Frrok Çupi
E vërteta që kanë kuptuar njerëzit është kjo: Partia Socialiste i lëshoi urët e zjarrit dhe do të kemi verë normale! Jo vetëm pse njerëzit shpresojnë të dalin nga makthi i krijuar prej kërcënimit socialist për revolucion, por sepse sjelljet e fundit në kampin ish-komunist kanë manifestuar tërheqje. Në Asamblenë e fundit të PS, kryetari që ka frymëzuar gjithnjë akte guerilase, tha se sjellja guerilase “e bëri punën e vet”. Bojkoti ndaj Parlamentit- sipas tij- “e bëri punën”. Sigurisht, bojkoti nuk ka bërë asnjë punë të vlerë, përkundrazi, i ka dhënë vendit grushte të fortë; por publiku mësoi se “ky e la atë punë”.Edhe sjellja ndaj kërkesave për integrimin në BE, (siç tha “12 pikat do të jenë program edhe për ne”), krijoji përshtypjen se diçka ka ndodhur që e frikësoi kryetarin gueriles për në rrugën evropiane.
Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë?
E para,
Ka ndodhur ajo që po ndodh në këtë shekull për gjithë pjesën e përparuar të Globit: Nuk ka më të fortë dhe të jashtëzakonshëm që t’u imponohen masave popullore apo principeve të larta. Kryetari i Partisë Socialiste, i ardhur nga familje e bllokut komunist por edhe i frymëzuar prej familjes së Bllokut, i kishte caktuar mision vetes që të kthente pas historinë e falimentuar të komunizmit, qoftë edhe me forcë. Ajo çfarë u shfaq në horizontin e politikës me këtë rast, ishte grumbullimi i disa forcave të pushtetit të vjetër që më parë ishin menduar si “të vdekur”. Por në fakt, brenda apartamenteve të vjetra e të palegalizuara akoma, ish-bllokmenët kishin rritur fëmijë aq komunistë sa veten. Një pjesë e mirë e tyre janë tani deputetë të Partisë Socialiste. Plani për marrjen e pushtetit me dhunë ishte ngritur si projekt shumë i vjetër, aq i vjetër sa baballarët;
megjithëse këta të rinjtë thanë se kanë studiuar në Amerikë apo në Angli. Por sidoqoftë, gjithë lufta u manifestua si një përzierje të “rejash” dhe të vjetrash, ku manifestohej e jashtëzakonshmja, dmth., ajo që nuk i përket këtij realiteti. Edi Rama, si një pinjoll i të vjetrës, nuk kishte ku shkonte më përpara në drejtim të Revolucionit.
E dyta,
Në epokën e Demokracisë, edhe pse janë zgjuar mjaft të devotshëm të periudhës së Enver Hoxhës, nuk mund të rrojnë më legjendat enveriste. Legjenda e sakrilegjit në emër të Partisë, psh., është e destinuar të shuhet brenda ditës. Në qoftëse Partia nuk e ushqen deputetin ose ndërtuesin me para dhe privilegje, ai nuk qëndron më në atë vath. Socialistët sapo panë se Rama humbi Bashkinë e Tiranës, nisën të largohen; ndonjëri prej të pasuruarve ka manifestuar edhe kërcënime për paratë e shpenzuara “në favor të Revolucionit”. Por çështja është shtruar akoma më thjesht: Deputetëve iu duhet paga mujore. Në qoftes se socialistët deputetë do të bojkotonin seancat parlamentare, atëherë nuk mund të paguhen. Dje kryesia e Kuvendit njoftoi se 61 deputetë prej bojkotuesve nuk do të paguhen. Natyrisht që jo. As ndërtuesit miliarderë të PS nuk paguajnë më si më parë. Atëherë deputetët kanë vendosur ta thyejnë bojkotin dhe të shkojnë në Parlament ku janë caktuar për të punuar dhe për të marrë rrogën... Demokracia është shumë e thjeshtë, është interes reciprok dhe fakte. Ndërsa demokracia proletare ishte “ideale pa fakte” dmth., bosh. Kjo nuk rron më, prandaj nuk rron as legjenda, as Lufta.
E treta,
Tërheqja do të shkaktojë “viktima” politike, ashtu siç do të shkaktonte më shumë “viktima” vetë Revolucioni. Në sistemin demokratik gjithë pesha viktimizuese bie mbi vetë bijtë e revolucionit. Tani në Partinë Socialiste po luhet loja “kush të largohet dhe kush të fusë shokun në zjarr”. Vetë kryetari i PS, i njohur për nxitjen e urrejtjes dhe demonstratave, po tërhiqet për të shpëtuar ndonjë gjë; por ndërkohë po shtyn në luftë disa eksponentë revolucionarë që të vazhdojnë të thonë përsëri të njëjtat fjalë të rënda. Mes tyre dje u shfaqen një deputet alias Qemal Stafa dhe një ish- i burgosur politik që “vdes për Revolucion”. Por e gjitha kjo është një sjellje vet-dekompozuese. O do të dekompozohet Partia Socialiste në mes revolucionarëve dhe atyre që nuk janë për revolucion; ose do të dekompozohet qëllimi revolucionar brenda përbrenda grupimit ish-komunist. Tani është verë dhe mund të bëhet krahasimi me leshterikët e detit që shfaqen në breg pa jetë.
No comments:
Post a Comment