Sunday, April 10, 2011

Pse gara elektorale në Shkodër, nuk ka konkurrentë të barabartë?

Nga Besi BEKTESHI

Qyteti më i madh i veriut të Shqipërisë edhe në vitin 2011, por akoma më tepër në këtë dhjetëvjeçar të dytë të shekullit njëzet e një, veçmas të gjithë Shqipërisë, nuk do të ketë garë elektorale të barabartë. Është një mallkim për të majtën,apo është një fat për të djathtën, kjo është shumë për tu diskutuar, por ato që kanë sy, veshë, por edhe një lloj kujdesi për të parë dhe analizuar situatën e sotme të Shkodrës, e kuptojnë shumë qartë dhe shumë mirë, se kandidati i mazhorancës, por kryesisht i Partisë Demokratike, është në një garë shpejtësie po të themi prej 100 metrash, njësoj si të niset 20-të metra përpara kandidatit të Partisë Socialiste.

Kjo, pa pasur parasysh aspak fuqitë motorre të të dy kandidatëve, që për fat timin, i kam takuar, kam biseduar dhe normalisht sqaruar, si për pikëpamjet politike, dhe të zhvillimit të qytetit.

Nuk dua aspak në shkrim të merrem me fushatën elektorale të zotit Luka dhe zotit Uruçi, sepse ato kujdesen vetë për këtë, por më duhet të trajtoj problemin, pse kjo garë është e pabarabartë, dhe pse Shkodra, është qyteti ku një forcë politike tenton të hyjë gjithmonë si “fituese e vendit të dytë” dhe me diferencë nga fituesja e përhershme.

Një diçka e tillë, nuk ndodh në asnjë qytet të madh, ose edhe gjysmë të madh të Shqipërisë.

Një pjesë e analistëve apo opinionistëve në Tiranë, e konsiderojnë Shkodrën, një bastion të antikomunizmit në Shqipëri, dhe me këtë duan ti mbyllin të gjithë debatet, por është kollaj ku sugjestionohesh nga politika bulevardesh, opinione të dala nga kafetë që pihen në kate të larta, dhe takime vetëm me dy njerëz që të pihet ty… kafja.

Në të vërtetë e djathta në Shkodër, Partia Demokratike, fiton edhe në saj të antikomunizmit të padiskutueshëm të shkodranëve, dhe dëmtimit që ka pësuar ky qytet dhe kjo trevë nga Enver Hoxha dhe të tijtë për 50 vite, por nuk është se Shkodra nuk do të majtën!!

Kur në qytetet e mëdha të Shqipërisë, nuk dinin se kush ishte në përgjithësi “mënyra e të bërit politikë”, në Shkodër, kishte të majtë të madhe dhe socialdemokraci të jashtëzakonshme, që pastaj më vonë, Enveri e vrau dhe e burgosi.

E majta ka lindur në Shkodër… por në këtë qytet, nuk ka pasur të majtë reale dhe të sinqertë mbas mbarimit te diktaturës.
Pra kjo… politikisht e djathta, është edhe një madhësi antikomuniste apo më mirë anti enveriste në Shkodër.

As sot në Shkodër, nuk është formuar një e majtë reale dhe e sinqertë, e cila të kontribuojë, të shoqërojë qytetarët shkodranë si të qytetit dhe të ardhurit, si myslimanë dhe ato katolikë, si të pasur dhe të varfër, në jetën e tyre dhe t’ju tregojë se e ka sinqerisht.

Mbase ka qenë më mirë disi në fillimet e viteve 90-të… mbase!

Është ndoshta turp të bësh një konstatim të tillë, por ja që në përgjithësi kështu është.

Nëqoftëse gara e PD-së për Shkodrën nis me realizimet e saj dhe të vetë Lukës, me rrugë të shumta që gjithkush i shikon, me trotuare të shumtë që gjithkush dhe më shumë të huajt i shikojnë, me kanalizime dhe ndriçim, me lulishte dhe rreth-rrotullime, me unazë dhe vepra të tilla si rrugë të brendshme, me rikonceptim të qytetit si mjedis shoqëror të ri… gara e socialistëve me çfarë fillon?

Një mik i imi më thotë: Besi, qytetin dhe tanë Shkodrën, e ka mbytë uji dhe kjo asht boll!!

Këtë logjikë e kam dëgjuar edhe nga lartësitë e Tiranës në PS-në lart, dhe analistë-opinionistët e saj.

Nëqoftëse presin që qytetarët Shkodranë të ndëshkojnë Lukën se “i ka mbytë uji” domethënë se e kanë vendosur që do të humbin, dhe me sa duket thellë, kësaj rradhe… shumë thellë, dhe sa vijnë ditët me afër 8 majit, aq më shumë krijohet bindja se nuk ka strategji të majtë në qytetin e madh të veriut, i administruar prej 20 vitesh nga demokratët, dhe tanimë prej afro katër vitesh nga Lorenc Luka.

Duket sikur gati-gati, nuk ka nevojë për fushatë, njeriu që nuk ka shkuar në më shumë se 20 investime të mëdha dhe të mesme të Bashkisë së Shkodrës, për të prerë shiritin. Në të vërtetë, ai nuk do të presë shirita, sepse mendon se në Shkodër kjo punë e mbajtjes së gërshërëve për të prerë shirita, më shumë dëmton se sa shërben.

Në Shkodër, e kanë zakon të thonë për përsëritjen… tani na…! E Luka është një shkodran. Por po kthehem te e majta socialiste, e cila kësaj rradhe në qytetin e madh mund të demonstrojë se është një forcë e cila sëmuret edhe nga gripi më i vogël.

Çfarë ka dallim midis PD-së dhe PS-së në Shkodër sot?

Bie fjala, në takimet e PD-së… takime politike debatohet, ka edhe biseda me zë të lartë, ka dyluftime idesh, ka edhe mosmarrëveshje parimore dhe për emra. Por ka edhe konsensus, fuqi kompensuese politike, ka tolerancë për hir të fitores dhe grupit, ka norma të qarta të daljes si parti elektorale e bashkuar dhe efikase.

Demokratët, mbas debateve mbyllin derën, dalin në terren, marrin edhe bekimin e lartësisë së Tiranës, dhe i përvishen punës për fushatën dhe për fitoren.

Socialistët….socialistët, në fillim fillojnë barcaletat, pastaj historitë me kandidatura dhe afërsi me liderë dhe lidere, pastaj mbas kësaj, fillojnë stërkëmbëshat me religjon, dhe me tani erdhi, tani iku, tani është ky, tani është ai, tani ka lekë, tani nuk ka lekë, tani ka cilësi, tani nuk ka kurrgja…..!! Pastaj nisin me rrëmujat me takime, dhe nisin sms dhe letra, por edhe korierë dhe koriere në Tiranë, pastaj nganjëherë edhe rrihen, pastaj shajnë deputetët, dhe pastaj shajnë njëri tjetrin…etj etj.

E megjithatë, Shkodra ka socialistë, që ja duan të mirën qytetit, të bindur për demokracinë, të respektuar nga shkodranët dhe pse jo….edhe nga kundërshtarët, për cilësinë e tyre publike dhe njerzore, por edhe për ndershmërinë e tyre politike.

Mirëpo PS-ja në Shkodër, ka humbur sensin të jetë forcë e sinqertë, që do të konkurojë për të fituar, sepse nuk fiton nga që nuk është e siqertë.

Pse e them këtë?

Socialistët nuk i panë një herë në sy kolegët e tyre demokratë, edhe në bazë të përfaqësimit të shtresave, por dhe të religjionit dhe të qytetarisë. Të më falin, por ka vite e vite, që nuk vendosin raporte të drejta dhe të sinqerta në këtë drejtim. Dikur tentonin parimin “fshati të rrethojë qytetin” dhe dikush-dikush edhe sot, duke kujtuar se Shkodra si qytet mijravjeçar lëvizet në saj të fshatit.

Por në të vërtetë nuk tregojnë asgjë, se nuk kanë lexuar, nuk dinë historinë e qytetit të madh dhe të çuditshëm deri në atë pikë, sa që “nuk e merr vesh kur të hyn uji”. Këtë gjë e pësojnë edhe ato që merren me Shkodrën në Tiranë.

Pastaj normalisht lufta politike është me kundërshtarin dhe ky është PD-ja, por PS-ja në Shkodër ka kohë që nuk del nga lufta me veten.

Kurse me PD-në as që bëhet fjalë se mund të maten realisht. Nuk del kështu edhe fitorja dhe mendoj se nuk është vetëm këtu, por me duhet të flas qartë për qytetin tradicional.

Si ka mundësi që PS-ja e Shkodrës të mbetet një lavjerrës i kryesisë së madhe të PS-së, për vite e vite??

Si ka mundësi që shkodranët në PS-në e madhe… janë si dikur, si te ajo barcoleta që tregon: Do të pranohej në një fshat të jugut të thellë, një kooperativise në parti, dhe të gjithë po flisnin mirë, por një xhaxho me tituj dhe dekorime, nuk po fliste. Më në fund sekretari in partisë, i thotë xhaxhait të flasë edhe ai një fjalë dhe xhaxhai thotë “mirë, mirë është vajza, por mos harroni se ka një motër të martuar në Shkodër”…! Mbase vazhdon edhe kjo teori akoma në Tiranë, por mbase e kanë fajin edhe socialistët shkodranë që autopersekutohen dhe që nuk bëjnë pjesë në trashëgiminë e të majtës moderne dhe të rafinuar në përgjithësi.

Mbase nuk bëjnë pjesë, nuk duan, ose nuk nxjerrin një njeri që të përfaqësojnë intelektualizmin.

Por ndoshta nuk “duhet” dhe nuk kërkohet kjo gjë…..ky virtyt në politikën e sotme.

Mbase duhen akoma politikanë që kanë shumë shokë trima… dhe të fortë.

Mbase, por deri sa të korrigjohen, të vetërregullohen dhe sidomos të sistemojnë idetë, e sinqeritetin ndaj qytetit, do të vazhdojnë të mos jenë garistë të mirë, të nisen shumë mbrapa dhe të lënë Shkodrën pa opozitë.

Kjo pastaj është akoma më keq, por nuk është temë e këtij shkrimi. Sepse është kaq shumë faj, sa dikush mundohet ta rregullojë duke qenë në pozitë.

No comments: