor procesin e integrimit europian të Shqipërisë?
Kukan: Shumë seriozisht dhe me përgjegjësi them që e dëmton shumë Shqipërinë dhe sidomos dëmton rëndë interesat e njerëzve.
Z. Kukan, a i druheni opsionit të destabilizimit të vendit, radikalizmit të situatës, përmes mosnjohjes së institucioneve dhe përshkallëzimit të protestave të opozitës në nivel kombëtar?
Kukan: Nuk është një qëndrim i mençur politik të bësh deklarata për ultimatume, apo paralajmërime për “ mosbindje qytetare”. Këto deklarata dhe paralajmërime nuk janë në linjë me vetëpërmbajtjen, që Baronesha Ashton dhe komisioneri Fyle u kërkuan partive politike të Tiranës. Të bësh deklarata se unë jam fituesi dhe nëse jo, do të organizosh protesta dhe demonstrata, mendoj se nuk është përqasja e duhur politike.
Çfarë shpresash keni që kjo të mos ndodhë dhe situata të normalizohet?
Kukan: Politikanët nuk mund të shprehin shpresa. Shpresa është një nocion shumë abstrakt. Pres që politikanët e Tiranës të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe në interes të vendit.
No comments:
Post a Comment