Thursday, April 14, 2011

Sulejman Krasniqi, Eshte gjallë Balzaku shqiptar

Admirina Peçi

Eshtë e sikletshme të shkosh në shtëpinë e një shkrimtari, për ta intervistuar, ndërkohë, që ti, deri dje as e dije që jetonte. Në heshtjen e të gjithëve, në dënimin e tij, të padrejtë, mizor... kisha qenë e përfshirë deri atë ditë kur mora guximin të shkoj ta takoj. Isha e përfshirë në këtë dënim kolektiv, sepse kurrë, asnjëherë këto vite nuk e kisha shkruajtur emrin e tij diku në gazetë. Që nga koha e shkollës, vetëm titujt e librave të tij më kishim mbetur në mend. Jetonte? Ku jetonte? A shkruante? Ç'jetë bënte....? S'dija asgjë nga këto...
Ishte mëngjes herët. Ora 8:00. Orar i papërshtatshëm për të takuar këdo. Të paktën kështu mendoja dersa shkela në shtëpinë e tij.
Në rrugën e ngushtë që të shpie për në banesën e Sulejman Krasniqit, ndihen shenjat e para të pranverës. Pemët e pakta kanë shpërthyer gjethet. Dielli mbush me ndriçim rrugën, shtëpitë e dyqanet. Prej sa vitesh nuk shkel ai burrë në këtë rrugë?
"Është mbyllur në shtëpi prej vitesh"- me thotë mësuesja ime e dikurshme Eli. Ajo është e gjallë dhe e shpejtë si një fllad. Më flet pareshtur për të, si për të më dhënë lëndën e duhur, ngacmimin... Ajo më prin drejt shtëpisë së shkrimtarit, të cilin e njeh që nga rinia e hershme, familjarisht, e ndërkohë më ka rrëfyer në vija të trasha thuajse gjithë jetën e tij. Ajo kujton fjalët e Dritëroit, i cili ka thënë se "Sulejman Krasniqi është Balzaku ynë", kjo për shkak të librave të shumtë që shkruante e botonte çdo vit. Pastaj më tregon për vendet ku e degdisën në vitet menjëherë pas arratisë nga Kosova për në Shqipëri, për vrullin e rinisë së tij....ëndrrat për lirinë e Kosovës...
Ja tek jemi para derës së shtëpisë së tij. Kemi mbërritur si pa e kuptuar. Menjëherë pas trokitjes shfaqet Mira, me portretin e paqtë e lëvizjet e zhdërvjellëta, si të mos ishte ajo gruaja që kish ecur krah më krah me hallet dhe bregat e shkrimtarit. Ajo na fton brenda dhe tek hyj, vështrimi më mbetet në derën gjysmë të hapur në fund të korridorit. Pas pak minutash do të shkojmë aty. Po na pret Sulejman Krasniqi, i dënuar për së gjalli të mos lëvizë, në kolltukun e modifikuar posaçërisht për të, me televizorin përballë dhe telekomandën që nuk e lëshon nga dora.
"Ëhstë pak emotiv", përpiqet të më paralajmërojë Mira. Dhe unë e kuptoj plotësisht këtë fjalë, kur ai nxjerr kokën në hapësirën e derës gjysmë të mbyllur, tek na sheh që i drejtojmë hapat, për aty dhe sytë i shkëlqejnë si të jetë duke përjetuar një ngjarje të madhe. Vijat e portretit tërhiqen butazi dhe ai na shfaq një copëz lumturi në këtë mëngjes marsi. Pastaj përmallet befas dhe dy lot të mëdhenjë i rrëshqasin poshtë faqeve. Mandej buzëqesh lehtë dhe nisi e pyet. Fillimisht për emrin tim...për vendlindjen time, ku ai kishte jetuar pak kohë madje edhe kishte parashtruar një prej romaneve të tij...Pasi ka shkruar diçka si dedikim më drejton një libër dhe më thotë: "Ky është libri im më ri. Nuk është libri i fundit. Kam shumë vepra në dorëshkrim që nuk më janë botuar...."
E marr librin dhe e shfletoj. E ka titulluar "Jetëshkrim. Roman autobiografik. Ndërkohë ai e ngul vështrimin diku dhe nuk flet.
"Pra e gjithë jeta juaj është këtu", i them...."Po, jeta ime...". E thotë më një keqardhje që të ngjeth mishtë, si një britmë. Duket sikur kërkon shpagim.
Lexoj pak fragmente..."U linda në fshatin e lashtë të Kosovës, në Hoçë të vogël, më 7 dhjetor 1937. Hoça e vogël është e vendosur në luginën plot gjelbërim, midis shpatinave që lartohen ëmbël-ëmbël dhe kundërmojnë nga aroma e mushtit të rrushit..."
"Sapo isha lindur, kishin therur një dash galan (të zi) në vendin e lindjes, me lëkurën e dashit galan kishin mbështjellë këmishën e nënës lehonë. Burri më i fuqishëm i fshatit që ishte babai im, i cili e kishte ndalur gurin e mullirit gjatë rrotullimit vetëm me forcën e krahut , vetë e kishte hedhur lëkurën përtej çatisë, pastaj e kishin varrosur në kopsht. Kuptimin e atij riti e mësova kur u bëra i vetëdijshëm. Groposej mortja noprane, e cila kishte rrëmbyer pamëshirshëm paraardhësit e mi. Mua kërthiun, pa ma prerë kërthizën ma lidhin atë dhe më dorëzojnë në duart e një arixhofke të lagjes së arixhinjve. Bukuroshen ezmere e quanin Hanë. Ajo, edhe pse e re, kishte pesë fëmijë, njërin ende e mbante në gji. Arixhofka më mbështjell mirë dhe niset për në vendin ku kryqëzoheshin rrugët. Sipas adetit, duhet të priste udhëtarin e parë në udhëkryq. Ai duhej të ishte i panjohur, duhej të më priste kërthizën dhe të bëhej kumbari im.
Ndërsa arixhofka e kolme ma kishte futur sisën e madhe në gojë dhe unë e paskësha thithur me ëndje marramendëse, atypari paska kaluar një xhandar me origjinë shqiptare nga Shkupi. Arixhofka, ani se skllave e zakoneve, ngurron t'ia lërë në dorë xhandarit. Vetëm kur mëson se xhandari ishte shqiptar nga Shkupi ia jep lulakun dhe gërshërët e posaçme për prerjen e kërthizës.
Në udhëkryq më pritet kërthiza. Pata kumbar xhandarin. Thitha qumështin e parë në gjirin e arixhofkës. Si do të rridhte e ardhmja ime?!..."
***
Fëmijëria e tij ishte e gëzuar. Plot ngjyra. Plot llastime në familjen ku pas pritjesh të gjata kishte mbërritur ai trashëgimtari i Islam Krasniqit. Rrëfimet e tij në librin autobiografik janë mbresëlënëse sa i takon kësaj periudhe. Mbresa të jashtëzakonshme. Përjetime të veçanta, këndvështrim i rrallë për botën dhe njerëzit që kishte përreth. E megjithatë, shumë shpejt ai do të mësonte se jetonte në një vend ku kishte pushtues, ku shkau, bënte kërdi e Kosova ishte e ndarë dhunisht prej trungut amë e vuante për liri. Përjetoi vdekjen e dyshimtë të të atit, i cili pas një arratie në mal ishte kthyer një mesnatë vjedhurazi, ndërsa milicia serbe prej netësh e netësh të tëra kish bërë roje në oborrin e shtëpisë së tyre.
Sulejman Krasniqi kujton:"Babait i dhimbsej familja të cilën po e torturonin. Një mesnatë përvidhet, hyn tinëzisht në odën e burrave. I kishte varur armët. Të nesërmen e gjetëm të vdekur... Vdekja e babait, në mënyrë të mistershme shumëfishoi urrejtjen kundër sundimtarëve të Beogradit..."
Më këtë frymë, dhe falë karakterit të tij shpërthyes, Sulejman Krasniqi do të përballej shpejt me dënimet. Që kur ishte në shkollën e mesme vuan burgun për plot 14 muaj. Akuza ishte e rëndë: për ndarjen e Kosovës nga Serbia dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. E torturonin barbarisht deri sa e linin pa ndjenja e me plagë të mëdha. Një letër që e kish fshehur në astarin e xhaketës zbuloi pas shumë torturash e kërcënimesh qëllimin e fshehtë të Sulejman Krasniqit, planin që kishte ai me shokët e tij për të përmbysur pushtetin e për të bashkuar Kosovën me Shqipërinë. Ç'plan heroik për një grup gjimnazistësh!
Ndërkohë kishte nisur të shkruante e të botonte që në klasën e 4 në gazetën "Pioneri" në Prishtinë. Në gjimnazin e Prizrenit botoi përrallën "Pallati prej Dukati" me 1500 vargje. Kritika letrare e ka cilësuar si shkrimtar të faktit.
***
"Si u arratisët nga Kosova? A nuk survejoheshit pas asaj ndodhie?, - e pyes ndërsa kam lexuar diçka në faqet e librit të tij. Ai emocionohet sërish dhe kujton kohën e gjatë që iu desh për të realizuar planin që kishte në kokë. Në kohën e shërbimit ushtarak bëri një proçkë, detyroi t'i firmosnin një dokument, që përmirësonte çdo hije të biografisë së tij. Kësisoj i kthyer në Prizren, me idenë fikse për arrati, e mbërriti momentin e shumëdëshiruar. "...nga stanet u nisa në orën dhjetë të ditës, kurrkund nuk po arrija te vija e kufirit. Duke u zvarritur, ndesha në një kaçubë shkurresh, që zgjatej nga lart poshtë. T'i dilja poshtë kaçubës, druhesha mos më shikonte kufitari jugosllav. Shtriva duart e hapa kaçubën. Sa hova matanë u ndesha në një trung lisi të përgjysmuar, të tharë. Nga shirat kishte marrë ngjyrën e uniformave të kufitarëve jugosllavë. Brofa, iu turra drurit të kalbëzuar, duke ia ngulur thikën. Kur u kthjellova, vura re se kisha jetuar një lloj halucinacioni. Isha shkarkuar nga çdo energji trupore. Nuk më mbanin këmbët. Mbeta gërmuq. I fërkoja kofshët, u lutesha me pëshpërima të mos më tradhtonin ën ato çaste dramatike. Duke fërkuar pulpat dhe gjunjët u ushqyen venat me gjak, i cili kishte marrë arratinë nga streset shkundulluese. U ngrita pupçik, pa u besuar plotësisht këmbëve të mia. I lëviza me drojë. Vura re se më bindeshin. U çapita! Sytë më nxorën lot gëzimi. Eca edhe pak. Vërejta se mbi kokën time ndeheshin dy tela. Telefonia e kufirit! Mbajta gjoksin me duar, mu bë sikur zemra do të më dilte nga kafazi i kraharorit. E shtrëngova hanxharin, të cilin e konsideroja mjetin e vetëm mbrojtës. Rashë barkas. U zvarrita. Ja vija e kufirit! Dyqind metra pyll i prerë. Brofa në këmbë. Vrapova. Nuk e kishin pastruar vijën e kufirit nga shkurret e prera. Ngarenda sa më hanin këmbët mbi shkarpat e thata. Mu përftua një mendim i trishto: "Tashti kur të pëlcasë ndonjë minë dhe t'i shikoj copat e trupit të shkërmoqur të fluturojnë në ajër!..." Mendja e njeriut, punë e madhe! Si do t'i shikoja copat e trupit, kur unë do të isha i vdekur?! Duke vrapuar vetëtimthi gjendsha në një lirishtë të virgjër me bar e lule të lloj-llojshme me ngjyra të ndezura! Në kokë më kalëronin vargjet e "bagëti e bujqësi" të Naim Frashërit.
Dy kufitarë shqiptarë: "Ndal!"...
Ishte data 3 qershor 1958, ora 17.30. Sulejman Krasniqi ndodhej në atdheun e shumënderuar, në Shqipërinë nënë. Por ende nuk e dinte se çfarë e priste. Si ishte në të vërtetë Shqipëria? Sa larg ishte realiteti i saj nga ëndrrat vezulluese që ai mbante në kokën e tij?. Sinjalet e para të kësaj largësie i kuptoi në seancën e gjatë të pyetjeve në degën e punëve të brendshme të Kukësit.
Ata e pyetën: "Ç'mendim kanë kosovarët për Shqipërinë?
Ai ishte përgjigjur: Kosovarët e duan Shqipërinë pa masë, ta kishin dashur aq Kosovën, ndryshe do t'i kishim punët! Veçse kosovarët nuk e honepsin Stalinin, që e doni ju shumë...
Ai kishte parë trembjen lebetitëse të oficerëve të degës së brendshme dhe kish kuptuar se nuk duheshin gërvishtur tabutë.
"Synimi im ishte të të lidhesha me Tiranënë, të armatosesha, të kthehesha të luftoja për clirimin e Kosovës..."
Më vonë, në 13 ditët që kaloi në burgun e Tiranës, rrëfeu ën hetuesi gjithë jetën dhe planet e tij. "Kisha zbrazur gjithçka, që nga lindja e deri ën çastin që flisja thua se hetuesia ishte strumbullari nga varej çlirimi i Kosovës".
Më vonë e çuan në vendqëndrimin e emigrantëve jugosllavë në Llakatund të Vlorës, e mandej në kampin e Semanit. Së fundmi në fashatin "Shtyllas" të Levanit në Fier. Punonte shumë dhe për herë të parë e krahasoi veten me protagonistin e novelës "Fati i njeriut" të Shollohovit.
Në këtë kalvar internimesh sa në një kamp në tjetrin, ky stacionim në Levan kishte diçka për të shënuar.
"Më degdisën në Shtyllas të Levanit, rrethi i Fierit. Atje gjeta Drita Kosturin, të fejuarën e Qemal Stafës, Osman Kazazin, ish-sekretarin e Ballit Kombëtar, familjen dhe farefisin e gjeneral Dali Ndreut, bashkë me vajzën e tij dhe të Liri Gegës. Të gjithë vuanin dënimin me internim pa gjyq, si të pakënaqurit e regjimit. Më gushte mjedisi. Dikur i burgosur në kampin e Semanit, tani i internuar me të dënuarit ideologjik vendas..."
Kishte refuzuar të studionte në Shqipëri, për shkak se planet e tij nuk ishin të gjata. Ai nuk mendonte kurrë se do të kalonin dekada deri në kthimin e tij në Kosovë. Duke refuzuar studimet, do ta gjente veten shpesh ngushtë, pa para, pa banesë, e në punë të rëndomta. Për të shpëtuar nga internimi ai bën një dredhi që thotë se ia mësoi "Osman Kazazi pas gjyqit të grupit të Teme Sejkos në Tiranë, armiqësia e të cilit krahasohej me kundërrevolucionin në Hungari, në akuzën e prokurorit Arianit çela që e botoi të plotë Zëri i Popullit ishte zbardhur edhe deklarata e tij mbi ndërhyrjen e jugosllavëve në Hungari. Kësisoj sipas këshillës së Kazazit ai preu më gërshërë rubrikat e gazetës ku pasqyrohej deklarata e tij dhe ia dërgoi Enver Hoxhës, bashkë me një pusullë ku shkruante: "Denoncova ndërhyrjen jugosllave në Hungari. Familja ime në Kosovë kushedi çdo pësojë nga një deklaratë e tillë! Kurse organet e sigurimit këtu më përplasin nga një kamp internimi në një tjetër".
Pasi zgjodhi Beratin për të jetuar, nuk kaluan shumë kohë dhe ndërmerr një tjetër aventurë. Vendosë të shkojë të ankohet drejtpërdrejt në zyrën e Enver Hoxhës, ku tha:
"Dua shtetësinë shqiptare. Fle në hotel, nuk ma qet. Më thonë të shkoj në kapanonin e emigrantëve. Mund të fle në rrugë, atje nuk shkoj. Dua banesë më vete jam penduar që kam refuzuar studimet. Kisha ardhur për luftë. Meqë ajo nuk bëhet, dua ta trajtoj me penë luftën për Kosovën. Tashti kërkoj të drejtë studimi me të drejtë burse..."
Nga kjo ditë jeta e Sulejman Krasniqit ndërron. Shumë shpejt, mori shtetësinë shqiptare, të gjithë kërkesat e tij u realizuan si me magji. Studimet dhe letërsia morën befas gjithë energjitë dhe angazhimin e tij. Një ditë e njoftojnë që kish mbërritur në Shqipëri nëna e tij. Ishte një lehtësim i madh për të. Ditët shkonin shpejt. Paradite në leksione pasdite studim në Bibliotekën Kombëtare, në Arkivin Qendror, në Arkivin e Kulturës Popullore, në arkivin e Institutit të Historisë dhe të Arkeologjisë. "Vetëm të dielën ia kushtoja krijimtarisë dhe shfletimit të leksioneve", - kujton ai.
Pas diplomimit emërohet mësues në rrethin e Matit në shkollën 12 vjeçare të Klos-Qendrës. Ajo ishte një periudhë e rëndësishme e krijimtarisë së tij, pasi atje filloi të punonte romanin e tij të parë.
"Ditën jepja mësim, natën shkruaja romanin, konturet e të cilit i kisha skicuar qysh në vitin e katërt të studimeve në universitetin e Tiranës. Por duket ngaqë e kisha për herë të parë apo pse ishin ngjarje makabre, dridhesha si epileptik derisa përfundoja kapitullin. Mbarështoja gjenocidin serb në Kosovë më 1944-1945 dhe kasaphanën e Tivarit, ku u masakruan me mijëra të rinjë shqiptarë kosovarë. Romanit i vura titullin "Njeriu dy herë i pushkatuar". Ngjarjet ishin faktike, natyrisht veshja artistike nuk mungonte...Romanin e dorëzova në të vetmet shtëpi botuese të atëhershme "Naim Frashri" në Tiranë. Në fillim bëri bujë, pastaj ju refuzua botimi...".
Pas shumë përpjekjesh për të marrë vesh arsyen e mosbotimit, më në fund i thanë: "Romani është i arrirë nga ana artistike. Por është i barabartë me një aktakuzë të rëndë kundër regjimit të Beogradit. Cënon koniukturën. Kemi drojë se botimi i e këtij romani në Tiranë do të përdoret nga serbët si pretekst për të ndërmarrë ndonjë fushatë terrori mbi shqiptarët e Kosovës. Do t'i vijë koha edhe këtij romani. Tash për tash mos e lër të të topitet pena. Stili yt na pëlqen. Merru me ndonjë temë tjetër! Kjo ishte porosia e Shokut Ramiz".
Ndërkohë ishte martuar, dhe karakteri i tij shpërthyes sërish i ngrinte kurthe. Në formë dënimi e dërgonin të punonte në fshatrat e Tiranës. Por këto nuk ishin pengesë për krijimtarinë e tij të cilën e kishte nisur vrullshëm. Pas romanit që iu mohua botimi shkroi novelën "Tri motra tri histori" të cilës i kishe bashkuar dhe një tufë tregime dhe i kishte dërguar si një vëllim për botim në shtëpinë botuese "Naim Frashri". Botimi po vononte, ndërkohë ai shkruan një roman tjetër "Në shpellën e banditëve". Edhe kjo vepër u pranua nga shtëpia botuese, madje me entuziazëm të veçantë. Por meqë botimi po vononte ai vendos befas të shkruajë një roman për minatorët. "isha i pirur ndaj heroizmave", shkruan Sulejman Krasniqi në librin e tij autobiografik, ndërsa rrëfen se vendosi befas ti... ...shkruajë Enver Hoxhës se donte të shkonte të punonte në minierë vullnetarisht. Kjo do ti shërbente si lëndë për librin që kishte në mendje. Ishte bërë baba që prej dy vitesh. Vajza e vogël Albana kishte filluar të capitej. Lutjet e bashkëshortet e të nënës për të mos shkuar në minierë, të frikësuara nga aksidente te shumta nuk e zmbrapsën. Tetë muaj punova në minierën e Mëzezit. Minatorët më përcollën në mënyrë madhështore", kujton ai. Pas kësaj e emërojnë mësues në shkollën e mesme poligrafike. E quan fat të madh. "Po mësoja pikërisht ato vajza të cilat do të shtypnin e do të nxirrnin në dritë veprat e mia", - shkruan ai, ndërsa kujton se në atë periudhë doli nga shtypi novela e tij "Tri motra, tri histori". Sulejman Krasniqi, e kujton vitin 1973 si një vit fatlum. Atë vit i lind djali Sokoli dhe lumturia e tij dhe nënës kosovare nuk kishte kufi. Por po atë vit, doli nga shtypi edhe romani "Në shpellën e banditëve", i cili shënoi shitje rekord brenda fare pak ditësh.
Rruga e krijimtarisë së tij ishte shtruar bindshëm, dhe tashmë vit pas viti do të vinin me radhë një sërë librash të rëndësishëm të tij. Në vitin 1974 shkroi dhe botoi romanin "Qielli i përflakur", ku trajtonte ngjarjet e lidhjes së Prizrenit. Ndërkohë kishte përfunduar romanin mbi përvojën e tij në minierë "Beteja e nëndheshme", por siç kujton ai nuk e çoi për botim. "Më printe mbrothësia në temën historike, secila më krijonte mundësi për t'iu përvjedhur censurës dhe konjukturave që atë kohë gëlltitnin male, siç më penguan të botoj veprën e parë për masakrën e Tivarit". Kësisoj fillon e mbledh fakte për Shotë Galicën dhe shkruan romanin "Prijësja e komitëve", roman i cili kaloi disa peripeci përpara se të botohej, i dorëzuar për çmimin letrar kombëtar, romani ishte përjashtuar nga konkurrimi dhe rrezik nuk botohej nëse Ramiz Alia do të shprehej me superlativa për të, duke thënë se ai roman meritonte çmimin e parë. Pas kësaj "Prijësja e komitëve” del nga shtypi në vitin 1975. në fund të po atij viti dërgon në shtëpinë botuese romanin tjetër "Beteja të nëndheshme". Ndërkohë një lloj smire kish nisur të gëlonte në radhët e shkrimtarëve. Por krejt e hapur dhe e dukshme do të ishte kjo gjendje pasi ai botoi romanin madhështor për Mic Sokolin.
Për botimet e shpeshta e të shumta më pollën avazet fill pasi botova"Mic Sokolin" dhe u afirmova. Nga redaksia e romanit m'u tha "Kemi bërë një farë tradhtie ndaj vendit kur të hapëm shteg për afirmim. Harruam që do të vinte çasti kur nuk mund ta pengonte askush ecjen tënde përpara"! Kjo ishte pendesa më mu tha haptas. Së dyti, egoizmi i krijuesve dembelë ose i mediokërve ishte nj anë tjetër e vështrimit me sy të keq të botimit të krijimeve të mia.. ma tha troç shkrimtari i afirmuar Agim Cerga" Sistemoje kohën. Mos boto aq dendur se të marrin inat kot së koti krijuesit e rangjeve të ndryshme, mbasi njeriu ka lindur binjak me egon!"....
Jeta e tij ishte e plotë. I angazhuar dhe me shpirt të vrarë sa herë dëgjonte lajme për tmerret që bënte Millosheviçi në Kosovë, nga '91 deri në 94, ai vetëm mblidhte lajme e njoftime për ç'ka ndodhte atje. Por viti 1994 do të ishte një vit jo thjeshtë i mbrapshtë për të. Ai do të ishte një vit mizor, do ia priste vrullin e jetës në mes. Fillimi i shtatorit kishte shënuar shumë lajme të hidhura për Kosovën. "Streset ma çrregulluan edhe gjumin. Mëngjesi i 10 shtatorit 1994 më gjeti gjysmë të paralizuar. Nuk mund të artikuloja as edhe një tingull. Krahun dhe këmbën e majtë nuk mund t'i lëvizja. Sikur të më ishin kthyer në një copë druri...prej 10 shtatorit 1994 (mallkuar qoftë ajo ditë) e kam ndjerë plakjen e menjëhershme sa për dhjetë mote.. pleqëria para kohe qenkësh çasti më i pështirë, më i neveritshëm dhe më shpirtkazmi. Më e keqja është se unë, ngaqë kam qenë tërë gjallëri, i fuqishëm si div, nuk dua ta pranoj, me mendje jam ai i pari si kurdoherë....Por nuk jam më ai Sulejmani i mëparshëm. Prej asaj dite të kobshme, pleqëria ngutet rrufeshëm të më dërrmojë më bëhet se gjatë një dite plakem sa për një vit. Të mos ishte kujdesi i gruas, ndoshta do të ishte harruar dita kur do t'i kisha shkuar botës tjetër, nëse ekziston...."
***
Sërish në shtëpinë e tij, në Tiranë. Mars 2011. Librin e shfletuar vende-vende e kam në duar. Sulejman Krasniqi, gjendet përballë meje dhe flet ngadalë me zërin e ulët si pëshpërimë. Ky libër është jeta ime. "Aty gjenden edhe ditarët për ditët e tmerrshme të luftës në Kosovë, aty gjenden dhe kujtimet për kthimin tim, 41 vite pas arratisjes atje në kufi..."
Vërtet sa vite kanë kaluar në këtë vrap marramendës drejt plakjes që ai përshkruan kaq dhimbshëm? Thuajse 17 vjet. Dhe shkruan çdo ditë, punon e ripunon vepra që ka pasur në dorëshkrim, dhe shkruan vepra të reja", thotë Mira bashkëshortja e Sulejman Krasniqit. Ai e ndjek me vëmendje tek flet, gruan e tij dhe miraton me kokë. Ky është heroizmi tjetër i këtij burri. Të shfrytëzojë çdo ditë, çdo orë, për një qëllim të lartë, atë qëllim që kishte që kur ishte fëmijë dhe e gjeti, atë mëngjes, babanë e vrarë në rrethana të mistershme në shtëpinë e tyre në Hoçë të Vogël. Jeta pa qëllime është e kotë duket sikur thotë ai me kokën që e tund lehtë si miratim.
Vendosim të ngrihemi e ta lëmë aty, shkrimtarin, Balzakun tonë, siç e ka cilësuar Dritëroi, por na vjen keq. Ai, me mjekrën që i dridhet dhe sytë e përlotur sikur na lutet të qëndrojmë dhe pak.
Do të vijmë sërish një ditë tjetër", i themi. Ai dëshiron ta besojë. Vizaton me mund një buzëqeshje në portretin e tij të trishtë, dhe ndërsa nuk i fsheh dot lotët na përshëndet me dorë, derisa ne dalim jashtë. Nxjerr kokën në hapësirën e derës gjysmë të hapur dhe sërish na përshëndet me dorë. Është e një çast kaq i trishtë. Ai ka nevojë për njerëz, për kujtime...harresa duket e vret më shumë se gjithçka.

-----------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Erdhi dita e madhe e jetës time. Në mbrëmjen e 3 korrikut 1999, ditën e shtunë, do të nisej një autobus nga Tirana për në Pejë. Do të mbartte mërgimtarë kosovarë. Në orën 17 hipëm në autobus: unë Albana, dy djemtë Sokoli dhe Derandi. Fatmirën e lamë në Tiranë të kujdesej për mbesën e vogël Jona Malaj. Autobusi u nis nga Tirana të shtunën, më 3 korrik 1999, në orën 22 të mbrëmjes. Pra, mbas 41 vjetësh e një muaji kthehesha në vendlindjen time për herë të parë. Më dukej i pabesueshëm dhe i hatashëm ai udhëtim. Kisha përshtypjen se koha zgjatej, zgjatej pa mbarim. Sikur nuk do të mbaronte kurrë!
Gjatë atij udhëtimi të hatashëm më ra në sy nj djalosh nga rrethinat e Pejës. Qëndronte i ngrysur. Sikur nuk kthehej në vendlindje, por sikur e shpinin në burg. Nuk fliste me njeri. Iu afrova, desha t'i jepja muhabet.. nëna e tij ma bëri me shenjë të mos përpiqesha kot. Dikur më veçoi, pëshpëriti përvajshëm:
Është djali im. Nuk flet. Nuk ha prej asaj dite që i ndodhi mynxyra!...
-Ç'mynxyrë? - e pyeta unë.
- E kanë përdhunuar një duzinë paramilitarësh serbë....-pëshpëriti e ëma.
-Si ka mundësi ?! - shpreha habinë unë. - Ky është mashkull!
- Paramilitarët serbë ngjajnë me thijtë (derrat), tha e ëma.
E quajta fatkeqësi të pangushëllueshme. Më erdhi shumë, shumë keq.
Vazhduam rrugëtimin. Më bëhej se autobusi lëvizte me shpejtësinë e breshkës. Shoferi ishte shef i një ofiçine. Meqë rruga Tiranë-Kosovë paguhej 2000 marka gjermane nga KFOR-i, e kishte marrë vetë timonin. Rruga ishte tërë gropa. Të ngjiteshin zorrët te gryka nga llokoçitja. Nga mesnata shoferit i rëndonin qerpikët.. fati ynë që të dy djemtë e mi kishin patentë shoferi. Të dy ishin aftësuar ta ngisnin edhe autobusin, ndryshe do të përfundonim në ndonjë humnerë. Dremitnin burrat, u kotën fëmijët. Vetëm gratë, të dhembshurat nëna, kujdeseshin për fëmijët dhe burrat. Nj vajzë e re 14-15 vjeç, filloi të këndonte nën hundë:
"Vend i dashur, ku unë leva,
sa me zjarr e mall t’kujtoj,
kurrë si sot dashni nuk ndjeva!
Shumë për ty, Kosovë, lotoj...
Mua filluan të më rridhnin lotët. Sa herë mërzitesha në mërgimin pafund, këndoja atë këngë. Përpara 1994-ës, kur më goditi paraliza, isha i fortë. Madje në romanet e mi, dy gjëra i kanë pasur të ndaluara krijesat e mia, duhanin dhe lotët.
Vocërrakja, tek dëgjoi të dënesurat e mia, pushoi së kënduari. Unë vazhdova strofën tjetër fare padashka.
Këndoja dhe qaja:
"Ku kalova un fëminia?
Malli fare po më grin!
Zemrën ma djeg dashuria!
Kur do të shoh o vendi im?
Ngaqë po këndoja me zë të dridhur, shoqëruar nga lotët, shpërthyen në vaj e të dënesura të gjitha gratë në autobus. Dy-tri mësuese pejane kishin marrë vesh cili isha. Njëra kishte lexuar disa nga veprat e mia, mu avitën të tria. Me fjalë të ëmbla përpiqeshin të më qetësonin. Por ç'e do edhe ato qanin me mua. Unë i kuptoja fort mirë ato teksa po ktheheshin në vendin nga i kishin dëbuar duke i kërcënuar me vdekje.
Pa zbardhur mëngjesi i 4 korrikut 1999, gjendeshim në lakadredhat, tutje Shënmërisë, kur u dëgjua një zë fëmije nga fundi i autobusit. Ai pyeti:
-Nanë, pse po qajnë prapë, hala ka shkie në Kosovë?!
- Jo biri i nanës, jo, -e qetësoi e ëma, - shkijet i ka vrarë UÇk-ja, i ka bombarduar NATO-ja.
- Nanë, - këtë herë pyeste një vajzë pak më e rritur, - meqë UÇK-ja i paska shfarosur shkijet, a do të dalin të na presin motrat, Kosovarja dhe Atdhetarja?
- Shuj, moj bijë! Mos m'i gërvisht plagët! Si dalkan me na prit të mbyturat?! - i tha e ëma me zë të zvargur e të lëngshëm.
-Pasha bukën, moj nanë, je rrokat! As Kosovarja, as Atdhetarja nuk vdiqën. Ato i mbuluan të gjalla në dhe! Kosova, siç po thuhet, u çlirua. Motrat duhet të ngrihen e të dalin me na prit...
U dëgjuan të dënesurat e nënës së vajzës që e quanin Marë. Një burrë qante me zë. Një mësuese që e kisha pranë pëshpëriti:
- Burrit që po qan me logori tërë familjen ia kanë hedhur në bunarë paramilitarët serbë! Nuk janë nginjur me aq, ia kanë vrarë edhe delet, dhitë, qentë dhe i kanë vërvitur në bunarë, mbi njerëzit....
"Duro, zemër! -i dhashë gajret vetvetes."
Autobusi po i afrohej Morinit, pikës kufitare me Kosovën. Mu aty tre-katër kilometra më lart, në bjeshkën e Pikëllimës, përpara 41 vjetësh e një muaji isha arratisur me shpirt ndër dhëmbë, nga droja mos shkelja në ndonjë minë apo mos më shponte ndonjë plumb i kufitarit jugosllav. Tashti në kufi ruanin ushtarët gjermanë dhe ata të UÇK-së. Emocione trullosëse! As kërkonin vizë, as pasaporta. Mbas një shekulli banorët e të njëjtit komb, të të njëjtit truall, nuk ndaheshin më me kufi midis tyre.
Shkalla më e lartë e gëzimit quhet ngazëllim dhe hare. Megjithatë as këto dy sinonime së bashku nuk i përgjigjeshin gjendjes time të ekzaltuar shpirtërore.
Porsa kaluam kufirin e dikurshëm, të dhunshmin, kufirin kopil. Nuk i mbajta dot lotët. E përsëris, brenda një dite më bëhej se plakesha për një vit. Duhej të pickoja veten të bindesha se isha gjallë. Vetëm përvëlimi i lotëve më kujtonte se udhëtoja midis të gjallëve.
Zaten, në udhëtimet fantastike që pata bërë për çdo natë përgjatë dyzet e nj moteve isha vrarë dhe isha ngjallur mijëra herë. Tek më rridhnin lotët çurg, Albana ime më qëndronte mbi kokë me kutinë e adelatëve në duar. Kurse dy djemtë, Sokoli dhe Derandi, njëri me gotën, tjetri me termosin me kamomil, qëndronin anash dy krahëve të mi.
Ishte mëngjes i ndritshëm. Mëngjes llamburitës. Nuk besoj të jetoj një tjetër mëngjes me dritë të gufuar e të vezullueshme si ai. Më vështronin tinëz mërgimtarët, bashkudhëtarët e mi në autobus. Mendova me vete: Do të pyesin: "Ku shkon ky plak gjysmë i gjallë?!"....

No comments: