Nga Besnik Gjongecaj
Pedagogu i Universitetit Bujqësor, Besnik Gjongecaj ndihet i kërcënuar për shkak të shkrimeve kritike ndaj qeverisë, të botuara në “Gazetën Shqiptare”. Në zyrën e tij të punës ditët e fundit janë hedhur disa trakte që e akuzojnë se duke kritikuar qeverinë, ai ka tradhtuar tropojanët dhe automatikisht po mbështet Partinë Socialiste. Gjongecaj pretendon gjithashtu se “traktet” janë pjesë e një fushate presioni të ndërmarrë ndaj tij nga struktura pranë qeverisë. “Kisha kohë që nuk thirresha në konferenca, në pritje autoritetesh, në përvjetorë, në pjesëmarrje projektesh. Pas këtij acari erdhi trakti”, - shprehet Gjongecaj. “Gazeta Shqiptare” boton sot të plotë reagimin e profesorit të njohur ndaj presioneve që po i bëhen kohët e fundit.
Pak ditë më parë, ndërsa hapja derën e zyrës sime - një zyrë që, ose për shkak të dyshemesë së deformuar dhe pllakave demode të shtruara këtu e dyzet vjet më parë, ose për shkak të dy-tri orendive të ftohta dhe një karrigeje të vetmuar të vënë në mes të dhomës, ose që për shkak të të dyjave bashkë, i ngjan një zyre hetuesie apo një dhome paraburgimi të dikurshëm shumë më tepër se një zyre profesori universiteti - poshtë saj, pra poshtë derës së sapohapur, pashë një copë letër pa zarf, të palosur, së cilës nuk e di se pse, por gjëja e parë që i bëra ishte rënia me shqelm. Letra rrëshqiti dhe më në fund qëndroi në mes të dyshemesë pa formë e të dalë boje. Që në fillim m’u duk si një letër e pisët, e përdorur keq, madje për shkak të mungesës së zarfit dhe palosjes së çrregullt m’u duk si një letër që nuk vinte fare nga kjo kohë, por nga një kohë tjetër të jetuar më parë. Akoma më shumë, pikërisht pse ishte palosur me nxitim, pse ishte mbajtur diku e fshehur në një xhep që me siguri mezi e nxinte, dhe të dyja këto, si nxitimi në palosje ashtu edhe fshehja në xhep provoheshin nga zhubrosja që dallohej menjëherë dhe që nga larg, ajo, letra nën derën e zyrës time, m’u duk madje edhe më e largët se kaq, m’u duk si një gjë që kishim kohë që e kishim harruar, si një gjë që vinte e rishfaqej nga nëntoka, pjesa ku rrinë të vdekurit, si hija e frikshme e një kafshe prehistorike e zhdukur kohë më parë. Ajo copë letër e futur poshtë derës së zyrës sime m’u duk si një trakt i shkruar në kohën e organizatave të partisë të para vitit ‘90, i ruajtur diku larg syve të njerëzve dhe që shpërndahej sot, njëzet vjet pas përmbysjes së këtyre organizatave.
E hapa letrën me neveri dhe pashë që ishte një letër e printuar. Përmbajtja e saj ishte nxjerrë nga një rubrikë në internet, ku supozohet që postohen opinione lexuesish. Ishin disa paragrafë të cilët kishin përbri edhe datat kur ishin postuar në internet, dhe të gjithë të marrë së bashku supozohej të shprehnin opinionin e lexuesve për një shkrim timin që e kishte botuar Gazeta Shqiptare te rubrika “opinioni i ditës”. Dikush më akuzonte se, duke kritikuar qeverinë unë kisha tradhtuar tropojanët dhe automatikisht kisha mbështetur jo Partinë Socialiste, por shumë më zi: kisha mbështetur ish-Partinë e Punës, e cila e kishte lënë Tropojën në varfëri. Një paragraf tjetër thoshte se, duke kritikuar qeverinë isha vetëzbuluar më së fundi që punoja për Edi Ramën. Nja dy të tjerë vetëm shanin, pa u munduar të gjenin të paktën një sebep se pse e bënin këtë. Ishin katër paragrafë të postuar në data të ndryshme, por gjithsesi, për shkak të një stili që aplikohet nga njerëz me shkollë dhe analfabetë njëkohësisht, kategori që nuk gjendet në fytyrë të dheut përveçse në Shqipëri, më në fund mund të konstatoje se të katër paragrafët ishin shkruar nga e njëjta dorë, nga i njëjti person. Shkova diku në një zyrë tjetër dhe hapa faqen e internetit nga ku mund të ishte origjina e opinioneve. E gjeta shpejt dhe menjëherë konstatova që në këtë faqe kishte edhe postime të tjera, të cilat shpreheshin pozitivisht për shkrimin tim. Ato nuk ishin në traktin që ishte futur nën derën e zyrës time. Trakti, qartësisht, ishte formuluar në mënyrë selektive: përmbajtja e faqes së internetit ishte kopjuar dhe transferuar në ‘ëord’ dhe aty ishte masakruar. Ishin hequr opinionet pozitive dhe ishin lënë opinionet e fabrikuara nga hartuesit e traktit. I tillë, edhe i marrë nga realiteti i internetit, edhe i falsifikuar, trakti “dele-dash” ishte futur në zyrën time për të më paralajmëruar që shkrimet e mija dhe unë urreheshim nga lexuesit. Ishte një lloj terrori psikologjik, përmes të cilit dikush donte të më detyronte të hiqja dorë nga paraqitja publike e opinioneve të mija. Vinte pas një izolimi që më ishte bërë me kujdes që kur kisha filluar të kritikoja qeverinë. Megjithëse një nga profesorët më kontribuues në universitet, kisha kohë që nuk thirresha në konferenca, në pritje autoritetesh, në përvjetorë, në pjesëmarrje projektesh. Pas këtij acari erdhi trakti, i cili, përveç të tjerash tregoi kalimin në një fazë të re pas acarit, izolimit: kalimin në fazën e gjymtimit psikologjik. Mesazhi më i qartë që më solli ky trakt ishte se lufta ndaj një kritikuesi të qeverisë nuk është një luftë e thjeshtë, e dystë dhe pa ulje e ngjitje, pra, nuk është një luftë që nuk ka faza, taktika, strategji. Ajo është një luftë që i ka të gjitha këto, të përpunuara me kujdes, dhe me siguri, nëse kritikuesi i qeverisë nuk thyhet, atje, diku, nga dikush, është gati edhe një fazë tjetër, madje edhe tjetra pas fazës tjetër, derisa ose të thyesh, të dorëzohesh, ose... Të gjitha i ke pas qafe: planin A, planin B, planin C...; të gjithë të fshehur në një sirtar, ndërsa mezi presin të dalin prej tij dhe të të qëllojnë vetëm në drejtimin që njohin: pas shpine.
* * *
A ka dështuar Perëndimi në politikat e tij mbi Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme? Kjo ishte tema e debatit në emisionin e mirënjohur “Ëorld Debate” të BBC disa ditë më parë. Në panel ishin Catherine Ashton, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë; Jeanne Shaheen, senatore amerikane dhe anëtare e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit amerikan; Nabil Fahmy, përfaqësues i Universitetit Amerikan të Kajros. Auditori kishte jo vetëm qytetarë të thjeshtë, universitarë, por edhe përfaqësues të rëndësishëm të politikës, gazetarisë. Një pyetje duket se mori një rëndësi të veçantë në këtë debat: A u parashikua konflikti në Tunizi, në Kajro, në Libi, Siri etj? Përgjigja nga të gjithë pjesëmarrësit ishte e njëjtë: Po, konflikti ishte parashikuar. Konflikti bazë që futi në zjarr këto vende, dhe për këtë ishin përsëri të gjithë në një mëndje, është në thelbin e tij një konflikt gjeneratash. Në të gjitha vendet e përfshira nga revolucioni, konflikti lindi dhe u zhvillua midis rinisë dhe administratës autoritariste të politikës së këtyre vendeve. Të rinjtë në moshë më të re se 20 vjeç përbëjnë pothuajse 60% të popullsisë së këtyre vendeve, pjesëmarrje kjo e mjaftueshme për të parashikuar mundësinë e një konflikti. Mundësia e konfliktit u shndërrua në realitet sepse ai u ushqye nga interneti, i cili, duke kompensuar me përshkueshmërinë e vet virtuale mungesën e përshkueshmërisë fizike në kufijtë e vendeve autokratike, ndihmoi rininë e këtyre vendeve të kuptojnë diferencat midis politikës autoritariste dhe politikës në një vend demokrat, midis mjerimit brenda kufijve të një vendi autokratik me prosperitetin e vendeve ku zhvillohet demokracia. Ajo që nuk u parashikua saktësisht nga Perëndimi ishte shpejtësia e zhvillimit të konfliktit, sepse në fakt, nuk u parashikua madhësia e gradientit midis së keqes brenda vendit dhe së mirës jashtë tij. Nëse kufijtë fizikë të këtyre vendeve do të ishin paksa të përshkueshëm, presioni shoqëror brenda tyre do të ishte më i vogël. Njerëzit do të mund të dilnin jashtë kufijve “mure” dhe do të mund të risillnin brenda vendit pasuri dhe një stil tjetër jetese, gjë që do të “shfrynte” presionin e lartë shoqëror dhe do të ulte kështu edhe shpejtësinë dhe ashpërsinë e konfliktit. Por kufijtë fizikë që kishin vendosur regjimet autoritariste ishin të hekurt, të papërshkueshëm, dhe të vetmit kufij të hapur ishin kufijtë virtualë të internetit, përmes të cilëve nuk lëviz paraja, nuk lëvizin mallrat, nuk lëvizin njerëzit, pra nuk lëvizin faktorët materialë që mund të përmirësojnë jetën e njerëzve, por vetëm idetë, parimet, stilet politike të qeverisjes, ëndrrat. Imagjinoni të rinj të varfër me ide të qarta se si mund të bëhen të pasur, të rinj skllevër me ide të qarta se si mund të thyejnë zinxhirët e skllavërisë!
* * *
Shqipëria ka një milion shqiptarë jashtë kufijve. Përshkueshmëria e njerëzve dhe ajo materiale, jo në përmbajtje, por të paktën formalisht, është e siguruar. Nga ana tjetër, politikisht, Shqipëria është një regjim hibrid, i cili karakterizohet nga dominimi i autoritarizmit. Përballë këtij regjimi hibrid është rinia shqiptare, e cila, ashtu si vendet ku protestohet apo luftohet sot, jo vetëm që zë një pjesë të madhe të popullsisë, por jashtë çdo dyshimi, ndodhet edhe nën presionin e “mollës së ndalueme”, pra të pamundësisë të bëjë një shkollë apo të jetojë një jetë si ajo që i vjen virtualisht nëpërmjet internetit. Prandaj, presioni i internetit mbetet si i tillë mbi rininë shqiptare, por për shkak të përshkueshmërisë fizike