Wednesday, July 6, 2011

Shaban Sinani: Shteti shqiptar të shpëtojë Katedrën e Munihut

Studiuesi Shaban Sinani

Pas 50 vjet jete, rrezikon të mbyllet Katedra gjuhësore e hapur nga Martin Camaj. Si pasojë e reformës arsimore në sistemin universitar gjerman, kjo katedër në Universitetin “Ludwig-Maximilian” të Munihut është e rrezikuar të humbasë fizionominë e saj.Mungesa e personelit pedagogjik, i cili pa dyshim kërkon një mbështetje financiare, nuk ia lejon përshtatjen me sistemin e ri universitar, sipas Kartës së Bolonjës (Bachelor dhe Master). Ky problem u ngrit pak ditë më parë në një konferencë të zhvilluar në Munih me rastin e 50-vjetorit të katedrës, ku merrnin pjesë albanologë shqiptarë e të huaj. Njëzëri, të gjithë albanologët bëjnë thirrje për ndërhyrjen institucionale, qoftë nga Shqipëria, por edhe Kosova e Maqedonia, me qëllim shpëtimin e kësaj katedre, e cila është themeluar nga një prej figurave më të shquara të Albanologjisë dhe letrave shqipe, Martin Camaj. Sipas drejtuesit të kësaj katedreje, Bardhyl Demiraj, reformimi i sistemit universitar gjerman në kuadrin e procesit reformues të Bolonjës, po ndikon negativisht në mbarëvajtjen e aktivitetit të degës së Albanologjisë, e cila nuk i ka kapacitetet e mjaftueshme me personel mësimdhënës që të zhvillojë aktivitetin e vet universitar si degë më vetë në nivelin e parë (Bachelor). Sipas tij, fati i saj mbetet i pasigurt edhe për nivelin e dytë të studimit universitar (Master), sa kohë që dega mbulohet vetëm me një vend profesure dhe pa një lektorat të rregullt, sikurse është rasti në degët e tjera universitare me karakter rajonal. Demiraj thotë se përgjithësisht këto probleme zgjidhen përmes një marrëveshjeje ndërshtetërore, çka do të thotë se shtetet e interesuara duhet të ndërhyjnë sa janë në kohë për të siguruar vazhdimësinë e së vetmes degë universitare albanologjike në Europën Perëndimore. I pranishëm në konferencën e Munihut ishte dhe studiuesi prof. dr. Shaban Sinani, i cili na tregon për konferencën, problematikën me të cilën po haset Katedra e Gjuhës Shqipe dhe zgjidhjet e mundshme.
Pak ditë më parë u përkujtua 50-vjetori i themelimit të Katedrës se Gjuhës Shqipe në Munih, ku mes të tjerash u vu në dukje edhe rreziku i mundshëm i mbylljes se kësaj katedreje. Nga buron ky rrezik?

Nga konferenca e mbajtur pak ditë më parë në Munih

Konferenca e Albanologjisë, që u zhvillua në Munih më 23-26 qershor, ishte një konferencë e mirëfilltë shkencore, ku kishte pjesëmarrje studiuesish të njohur të çështjeve shqiptare nga Gjermania, Austria, Italia, Rusia, Holanda dhe vende të tjera. Konferenca u organizua nga qendra e Albanologjisë e Universitetit “Ludwig Maximilian” (LMU) në Munih, që është themeluar më 1961 nga shkrimtari dhe dijetari shqiptar Martin Camaj. Sivjet ishte përvjetori jubilar i gjysmë-shekullit të kësaj qendreje, e cila është drejtuar nga personalitete parësore të Albanologjisë, si prof. Wilfried Fiedler, prof. Rexhep Ismajli dhe prej afro dy dekadash nga prof. Bardhyl Demiraj. Konferenca nuk kishte për qëllim parësor të theksonte rrezikun që i qëndron afër Albanologjisë në këtë universitet. Ajo është e katërta konferencë që organizohet brenda disa vjetësh për të pranëvënë dhe promovuar zhvillime të reja në dijen shqiptare. Në fund të konferencës, pjesëmarrësit nënshkruan, sipas parimit të vullnetarizmit, një memorandum në të cilin përmendet vështirësimi i punës së Albanologjisë në këtë universitet, një prej më të njohurve në Europë. Se çfarë meriton Albanologjia, këtë organizatorët dhe pjesëmarrësit e shprehën me paraqitjen dinjitoze të rezultateve të kërkimeve të tyre. U trajtuan çështje të historisë së gjuhës shqipe, të lidhjeve të saj me gjuhët indoeuropiane dhe të marrëdhënieve me gjuhët e popujve fqinjë, ballkanas e paleoballkanas; çështje të historisë së popullit shqiptar, sidomos të periudhës bashkëkohore; të etnologjisë, letërsisë, kulturës, qytetërimit, identitetit, besimeve. Me këtë rast, ra në sy se dija albanologjike është me interes jo vetëm për të huaj e vendës që duan të merren me popullin shqiptar, por edhe për Indoeuropianistikën, Romanistikën, Helenistikën, Sllavistikën dhe degë të tjera të dijeve filologjike. Arsyeja pse u shpreh një vullnet mbështetës për Albanologjinë, përmes një memorandumi, është pak a shumë e njohur: dihet mirë se, përveç Shqipërisë, gjithë kontinenti europian është në krizë dhe në kohë krizash shpenzimet jofitimprurëse në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës janë të parat që shkurtohen. Dhe Albanologjia, në vështrimin e shtetit të tjetrit, është një dije dytësore. Manifestimi shkencor që u zhvillua disa ditë më parë shpresohet të ketë ndikuar për mirë në njohjen e mundësive dhe të rëndësisë së kësaj shkence, jo si dituri për shqiptarët, por si interes kërkimor ndërkombëtar.
Sa efiçente ka qenë kjo Katedër në punën e saj, sa e frekuentuar është?
Mendoj se Katedra e Albanologjisë në LMU të Munihit ka qenë një kryeqendër e kësaj shkence gjatë një gjysmë shekulli. Ajo ka formuar disa breza albanologësh, ka lënë gjurmën e vet dhe në formimin e specialistëve që kanë nevojë për gjuhën dhe letërsinë shqipe. Prej disa vitesh, njësia shkencore e Albanologjisë në LMU përballon mësimdhënien dhe formimin në të tri ciklet: licencë Bachelor, Master dhe Doktoratë. Vetë ky fakt dëshmon shumë, duke e ditur se ka shumë universitete, edhe publike, në Shqipërinë shtetërore, që ende nuk janë licencuar për ciklin e Doktoratës. Numri i kandidatëve të regjistruar nuk është shumë i madh, por ka rëndësi që Albanologjia qëndron si një pikë reference ndërmjet shkencave të tjera për gjuhët dhe etnitë e popujve të Ballkanit. Kjo njësi prej vitesh ka një veprimtari të vlerësueshme botuese, për të cilën do të citoja pohimin e prof. Bardhyl Demirajt: “Dega, me projektet e veta shkencore, mëton një vend qendror në arealin kulturor albanologjik edhe sa i përket aktivitetit botues, i cili, krahas ndërmarrjeve individuale të punonjësve shkencorë dhe doktorantëve të degës (B. Demiraj, J. Xhyra-Entorf, D. Markus Peters, L. Jusufi, F. Kinzle), dallohet edhe për organizimin e punimeve përmbledhëse në shtëpi të njohura botuese në Perëndim, siç kanë pasur fatin të botohen aktet e tri tubimeve albanologjike të mbajtura deri sot. Rezultat i një projekti afatgjatë ishte vitin e kaluar edhe vëllimi përkujtimor që iu përkushtua themeluesit të degës, shkrimtarit dhe intelektualit të njohur Martin Camaj: “Wir sind die Deinen” (“Ne jemi të tutë” – Wiesbaden 2010, 800 f.), si dhe botimi i plotë i veprës së tij letrare në dhjetë vëllime nga shtëpia botuese “Onufri”.
Sa i madh do të ishte dëmi që do të sillte mbyllja e kësaj Katedreje?
Unë jam një optimist i pandreqshëm dhe vazhdoj të besoj se qendra shkencore e Albanologjisë në LMU në Munih do të vazhdojë jetën dhe veprimtarinë e vet të vlerësuar ndërkombëtarisht, edhe pse Gjermania e përtashme po përjeton krizë. Të paktën mund të them me përgjegjësi se bashkimi i më se 30 studiuesve albanologë të disa fushave dhe nënfushave prej 12 vendeve të botës në një konferencë që e shpërfaqi veten me dinjitet, i ka shërbyer një përftimi pozitiv të rëndësisë së Albanologjisë. Gjatë ditëve të qëndrimit në këtë konferencë kam mësuar se janë bërë përpjekje për të ngritur edhe vëmendjen shtetërore të landit të Bavarisë. Sigurisht, një rrudhje e pozitës së Albanologjisë pas një gjysmë shekulli zotimesh dhe realizimesh, do të ishte një regres. Ne të gjithë e dimë se Albanologjia ka lindur dhe është formuar si shkollë për herë të parë prej dijetarësh austro-gjermanë. Shkolla gjermanike e Albanologjisë njihet si më objektivja dhe – për këtë shkak – më dashamirësja ndaj historisë së popullit shqiptar dhe të qytetërimit të tij. Por, duke qenë se në epokën e planetarizimit të kulturave dhe të vënies së tyre nën hierarki, “dijet lokale” si Albanologjia dalin të tepërta, edhe rreziku i cenimit të saj nuk mund të përjashtohet. Ky rrezik duhet t’i bëjë njerëzit të mendohen. Dhe në këtë rast u takon autoriteteve të shtetit shqiptar të mendojnë se si mund ta lehtësojnë përballimin e rrezikut duke bërë të njëjtën gjë që Tirana e ka bërë prej katër dekadash në Paris dhe në kryeqytete të tjera, duke financuar mbajtjen e një pedagogu. Albanologjia në Munih ka një rëndësi të përveçme, për arsye historike, shkencore, tradicionale dhe për shumë arsye të tjera që nuk janë të karakterit mirëfilli të dijes.
Si mund të shpëtohet kjo Katedër? Si mund te kontribuojë Shqipëria apo Kosova e Maqedonia?
Unë një mundësi e përmenda. Por ka dhe shumë mundësi të tjera. Midis Shqipërisë dhe Gjermanisë besoj se ka marrëveshje bashkëpunimi shkencor dhe kulturor. Ajo që mirëpritet në këtë rast është akti i marrjes së përgjegjësisë, që do të thotë se fati i qendrës së Albanologjisë në LMU nuk duhet të mendohet si një çështje që i takon Bavarisë apo Gjermanisë, por si një çështje që duhet të ketë edhe mbështetjen e shqiptarëve, në Shqipërinë e vjetër e në mjediset e reja gjeo-rajonale që janë krijuar gjatë dy dekadave të fundme.

ALMA MILE

No comments: