FATOS LUBONJA
Para disa ditësh, i nxitur nga polemika Klosi – Marku – Tufa, shkrova një artikull mbi nevojën e rolit kritik të intelektualëve pranë partive. Në shkrim bëja një dallim midis pushtetarëve dhe këtyre intelektualëve, i cili, sipas meje, qëndron në atë se këta, gjithë duke qenë të angazhuar pranë një partie, duhet të ruajnë një distancë kritike; se ndryshe nga pushtetarët që jetojnë shumë me përditshmërinë, kanë për detyrë të jenë ruajtës të vizionit të partisë në terma afatgjatë, të zhvillojnë idetë, t’i artikulojnë, të bëjnë edhe kritikën. Së dyti, duke qenë se ekonomikisht jetojnë kryesisht në sajë të punës së tyre dhe jo në sajë të punëve partiake, kjo u siguron edhe më shumë pavarësi mendimi e dinjitet. Pra, pa e denigruar këtë tipologji intelektuali, përkundrazi, duke e konsideruar shumë të rëndësishme ekzistencën e saj, kritika ime ishte se te ne, kjo kategori – ku fusja edhe tre polemizuesit – nuk e kryen misionin e bërjes së politikës sonë më demokratike, më vizionare, më koherente, më të moralshme, më vetëkritike, më dialoguese, më racionale. Më shtyu për këtë fakti se ndërkohë që shoqëria është e bllokuar nga një konfliktualitet shkatërrues midis dy palëve politike – ku rolin e moderuesit dhe të arbitrit, në vend që ta bëjë pjesa më racionale e shoqërisë, e bëjnë ndërkombëtarët, – intelektualët shqiptarë pranë palëve i hedhin edhe më benzinë zjarrit. Në analizën pse ndodh kjo, akuzoja kryesisht mendësinë e pushtetarëve që nuk janë të hapur për kritikë, faktin se dy partitë në pushtet kanë krijuar një frymë klienteliste në rritje, ku po bëhet gjithnjë e më e vështirë, qoftë edhe për të mbijetuar, pa mbështetjen e njërit apo të tjetrit pushtet, por theksoja edhe mungesën e kurajës intelektuale e përgjegjësinë e intelektualëve për këtë. Sa për pozicionin prej nga e shkruaja, mund të them se ishte nga përvoja e atij që e ka parë veten në rolin e mbështetësit të njërës apo tjetrës palë e që, gjithnjë e më i zhgënjyer, është distancuar prej tyre duke iu afruar pozicionit të gazetarit që e gjen shumë të vërtetë thënien e Montanelit, “larg atyre gazetarëve që hanë e pinë me pushtetarët!”, të cilën ka kohë që e predikoj duke u përpjekur edhe ta aplikoj. Me nuanca dhe pa harruar të theksoj se nuk shkruaja thjesht për këta të tre, u përpoqa që shkrimin ta bëja me mirëkuptim dhe mirëdashjeje, jo me arrogancë dhe as për të thënë se “raca” ime është më e mirë se “raca” e tyre.
* * *
Nuk vonoi shumë dhe më erdhën përgjigjet së pari nga Tufa dhe pastaj nga Klosi, që më bënë të rishikoj edhe një herë kategorinë ku i kam futur këta njerëz. Mbeta i çmeritur kur pashë se që të dy refuzonin të shprehnin qoftë edhe një mendim mbi çështjen që kam ngritur. Tufa e thoshte në përgjigjen e tij (vetëm në kllapa), se kjo është e rëndësishme, por ngulmonte me të madhe se marrja e tij për ilustrim si një intelektual i kësaj kategorie ishte një gabim i madh dhe vazhdonte, me stilin e gazetarisë sonë më të rëndomtë, një sërë akuzash kundër meje për të provuar se ky Lubonja, që ngre këtë çështje, s’është ndonjë burrë më i mirë – a thua se kjo e fshin rëndësinë e çështjes që kam ngritur dhe e lan Tufën nga përgjegjësitë vetjake. Klosi, nga ana e tij, pasi e përjashtonte edhe ai veten nga kategoria në fjalë duke thënë se është marrë me punëra kulture, jo me politikë, më këndonte një këngë të vjetër, sipas së cilës, kritikat që kam bërë e bëj unë ndaj Ramës burojnë nga fakti se punët e Edi Ramës në politikë janë si simfonitë e Moxartit, kurse ato çka them e shkruaj unë burojnë nga zilia e Salierit, që s’ka mundur të bëhet një Moxart i politikës si Rama. Them “këngë e vjetër”, pasi këtë e ka kompozuar disa vjet më parë Klosi me porosi të Ramës, kur unë kritikoja disa punëra, sipas meje të mbrapshta, në Tiranë, dhe e kanë mësuar përmendësh dhe e këndojnë në kor një numër klientësh të Ramës.
Me fjalë të tjera, në vend të debatit që unë e quaj të rëndësishëm mbi kondicionin e intelektualëve pranë partive (për të cilët Klosi në një anë e Marku në anën tjetër përdorin termin “taraf” e thonë plot gjëra të rënda), pashë një personalizim në shijen më të keqe që në fakt e mbyt debatin mbi çështjen duke i ftuar njerëzit të merren me thashethemet se kush është njëri e kush është tjetri, se sa lekë merr e abuzon njeri e sa tjetri, që të bën të mendosh se këta, më shumë se intelektualë, janë lek-tualë. Është e vështirë të hysh në një polemikë të tillë pa u personalizuar çështja. Aq më tepër kur të akuzojnë për gjëra personale njerëz që vetëm me këto duket se dinë të merren. Duke dashur t’i ruhem sa të jetë e mundur këtij meskiniteti, po përpiqem t’u jap përgjigje dy polemizuesve, pa gënjyer e deformuar faktet personale, siç bëjnë ata, dhe, mbi të gjitha, në funksion të debatit në fjalë.
Siç e kuptoj unë reagimin e tyre, ajo që i ka prekur më shumë polemizuesit nuk është akuza se janë të lidhur me Berishën apo Ramën, por fakti se unë them se ata, si kategori, kanë gëzuar dhe gëzojnë të mira në sajë të këtyre lidhjeve dhe se frika e humbjes së këtyre i pengon të shprehin mendime kritike brenda grupimeve që mbështesin. E them këtë duke pasur një farë respekti për inteligjencën e kësaj kategorie, sepse përndryshe na mbetet të themi se ata janë militantë të bindur në pagabueshmërinë e liderëve që mbështesin. Por mua më rezulton se këta nuk bëjnë pjesë në kategorinë e atyre për të cilët thuhet “falua Zot se s’dinë se ç’bëjnë”. Janë dy gjëra pra që duhen ndarë e që ata nuk i ndajnë qartazi: a hyjnë apo nuk hyjnë ata në kategorinë e intelektualëve mbështetës të Sali Berishës dhe Edi Ramës pa fije kritike ndaj tyre dhe, nëse po, siç më rezulton mua nisur edhe nga fakti se në përgjigjet e tyre nuk jepnin ndonjë provë për të kundërtën, kjo kategori e bën këtë për bindje, për interesa materiale, për frikë, për ndjenjë përkatësie në grup apo për çfarë? Lidhur me të parën, pa ua mohuar shkollimin dhe punën individuale, ka shumë fakte që tregojnë se edhe këta nuk do të ishin këta që janë, për mirë edhe për keq, pa lidhjet e tyre me politikën e dy partive kryesore të vendit, respektivisht me liderët e këtyre dy partive. Për Klosin mjaft të kujtoj se erdhi nga Gjermania i katapultuar si drejtor i Radio Televizionit Shqiptar me ndërhyrjen e Edi Ramës te Fatos Nano. Në media është botuar edhe një letër e tij ku i lutej ish-kryeministrit që t’i shpejtohej emërimi. Po ashtu, ndonëse ai pretendon se gjatë këtyre dhjetë vjetëve është marrë me punëra kulture dhe jo me punën e rëndomtë të “politologjisë”, siç më përqesh mua, nga sa di unë, tre libërthat e vetëm që ka me autorësinë e tij i ka “politologji”, madje i fundit është ai për Gërdecin, ku demaskon korrupsionin e klasës sonë politike. Shto pastaj edhe artikujt e protestat e shumta për politikat ambientale, për monumentet e kulturës si dhe shkrimet e shumta që ka botuar në gazetën “Shekulli” kundër Sali Berishës, në mbrojtje të Edi Ramës e mund të arrish lehtë në përfundimin se tash e gjithmonë ky nuk ka qenë thjesht e vetëm një akademik, siç pretendon, dhe aq më mirë.
Përsa i përket Tufës, kur e futa tek intelektualët pranë PD-së, kisha parasysh disa gjëra: faktin se ai u shfaq dukshëm pranë PD-së kur u bë një nga anëtarët e KOP-it të Sali Berishës për çështjet e arsimit e kulturës, aq sa, me sa kujtoj, ka dalë në debate politike në prag-zgjedhjet e vitit 2005 përballë ish-ministrit socialist të Kulturës, Klosi; qenien e tij kryetar i Këshillit të Radio Televizionit; (ai thotë se është zgjedhur nga po ai Parlament i djathtë që më zgjodhi edhe mua në vitin 2005, por për këtë do të flas më poshtë.); si dhe faktin që qysh kur ka marrë PD-ja pushtetin, ai më rezulton thuajse çdo vit o fitues çmimesh letrare të Ministrisë së Kulturës, o në jurinë që jep këto çmime. Nuk po përmend këtu numrin e pafundmë të shkrimeve që ka bërë kundër Edi Ramës, ndërkohë që nuk kam lexuar një shkrim të vetëm ku të kritikojë Sali Berishën.
Kritika që i bëj Klosit, pa i thënë se s’duhet të jetë mbështetës i Ramës e pa ia veshur atij përgjegjësitë kryesore për punët e mbrapshta në Tiranë e në PS, është se si ambientalist i njohur e mbrojtës i monumenteve të kulturës, këtë veprimtari nuk e ka kryer në Tiranën e Edi Ramës, ku është bërë masakra më e madhe qoftë ndaj ambientit, qoftë ndaj monumenteve të kulturës; apo se kur ka shkruar librin për Gërdecin, duhet t’i hynte në thellësi si intelektual sistemit të korrupsionit e të zbulonte lidhjet e Delijorgjit edhe me Ramën e socialistët e se kjo do t’i bënte mirë sa vendit, edhe vetë partisë apo liderit në fjalë. Kritika që i bëj Tufës, pa ia hequr edhe atij të drejtën për të qenë i propozuar nga një palë, lidhet me gjendjen e mjerë të Televizionit Publik i të cilit është kryetar i Këshillit Drejtues, me faktin se s’ka drejtuar asnjë kritikë ndaj Sali Berishës e shumë politikave të tij, duke përfshirë edhe talljen që ka bërë e po bën PD me dëmshpërblimin e ish-të burgosurve politikë – meqë ai thotë se e ka për zemër këtë temë. E, në përgjithësi, u përpoqa të vë në dukje rolin kritik që mendoj se duhet të luajë kategoria ku i futa, që të mund të dalim nga ky bllokim i racionalitetit. U përpoqa ta arsyetoj me mirëkuptim psenë e mungesës së kritikave të tyre. Nga përgjigjet e tyre shpresoja se debati mund të shkonte edhe në hullinë se ç’duhet bërë që intelektualët të jenë më të fortë në këtë shoqëri, e jo vetëm në atë të mbrojtjeve personale shpesh me akuza ndaj meje. Mirëpo, ndërkaq, Klosi nuk jep asnjë përgjigje ndaj pyetjes pse s’ka bërë asnjë kritikë ndaj Ramës në 12 vjet. Kurse Tufa tenton të mbrohet duke thënë se ai ka qenë e mbetet në koherencë me temën e tij të preferuar: persekutimi komunist, e se kjo e bën të jetë i djathtë, d.m.th. me Sali Berishën. Madje ai shfaqet sikur është edhe parimisht kundër kritikës që kërkoj unë kur më thotë se edhe ha në mediat private, edhe i quaj “regjim mediatik”.
* * *
Le t’i kthehem këtu çështjes së Televizionit Publik, që ishte shkaku kryesor që unë e futa Tufën në kategorinë në fjalë e që më duket se duhet trajtuar për të shpjeguar pak më gjerë edhe pse jemi në këtë gjendje. Është e vërtetë ajo që thotë Tufa, se unë u zgjodha së bashku me të si anëtar i Bordit të Këshillit Drejtues dhe pastaj kryetar. Por le ta kujtojmë se çfarë ndodhi më pas: ne u votuam vërtet vetëm nga pjesa e djathtë e Parlamentit, por u propozuam sipas një formule/ligji që nënkuptonte se ne ishim shoqëri civile, çka ishte në koherencë me fushatën elektorale që kishte bërë PD-ja për t’ua hequr Televizionin Publik partive dhe për t’ia dhënë shoqërisë civile. Siç duhet ta kujtojë Tufa, menjëherë Edi Rama me shokë na akuzuan se ishim shoqëria civile e Sali Berishës dhe se ai nuk e njihte këtë Këshill, por donte të kishte atje përfaqësuesit e shoqërisë civile “të tij”. Përsa më përket mua, nuk e identifikoja veten as si shoqëri civile e Berishës, as e Ramës, por si pushtet i katërt, dhe synimin e kisha që të bënim një Televizion Publik që t’i kthehej vërtet publikut e që do të rregullonte edhe anomalinë e atij që e quaja prej kohësh dhe vazhdoj ta quaj “regjim mediatik”: shpërdorimi i mediave private nga oligarkë të ndryshëm deri në nivelin e kapjes së shtetit prej tyre, që e kishte ndërtuar Edi Rama me Ilir Metën dhe Fatos Nanon e që ishte një nga shkaqet që si gazetar mbështeta fushatën e Sali Berishës. Hyra në këtë sprovë jo pa dyshime, por me bindjen se duhet të ngulmoja në timen, sepse, tek e fundit, gjykoja (siç gjykoj edhe sot), se për të demokratizuar diçka më shumë këtë shoqëri duhet edhe kuraja individuale për t’u thënë edhe “jo” të pushtetshmëve e për të konsoliduar institucione që ligjërisht duhet të jenë të pavarura nga pushtetet e tyre. E, për hir të së vërtetës, në të vetmin takim që pata me Sali Berishën në atë post, ai më respektoi kur ia kundërshtova idenë e tij se në krye të Televizionit Publik duhej vënë një menaxher, duke i thënë se, sipas meje, aty duhej një gazetar politik me peshë. Tufa e di shumë mirë se ne po kërkonim asokohe një drejtor sa më të pavarur. Mirëpo, pas presioneve të Edi Ramës nëpërmjet një marrëveshjeje në kurriz të ligjit, Sali Berisha pranoi që Këshilli të dyfishohej me të propozuarit e Edi Ramës, d.m.th. me shoqërinë civile të këtij. Ky ishte momenti kur unë dhashë dorëheqjen, pasi – sikurse e kam deklaruar publikisht që atëherë – humba edhe ligjërisht statusin e të propozuarit nga shoqëria civile e pavarur nga partitë dhe rrezikoja të futesha në atë të PD-së. Kurse Tufa mbeti dhe u bë madje kryetar i Këshillit Drejtues, i cili pastaj zgjodhi për drejtor të ri, bash një menaxher. Sot Televizioni Publik është ai që është: një vegël qorre e qeverisë. A mund të thotë Tufa se nuk është përgjegjës për këtë, ndërkohë që është njeriu që me ligj është zgjedhur nga Parlamenti për të drejtuar këtë pronë publike që mbahet me paratë publike, në shërbim të çdo qytetari dhe jo të qeverisë së tij? Në vend se të thotë dy fjalë për këtë, ai më kundërpërgjigjet se unë edhe ha bukë në sarafin e mediave private, edhe i quaj ato “regjim mediatik”, pa kuptuar se unë bash këtë i kërkoj edhe atij: që të mos katandiset në puthador të qeverisë, pasi jo vetëm se ato para që merr nuk janë të Sali Berishës, por të publikut, por edhe sikur të ishin të këtij, punëmarrësit kanë të drejtat e tyre që mbrojnë dinjitetin e punës e të njeriut. Me këtë rast i kujtoj atij (si dhe Klosit), se unë si gazetar nuk jam përgjegjës për politikat editoriale të mediave ku punoj, por vetëm për atë që nxjerr nga goja e pena ime dhe se liria e shprehjes është një e drejtë e garantuar edhe me kushtetutë edhe nga paraja publike që këto media marrin në sajë të shitjeve, audiencave, reklamave etj., pa lënë mënjanë ato përfitime të lidhura me politikën që personalisht i kam denoncuar vazhdimisht. Në këto media, pra, siç e pranojnë edhe vetë, kam kritikuar, në përputhje me vizionin tim për botën dhe për punët e Shqipërisë, si Ramën dhe Berishën (ca më pak këtë të dytin, thotë Klosi, por le të bëjë edhe ai kaq ndaj Ramës), edhe mediat ku punoj (siç thotë Tufa). Kur më kanë censuruar, nën presionet e politikës, siç ka ndodhur te “Shekulli”, kam ikur duke denoncuar censurën dhe duke përballuar vështirësi jo të vogla, por pa mbetur pa bukë. Pra, pa bërë heroin dhe pa pretenduar të jem jashtë sistemit mediatik që është tejet problematik e i deformuar, përsëris idenë e shkrimit të mëparshëm se në këtë sistem, gjithsesi, ndryshe nga diktatura, ka megjithatë mundësi zgjedhjeje për t’u bërë kritik e për t’u thonë “jo” “bukëdhënësve”, për të bërë kompromise, por jo kundër vizioneve që ke për botën e për ta ndryshuar për mirë realitetin.
* * *
U zgjata në këtë histori jo për të bërë CV-në time, as për t’i thënë Tufës se kush je ti e kush jam unë, por për të përshkruar mekanizmat që tregojnë përgjegjësit kryesorë të kthimit të intelektualëve e të shoqërisë civile në përgjithësi në klientelën servile të partive dhe për të ngacmuar debatin mbi rrugët se si mund të dilet nga ky qorrsokak. Fakti që sot RTSH është krejtësisht në duart e njërës palë, tregon se deri ku mund të degjenerojë aftësia për kritikë e shoqërisë kur ekuilibrat tentohet të ruhen nëpërmjet presionit e parasë së dy partive. Edhe zgjedhjet e fundit e provuan këtë dramatikisht. Mirëpo, duke lexuar përgjigjet e Tufës dhe Klosit ndriçohesh shumë më qartë lidhur me përgjegjësitë e kësaj gjendjeje. Në shkrimin tim ka një gabim themeltar kur flas për pushtetarë që kërkojnë pushtetin e të sotmes si Berisha apo Rama dhe intelektualë kritikë, të cilët duhet të ngulmojnë për të vërtetën e të nesërmes. Ky është një kategorizim shumë ideal, aq më shumë për një vend si Shqipëria. Realiteti është se një vijë dallimi e prerë nuk ekziston. Problemi është se sipas meje, fakti se ideali nuk mund të arrihet s’do të thotë se s’duhet folur për të. Vë re se në “racën” e gazetarëve dhe në të rinj është rritur numri i atyre që e bëjnë këtë dallim dhe e bëjnë kritikën e sistemit të të dyja palëve pa komplekse. Kurse, për fat të keq, polemizuesit e mi nuk duan të flasin për këtë dallim. Duke lexuar përgjigjet e tyre bindesh se këta, në fakt, vetëm për shkak fuqie më të vogël nuk janë në rolin e Berishës apo Ramës, se nesër, po të merrnin rolin e tyre, do të tregoheshin po aq intolerantë dhe hakmarrës ndaj kritikës, në mos edhe më keq. Madje, siç akuzojnë edhe njëri-tjetrin, duket se kështu sillen në hapësirat e vogla që kanë sot për sot nën pushtet: me paranë publike apo të fondacioneve të huaja që kanë në dorë, me çmimet letrare apo përkrahjet që japin apo nuk japin. Paçka se kanë folur e flasin tërë ditën kundër komunizmit, unë ngulmoj se ata janë tipologjia e intelektualit që kemi trashëguar nga komunizmi: që mendon se mund të mbijetojë e të bëhet i njohur e i vlerësuar, me çmime e me para vetëm në sajë të mbështetjes së pushtetit, dhe jo si denoncues i së keqes së pushtetit, siç janë rëndom intelektualët më të njohur të botës demokratike.
* * *
Së fundi, pa dalë nga kjo temë, meqenëse Klosi e Tufa më ftojnë të shprehem mbi qëndrimin ndaj etërve tanë ish-komunistë në pushtet, le të them mendimin tim nisur nga përvoja ime për çka, sigurisht, kam menduar gjatë e shkruar jo pak. Mua më duket se arrij ta kuptoj mirë fanatizmin edhe lakeizmin e atyre që kanë bërë krime gjatë komunizmit. Historia është e mbushur me shembuj revolucionarësh, të cilët, ashtu siç kanë qenë të gatshëm të japin jetën, kanë qenë të gatshëm edhe të çojnë në turrën e druve apo në gijotinë kundërshtarët e tyre. Ajo është e mbushur edhe me njerëz injorantë që kanë ushqyer flakën e turrës së druve të persekutimit nisur nga ajo ndjenjë që Jan Husi e quan “santa semplicita”. E kuptoj edhe etjen për pushtet të revolucionarëve të shndërruar në diktatorë, që për të siguruar pushtetin kanë vrarë e kanë prerë deri në fund të jetës së tyre. Ajo që më ka munduar gjithmonë është pyetja se pse pjesa më e ditur, kur e kuptoi se besimi i tyre ishte i gabuar, nuk u tërhoqën, nuk kërkuan ndjesë, nuk reaguan kundër, por vazhduan të njëjtën rrugën? Historia e atyre, pra, për të cilët, sikurse shkrova më lart, nuk mund të përdoret shprehja “Falua Zot, se s’dinë se ç’bëjnë”. Ajo që më ka munduar gjatë viteve të burgut, që i konsideroj vitet e pjekurisë, edhe lidhur me jetën e tim ati në pushtet, është pyetja se pse, kur e kuptuan ç’bëhej, në vend se të kishin kurajën të ngriheshin kundër Enver Hoxhës nuk bënë diçka në kohën e duhur, por pritën që ai t’i hante të gjithë me shpresë se atë më lajkatarin do ta hante të fundit? Kam shkruar edhe një roman nën petkun e një drame, “Ploja e Mbrame”, mbi këtë temë. Mungesa e kurajës qytetare e intelektuale, frika për të humbur pushtetin, privilegjet, frika për të përfunduar ashtu siç kishin përfunduar paraardhësit, janë disa nga përgjigjet. Por këto përgjigje kanë qenë të lidhura edhe me pyetjen: çfarë do të bësh ti, o njeri, nesër nëse do të jesh në kushte që të kesh diçka