Thursday, April 14, 2011

Tirana bashkon Ramën me Bashën

Shkruan:
Artur Zheji

Mendonim gabim se kjo fushatë do të ishte e kithët. Rama do t’i binte Saliut, Saliu Ramës dhe Basha do të garonte i vetëm në qytet, në një fushatë pa rivalë. Mirëpo ndonëse filloi kështu, me vrer dhe akuza politike globale, nga ana e Partisë Socialiste, diçka u thye me sa duket, jo në mendje por në sondazhe.
Fytyra dhe sintaksa pozitive dhe pozitiviste e Bashës, tërheqja dhe metamorfoza në stil bonist e komunikimit të Kryeministrit, krijuan një kontrast, thellimi i të cilit, i dha Lulëzim Bashës një start të fuqishëm. Shumëkush ktheu kokën nga Kandidati i Ri i Bashkisë, nga Sfidanti që nuk fyen dhe nuk përqesh, duke shëmbur kësisoj si pa të keq, një shkollë të tërë të stilit të vjetër të Partisë Demokratike zulmëtare.
Pra Luli u shfaq i rrezikshëm, platforma dhe stili i tij jo PD-ist, por që depërton te qytetari, pothuajse nxori bllof, fushatën politike me të vetmin sllogan se: “Fajin e ka Saliu!”
Tendenca për të krijuar një simetri elektorale Rama-Berisha, dhe për të lënë në hije Lulëzim Bashën, dështoi. Dështoi edhe skema e vjetër e modelit “Shalësi”, me avazin përqeshës dhe duke krijuar dublantin apo alter egon tallëse, me qëllim zvogëlimin dhe injorimin e imazhit të Bashës. Sprovat e Shalësit ishin të mira, por të vjetra dhe jo funksionale. Basha e injoroi injoruesin dhe kur ai godiste në gju apo nën brez, ia kthente me një buzëqeshje çarmatosëse. Kjo nuk pritej. Tek kthenin sytë nga Saliu dhe duke uruar e shpresuar shpërthimin e tij stigmatizues, zhgënjimi ishte i madh, Doktori e kish arkivuar tashmë “Puçin” dhe “puçistët”.
Mbetur me skemë të djegur nga “kundërloja” apo strategjia e re, apo ndoshta dhe klima e re, Partia Socialiste dhe Rama, u detyruan të heqin dorë nga beteja globale, ku qytetet nuk do të përfilleshin, kandidatët rivalë dhe sidomos Basha do të anashkaloheshin, në fushëbetejë do të mbetej vetëm Berisha dhe Rama, tek për tek, sy për sy dhe dhëmb për dhëmb, me “thika të përgjakura ndër duar”.
Kësisoj Qyteti shpreson të fitojë, sepse Rama braktisi Saliun dhe filloi të shkelë Tiranën, derë më derë dhe rrugë më rrugë, duke ndjekur dhe përqafuar skemën klasike të fushatës elektorale lokale.
Në debate televizive dhe takime të natyrshme, Rama dhe PS, u sinkronizua me Bashën duke e njohur de facto rivalin e tij të drejtpërdrejtë, të rrezikshëm, në Tiranë. Shumë mirë kjo për qytetin dhe ndoshta shumë mirë edhe për Ramën, i cili do t’i humbiste të gjitha shanset me fushatën e filluar si negativiste dhe përbaltëse.
Kuptohet kjo humbje kohe dhe sidomos ky ndërrim i shpejtë regjistri i fushatës së Partisë Socialiste, i dha Bashës një avantazh, të cilin nga ana e vet, ai e shfrytëzoi shumë mirë dhe tanimë është një garues me fibër të fortë.
Nga ana tjetër, kampionit në fuqi, avantazhi i të qenit edhe kryetar Partie, rrezikon t’i kthehet në dizavatazh, pasiqë Tirana është një monopat i vështirë, nëse nuk rri në Tiranë aq sa Tirana do, aq sa Tirana me kapriçot e saja lyp.
Pra Tirana bashkoi të pabashkueshmen. Rivalët janë të dy në ring. Në të njëjtin ring.

No comments: