BRUKSEL - Sjellja e politikës shqiptare është vënë sërish nën kritikën e Parlamentit Europian. Deklaratat e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për zëvendëskryetarin e delegacionit për Ballkanin ne Parlamentin Europian duke thënë se ky i fundit është një racist
i korruptuar, nuk është pritur shumë mirë në selinë e legjislativit europian. Në ditën e dytë
të konferencës së organizuar për Ballkanin, Viktor Boshtinaru kritikoi ashpër qëndrimin
e mbajtur nga kryeparlamentarja në datën 24 shkurt, në një seancë plenare të Parlamentit
Shqiptar.
Në momentin kur u ngrit ky shqetësim ishin të pranishëm shumë drejtues të institucioneve europiane si dhe drejtues të komisioneve parlamentare e deputetë nga vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe Ballkanit. Mirëpo ndërkohë që Boshtinaru kritikonte qëndrimin e mbajtur nga zyrtarja e lartë shqiptare, kjo e fundit ka ripërsëritur qëndrimin e saj dhe nuk është tërhequr nga ajo çfarë kishte deklaruar më parë.
Kërkesa e Boshtinarut
Që në fillim të seancës së djeshme të zhvilluar në Bruksel, zëvendëskryetari i
delegacionit për Ballkanin në PE, Viktor Boshtinaru, ka vlerësuar deklaratat e Topallit
si të pabazuar në fakte dhe si të papranueshme. "President i Parlamentit Europian,
president i Komisionit Europian, kryeministri Orban, dua ta nis me një pikë të shkurtër të
rregullores.
Siç e dini presidenti Buzek, më 7 mars, unë ju kam informuar për një deklarate
kundër personit tim, kundër një anëtari të Parlamentit Europian dhe zëvendëskryetarit
të Delegacionit për Ballkanin Perëndimor, nga Jozefina Topalli, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, e cila ndodhet këtu sot", - nisi fjalën e tij Boshtinaru. Sipas tij, Topalli e akuzoi atë
më 24 shkurt në Kuvendin e Shqipërisë, duke folur nga pozicioni i saj si kryetare Kuvendit
e duke e trajtuar si racist, anti-shqiptar dhe i korruptuar.
Zyrtari i PE theksoi se ajo është shprehur se paska luftuar kundër regjimit të lirë të vizave për Shqipërinë. "Deklarata e znj Topalli është e pabazuar në fakte, prandaj dhe është e rëndë dhe e papranueshme. Dhe nuk më ofendon vetëm mua dhe dinjitetin tim por edhe institucionet, vetë Parlamentin Europian. Siç e dini zoti president, konferenca e kryetarëve e diskutoi thellë këtë çështje rreth një muaj më parë", - shprehu shqetësimin zëvendëskryetari i delegacionit për Ballkanin në PE.
Krahas kritikës që ai pati ndaj zyrtares shqiptare, Boshtinaru nënvizoi se nuk kërkonte që ta kthente temën në një debat, por vetëm ta theksonte këtë gjë në takimin me nivel të rëndësishëm. Me sa duket europarlamentari nuk e priste kundërpërgjigjen e Topallit, por vetëm një kërkesë falje, sa për etiketë.
Këmbëngulja e Topallit
Ndonëse është kërkuar nga zyrtari i PE-së që kjo çështje të mos kthehej në një
debat, kryetarja e Kuvendit e Shqipërisë nuk ka ngurruar të japë replikën e saj. Me gjithë
përpjekjet që ka pasur nga kreu i Parlamentit Europian përmes kanaleve diplomatike
dhe atyre jodiplomatike që Topalli të rrëzojë akuzat e saj, kjo e fundit i ka përsëritur ato
gjatë konferencës së zhvilluar dje në Bruksel.
Madje, ajo ka ironizuar kërkesën për të mos e kthyer temën në debat, duke thënë se "është plotësisht dakord me zotin Boshtinaru kur thotë se janë krejtësisht të padobishme të gjitha ato që tha ai": "Por, këtu nuk kemi të bëjmë me një incident Topalli-Boshtinaru. Por ka një propozim të Boshtinarut për t'i bllokuar shqiptarët, pa asnjë arsye, që të përfitojnë nga lëvizja e lirë, për t'ju imponuar atyre sërish 'Murin e Berlinit'.
Dhe në mes të 3.2 milionë shqiptarëve jam unë, Jozefina Topalli, që e konsiderova për të ardhur keq këtë propozim anti-shqiptar, racist, të ulët dhe të motivuar nga interesa të ulëta", - përsëriti akuzat Topalli. Ajo nënvizoi se "një propozim i tillë, 'alla Çaushesku', është qartësisht i sponsorizuar nga qarqet anti-shqiptare". Sipas saj ky është realiteti dhe nëse çdokush ofendohet nga realiteti, atëherë falsiteti nuk i përket as realitetit, as 3.2 milionë shqiptareve dhe aq me pak Jozefina Topallit.
Krahas replikës më zyrtarin e Parlamentit Europian, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë paraqiti reformat që ka kryer qeveria shqiptare për tu anëtarësuar në NATO, e nuk ka harruar të përmendë arritjet e vendit tonë, psh. rritjen e lartë ekonomike dhe uljen e
borxhit, ndërkohë që u ka dhënë mësim vendeve të tjera për bashkejetesën e katër
komuniteteve fetare, siç ndodh në Shqipëri.
Kryetarja e Kuvendit mori pjese ne kete konference vetem diten e dyte, ate te debateve me kreret e tre institucioneve me te rendesishme ne Bruksel, nderkohe qe sipas burimeve nga zyra e presidentit Buzek, takimi i parashikuar kete mengjes me kryetaren Topalli u anulua.
Letra e plotë e Europarlamentarit rumun, Viktor Boshtinaru, drejtuar opinionit publik shqiptar:
Të dashur miq shqiptarë
Ju lutem, më lejoni t'ju shpreh me pak fjalë, të cilat në asnjë mënyrë nuk synojnë të jenë një përgjigje ndaj shpalljes së bërë në 24 shkurt në Parlamentin e Shqipërisë prej Kryetares së Parlamentit, dhe që çuditërisht u përsëritën edhe sot. Unë më së tepërmi synoj të qartësoj rëndësinë që për mua ka Shqipëria, dhe se cilat janë parimet që udhëheqin aktivitetin
tim në favor të vendit tuaj, duke qenë Anëtar i Parlamentit Europian, Zëvendëskryetar i Delegacionit për Marrëdhënie me Vendet e Europës Juglindore, si dhe Zëvendëskryetar i Komitetit Parlamentar BE-Shqipëri për Stabilizimin dhe Asociimin.
Një përgjigje nga ana ime ndaj sjelljes së qortueshme të Kryetares së Parlamentit Shqiptar do të vinte në diskutim dinjitetin tim, dhe kjo është arsyeja pse preferoj të ndjek një qasje tjetër, duke informuar opinionin publik për situatën reale, dhe për atë çka po ndodh sot në Shqipëri.
Gjithë çka unë kam bërë në jetën time politike, si në Rumani, ashtu edhe në Parlamentin Europian, është udhëhequr gjithnjë prej vlerave, vlera si demokracia, solidariteti dhe institucionet demokratike mirëfunksionuese. Këto vlera e ideale më kanë bërë të ndihmoj
e të mbështes çdo vend që aspiron të integrohet, siç ka bërë së fundmi dhe vendi im, në Bashkimin Europian. Unë jam një mik i vjetër i Shqipërisë, dhe kjo është arsyeja, bashkë me idealet që sapo përmenda, sepse unë kam luftuar, jam duke luftuar dhe do të vazhdoj të luftoj për një Shqipëri më të mirë, një Shqipëri më demokratike, e së shpejti shpresojmë, një
Shqipëri europiane.
E nëse kjo ndonjëherë nënkupton që duhet sulmuar apo duhet dënuar ndonjë sjellje politike, natyrisht që unë nuk kam për të hezituar. Sepse qëllimet e rëndësishme nuk janë kurrë të lehta për t'u arritur, dhe ndonjëherë kur tregohesh i butë më shumë dëmton se sa ndihmon. Unë kurrë s'kam hezituar për të dënuar liderët rumunë kur ata kanë thyer parimet bazë të demokracisë, apo kur kanë dhunuar të drejtat themelore, e po njësoj jam sjellë me udhëheqës të vendeve të tjera, kur ka qenë rasti.
E përsëris, në të njëjtën mënyrë jam sjellë me Shqipërinë, kur fillova të kuptoj që gjërat po shkonon në drejtim të gabuar. Por sigurisht që unë nuk mund të prisja një sjellje e një deklaratë si ajo që ka bërë Kryetarja e Parlamentit Shqiptar, Znj. Josefina Topalli, në seancën parlamentare të 24 shkurtit, të cilën e ka përsëritur edhe sot në Parlamentin Europian, gjatë Takimit Ndërparlamentar mbi Ballkanin Perëndimor.
Të tilla deklarata e akuza pa bazë do të ishin tronditëse edhe sikur të vinin nga një deputet. Kur vijnë nga një Kryetar Parlamenti i një vendi që aspiron të jetë anëtar i Bashkimit Europian, këto deklarata janë thjesht të habitshme e të patolerueshme. Duket sikur mënyra e sjelljes së ca politikanëve shqiptarë ngjet me një përpjekje për të diskredituar e për të anuluar gjithë ata njerëz që denoncojnë gabimet e tyre. Që ta themi me dy fjalë, përpjekje për të diskredituar gjithë ata që i konsiderojnë armiq politikë.
Po nëse kjo është mënyra me të cilën punojnë politikanë si Josefina Topalli e të tjerë anëtarë të Partisë Demokratike të Shqipërisë, unë duhet të sqaroj se nuk është ky rregulli që zbatohet në Parlamentin Europian dhe në Bashkimin Europian. Në fakt, kjo është pikërisht ajo çka dënohet e çka quhet e papranueshme këtu. Dëshiroj t'ju tregoj, të dashur miq shqiptarë, se brenda meje sot zhvillohet një betejë e madhe. Një betejë mes ndjenjave që kam për Shqipërinë, për popullin shqiptar, për kulturën tuaj, për aspiratat tuaja europiane nga njëra anë, dhe të kuptuarit e situatës aktuale, nga ana tjetër.
Në fakt është e vështirë të mbështesësh këtë qeverisje, kur shfaq të tillë sjellje antidemokratike, kur korrupsioni i nivelit të lartë duket se është normalizuar, kur nuk hezitojnë të shtienë me armë mbi qytetarët të cilët do të duhej t'i mbronin, thjesht pse janë duke protestuar paqësisht. Shpresoj që Shqipëria do të arrijë të dalë prej situatës aktuale sa më shpejt, e shpresoj të dalë prej kësaj situate më e fortë se më parë, duke plotësuar gjithë kërkesat e nevojshme për të rinisur progresin drejt integrimit europian.
Ndërkohë unë do të vazhdoj pa hezituar që të mbështes gjithë ata njerëz që përpiqen për të ardhmen e Shqipërisë, dhe do të luftoj të gjithë ata që përpiqen të përziejnë interesat e veta me ato të vendit tuaj.
Çdo të mirë, Viktor Boshtinaru
Anëtar i Parlamentit Europian
Zëvendësdrejtor i Delegacionit për Europën Juglindore
No comments:
Post a Comment