( Replikë ndaj shkrimit të Gjekë Çelës, botuar me 2 Prill 2011 në “Gazeten Shqiptare” )
Më në fund Gjeka u bë “burrë”. Me të vërtetë më ka ardhur mirë që ai më në fund tregoi dëshpërimin dhe urrejtjen e tij pakufi ndaj personit tim dhe familjes time. Pra, i personalizoi çështjet që duhej të ishin çështje të drejtësisë. Realisht, prej kohësh kam pritur që ai të bjerë në këtë “grackë”. Gjithnjë e kam ditur se sigurimsat kriminelë sado profesionistë dhe të zgjuar të duken, ata do ta padisin veten një ditë.
Nuk e kam shkruar më parë dhe nuk e kam thënë as në gjyq, që të mos i personalizoja gjërat, por tani ka ardhur momenti të thuhet gjithçka edhe pse mund të tingëllojë si një çështje personale.
Para se Gjekë Çela, të dilte (bashkë me të tjerë) në bankën e të akuzuarve per masakrën e 2 Prillit 1991, unë dhashë një intervistë në TVSh ku akuzova Gjekën, jo vetëm për ngjarjen e 2 Prillit, por edhe të 13 Dhjetorit 1990. Gjeka dërgoi përfaqësuesin e tij tek shtëpia ime. Ai kërkoi që unë të mos deponoja në gjyq kundër Gjekës, por edhe nëse dëshmoja të mos e përmendja 13 Dhjetorin. Ai më tregoi Kanunin e Lekë Dukagjinit, pra më kërcënoi. I dërguari i Gjekës, tha se dhe unë isha malësor ashtu si Gjeka, dhe se madje ishim dhe prej një vendi… Unë iu përgjigja: “Kam lindur në Shkodër, por e di dhe e respektoj prejardhjen time. Sa për kanunin e Lekë Dukagjinit, e njeh shumë-shumë mirë familja ime… Unë nuk bëj pazare me gjakun e shokëve të mi. Familja ime nuk ka prerë askënd në besë, dhe sonte që ti erdhe tek unë të futa në shtëpi dhe do të dalësh pa të prekur kush një qime floku, dhe nëse vjen për të më treguar Kanunin e Maleve, unë do të të mësoj se çfarë thotë ai Kanun”.
Në këtë ngjarje kanë qenë prezentë ish gruaja ime dhe roja personale. Të indinjuar edhe ata, më kritikuan se pse nuk ia dorëzova policisë të dërguarin e Gjekës, apo pse nuk i dhashë një “mësim të mirë”. U spjegova me qetësi se unë e shihja çështjen e 2 Prillit, parimisht, si një çështje të drejtësisë dhe jo si çështje personale. Rrethanat me të cilat jam përballur me Gjekën janë ato të dy demostratave antikomuniste dhe ai duhet të japë llogari para drejtësisë.
Në gjyq kam deponuar për rreth një orë e gjysëm. Gjeka nuk e ka çuar kokën asnjë herë të më shikojë në sy, dhe jo të më thotë ndonjë nga këto “xhevahiret e sotme”. I vetmi i akuzuar që më ka drejtuar pyetje në atë gjyq ka qenë Dilaver Papare, i cili më kërkoi të dëshmoja mbi marrëdhëniet zyrtare të tij me degën e Partisë Demokratike të Shkodrës, si dhe për ballafaqimet e tij me mua si aktivist antikomunist. Jam treguar i sinqertë në dëshminë time dhe kam thëne të vërtetën rreth kësaj pyetjeje. Kam thënë se marrëdhëniet zyrtare të Dilaver Papares me PD kanë qenë të shumtën e herës korrekte, sidomos në ndalimin e një atentati të kurdisur kundër Arbnorit. Gjithashtu kam spjeguar qëndrimin e tij korrekt gjatë procedurave hetimore natën e 13 Dhjetorit 1990, natë kur unë dhe shumë pjesëmarrës dhe organizatorë të tjerë u arrestuam, me qëllimin e vetëm që në Shkodër të ushtrohej një terror psikologjik dhe opozita e sapoformuar të mbetej pa nismëtare dhe mbështje. Atë natë, Dilaveri, kundra gjithë të tjerëve propozoi lirimin tim. Unë e përmenda këtë fakt me këto fjalë: “Me 13 Dhjetor, kur të tjerët kërkuan të më varrosnin, ti më zhvarrose!”. I kam thënë këto fjale duke shikuar nga Gjeka, i cili nuk dinte ku ta fshihte kokën në atë çast. Me 13 Dhjetor, Gjeka insistonte që unë të mbetesha në burg si organizator i demostratës dhe të rrëzimit të bustit të diktatorit…E kam shkruar dhe me pare se si i rreshtonte policet, dhe si kerkoi municione me 13 Dhetor 1990,pra nuk dua te zgjatem…
Si një njeri që megjithë moshën ende të re mbaja njëmbëdhjetë vite burg të padrejtë mbi shpinë, do të më takonte që në gjyq të mbaja qëndrim thelbësisht subjektiv. Nuk veprova kështu! Isha i vetdijshëm se të ulurit në bankën e të akuzuarve ishin viktima të rregjimit, njerëz trushplarë nga propaganda dhe tashmë të flakur si limonj të shtrydhur. Per këtë fakt në gjyq kam nënvizuar por edhe më vonë se nuk akuzoj keta direkt por urdhërdhënësit dhe kriminelët në Tiranë, Ramiz Alinë me shokë, që për 47 vjet, vranë, shtypen e burgosën mijra shqiptarë të pafajshëm!”. Pothuajse keshtu i ka botuar fjalet e mia edhe “Zëri i popullit”.
Pas një kohe jo shumë të gjatë m’u bë një atentat në shtëpi me anë të një granate, ku një mrekulli ka shpëtuar jetën e djalit tim, ish gruas time, dhe rojës time. U dëmtuan dy makinat e mia, xhamat e dritareve, fasada dhe muret e brendshme të njërës nga dhomat… Shpesh herë e kam pyetur veten, se mos kjo ngjarje ka lidhje me Gjekën dhe “shokët” e tij të sigurimit, por nuk kam qenë i sigurtë në përgjigje. Tani jam plotësisht i bindur për këtë, teksa lexoj mjerimin e tij të shprehur me menyre çnjerëzore, sipas të cilës, unë u dashkam të përfundoj në shpella si im Gjysh (me kokë të prerë nga sigurimi i shtetit më 1946) ose të jem i burgosur i përjetshëm. Vetëm një njeri i errësirës, i sëmurë psiqik, sadist mund të nxjerrë nga goja gjëra të tilla.
Gjatë aktivitetit tim si antikomunist jam përpjekur që drejtësia në Shqipëri të dënonte krimet e komunizmit. Edhe tani që kanë kaluar njëzet vite nga shembja e diktaturës kerkoj të njëjtën gjë nën moton se “drejtësia vonon por nuk harron”. Përgjatë këtij aktiviteti kam takuar shumë personalitete të vendit dhe te huaja. Një herë tek i spjegoja ambasadorit të O.S.B.E. Daan Everts, sesi kriminelët e sigurimit të shtetit janë të verbër dhe të pakorrigjueshëm, ai ndër të tjera, nëpërmjet postulatit të njohur perëndimor “Everybody has right to change!” kërkoi të më thoshte se njerëzit ndryshojnë. Nga ana filozofike e shprehjes, s’kisha si të mos pajtohesha, por nga ana praktike, ne shqiptarët që i njohim krimet e diktaturës, e dimë se ka njerëz të pakorrigjueshëm dhe se shprehja “Everybody has right to change!”, nuk ka vlerë për shokët e Gjekës…
“Njerëzit e shpellave…”
Pas kryengritjes antikomuniste të Malësisë së Madhe, në vitin 1945, familja ime, (Grishaj), pësoi një represion çnjerëzor. Komunistët grabitën gjënë e gjallë, plaçkitën shtëpinë dhe i vunë zjarrin. HAJDUTËT e komunizmit nuk u mjaftuan me aq. Me urdhër të Petro Bullatit, u burgos dhe u internua e gjithë familja. Rrugës për në internim disa fëmijë vdiqën dhe u varrosën anës rrugës. Gjyshi im,”Martir i Demokracise” Luketë Marash Grishaj, vazhdoi t’u rezistonte forcave të ndjekjes, duke u strehuar ndër miq besnikë, por edhe në male e në shpella. Për këto shpella flet Gjeka. Sepse kriminelët janë pra të pakorrigjueshëm. Prandaj dhe është mirë të kujtohet historia. Sigurimi e ndoqi gjyshin tim për më se një vit. Në përpjekje me ta ai u ndesh disa herë, dhe edhe pse duke marrë plagë, ia dilte gjithmonë të çante rrethimin. Për sigurimin ishte një dështim i madh. Figura e gjithë atyre që nuk dorëzoheshin shndërrohej në figurë kreshnike dhe frymëzuese për malësorët e tjerë që nuk e donin komunizmin dhe gjyshi im kishte marrë vendimin të mos dorëzohej i gjallë në duart e komunistëve. Vdiq në mars të vitit 1946, nga plagët e pakuruara. Forcat e ndjekjes e gjetën të vdekur. Nga urrejtja i këputën kokën duke bërë kështu jo vetëm një sakrilegj por edhe një dhunim të traditave shqiptare. Akte të tilla barbare etnografët ua kanë atribuar sllavëve, dhe komunistët shqiptarë, e kanë marrë frymëzimin pikërisht nga ideologjia sllavokomuniste.
Në dokumentin origjinal të nxjerrë nga arkivi i Ministrisë së Brendshme thuhet se Luketë Marash Grishaj është vrarë në luftë me Forcat e Ndjekjes së Sigurimit të Shtetit. Edhe pse e vërteta është që ai është gjetur i vdekur nga Forcat e Ndjekjes, prapë kjo gjë nuk ndryshon shumë nga e vërteta. Në fund të fundit plagët janë marrë në përpjekje me këto forca. Pasi kriminelët na kanë vrarë një herë, Gjeka propozon të na vrasin sërish. Ai aludon se unë duhet të kemë po të njëjtin fat si atë të gjyshit tim!
“Hajduti”
E kam spjeguar njëherë shumë qartë tek libri “Shqiptarët në Detroit” se përse jam dënuar nga Sigurimi i Shtetit. E theksoj: nga Sigurimi dhe jo nga Gjykata. Gjykatat në atë kohë dhe pse ishin të indoktrinuara, shpesh herë ishin të pafuqishme për të dhënë arsyetimin e tyre. Kostumi vinte i prerë, pra vendimi jepej nga Organi i Sigurimit. Nuk dua të përsëris ato çfarë kam shkruar në librin e sipërpërmendur. Në lidhje me këto Gjeka nuk ka ndonjë gjë të re për të thënë. Rrëfimet e mia kanë të bëjnë me denoncimin që unë u bëj paraardhësve të Gjekës dhje jo Alfonsit. Por shpesh herë në tregimet apo në thashethemet, ndryshon kopertina me përmbajtjen…
Shkurt:
Kam qenë i pari fëmijë në Shqipëri që kam krijuar një grup kundër komunizmit. Në atë kohë ish 13 vjeç… Grupi quhej QABER. Bashkimi i dy emrave nismëtarë të grupit, Qazim-Alfons- Besë e Ringritjes.
Menduam t’ia nisnim me trakte. Traktet do t’i bëja unë me dorë, pa shumë tekst. Këtë detyrë e mora përsipër ngaqë piktura më vinte shumë. I ndjeri Ferdinand Paci, piktor i madh shkodran, më thoshte se kur të rritesha do të bëhesha nje piktor i madh. Në të vërtetë, nuk u bëra piktor, per vetë rrethanat. Mbeta thjesht një dashamirës i pikturës. Ndër gjërat që kam bërë si “piktor” janë pikërisht disa fletë vizatimi me fytyrën e Enver Hoxhës në një trup zhapini duke shkruar përposhtë këtij imazhi “VDEKJE!” Ato fletë i shpërndamë. Sesi vajti puna e tyre, a shkaktuan ndonjë efekt në atë kohë, nuk di ta them më gjatë. Njerëzit kishin frikë dhe gojët mbaheshin të mbyllura. Kështu filloi veprimtaria QABER… Më pas vendosëm të grabisnim armë dhe me to të bënim atentate kundër udhëheqësve të PP-së. Hartuam një plan, dhe ia dolëm të “thyenim” Muzeun Popullor, por aty gjetëm vetëm kobure me tyta të biruara dhe gjilpera te thyera. Më pas “shpërthyem” Muzeumin e Degës së Punëve të Brendshme, por edhe aty armët ishin në të njëjtën gjendje. Aty gjetëm fotografitë e Bisho Hasit, Prekë Calit, Llesh Marashi etj. Ishin foto rrënqethëse, të cilat pasqyronin këta viganë të varur, ndërsa Bisho Hasin të coptuar nga predha e Forcave të Ndjekjes. Fotot i mora dhe i fsheha. Më vjen keq që nuk kam arritur t’i ruaj…
Në vazhdim, thyem Muzeun e Shkollës “Ali Laçej”. Aty gjetëm një automatik të biruar edhe atë në tytë. I montuam dy maje limash të rrumbullakta, i ngjeshëm me të rrahur. Dukej tashmë në gjendje “pune”. Menduam ta provonim… Bëmë disa herë qitje… Fishekët na i dha djali i Rexhep Valbonës, ishkolonel i mbrojtjes së kufirit, shok i Enver Hoxhës. Me këtë rast, Esat Valbona, u bë anëtari i tretë i grupit. Antari i katërt i grupit u bë Beqir Hyseni. I ati i tij ishte deputet në Kuvendin Popullor. Qazim Cirilami (Perfati) ishte biri i njërit prej themeluesve të grupit komunist të Shkodrës. Ishte gjithashtu dhe nipi i Dëshmorit në kampin e përqendrimit të Prishtinës, Qazim Cirilamit, emrin e të cilit mbante dhe vetë. Në këtë grup, tre djem vinin nga familje të rëndësishme komuniste, vetëm një, unë, vija nga shtresa e të përndjekurve… Grupi tani quhej DEZ, nën emrin e të cilit shpërndamë edhe disa trakte të tjera. Kërkuam të gjenim dhe flamber e të tjera materiale, por këto të dhëna, do të jenë objekt i një tjetër libri. Koha në vazhdim u bë mjaft e vështirë për grupin. Sigurimi i Shtetit u ngrit në këmbë i gjithi, duke organizuar dhe AGBV-të… Situata në Shkodër kaloi në shtetrrethim. Çdo person që dilte natën ishte nën hetim si i dyshuar. Në këto rrethana, ne vendosëm të arratiseshim. Edhe ky plan dështoi. Pas këtij dështimi vendosëm pushimin e aktivitetit dhe shpërndarjen e grupit. Rigrupimi do të bëhej në situatë të favorshme. Por situata u bë e disfavorshme përfundimisht për grupin. Dy antarë u morën me veprime ordinere. Grupi u nda, pasi humbi qëllimi për të cilin qe krijuar. Një nga antarët e grupit u arrestua dhe më pas i gjithë grupi. Pasi ishte gatuar gjithçka, dy persona të thinjur që flisnin në dialektin toskë, së bashku me hetuesin Enrriko Anastasi, erdhën për të na dhënë “sihariqin”: “Kemi ardhur ta mbyllim çështjen. Nuk do të përmendet më kjo aventurë ordinere, e cila ka shqetësuar partinë. Ju jeni fëmijët tanë, fëmijët e partisë dhe nuk keni asgjë të përbashket me armikun e klasës. Partia ka vendosur t’iu dërgojë në kampet e riedukimit, pastaj t’ju rikthejë në gjirin e shoqërisë dhe të familjes së shëndoshë!”. Ne shikuam njëri-tjetrin në sy, por nuk kuptuam asgjë ne ato momente. Personat e thinjur u ngritën në këmbë dhe njëri prej tyre porositi: “Mos harroni që armët i keni marrë (jo vjedhur apo rrëmbyer) për të gjuajtur zogj!”
Kur dolëm në gjyq e kuptova përse ishte bërë një ndryshim drastik i çështjes. Gjyqi u bë me ftesa dhe salla ishte e mbushur plot me personat e ftuar. Kundër nesh kishin vënë për të folur dhe një vajzë, moshatare me ne, me një letër që me siguri ia kishte pregatitur aparati i propagandës komuniste. Vajza që filloi ta lexonte letrën, u shkreh në vaj… Gjykatësi, Muhamet Tyli, ia mori letrën që ta lexonte vetë. Qazimi u dënua 8 vite, Beqiri 5. Unë 4 vite e gjashtë muaj, ndërsa Esati 1 vit e dy muaj. Më vonë më zbritën gjashtë muaj dënim, që edhe sot e kësaj dite nuk e di pse. Bashkë me ne u dënua edhe e ëma e Qazimit… Nuk e mbaj mend nëse 15 vjetorin tim e mbusha në hetuesi apo jo. Në atë moshë nuk mund të kuptohet gjithçka, por ama një gjë e kuptuam mirë. Donin të na ulnin kokën dhe të fshihnin të vërtetën. Nëse e vërteta do të thuhej ashtu siç ishte, ne do të bëheshim heronjt e parë të një brezi që po rritej duke kuptuar fytyrën dhe shpirtin e vërtetë të një rregjimi kriminal. Propaganda e asaj kohe heshti, për ta vazhduar Gjeka pas 36 viteve, jo për të më bërë hero, por “HAJDUT”. Partizanët që grabisnin armët e pushtuesve, nuk quheshin hajdutë. E kjo me të drejtë. Por edhe kur Forcat e Ndjekjes dogjën shtëpinë e të parëve të mi dhe grabitën pasurinë, nuk u quajtën hajdutë edhe pse plaçkitësit nga sytë e popullit tonë shihen gjithmonë me përçmim e neveri. Ndërsa ne që, edhe pse në atë moshë kërkuam rrëzimin e rregjimit të kriminelëve të kuq, qenkemi “hajdutë!”. Konkluzioni të jetë për lexuesin.
Sajimi i turpshëm.
Shteti i diktaturës i kishte llogaritur orët e mia të lirisë. Në burg rashë nën ndikimin e njerëzve të kulturuar, siç ishte Dr. Kristo Kallapolli. Ai më mësoi mjekësi, greqisht, italisht dhe pak gjermanisht… Kur dola nga burgu mendova se dijen që kisha marrë do ta vija në jetë, por jeta m’u bë më skëterrë se skëterra. Ngado që shkoja kisha dy spiunë nga pas, të cilët survejonin lëvizjet e mia. Hyra në punë në ndërtim. Brigadieri Hysen Ceni më tregoi në konfidencë, se përditë e pyesnin sigurimsat për mua, çfarë flisja dhe me kë shoqërohesha. Natyrisht që nuk e pyesnin çfarë vidhja! Isha plotësisht i izoluar. Nuk kisha leje të shkoja as në Shirokë, as në Velipojë, as dhe në Bajzë. Më dukej se gjendesha ne një burg të madh…
Duke u munduar të shmangesha nga çdo e keqe që mund të më montohej nga Sigurimi, kohën e lire e organizoja me sport dhe shëtitje. Shokë kisha pak sepse shumë prej tyre gjendeshin nën presion për të mos u shoqëruar me mua. Meqënëse sporti im i preferuar mbetej gjimnastika, përditë shkoja rregullisht tek këndi sportiv i shkollës së Ndërtimit. Aty u luajt skenari i dramës së re në kurrizin tim. Një person vodhi një banesë aty pranë… Ishte djali i një oficeri të ndershëm. E pashë atë që bëri, ndaj iu afrova duke i thënë t’i kthente mbrapsht ato gjëra. Ai i frikesuar nga unë dhe nga disa nxënës që e kishin parë skenën u largua për nga Ajasma. Nuk e denoncova. Nuk ka qenë në natyrën time. Këtë quan vjedhje Gjeka. Edhe pse ai vetë nuk e beson se një njeri me eksperiencën e trysnisë së sigurimit të shtetit mbi shpinë nuk do ta bënte kurrë një budallallëk të tillë. Por Gjekës i duhet të nxjerrë të tilla shpifje nga goja për të mbrojtur veprat e shokëve të tij të Sigurimit, të cilët u munduan të më inkriminonin. Më akuzuan mua, edhe pse Besniku, ai që e kreu atë krim deklaroi se unë isha i pafajshëm. Po kështu në favorin tim deklaruan edhe tre nxënësit që e kishin parë ngjarjen. Hetuesia nuk ia doli të provojë asgjë nga akuzat që kishte kurdisur Sigurimi i Shtetit. Megjithatë po i tregoj Gjekë mjeranit se çfarë më pyetën Kryetari i degës dhe Shefi i policisë së asaj kohe. Më pyetën për fotografitë që gjoja u kisha bërë bazave ushtarake për t’ua dërguar agjenturave të huaja,pikershit se une kisha ne aparat fotografik qe ma kishin derguar dajat e mi nga jashte. Aty më thanë se do me dënonin 11 vjet dhe se pas 11 viteve edhe 31 të tjera derisa të mos isha i zoti të ngreja as pantallonat…
Prisja që të më jepej pafajësia në gjyq. Të gjithë mendonin si unë. Kryegardiani i qelive, Palushi, më thoshte se kishte dëgjuar një hetues tek thoshte se nuk kishte motiv ligjor që unë të dënohesha. Por ndodhi e kundërta. Vendimi u dha ashtu siç kishte thënë Kryetari i degës. 11 vite. 8 burg dhe 3 internim. Personi që kishte kryer krimin u dënua 4 vite, dhe për “fatin” e tij beri vetëm 1 vit…
Sigurisht në ato rrethana nuk mendoja të jetoja më… Mora vendim t’i jepja fund jetës në mënyrë të ngadaltë me anë të një greve urie. Nuk mora ushqim as nuk pija ujë. Nuk e di sa ditë shkoi kjo gjendje. Një ditë u fut në qelinë time Dr. Mihail Prifti. Ishte mjek ushtarak. Vuri shpinën tek sporteli dhe m’u drejtua: “Vetëm njerëzit pa karakter bëjnë këtë që po bën ti. Pse po vret veten? A mendon se do mërzitet kush për ty? Një proces-verbal dhe mbaroi puna jote… Çohu dhe lufto për të vërtetën…!”. Gjithnjë kam menduar se ai çast ka pasur elemente të komunikimit mbinjerëzor. Jo vetëm për faktin se doktori kishte emrin e kryengjëllit. Edhe sot mendoj kështu.
Në vitet e demokracisë e kam prezantuar Dr. Mihail Priftin me personalitetet politike të kohës. Sepse njerëz të tillë nuk e meritojnë të mbeten në periferi të vëmendjes së shoqërisë. Janë pikërisht njerëz të tillë të cilët kanë shmangur shpesh herë dorën e krimit shtetëror të diktaturës, të cilen donin ta mbanin në këmbë deri në fund Gjeka me shokë, siç bënë dhe me 2 prill 1991.Burgun perseri e ktheva ne shkolle.Dr Kriston e gjeta aty…Ai nuk u cudit shume..Dr.Kristo Kallapolli,Pr.Kristo Zerva,Dr.Kosta Nano,me ndihuan ne formimin tim…Studiova filozofi,Matematik,Turqisht dhe Anglisht.Nuk mund të lë pa përmendur një tjetër akt qytetar. Kësaj here pasi u lirova nga burgu. Ish gjykatësi i çështjes sime, Man Mlloja, pati kurajon të më kërkonte të falur. Ndoshta është i vetmi gjykatës që i ka kërkuar ndjesë viktimës. Nuk është kurrsesi pak. Edhe pse në të vërtetë, “kostumi” im ishte “prerë dhe qendisur” gjetkë dhe vetë Mani nuk mund të bënte ndryshe në atë kohë…
Liria
Nga burgu dola në verën e vitit 1988. Më priste i njëjti fat si më parë. Përparim Hasa, hetues, vinte (jo vetëm ai) në Fabrikën e Prodhimit të Këpucëve, ku unë u punësova. U munduan të kompromentin Rudinën, një shoqe e imja, që të më dilte dëshmitare në rrenë se gjoja shaja partinë etj. Rudina ia plasi vajit në mes të repartit. Të gjithë punëtorët lanë punën në shenjë proteste. Gjovalin Deda, shoku im i fëmijërisë, zuri të shajë mbarë e mbrapsht. Besimi, përgjegjesi i Fabrikës, më porositi të bëja kujdes, të mos flisja asgjë. Më pas edhe vetë sekretari i partisë së ndërmarrjes, Zydi Jahja më porositi në veçanti të tregohesha i kujdesshëm, sepse sigurimi kerkonte çdo ditë informacion rreth meje, çfarë flisja dhe me kë shoqërohesha. E vetmja gjë që më ngushëllonte ishte se tashmë kishte mjaft njerëz të cilët dukshëm nuk mbështesnin më krimet e rregjimit.
Angazhimi për demokraci
Së bashku me shokët e shoqet e mia kam marrë pjesë si një ndër organizatorët e demostratave antikomuniste në Shkodër por edhe në Tiranë. Mijra të rinj e të reja, intelektualë e punëtorë, më kanë dëgjuar e brohoritur. Shkodra më ka njohur mirë, megjithëse pisat si Gjeka dhe soji e sorollopi i sigurimit janë munduar ta nxijnë figurën time. Po, kam qenë i ashpër, por jo ekstremist. Kam kërkuar që drejtësia të dënojë kriminelët e diktaturës. Kam qenë i ashpër edhe ndaj krimeve të kryera nga bandat në 1997, pasojat e të cilave duken edhe sot në Shqipërinë e 14 viteve më pas. Kam qenë i ashpër edhe në demostratën e 14 shtatorit, ditën e varrimit të heroit të demokracisë Azem Hajdari… Kam qenë kundër dhunës së pushtetit dhe kundër çdo pushteti që vjen nëpërmjet dhunës… Sa për gjykatën, Gjeka e di fort mirë se kush e ka djegur dhe me cilin qëllim. Gjeka që dikur hartonte dosje, e di se ato bëheshin në tri kopje, nga të cilat dy dërgoheshin në Tiranë. Por siç e di Gjeka e dimë edhe ne. Çështja është ta kuptojë edhe opinioni mjerimin e mbeturinave të Sigurimit. Në një kohë kur bota bëhet përherë më transparente, s’ka si të mbulohet dielli me shoshë. Prandaj Gjeka nuk i përmend 3500 të vdekur në Shqipëri, si pasojë e rebelimit neokomunist të 1997. Nuk përmend as vjedhësit e bankave e të biznesmenëve të rinj shqiptarë në kaosin e krijuar atë vit. Dhe e fundit, nuk përmend as burgjet që theu Gjeka me hajdutët e vet… Ai jo vetëm nuk u kthye më në burg, për të përfituar nga zbritja e dënimit të mbetur pas apelit të bërë nga autoritetet e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, duke thyer sërish ligjin. Zgjodhi të fshihet për 14 vite. Puna e tij. Edhe pse i pafajshëm unë e kam kryer çdo dënim të dhënë nga shteti (i diktaturës). Edhe po të më jepej pafajësia dhe dëmshpërblimi, askush nuk do të mund të më kthejë vitet e rinisë, ndërkohë që prej shumë kohësh mendoj se morali i kësaj bote është tepër i gënjeshtërt si fjalët e Gjekës, prandaj le t’i vuajë vetë Gjeka komplekset e tij.
Gazeta RD.
Gjeka e ka edhe me RD. Kjo gazetë ka qenë e para që denoncoi krimin makabër të 2 Prillit. Kjo gazetë ka qenë meteori i parë i fjalës së lirë në Shqipërinë e pasdiktaturës. Por Gjeka tenton ta shohë ndryshe. Për të hequr peshën e fajit që i rëndon në kurriz, Gjeka i atribuon Azem Hajdarit hedhjen poshtë të të gjithë kontributit të RD në hapësirën mediatike të Shqiperisë. Sido të ketë qenë marrëdhënia e Azemit me RD apo anasjelltas në ndonjë moment, kjo s’ka të bëjë as me 2 Prillin as me Gjekën. Gjeka as mund të fajësojë ndonjë gazetë, as dhe të shfajësohet nga faqet e ndonjë gazete. Ai ka një dënim të pakryer, dënim i dhënë gjykatat e Shqipërisë, përveç faktit se me arratinë e tij ai ka dhe një tjetër llogari me drejtësinë e vendit të tij. “Burrëria” është të ballafaqohesh me drejtësinë dhe jo t’i fshihesh asaj. Në e dashtë Gjeka pafajësinë, le ta marrë vesh se ka gjetur rrugën e gabuar. Gazetat nuk kanë tagrin të të shpallin fajtor e të të japin dënimin, as dhe të kundërtën, të të japin pafajësinë. Pas njëzet viteve demokraci, Gjeka nuk e ka mësuar ende këtë.
Hija apo gjurmët?
Gjeka shkruan se unë gjoja po hyj në marrëdhëniet midis tij dhe z. Berisha, marrëdhënie që Gjeka nuk mund të provojë se kanë ekzistuar as për të mirë as për të keq. E kam thënë edhe një herë tjetër se të dënuarin Gjekë nuk e ka arrestuar Sali Berisha apo partia demokratike, por Ramiz Alia dhe Fatos Nano, të cilët pasi u kërkonin vartësve besnikëri i flaknin pa ndonjë çmim kur e lypte puna. Hetuesinë (AMULLINË) Gjekës nuk ia ka bërë PD, por shokët e tij të zanatit e të idealit. Ai këtë e di mirë. Pikërisht për keto shkaqe hetimore, që çonin në dënimin e Gjekës dhe zyrtarëve të tjerë të të njëjtit nivel, ne nga ana jonë, kemi kërkuar shpesh herë rihapjen e çeshtjes së 2 Prillit, pasiqë për mbarë opinionin shkodran por edhe më gjerë, kjo çështje nuk është zbardhur e plotë përsa kohë që urdhërdhënësit nuk kanë dhënë llogari para drejtësisë. Me siguri, Gjekën kjo kerkesë e frikëson sepse do t’i duhet të përballet me një proces që do të bazohet mbi metoda moderne hetimi e profesionalizmi, dhe ku i dihet, mbase ato që ka fshehur për masakrën e 2 Prillit do t’i duhet t’i pohojë, të paktën emrat e atyre që dhanë urdhër që ate ditë të vriteshin demostrues paqësorë të pafajshëm. Gjeka si një nga oficerët përgjegjës për operacionin në terren di shumë, por ka thënë fare pak. Dhe e keqja e të këqijave është se për të në burg duhet të mbetemi përjetë ne, për pafajësinë e të cilëve ka dëshmuar vetë koha. Por sadistët të etur për gjak deri në infinit nuk kanë sy të shohin,as veshe te degjojne…
Dekorata “Pishtar i Demokracisë”
Procedura për të marrë këtë dekoratë kalon në disa etapa. Duhej propozimi i disa instancave si këshillat vendorë, apo i deputetëve drejtuar Presidentit të Republikës. Dekorimi im është propozuar nga Këshilli i Rrethit, organ pluralist. Më duhet ta përmend faktin se për propozimin tim kanë votuar pozita dhe opozita. Pra përveç demokratëve kanë votuar edhe socialistët. Besoj se edhe në këtë rast komenti është i tepërt. Por nëse armiqtë e mi i shqetëson dekorata ime, edhe po t’ua jepja, megjithë titullin, zor se u bën dritë. Shpirtrat që duan të mbeten në terr s’i ndriçon as Zoti.
Armiqve të mi
Pas njëzet viteve demokraci nuk do të dëshiroja të kisha armiqësi politike me askënd. Çështja është se “armiqtë” s’të lënë as t’i harrosh. Dhe unë me shokët e mi jemi betuar mbi trupin e Arben Brocit dhe martirëve të 2 Prillit se nuk reshtim së kërkuari vendosjen para drejtësisë të urdhërdhënësve dhe zbatuesve të atij krimi makabër. Kjo është rruga ime dhe destinacioni im. Sepse kjo është vetë jeta ime mes poezisë dhe luftës për liri. Nga kjo rrugë nuk më nxjerr dot askush.asnje shpifje, anonimat apo kerrcenim. Dhe për ta mbyllur gjej me vend strofën e fundit të poezisë “Out the night that covers me” të poetit të madh William Ernest Henely:
It matters not how strait the gate,
How charged with punishment the scroll,
I am master of my fate:
I am captain of my soul.
No comments:
Post a Comment