Më mirë se kaq, asnjë nuk e kishte ëndërruar. Shqipëria ka bërë dje një superkapërcim, plot 23 vende të ngjitura dhe 100 pikë të fituara më shumë për të arritur atë që me plot gojën mund ta quajmë “Everistin” kuqezi në renditjen prestigjioze të FIFA-s, renditje e cila përcakton shumë edhe çështjen e famshme të vazove. Por jo vetëm kaq, edhe në renditjen e Kontinentit të Vjetër, kuqezinjtë kanë arritur vendin e 29-të, rekord absolut për kombëtaren tonë, por që në një farë mënyre ishte i paralajmëruar.
Në muajin nëntor, kuqezinjtë arritën të thyenin rekordin e vendosur nga Oto Bariç, në gushtin e vitit 2006, kur Shqipëria arriti të ngjitej në vendin e 62-të (rekordi i mëparshëm takonte kombëtares së Zhegës, e cila u ngjit deri në vendin e 74-ët). Megjithatë, ky rekord nuk entuziasmoi shumë, pasi përfaqësuesja jonë kishte disa muaj që nuk luante asnjë ndeshje dhe pozicioni u arrit falë rënies së përfaqësueseve aty pranë. Por në nëntor të viti të shkuar do të vinte edhe ngjitja e re. Barazimi me Bosnjën do të bënte që kuqezinjtë tanë të ngjiteshin nga pozicioni i 65-të, në të 58-in, duke thyer kështu rekordin 5-vjeçar të mbajtur nga plakushi Bariç. Më pas erdhi një rënie deri në vendin e 73-të, ku ndikuan jo pak humbja me Bjellorusinë (0-2), barazimi me Maqedoninë (0-0) dhe humbja me Slloveninë (1-2).
Por, triumfi ndaj një rivali që deri një muaj më parë gjendej në vendin e 37-të, sikundër është Bjellorusia, solli edhe rekordin e madh, kapërcimin me 23 vende njëherësh dhe katapultimin në pozitën e 50-të. Përpara nesh, nga anëtarët e grupit D eliminator, gjendet Franca, e cila është në vendin e 19-të, Rumania e 41-ta dhe Bosnja e 44-ta.
Renditja kontinentale
Por, renditja e FIFA-s, kushtëzon dhe renditjet kontinentale, ndaj edhe në listën e UEFA-s, kuqezinjtë kanë bërë një kapërcim të ndjeshëm, duke arritur vendin e 29-të, çka do të thotë vazo numër 4 e garantuar, madje, edhe vazo numër 3 është shumë pranë, vetëm 2 vende më larg! Por që të arrihet diçka e tillë, kuqezinjtë duhet të mbajnë ritmin e duhur, e kjo do të thotë fitore me rivalët e drejtpërdrejtë. Por, duke qenë se njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja së bashku fytyrën, nëse ky ritëm do të arrihej të mbahej deri në fund të këtyre eliminatoreve, atëherë edhe europiani do të ishte shumë pranë, për të mos thënë se mund të bëhej realitet.
No comments:
Post a Comment