Njëri prej militantëve të PS-së, i lënduar gjatë incidentit elektoral të së dielës në Bathore, Elvis Vladi, është nipi i komandantit i Forcave Speciale në Policinë e Shtetit, Shemsi Prençi.Një ditë më pas, Prençi ka denoncuar incidentin, ndërsa ka paditur në Prokurori zëvendësministrin e Brendshëm, Avenir Peka (ministër në detyrë), se ka kërkuar ndërhyrjen e FNSH-së në Bathore, në kundërshtim me ligjin. “Po, jam nipi i Shemsi Prençit, por në asnjë moment daja im nuk ka ndikuar në zgjedhjet e mia politike, apo angazhimet e mia në fushatën e kandidatit të PS-së për Bashkinë e Kamzës, Rakip Sulit”, deklaron simpatizanti socialist, Elvis Vladi, në një intervistë për gazetën “Panorama”, i cili u përfshi në incidentin me demokratët e Bathores.
Elvis, jeni cilësuar i përfshirë në incidentin e së dielës mes militantëve të PS e PD. Çfarë ndodhi atë ditë?
Nuk jam thjesht i përfshirë, jam qëlluar fizikisht në krah dhe është dëmtuar makina ime. Pra, jam sulmuar, nuk kam sulmuar unë. Isha pjesë e një autokolone me makina të simpatizantëve të PS-së dhe po vendosnim flamuj nëpër shtyllat e Bathores, konkretisht në Lagjen Nr. 6. Në rrugën kryesore të kësaj lagjeje nuk kishte asnjë flamur të PS-së dhe të gjitha shtyllat ishin mbushur vetëm me ato të PD-së dhe postera të kandidatit të kësaj partie, Xhelal Mziu. Një moment ishim ndaluar të gjitha makinat dhe disa prej nesh po vendosnin flamujt, ndërsa unë isha brenda në makinë dhe me vete kisha disa fëmijë. Teksa po bëja shaka me ta, njëri prej fëmijëve bërtiti fort dhe më paralajmëroi që të iknim shpejt që aty. Gjysmën e krahut e kisha jashtë xhamit të makinës dhe teksa po bëhesha gati ta fusja brenda, një burrë me mjekër më qëlloi duke më kapur shkarazi. Më pas ai filloi t’i qëllonte fort makinës, ndërsa fëmijët i zuri paniku.
E njihni këtë person dhe me çfarë mjeti ju qëlloi?
Jo, atë nuk e njoh personalisht. Më kujtohet vetëm mjekra e tij, që ishte karakteristike e besimtarëve myslimanë, por në këtë pikë nuk dua ta ngatërroj këtë çështje me pikëpamje fetare. Kam arritur të dalloj vetëm një moshatar timin, Krenar Baja, që aktualisht është ende në polici. Krenari ishte me këtë person dhe fillimisht më përshëndeti thjesht “ç’kemi”, ndërsa më pas e pashë duke qëlluar një nga makinat e autokolonës së PS-së. Ndërkaq, personi që më qëlloi mua kishte në dorë një levë shumë të madhe hekuri, me të cilën e çau makinën time dhe për këtë është ekspertiza ligjore që e vërteton më së miri.
Nëse ky person ju çau makinën, si arritët të iknit që aty?
Fillimisht mendova të ecja mbrapsht, por nga pasqyra pashë që pas meje ishin dhe 2 makina, të cilat gjithashtu po goditeshin. Atëherë dola nga makina me shpejtësi, duke marrë me vete fëmijët, ndërsa shumë shpejt erdhi policia në vendngjarje.
I telefonuat ju policisë?
Jo, sepse në momentet e incidentit jam përpjekur që të largohem nga makina dhe të shpëtoja fëmijët pa lëndime. Ende nuk e di se kush e ka lajmëruar policinë, madje edhe sot nuk e di, pasi vërtet që uniformat blu kanë ardhur shumë shpejt në vendngjarje dhe na ndihmuan.
Mbase policia ka ardhur shumë shpejt sepse Shemsi Prençi është daja juaj, apo jo?
Po, jam nipi i tij. Pra, ai është vëllai i nënës sime. Megjithatë, daja nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje, apo drejtpërdrejt me personin tim. Vendimet e tij nuk kanë të bëjnë me faktin që unë isha pjesë e atij incidenti. Ai e ka sqaruar vetë këtë. Nga ana ime di të them që: në asnjë moment daja im nuk ka ndikuar në zgjedhjet e mia politike, apo angazhimet e mia në fushatën e kandidatit të PS-së për Bashkinë e Kamzës, Rakip Sulit. Mendoni, unë ende nuk kam marrë dot makinën nga policia, ku më është bllokuar derisa të sqarohet ngjarja.
Elvis, nga shtabi elektoral i PD-së thonë se ju sapo jeni kthyer nga emigracioni me qëllimin e vetëm për të krijuar trazira në zgjedhjet?
Unë kaq i rëndësishëm! (Qesh.) Jooo, çfarë emigracioni! Unë jam 20 vjeç dhe jam në vitin e dytë për Informatikë, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Nuk e kam provuar ndonjëherë emigracionin dhe nuk është në qëllimin tim. Dua të provoj veten time dhe shanset e mia këtu në Tiranë, ndaj edhe u përfshiva në shtabin elektoral të Rakip Sulit. Kandidati rival i tij, kryetari aktual i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, m’i ka hequr familjarët nga puna, ndërsa për ne, brezin e ri, nuk ka dhënë asnjë mundësi punësimi. Mendoni, unë shkoj paradite në fakultet, ndërsa përpiqem që të punoj part-time në një shoqëri siguracionesh, siç po e shihni dhe vetë.
ELISABETA ILNICA
No comments:
Post a Comment