Thursday, April 14, 2011

Falënderim në fund të manifestimeve me rastin e shënimit të 100-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë - Këshilli Organizativ


image

Të nderuar,

Këshilli organizues për shënimin e 100-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe, pas përfundimit të manifestimeve të shumta që organizoi për ta shënuar këtë jubile në mënyrë sa më dinjitoze, dëshiron të falënderojë të gjithë ata që ishin me ne qysh më 25 mars në Qeperr-Traboin, për të zbuluar Pllakën përkujtimore nëntë dëshmorëve të parë të Kryengritjes së Malësisë, më një prill në Kojë, për të vendosur lule pranë Përmendores së dëshmorëve kojas që u flijuan në Deçiq para 100 vjetësh, më 3 prill në Kshevë për të vendosur lule mbi varrezën e Tringë Smajles së lavdishme dhe në Tërgajë në orën letrare për nder të këtij jubileu të madh, më 4 e 5 prill në Tuz, ku u mbajt simpoziumi shkencor, padyshim më i madhi deri tani kushtuar kësaj ngjarjeje të rëndësishme, në të cilin u paraqitën njëzet kumtesa, më 5 prill në Bardhaj, për të vizituar Shtëpinë muze “Dedë Gjon Luli” dhe sërish në Tuz në Akademinë solemne, më 6 prill në Bratilë për të zbuluar Pllakën përkujtimore, vepër e skulptorit shqiptar Pjerin Kolnikaj, sipas idesë së Akadrmik Gjelosh Gjokajt dhe në mbrëmjen e 6 prillit në Koncertin festiv me të cilin u përmbyll ky aktivitet mjaft i ngjeshur, por edhe mjaft efektiv dhe i suksesshëm, shumëditor.
Ishte nder për Malësinë dhe malësorët të shohësh gjatë këtyre ditëve në mjediset tona studiuesit dhe figurat më eminente të historiografisë shqiptare, si akademikët dhe prof. dr. e nderuar: Mark Krasniqi, Pajazit Nushi, Esat Stavileci, Beqir Meta, Jusuf Bajraktari, Drita Halimi-Statovci, Emine Arifi-Baakalli, Gazmend Rizaj, Lush Culaj, Frashër Demaj, Marenglen Verli, Ledia Dushshku, Romeo Gurakuqi, Nertila Ljarja, Ksenofon Krisafi, Sokol Gjermëni e të tjerë, të cilët me kumtesat e veta kanë dhënë ndihmesë të madhe që të dihet shumë më tepër për Kryengritjen e Malësisë se Madhe dhe ajo të zënë vendin e merituar në historiografinë shqiptare. U jemi mirënjohës të gjithë atyre, si dhe dy delegacioneve kosovare: i pari në krye me Murat Jasharin, nga familja e heroit të kombit Adem Jasharit dhe i dyti në krye me Gjeneralin Agim Çekun, i cili ishte në krye të UÇK-së deri në çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serb.
Në radhë të parë dëshirojmë të falënderojmë Shoqatën “Dedë Gjon Luli” nga Nju Jorku, e cila në bashkëpunim me Shoqatën Atdhetare “Malësia e Madhe” në Miçigan, Fondin Humanitar “Malësia” në Nju Jork dhe individë nga diaspora morën mbi vete shpenzimet e të gjitha manifestimeve të zhvilluara me këtë rast. Falënderim u drejtojmë edhe të gjithë bashkëvendësve tanë në diasporë, të cilët në numër të madh erdhën në vendlindjen e vet, për të përjetuar nga afër manifestimet me rastin e këtij jubileu të madh. Edhe pjesëmarrja e mysafirëve të lartë nga Kosova dhe Shqipëria vërtetë ishte madhështore, për ç’gjë të gjithëve u jemi mirënjohës. Një falënderim të posaçëm i drejtojmë presidentit të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, zotit Asgan Haklaj, i cili ka bërë shumë që për Kryengritjen e Malësisë të flitet si asnjëherë më parë edhe në TVSH dhe për manifestimet e mbajtura të informohet gjerësisht i tërë opinioni shqiptar. Ai gjithashtu ka vënë në shërbim falas këngëtarë e artistë të këtij unioni për të ngritur nivelin e manifestimeve tona. Falënderime meriton edhe regjisori shqiptar Ilir Buçpapaj që na solli dokumentarin “Deçiqi Flamur”, të cilin e emetuam në Akademinë solemne. U jemi mirënjohës edhe të gjithë malësorëve, të cilët pa kurrfarë shpërblimi material, janë angazhuar qoftë fizikisht, qoftë intelektualisht, duke dhënë maksimumin e vet që jubileu të shënohet në mënyrë sa më dinjitoze, kurse mysafirët të priten sa më mirë. Falënderojmë edhe Z. Lekë Gojçaj nga Nju Jorku, i cili Shtëpinë muze “Dedë Gjon Luli” e bëri me truporen e nobëlistes shqiptare, Nënës Tereze. Falënderojmë Televizionin e Kosovës dhe TV 21 nga Prishtina, që profesionalisht dhe gjerësisht e informuan opinionin kosovar mbi shënimin e këtij përvjetori të rëndësishëm, si dhe mjetet e tjera të informimit që i kanë përcjell të gjitha manifestimet e organizuara, në mesin e të cilave edhe Malësia.org. Njëkohësisht kërkojmë ndjesë për pengesat eventuale, siç ndodhi ajo për të cilën shkruajnë drejtuesit e Malësia.org, që bën shumë për informimin e mërgimtarëve mbi ngjarjet në vendlindjen e tyre. Jemi të bindur se ato janë raste të izoluara dhe të rastësishme, sigurisht të shkaktuara edhe nga numri i madh i njerëzve, siç ishte tubimi në Bratilë.
Në veçanti falënderojmë TV Boin, sponsoruesin medial, i cili gjatë gjithë këtyre ditëve, si edhe gjithherë më parë, tërësisht ka qenë në shërbim të shënimit të këtij jubileu.
Është dashtë mund e angazhim i madh që të gjitha këto aktivitete të zhvillohen dhe të jenë në nivelin që e meriton kjo ngjarje me rëndësi të madhe historike për Malësinë dhe kombin shqiptar në përgjithësi. Jemi të vetëdijshëm se asgjë nuk është e përkryer dhe se ka pasur ndonjë lëshim, por po ashtu jemi të bindur se është bërë aq sa ka mundur të bëhet në rrethanat në të cilat kemi vepruar. Këtë e vërteton numri i madh i të pranishmëve në të gjitha manifestimet e zhvilluara. Sidoqoftë, vlerësimin më të mirë do ta japin ata që i kanë ndjekur nga afër tubimet në fjalë.

Me nderime e respekt vëllazëror Për Këshilli organizues
K r y e t a r i
Fran Camaj

No comments: