Këto ditë është bërë i ditur qëndrimi mohues i z. Basha ndaj vendimit të qeverisë për të prishur Piramidën dhe për ndërtimin e Parlamentit të ri. Një qëndrim që ka tërhequr vëmendjen e disa analistëve, të cilët kanë tentuar të kuptojnë domethënien e tij si dhe efektet e mundshme në elektorat. Nisur nga kjo logjikë, vlen të zhvillohet analiza duke e vendosur në raport me individët brenda PD-së apo grupet sociale që kanë sensibilitet për çështjen në fjalë.
Nga pikëpamja taktike, z. Basha dhe konsulenca pranë tij kanë menduar se është më mirë që fushata për Tiranën të personalizohet sa më shumë, pasi kështu përqendrohet më shumë vëmendja e publikut dhe e medias ndaj tij. Koha e shkurtër, mesa duket, e ka detyruar z. Basha të kërkojë mirëkuptimin e strukturave drejtuese të partisë, me qëllim që t’i jepet mundësia për të shpalosur projektin e tij për Tiranën pa interferimin e të tjerëve. Mesa duket, kjo kërkesë legjitime ka gjetur mirëkuptimin nga z. Berisha, i cili për hir të së vërtetës ndryshe nga 2007-a, i ka lënë hapësirën e kërkuar z. Basha, që të jetë ai protagonist kryesor i fushatës për kryeqytetin. Pra, z. Berisha të zhvillojë fushatën makro të PD-së në të gjitha zonat e Shqipërisë, ndërsa z. Basha të përqendrohet në fushatën mikro të kryeqytetit. Duke sfumuar në një farë mënyre rolin dhe protagonizmin e figurave të tjera të rëndësishme të PD-së .
Mirëpo, duke ditur rëndësinë që i jepet mediatikisht fushatës së Tiranës, dhe njëkohësisht deklaratave të liderit të mazhorancës në çdo tubim, koha televizive, duke u dominuar vetëm nga dy figurat kryesore, z. Berisha dhe z. Basha, figurat e tjera të rëndësishëm në PD nuk kanë vëmendjen e mediave dhe si rrjedhojë as të publikut. Në të tilla rrethana, nuk kanë munguar reagimet e znj. Topalli për t’i ikur kësaj taktike, duke gjetur format për të mediatizuar protagonizmin e saj. Në këtë logjikë, pak ditë para fushatës riktheu çështjen e Piramidës dhe nevojës për të ndërtuar Parlamentin e ri, me synimin që tema në fjalë të ishte objekt bisede edhe gjatë fushatës. Një mënyrë e zgjuar për të tërhequr vëmendjen e publikut, medias, por njëkohësisht edhe një kosto elektorale për z. Basha, për shkak të sensibilitetit që kanë disa grupe sociale në Tiranë ndaj Piramidës.
Kështu që z. Basha këtë protagonizëm të znj. Topalli e ka parë si një strategji që bie ndesh me taktikën e tij elektorale. Nisur nga ky fakt, ka shfrytëzuar audiencën e emisionit shumë popullor “Opinion” për të transmetuar mesazhin e tij, si ndaj znj. Topalli dhe eksponentëve të tjerë që mund të përpiqen për të inteferuar në këtë fushatë në dëm të tij si dhe ndaj publikut. Një lëvizje e detyruar që duhet mirëkuptuar, pasi ka marrë riskun në PD për t’u përballur me z. Rama.
Gjithashtu, z. Basha ka shfrytëzuar këtë taktikë të znj. Topalli për të krijuar edhe identitetin e tij politik në këtë fushatë. Në çfarë kuptimi? Në kuptimin që z. Basha, duke u akuzuar vazhdimisht nga opozita si zgjatim i z. Berisha, ka gjetur mundësinë që të distancohet nga qëndrimi i këtij të fundit, duke krijuar përshtypjen në publik se raportet me z. Berisha nuk mund të jenë të njëjta nëse fiton Bashkinë. Një nuancë e zbehtë për momentin, por që mund të kontrastohet në vazhdimësi nga ana e tij me synimin e theksimit të këtij imazhi në publik.
Një aspekt tjetër që lidhet me domethënien e refuzimit të z. Basha për prishjen e Piramidës ka të bëjë me koston elektorale. Z. Basha pati mundësi të testojë reagimin e një pjese të publikut për vendimin e qeverisë për të prishur Piramidën, kështu që ai nuk ka interes për momentin që të mbajë të njëjtin qëndrim si qeveria, ku dihet kostoja elektorale. Aq më shumë kur diferenca ndërmjet kundërshtarëve politikë është shumë e vogël dhe çdo çështje që krijon kosto politike për momentin duhet evituar. Ky kalkulim pragmatist e shtyn atë të pozicionohet kundra qeverisë.
No comments:
Post a Comment