Mungesa e trageteve paralizon sërish Portin e Vlorës. Asnjë traget që lundron drejt Italisë nuk ka prekur dje kalatën, ndërsa pasagjerët janë sorollatur me orë të tëra në pritje për të udhëtuar drejt shtetit fqinj.Drejtoria e Portit të Vlorës ka marrë një njoftim në mëngjes nga të dyja këto shoqëri sipas të cilave, tragetet janë nisur për remont drejt ishullit të Kretës. “Të dy tragetet e linjës Vlorë- Brindisi sot nuk janë paraqitur në portin e Vlorës. Pasagjerët si dhe kamionët të cilët kanë prenotuar udhëtimin për në drejtim të bregut tjetër, kanë mbetur për orë të tëra në pritje”, bënë të ditur burime nga porti i Vlorës. Ata janë ndaluar nga Policia Portuale, e cila i ka vënë në dijeni se nuk mund të udhëtonin drejt Italisë, për shkak se nuk ishin paraqitur tragetet e linjave. “Në mëngjes kemi marrë një njoftim nga të dyja këto shoqëri. Sipas këtij njoftimi, të dy tragetet janë nisur në drejtim të ishullit të Kretës për remont”, u shprehën burime nga drejtoria e portit të Vlorës. Të njëjtat burime bënë të ditur se dyshohet se tragetet e linjës Vlorë- Brindizi kanë marrë sërish rrugën për në Libi, siç kanë vepruar edhe para një muaji. Dyshimi shtohet pasi tragetet kanë fikur të gjithë radarët me qëllim për të mos u lokalizuar nga ana e Drejtorisë së Portit, si dhe për t’i shpëtuar masave administrative. “Nëse ne si drejtori do të vërtetojmë se këto dy shoqëri tragetesh kanë shkuar sërish në drejtim të Libisë. Për ata do të ketë sanksione të rënda ligjore, deri në pezullimin përfundimtar të këtyre dy trageteve. Kjo pasi është hera e dytë që tragetet largohen me pretekstin se janë në remont, por shkojnë për të punuar në vende të tjera duke shkelur rregullat dhe ligjet si dhe duke thyer kontratën në mënyrë të njëanshme”, u shprehën burime nga Drejtoria Portuale e Vlorës. Ende nuk konfirmohet rikthimi i trageteve, por mësohet se janë vënë në dijeni edhe institucionet kompetente me qëllim që të merren masa, deri në pezullimin përfundimtar të këtyre dy shoqërive, të cilat kanë thyer kontratën me portin e Vlorës. Agjencitë e udhëtimit u kanë kthyer biletat dje rreth 30 udhëtarëve, të cilët më pas kanë udhëtuar drejt Durrësit për të kapur tragetet e linjave me Barin.
PRECEDENTI
Tragetet “Jonian Spirit” dhe “Red Star” u larguan edhe më parë nga Porti i Vlorës, njëri më 24 shkurt dhe tjetri në datën 27 shkurt. U rikthyen pas 17 ditësh dhe u gjobitën nga autoritetet portuale për thyerjen e kontratës. Por duket se situata po përsëritet dhe tragetet kanë përfunduar sërish në Libi.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
No comments:
Post a Comment