Nju Jork, SHBA, 13 prill 2011, NOA/Update – Dy të rinj shqiptarë kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor në lagjen e njohur Bronks të Nju Jorkut në Shtetet e Bashkuara.
Klaudio Simoni 21 vjeç dhe Rudi Drekaj 16 vjeç, të cilët ju i shihni në fotot, gjetën vdekjen e menjëhershme pasi automjeti me të cilin ata po udhëtonin u përplas me mbikalimin në një rrugë kryesore në Bronx të Nju Jorkut. Në momentin e përplasjes automjeti po udhëtonte me shpejtësi të madhe.
Përplasja ka qenë tepër e fortë dhe për pasojë është shkatërruar tërësisht automjeti në të cilën udhëtonin tre persona mes tyre dy shqiptarë e rinj të cilët gjetën vdekjen e menjëhershme.
Ngjarja me pasoja tragjike ndodhi dje rreth orës 6:30 pasdite me kohën e Nju Jorkut, kur shoferi i 20-vjeçar u përpoq për të kaluar një kamion të ngarkesave të rënda (traktor) në pjesën Lindore të rrugës Fordham Road afër Southern Bulevard, aty ku ndodhet edhe zyra e Vatrës në Bronks.
Kjo bëri që shoferit të autoveturës duke tentuar të manovrojë për të mos goditur kamionin t’i dalë automjeti jashtë kontrollit duke u përplasur në mbikalimin e rrugës.
Shoferi i automjetit ishte një 20-vjeçar, i cili është në gjendje kritike për jetën në reaminacion.
Raporti i parë i policisë thekson se “nuk ishte e qartë nëse ndonjë prej viktimave ishin të lidhur me rripin e sigurimit të tyre”.
Gjithashtu policia amerikane nuk ka të qartë edhe shkaqet që çuan në këtë aksident me pasoja tragjike.
e.t/NOA
No comments:
Post a Comment