në dorë? A do të pranosh që për fëmijët e tu të krijohet e njëjta situatë, që ata të detyrohen të ulin kokën, të poshtërohen e të humbasin lirinë përpara arrogancës së më të fuqishmit, të abuzuesit me pushtetin, të korruptuesit apo do të përpiqesh që ata të kenë më shumë liri e dinjitet? Im atë, ndjesë pastë, kishte reflektuar mjaft në burg për këtë çështje. Në fillim të viteve ‘90, kur Sali Berisha filloi të linçonte kundërshtarët e tij dhe shumë njerëz filluan të trembeshin e konformoheshin, na thoshte me qesëndi mua e disa miqve të mi ish-të burgosur: “Ju na keni kritikuar pse nuk bëmë diçka për të ndaluar Enver Hoxhën. Keni të drejtë, por ne ishim me rrezik koke atëherë, kurse ju tani jeni në demokraci dhe s’po keni kurajë?”. Në fakt, historia për çdo brez nxjerr përpara sfidat e veta. Kishte ardhur radha jonë dhe, për fat, në kushte shumë më të lehta. Është kjo arsyeja kryesore pse në fillimvitet ‘90 unë u bashkova me tërë ata që u ngritën kundër autoritarizmit të ri të Sali Berishës. I kam përshkruar dilemat e kësaj zgjedhjeje në librin “Nëntëdhjeteshtata, apokalipsi i rremë”, ku përpiqem, mes të tjerash, të tregoj edhe se është lehtë të godasësh me shqelma një monument diktatori të rrëzuar përtokë, por është shumë më e vështirë t’i kundërvihesh sivëllait të tij kur ky është më këmbë, i fuqishëm e të rrezikon jetën e dinjitetin. Është kjo arsyeja pse iu kundërvura Fatos Nanos e Edi Ramës kur fillova të shoh se ia kishin shitur shpirtin të njëjtit djall të pushtetit e të parasë. Klosi e ka harruar, siç harrojnë tërë mosmirënjohësit lek-tualë të sojit të tij, se për të mbrojtur statusin e këtij intelektualit nga arroganca e pushtetarit, pra edhe timin, kam bërë diçka edhe në mbrojtje të tij asokohe (kam dhënë dy dorëheqje dhe kam shkruar disa artikuj kur e poshtëruan njerëzit e Nanos, ndërkohë që miku i tij “Moxarti i politikës” nuk hapte gojë). Është po kjo arsyeja që, me sa kam mundur, e kurrë sa duhet, jam përqendruar në kritikën ndaj çdo autoritarizmi e abuzimi me pushtetin dhe kam mbrojtur pavarësinë e shoqërisë civile e të mediave ndaj pushteteve, pa pretenduar aspak se jam “Moxart” në këtë punë, por i bindur se me mbështetjen e kategorisë ku futa Klosin apo Tufën, do të kishim bërë të gjithë “muzikë” më të mirë. Por, fatkeqësisht, kori ku ata bëjnë pjesë nuk hyn në kategorinë e atyre që kanë mësuar diçka nga e kaluara e atyre etërve intelektualë që me hir apo me pahir u bënë vegla të diktaturës. Kam pasur gjithnjë dyshim mbi vërtetësinë e asaj thënies se historia përsëritet dy herë: të parën si tragjedi, kurse të dytën si farsë. Ajo është përsëritur e mund të përsëritet si tragjedi edhe shumë herë, ndonëse në forma të ndryshme. Mënyra se si i qaset kjo kategori asaj të kaluare dhe mënyra se si sillet në të sotmen për mua është tregues i përsëritjes së të njëjtës tragjedi, që, edhe pse jo më me humbje jetësh njerëzore, po shkakton përditë humbje jetësh morale dhe humbje shprese në shoqërinë tonë.
No comments:
Post a Comment