të kufijve ekzistues shtetërorë ky presion nuk ka krijuar vlerat e përplasjes shoqërore, vlerën “threshold” të një ndryshimi të madh, që të mos ta quajmë vlerën kufi pas të cilit fillon një revolucion. Por kjo nuk është arsyeja e vetme. Një arsye tjetër pse ky vend nuk po realizon një ndryshim të madh është “helmimi” i rinisë. Në vitin ‘90, rinia ishte forca kryesore që u përdor nga politika për të rrëzuar regjimin diktatorial, por sot ajo nuk është më e tillë. Rinia shqiptare është konfuze, nuk ka një objektiv të qartë, është në konflikt me vetveten. Megjithëse situata në Shqipëri është shumë më keq se situata në vitet ‘60 në Evropë dhe në Amerikë, dhe një situatë jo shumë e ndryshme nga vendet e futura në konflikt ditët e sotme, rinia shqiptare akoma nuk po pyet vetveten: çfarë nuk shkon me Shqipërinë? E helmatisur qëllimisht nga politika, rinia e sotme nuk mendon për vendin, por për veten dhe pa vendin e saj. Rrënjëshkulur, ajo është produkt i një shkolle helmatisëse, i një shkolle që nuk nxjerr qytetarë, që e shkatërron dhe e bën pluhur e hi integritetin e të riut, madje shpesh, edhe pa i dhënë asnjë shans për ta formuar atë. Shkollat po krijojnë kopje psikosociale në vend të studentëve të vërtetë, qenie pa nerv, pa aftësi për të zgjidhur problemet, të aftë vetëm për t’u përshtatur dhe pranuar të keqen. Fatkeqësisht, për këtë shkak rinia i ka dhënë shansin më të madh mbijetesës së politikës autoritariste, duke nulifikuar mundësinë për një ndryshim të vërtetë në Shqipëri.
* * *
Letra që u fut poshtë derës së zyrës sime, për shkak të fshehtësisë dhe anonimatit, ishte një trakt si ato që shpërndante z. Shoshori këtu e katër dekada më parë. Në të gjithë të tjerat ato ndryshojnë. Z. Shoshori ishte një qytetar i thjeshtë që kishte vendosur të luftonte kundër diktaturës. Ai që e futi traktin poshtë derës sime është një sahanlëpirës që përpiqet t’i japë jetë autoritarizmit në politikën shqiptare. Z. Shoshori nuk falsifikonte, përkundrazi, tregonte të vërtetën ashtu si ai e përjetonte thellë në shpirtin e tij. Trakt-hedhësi në zyrën time bën të kundërtën: falsifikon, krijon një realitet që nuk është. Z. Shoshori, me siguri, për shkak të bindjeve nuk kishte frikë nga ajo që bënte. Trakt-hedhësi modern është i frikësuar në palcë, jo vetëm se fsheh dorën që hodhi traktin, por sepse në radhë të parë nuk ka guxim të shprehë mendimin e tij publikisht, megjithëse ai me siguri do të ishte në favor të qeverisë, dhe së dyti, ai dridhet nga frika kur mendon se që në rastin e parë të daljes publike do të zbulohet injoranca që me aq kujdes e ka fshehur në krejt ngjitjet e karrierës së tij. Z. Shoshori ka qenë inteligjent, ndoshta edhe për faktin e vetëm që kishte kuptuar thelbin çnjerëzor të sistemit totalitarist kur të tjerët e adhuronin atë. Trakt-hedhësi i sotëm është injorant, një i shkolluar i dyshimtë, paçka se edhe mund të jetë një mësimdhënës në universitet, paçka se mund të ketë edhe gradë shkencore, edhe titull akademik. Z. Shoshori, më në fund, ishte një njeri që kërkonte të ngrinte peshë rininë shqiptare kundër të padrejtës dhe ta përgatiste atë për një ndryshim të madh. Trakt-hedhësi është helmatisës i rinisë, është ai që kërkon ta zhytë atë në injorancën e thellë prej së cilës ai vetë ka gjithë jetën që nuk shkëputet dot. Trakt-hedhësi i sotëm, ai dhe autorizuesit e tij, janë ekzaktësisht ata që kanë zgjedhur jo rrugën e zgjimit, por atë të vrasjes së ndërgjegjes së rinisë dhe fshehjes së misionit që ajo ka, duke i mohuar kështu Shqipërisë fatin e një ndryshimi të vërtetë.
No comments:
Post a Comment