Ata janë Ramiz Alia, Rexhep Meidani, Aleksandër Meksi, Alfred Moisiu, Fatos Nano, Ylli Bufi, Bashkim Fino e Vilson Ahmeti. Dje, në ambientet e Teatrit të Metropolit, autorja bëri promovimin e librit të saj, botim i shtëpisë botuese “Toena”, ku merrnin pjesë edhe dy ish-presidentët Meidani e Moisiu. Për publicistin Preç Zogaj, ky është një libër me vlera jo vetëm se ndihmon në ndërtimin e dëshmie të plotë për 20 vitet e tranzicionit, por edhe nga mënyra se si është strukturuar. Jo si një renditje intervistash, por e renditur në bazë tematikash, duke dhënë mundësi edhe krahasimore mes të intervistuarve, të konfrontojë inteligjencën, por edhe këndvështrimet e tyre. Sipas shkrimtares Diana Çuli, libri i Haritos është ndryshe nga të gjithë ata që janë shkruar në këtë lëmë. Duke qenë larg (në Paris) autorja e sheh gjithçka nga një lloj distance dhe arrin të jetë e ftohtë dhe pa paragjykime. “Bisedat u ndërtuan në mënyrë të tillë që secili të jepte sa më tepër detaje konkrete mbi punën në drejtimin e Shqipërisë. Sigurisht, këto biseda nuk pretendojnë të trajtojnë subjektin në mënyrë tërësore. Nuk është fjala këtu për një studim historik ose sociologjik. Por rrjedha e tyre jep një panoramë të përmbledhur e të shpejtë të historisë sonë të përbashkët njëzetvjeçare, që prej shpalljes së pluralizmit në Shqipëri në dhjetor 1990, me fjalët e disa prej protagonistëve të kësaj historie”, thotë Milena Harito. Këtij libri i mungojnë bisedat me Sali Berishën, Ilir Metën, Bamir Topin e Pandeli Majkon, të cilët nuk i janë përgjigjur kërkesës së autores. Më poshtë po radhisim disa nga çështjet e trajtuara në këtë libër, sipas dy “dëshmitarëve” të kohës, Ramiz Alia dhe Ylli Bufi. Renditja e pjesëve është redaksionale.
PJESE NGA LIBRI-Në fundin e vitit 1990, nomenklatura komuniste e kishte kuptuar që ishte e detyruar të lëshonte pushtetin. Por në përpëlitjet e fundit të “dinozaurit” mund të ndodhnin gjëma. Misioni që i jep vetes Presidenti Alia është të evitojë gjakderdhjen.
Ramiz Alia: udhëheqja e PPSH-së së asaj kohe, si dhe unë që kryeja detyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe të Presidentit të Republikës, e kishim të qartë se duheshin bërë ndryshime duke e përshtatur sistemin tonë shoqëror situatave të krijuara. Këto përpjekje janë bërë gjatë viteve 1988-1990. në veçanti gjatë vitit 1990, me këtë synim u mbajtën, si asnjëherë tjetër, katër Pleniume të KQ-së të Partisë, në të cilët u morën shumë vendime liberalizuese. Por duhet thënë se synimi ishte të zbutej sistemi, t’i hapej rrugë kuadrit të rendit shoqëror socialist, por… brenda kuadrit të rendit shoqëror socialist, pa prekur thelbin e sistemit socialist. Kur filloi Lëvizja Studentore, në fund të vitit 1990, ishte e qartë se tashmë nuk mund të ecej më tej pa bërë ndryshime të thella, të cilat do të preknin vetë rendin socialist. Kishte ardhur momenti për t’i hapur rrugë demokracisë pluraliste dhe ekonomisë së tregut. Ne ishim të ndërgjegjshëm që duheshin bërë ndryshime. Siç e thashë, kur filloi Lëvizja Studentore, nuk kishte më vend për iluzione. Atëherë, shqetësimi i vetëm ishte që kalimi drejt demokracisë pluraliste të realizohej duke evituar pasojat që mund të dëmtonin interesat e vendit. Për këtë arsye, kur filloi Lëvizja Studentore, unë doja të evitoja atë çka ishte më e rrezikshme për popullin tonë, domethënë gjakderdhjen. Nuk duhet harruar që bëhet fjalë për fundin e vitit 1990. Atëherë shumica e njerëzve nuk mendonin si sot, përkundrazi ishin të lidhur me sistemin shoqëror socialist, i cili ishte vendosur në vendin tonë që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, një nga përplasjet në gjirin e shoqërisë sonë ishte e mundshme. Pikërisht, evitimi i përplasjes, e cila mund të sillte gjakderdhjen, një gjakderdhje të dimensioneve të mëdha, përbënte shqetësimin kryesor për mua si President i Republikës, por edhe për udhëheqësit e tjerë të asaj kohe.
Tensioni i zgjedhjeve të marsit 1991 dhe rifitoja e Partisë së Punës
Ramiz Alia: Situata në atë kohë ishte shumë e komplikuar. Përpjekjet bëheshin për ta qetësuar gjendjen. PD-ja doli si një kundërshtare e rreptë, sepse ajo donte pushtet dhe bënte gjithçka për ta fituar atë. Në zgjedhjet e marsit të vitit 1991, unë kisha vënë kandidaturën në Tiranë, megjithëse shumë njerëz më këshilluan që të mos e vija në Tiranë, pasi, siç më bënë me dije, PD-ja po merrte masa të ndryshme të sabotonte kandidaturën time. Një nga këta dashamirës ishte edhe Sabri Godo, atëherë kryetar i Partisë Republikane. Por unë ngula këmbë, sepse, po të largohesha unë, kjo do të thoshte që të mbillej panik në të gjithë kandidatët e tjerë në Tiranë. S’ka gjë thashë, edhe po humba unë, kam besim se kjo nuk do të përcaktojë edhe humbjen e partisë. E në fakt humba.
Pas rënies së diktaturës, në shkurt 1991, është Ramiz Alia President i vendit, ai që emëron kryeministër Fatos Nanon dhe më pas Ylli Bufin.
Ramiz Alia: Qeveria e Nanos u zgjodh menjëherë pasi u bënë zgjedhjet parlamentare të vitit 1991. Nga Kuvendi i parë pluralist u zgjodha unë, President i Republikës dhe, me propozimi tim, qeveria e parë në pluralizëm me kryeministër Fatos Nanon. Unë e propozova Fatos Nanon, sepse për mua ishte njeri i aftë, ishte ekonomist i zoti, kishte kulturë etj. Nga krahu i majtë, për mendimin tim, ishte njeriu më i përshtatshëm. Në atë kohë kështu mendoja. Këtë mendim kisha edhe për Shkëlqim Canin që u zgjodh zv/kryeministër, pastaj Guvernator i Bankës Kombëtare, meqenëse ishte i specializuar kryesisht në atë fushë. Kështu qeveria e parë u krijua krejtësisht socialiste, nga krahu i majtë, me njerëz të rinj profesionistë. Por kjo qeveri nuk pati jetë të gjatë, që nga mars-prilli deri në qershor. Pastaj, në kushtet që u krijuan, Kryeministri u detyrua të japë dorëheqjen dhe në vend të tij u caktua Ylli Bufi, që të krijonte qeverinë e re. Në kohën që u caktua Ylli Bufi si Kryeministër, unë mblodha përfaqësuesit e të gjitha partive për të diskutuar lidhur me përbërjen e qeverisë, e cila ishte menduar të ishte një qeveri me bazë të gjerë, pra me përfaqësues të të gjitha forcave politike, si të majta, ashtu edhe të djathta.
Shumë i ri, në qershorin e vitit 1991, Ylli Bufi ishte sidoqoftë një nga kuadrot me eksperiencë të Partisë së Punës, kur i propozojnë të bëhet Kryeministër i Qeverisë së Stabilitetit
Ylli Bufi: Mbas zgjedhjeve të vitit 1991 shpejt u bë e qartë që duhej një zgjidhje e përkohshme që të kalohej përsëri në zgjedhje të përgjithshme. Këtu u hodh ideja që të bëjmë një qeveri të përbashkët. Kërkesa vinte nga PD-ja e mbështetur edhe nga Ambasada Amerikane. Në qershor të vitit 1991 u arrit marrëveshje politike, ku Partia e Punës ra dakord të ndante pushtetin e vet me forcat e tjera politike, veçanërisht me PD-në, gjë që praktikisht ishte shumë në atë kohë kur PP-ja kishte mbi 60% të votave në Kuvend. Zgjidhja politike në thelb ishte një marrëveshje për një qeveri të përbashkët, një deri në dy vjet, që të përgatiste zgjedhjet. Edhe Presidenti Ramiz Alia ra dakord. Në qershor 1991, kur njëkohësisht bëhej kongresi i fundit i Partisë së Punës që e transformoi në parti Socialiste, unë isha caktuar Kryeministër nga PP-ja. Në atë kohë partia propozonte dhe Presidenti Ramiz Alia dekretonte. Natyrisht pata një hezitim jo vetëm se isha i ri, por ishte detyrë shumë e vështirë. Un vetëm në fund të qeverisë së Adil Çarçanit kisha qenë ministër i Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore, kisha pak përvojë. Por ishim të paktë ne që kishim qenë ministra. Isha unë, Skënder Gjinushi, ministër i Arsimit, por ai nuk ishte në Qeverinë e Stabilitetit, ishin dhe disa që kishin qenë zëvendësministra. Ndoshta unë isha i vetmi që kisha qenë ministër. Kur më thirri Ramiz Alia i thashë:
Po pse duhet të jem unë, ka dhe njerëz të tjerë.
Jo, më tha, kemi menduar, praktikisht ti ke më shumë eksperiencë nga të gjithë të tjerët.
Natyrisht, i thashë:
-Do mendohem.
Por nuk ishte si sot, ku ka një konsultim më të gjerë, u duk si automatike, sikur u pranua për shkak të eksperiencës sime. Natyrisht isha i ndërgjegjshëm për gjithë vështirësitë që po vinte. Qeveria e Fatos Nanos iku pa ndonjë dorëzim të pushtetit. Unë vazhdoja thjesht kontaktet politike me Fatosin. Besoj që po ashtu ka ndodhur kur Fatos Nano e mori nga Adil Çaçani, po atëherë kishte një lloj vazhdimësie në kuptimin që ishte e njëjta forcë politike, Partia e Punës dhe Fatos Nano ishte sekretar i përgjithshëm i Adil Çarçanit.
“Plani i pjerrët” i Qeverisë së Stabilitetit synon të ngadalësojë rënien e sistemit komunist, në mënyrë që të evitojë pasojat e shembjes brutale.
Ylli Bufi: Emergjenca atëherë ishte siç janë sot punët normale. Në qoftë se sot punët normale janë 99% dhe emergjenca është 1% e rasteve, atëherë ishte e kundërta, emergjenca ishte 99% e punës dhe mbase, nuk e di nëse kishte apo jo 1% situatë normale. Atëherë problemi themelor ishte ky: ne të gjithë e dinim që ajo ishte një qeveri e përkohshme për ta çuar vendin në zgjedhje, por objektivi i saj ishte në kontradiktë me vetë emrin, Qeveri e Stabilitetit. Imagjinohej që kjo qeveri e përkohshme do të stabilizonte vendin, stabilizim politik, stabilizimin e rendit, natyrisht stabilizimin ekonomik. Por, objektivi i stabilitetit ishte fare larg. Gjërat nuk ishin kaq të qarta sa janë tani, ne ishim të gjithë shumë të rinj, nuk kishim përvojë. Unë e theksoj mungonte institucioni kryesor që në republikat parlamentare është Presidenti, shteti ishte i rënë. Analizat i bënim ne qeveria vetë, pa partitë. Partitë miratonin, por nuk ishin akoma në gjendje të përcaktonin çfarë i duhej vendit. Opozita donte vetëm të bëheshin zgjedhjet ndërsa PS-ja ishte në dilemën ta mbante apo mos ta mbante pushtetin, vetvetiu ndodhej në dilemë. Sigurisht në dukje ishte e vendosur për ta mbajtur pushtetin, bile disa elementë apo ca lëvizje pro-enveriste ishin më radikalë. Por pjesa më e rëndësishme, drejtimi i partisë mendonte çfarë do të bënte në atë situatë. Ne edhe sot e kujtojmë idenë e planit të pjerrët: sistemi që po bie, të bjerë ngadalë në mënyrë që të kufizohen pasojat. Në njëfarë mënyre ideja e planit të pjerrët u arrit. Kjo nuk thuhej publikisht, por midis nesh me Fatosin (Nanon), Kastriotin (Islamin), me Ramizin (Alian), me Zabit Brokën, me Servet Pëllumbin, gjithë lidershipi i partisë ishte i qartë për këtë gjë. Vërtetë votimi tregoi që Partia e Punës kishte akoma mbështetje të gjerë, por ishte thjesht inercia. Elektorati vazhdonte të kishte besim tek kjo parti, pavarësisht nga problemet, sidomos të kapitullimit ekonomik që u bë shumë i qartë në fund. Kryesorja e asaj kohe ishte që ne donim të stabilizonim vendin, por çfarë donim të stabilizonim? Si prioritet caktuam tre gjëra:
E para, çështja e krizës ushqimore. Gjithçka ishte e mbyllur. Ndihmat humanitare që kishin filluar të vinin nga shoqatat duhet të ktheheshin në ndihma konsistence nga qeveritë. Menjëherë bëmë një marrëveshje të parë me qeverinë italiane. Në fakt ishte bërë një marrëveshje me ta në kohën e Qeverisë Nano, por nuk kishte filluar ende të zbatohej. Pati një mbështetje edhe nga qeveria amerikane dhe nga jo gjermane, franceze por më kryesorja, më konsistentja ishte ndihma e qeverisë italiane.
Objektivi i dytë i madh ishte çështja e rendit. Vendi ishte krejtësisht i destabilizuar, shtet pa polici, pa ushtri, sapo kishte ndodhur ngjarja e 3 prillit 1991 në Shkodër, policia ishte tërësisht e paralizuar. Opozita vazhdonte të bënte manifestime, policia ishte e tërhequr. Natyrisht, pas zgjedhjeve të para, situata ishte më e qetë. Por veçanërisht pas eksodeve të marsit dhe të gushtit, nga të gjitha anët rendi ishte tërësisht i destabilizuar. Policia njihej si polici e sistemit të mëparshëm që nuk ishte rinovuar akoma dhe që kishte prapë Partia Socialiste. PD-ja e shikonte me dyshim, megjithëse ishte pjesë e Qeverisë së Stabilitetit. Veç emergjencës, objektivi i tretë i pashmangshëm ishte reforma ekonomike.
Reforma fillon në ekonomi që me krijimin e strukturave të nevojshme nga Qeveria e Stabilitetit për shpërndarjen e ndihmave në 1991.
Ylli Bufi: Stabilizimi nuk mund të bëhej mbi strukturat e vjetra, duhet të fillonte ngritja e strukturave të reja. Por ato duheshin ngritur me ligje dhe ajo që unë e vlerësoj shumë dhe i kthehem edhe mbas kaq vitesh, është sesi ne u importuam në çështjen e reformës. Do të të them vetëm një gjë- ja do vinin ndihmat ushqimore, po ku do të vinin? Si do të shpërndaheshin? Rrjeti i tregtisë ishte tërësisht i shkatërruar. Ndërmarrje shtetërore s’kishte. Duhet të ktheheshin në private, po si bëhej që të ktheheshin kaq shpejt në private? Atëherë ne nxorëm në mënyrë të shpejtuar një ligj që është i diskutueshëm, disa thonë edhe i gabuar, pse jo, të privatizimit të dyqaneve në mënyrë që t’i merrnin shitësit dhe të fillonin të shisnin, të shpërndanin në të gjitha mënyrat. Ndihmat i merrnin ndërmarrjet tregtare, rezerva e shtetit, që si rrjet shpërndarjeje kishte dyqanet, s’kishte gjë tjetër. Nuk ekzistonin strukturat që janë krijuar sot për rastet e emergjencave. Njerëzit s’kishin paga. Shteti s’kishte buxhet në vitin 1991, ishte pa buxhet. Kjo na detyroi të futemi në çështjen e reformës për të ngritur strukturat e ekonomisë së tregut. Nuk mund të fillonim të stabilizonim disa gjëra në strukturat e shtetit të vjetër. Pra u detyruam të paraqesim në parlament një program të reformës ekonomike dhe një paketë ligjesh. Ligji bazë, që ekziston edhe sot mbi ekonominë e tregut, iniciativën e lirë dhe pronën private, është ligji që kemi propozuar ne si qeveri në vitin 1991. Ai ligj gjithnjë amendohet, pasurohet, por vazhdon të jetë edhe sot në fuqi dhe është ligj bazë i gjithë reformave që ndodhën më pas me PS-në apo me PD-në. Ligji i 1991-shit që i lejonte gjithkujt të hapte një dyqan, të shiste, të blinte, të kishte aktivitet tregtar. Elementet e para të ekonomisë së tregut filluan të kristalizoheshin aty…
ALMA MILE
No comments:
Post a Comment