Vilat e Tiranës të viteve 1920-‘30 hynin në temat tabu të studimeve mbi arkitekturën. Sepse i përkasin periudhës kur shfaqen karakteristika të pastra të një moderniteti. Vera Bushati udhëhoqi një grup studentësh të Fakultetit të Arkitekturës e Dizajnit Urban në Universitetin Polis, dhe del në shtator botimi i studimit historik të vilave të kryeqytetit 1920-’40. Dr. Bushati është ndër tre autorët e tekstit universitar “Historia e arkitekturës shqiptare, 1912-1944” me autorët Isuf Sukaj dhe Pirro Thomo botuar më 1987, ku flitet për herë të parë për arkitekturën moderne shqiptare. Është një trashëgimi “sa me kënd popullor tradicional aq dhe me futjen e arkitektëve të shkolluar që kishin studiuar jashtë, Qemal Butka, Anton Lufi, Skënder Luarasi e që t’i lije në harresë ishte mëkat. Një periudhë e bukur që përkonte me tendencat bashkëkohore të arkitekturës moderne që ekzistonte në Evropë”.
Po pse vilat? “Sepse është tipologjia arkitekturore më e kërcënuar”, thotë Bushati. “Më e brishta nga pikëpamja a materialeve ndërtimore dhe që zinte një truall relativisht të gjerë. U prishën shumë vila për t’u ndërtuar pallate.”
Është ndjekur Tirana e vjetër rrugicë më rrugicë, janë identifikuar vilat, janë vendosur në hartë, është bërë rilevimi konkret, kërkimi në arkiva për të gjetur planimetri të rregullta, për të ardhur te ky studim që e rrok subjektin në dy zona të mëdha: Tirana e vjetër dhe zona përtej lumit Lana. E para, me disa ndërhyrje në Rrugën e Dibrës, “Hoxha Tahsin”, do të mbetej sikundër ishte me shtëpitë tiranase të zhytura midis gjelbërimit. E dyta, sipas idesë së Gherardo Bosios, me ndërtimet e reja në dy anët e bulevardit të madh, do t’i përshtatej karakterit fillestar të Tiranës, duke e ruajtur shpërndarjen dhe gjelbërimin. Shtresave të privilegjuara, nëpunësve, qeveritarëve, tregtarëve të lartë, iu dhanë parcela përgjatë boshtit të rrugëve dhe anash u ngritën vilat, të tërhequra midis gjelbërimit. Brenda këtyre zonave janë dalluar vila të ndërtuara në mënyrë tradicionale me mjeshtër popullorë, dhe vila që janë ndërtuar me arkitektë të shkolluar. “Kanë dallim rrënjësor nga pikëpamja arkitektonike”, thotë autorja e studimit. “Banesat e reja u ndërtuan me holle, sallone, ballkone e tarraca dhe shumë dhoma e banja me një përkujdesje të veçantë në trajtimin e arkitekturës së eksterierit e atë të interierit. Tendenca ishte që të ndryshohej mënyra orientale e rregullimit të banesës, duke përdorur mobilimin si bazë për të ndryshuar stilin e jetës.” Veç detajeve arkitekturore që karakterizojnë stilin e kohës, Bushati ka ndeshur elemente të dekorit e mobilimit që mund të klasifikohen të frymës art-deco e që në thelb kishte kërkesën për luks dhe ekzotizëm.
Sa humbje ka Tirana e viteve 2000 nga kjo pasuri kombëtare arkitekturore? Bushati përgjigjet se statistika nuk ka, sepse s’ka pasur evidenca të rregullta, por planet rregulluese, një pjesë të mirë të zonave mbas Pazarit të Ri apo në Rrugën e Elbasanit, i marrin nën mbrojtje vilat. Të keqen më të madhe specialistja e sheh te vilat që po i transformojnë sipas qejfit. “Në zonën e Radio-Televizionit njerëzit që kalojnë pranë thonë sa bukur e ka bërë, por në të vërtetë kanë prishur arkitekturën e viteve 30. Ka vila që nga ndërtim të periudhës art deco i kanë bërë neoklasik. Ligji është i qartë por nuk vepron. Ligji i urbanistikës së qytetit nuk do duhej të lejonte qoftë edhe mbylljen e ballkonit me xham. Nuk mund të bësh si të duash me qytetin. Qyteti dhe panorama e tij nuk është pronë personale.”
Kjo trashëgimi që po mbush 100 vjet, po mbush moshën e monumentit, ku do futet?
Ka arkitektë që e quajnë tragjik shkatërrimin e vilave të banimit. Skënder Luarasi thotë se “një pjesë tjetër e këtyre objekteve moderne janë transformuar dhe modifikuar në një mënyrë të papërgjegjshme dhe banale në lokale dhe restorante. Por më tragjike është mosnjohja e vlerave kulturave arkitektonike të atyre objekteve që kanë ngelur pa u prishur nga epshi i kapitalizmit primitiv dhe heshtja profesionale dhe publike ndaj këtij krimi kultural.”
Vila më e bukur
Ish-rezidenca franceze, nga vilat që më pëlqen më shumë për modernitetin. Mbizotërojnë linjat horizontale, dritaret në formë shiriti që janë karakteristikë e futjes së materiale të reja sidomos betonarmesë, dhe krijon një pamje të jashtëzakonshme. Janë disa principe, predominimi i tarracave, vendosja midis një kopshti të gjelbër, që në arkitekturën moderne u futën nga Corbusier me vilën Savoia. Është pronë e doktor Simonidhit, është ndërtuar nga arkitekt italian. Vila është krejt e ruajtur. E rrethuar me kangjella. Kjo tregon dëshirën e pronarit për të treguar statusin e vet social. Nuk do të thotë gjë që edhe në zonën e vjetër ka vila të këtij lloji.
Mentaliteti
Duket evolucioni që ka ndodhur me ndryshimin e mentalitetit. Në vilat e vjetra është i ndarë korpusi i fjetjes nga kuzhinat, mjedisi për miqtë dhe hidrosanitaret të shkëputura. Në ndërtimet me arkitektë ku jetonte një elitë e borgjezisë, kati i parë bëhet më i rëndësishëm. Në banesën popullore dhomat e miqve kanë qenë në katin e dytë, sepse kati i parë i rezervohej hambarëve, haureve. Ky ndryshim në dukje i vogël, është shumë konceptual sepse tregon që banesa është një vend ku do të zhvillohet një pjesë e jetës sociale tashmë në katin përdhe. Është e bukur mënyra se si organizohet dhoma e ditës, salloni, lidhjet me shërbimet me kuzhinën, me zgjidhje shumë funksionale.
Mobilimi
Në periudhën e arkitekturës popullore tradicionale nuk ka mobilie, vetëm minderlliqe dhe gjëra të inkorporuara nëpër mure. Ndërsa tani kemi mobilje të cilat në thelb paraqesin historinë dhe shijen e personit që i disponon si dhe raportin e tij me habitatin, sepse është ai që i bën zgjedhjet e tij. Shohim tavolina shkrimi, radiombajtëse, telefonbajtëse, mobiljet e parahyrjes, portmantoja. Futen elemente të komfortit. Në mobiljet e dhomës së ditës futet fauteille club, tipi i kolltukut të rehatshëm, futet bari një shpikje e viteve 20-30. E kemi gjetur në familje doktori, tregtari, të inkorporuar bashkë me bufenë. Ose tavolina e servirjes me rrota.
Studioja e Hoxhës
Veshjet e mureve? Të vetmin rast që kam parë me veshje speciale ka qenë vila ku ka jetuar Enver Hoxha, madje ka shërbyer si studio e Hoxhës. Ka pasur dy elemente të bukur: një zonë me tavan pak të ulët e veshur me dru. Pjesa e tavanit është me xhama akulli dhe drita të futura nën tavanin e varur. E gjitha shkon në të njëjtën linjë me projektimin. Vila është e një stili relativisht modern, duke ruajtur linjat e drejta, por e lidhur dhe me arkitekturën tradicionale, me kolona të gurta, gdhendur ashpër. Vila ruhet mirë, ka pësuar pak ndryshime.
Elsa Demo
No comments:
Post a Comment