Kush ka një makinë mbi 10-vjeçare do të penalizohet ndjeshëm nga taksa e re e makinave dhe kush e ka më të re do të paguajë afërsisht njësoj, ose më pak.Gazeta ka zbuluar projektligjin e qeverisë, formulën e llogaritjes së taksave vjetore dhe surprizën për vendosjen e një takse të re për karburantet. Nga 1 janari 2012 nafta dhe benzina do të kushtojnë minimalisht 7 lekë më shumë, dhe kjo do të quhet taksa e re e qarkullimit. Zbardhet koeficienti për vitet e prodhimit. Fillon të aplikohet për makinat 3-vjeçare dhe rritet me 0.01 çdo vit. Pas vitit të dhjetë shtesa është 0.04. Hiqet taksa e importit, e qarkullimit dhe e regjistrimit. Ja të gjitha ndryshimet.
Shitblerja e makinave
Ndryshimi i parë në ligjin e ri të Financave është heqja e taksës së importit dhe shitjes së makinave të përdorura. Kush do të blejë një makinë nga jashtë, pas miratimit të këtij ligji, do të paguajë vetëm TVSH-në dhe asnjë taksë shtesë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me makinat që shiten brenda vendit. Kush shet një makinë pas miratimit të këtij ligji, nuk do të paguajë asnjë lek shtesë si taksë të shitjes së makinës së përdorur. Kjo është pjesa e parë e ligjit të ri të Financave, e cila liberalizon në këtë mënyrë tregtinë e makinave të përdorura, importin dhe shitjen e tyre brenda vendit.
“Taksa vjetore e mjeteve të përdorura”
Ky është formulimi i ri në ligj për taksën e re. Kjo taksë do të paguhet njëherë në vit, kur bëhet kolaudimi i makinës. Formula e “taksës së makinave të përdorura” është e njëjtë me formulën që përdoret aktualisht për makinat që vijnë nga importi. Pra shumëzohet cilindrata me koeficientin e naftës dhe benzinës dhe me koeficientin e viteve të prodhimit. Ligji parashikon që koeficientet e naftës dhe benzinës të jenë të njëjtë, pra 25 për naftën dhe 20 për benzinën. Ndryshon koeficienti i vjetërsisë. Ligji ka parashikuar që për makinat e reja, deri në 3 vite, koeficienti të jetë 0. Në relacionin e Financave propozohet që “për motomjetet, autoveturat dhe mjetet për transport të përzier, ky koeficient, në vitin e katërt të përdorimit të mjetit, të filloje me 0.18, duke u rritur me 0.01 për çdo vit përdorimi.” Por shtesa me 0.01 e koeficientit do të vazhdojë deri në vitin e 10, pra deri për makinat 10-vjeçare. Më as, për makinat më të vjetra propozohet që koeficienti të ketë një shtesë me 0.04 më shumë. “Në bazë të të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, autoveturat zënë rreth 70% të totalit të mjeteve dhe mbi 75% e autoveturave janë mbi 10 vjet të vjetra. Për këtë arsye, propozohet që koeficienti sipas vjetërsisë të rritet me 0.04 për çdo vit përdorimi”, thuhet në relacionin e Financave.
Për ta bërë më të thjeshtë, formula e re e Financave, për një makinë 4-vjeçare, pra të prodhuar katër vite më parë, me një cilindrat 2000 kubik dhe me naftë është 0.18 (koeficienti i ri për vjetërsinë) x 2000 (kubikët e motorit) x 25 (koeficienti i naftës). Në këtë rast pronari i makinës do të paguante një herë në vit 9 mijë lekë, si “taksë vjetore të mjeteve të përdorura”. Pra, kjo është formula e re e Financave për të ndaluar importin e makinave të vjetra. Një vit më vonë, e njëjta makinë do të paguajë më shumë taksë, pasi koeficienti i vjetërsisë bëhet 0.19, pasi shtohet me 0.01 në vit. Kjo dekurajon mbajtjen e makinave të vjetra.
Taksa e re për karburantet
Ndërsa kanë vendosur “taksën vjetore të mjeteve të përdorura”, Financat kanë hequr taksën e qarkullimit dhe atë të regjistrimit. Taksa e regjistrimit ishte 2,4 mijë lekë në vit, ndërsa e qarkullimit 7 mijë lekë në vit për makinat me benzinë dhe 10 mijë lekë për makinat e naftës. Këto dy taksa, me miratimin e ligjit hiqen nga pagesa vjetore, por shtohen në çmimin e karburanteve. Në ligjin e ri parashikohet aplikimi i taksës së re të qarkullimit. “Kjo taksë do të jetë një takse fikse, për litër mbi gazoilin dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend, në masën 5 lekë për litër, deri në datën 31.12.2011 dhe duke filluar nga 1 janar 2012, masa e kësaj takse do të jete 7 lekë për litër për benzinën dhe gazoilin”, thuhet në relacionin e Financave. Pra, çmimi i naftës dhe i benzinës pas hyrjes në fuqi të ligjit do të jetë 5 lekë më i shtrenjtë dhe pas datës 31 dhjetor, pra në fillim të vitit 2012, do të jetë 7 lek më i shtrenjtë. Ideja e Financave ishte pagimi i taksës së qarkullimit nga ato që qarkullojnë më shumë. Pra, kush përdor më shumë makinën, konsumon më shumë karburant dhe si rrjedhojë taksohet më shumë.
Efektet në buxhet
Në fund fiton shteti. Edhe pse Financat e quajnë jo fort të mirë për mjedisin aplikimin e kësaj takse, ato parashikojnë rritje të ardhurash në buxhet. “Duke supozuar se ligji do të hyje në fuqi në shtator 2011, për katër muajt e fundit të vitit 2011, taksa e karbonit parashikohet të rritet me 370 milionë lekë më shumë, ndërsa efekti i pritshëm nga kjo takse për vitin 2012 do jetë 775 milionë lekë më shumë; Efekti nga taksa e re e qarkullimit për katër muajt e fundit të vitit 2011 pritet të jetë rreth 1.2 miliardë lekë të mbledhura, ndërsa për vitin 2012, rreth 4.9 miliardë lekë të mbledhura nga kjo taksë”, përfundon relacioni i Ministrisë së Financave.
Shembujt me formulën e re
Formula
Cilindrata në cm3 x taksa fikse për llojin e karburantit x koeficienti sipas vjetërsisë. Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Koeficientët e vjetërisë fillojnë pas vitit të tretë. Në vitin e katërt koeficienti është 0.18 dhe për çdo vit shtohet me 0.01. Pas vitit të 10, koeficienti shtohet me 0.04.
Shembull 1
Një person ka një makinë me cilindrat 2000 m3, me naftë dhe të prodhuar në vitin 2001, pra 10-vjeçare
Aktualisht ai paguan:
2.4 mijë lekë në vit, taksë qarkullimi
10 mijë lekë në vit, taksë regjistrimi
Në total 12400 lekë në vit
Me formulën e re do të paguajë
2000 (Cilindrata në cm3) x 25 (taksa fikse për naftën x 0.24 koeficienti për makinat 10-vjeçare.
Në total me taksën e re do të paguajë 12 mijë lekë në vit.
Shembull 2
Një person ka një makinë me cilindrat 2000 m3, me naftë dhe të prodhuar në vitin 1995, pra 16-vjeçare
Aktualisht ai paguan:
2.4 mijë lekë në vit, taksë qarkullimi
10 mijë lekë në vit, taksë regjistrimi
Në total 12400 lekë në vit
Me formulën e re do të paguajë
2000 (Cilindrata në cm3) x 25 (taksa fikse për naftën x 0.48 koeficienti për makinat 16-vjeçare.
Në total me taksën e re do të paguajë 24 mijë lekë në vit.
Shembull 3
Një person ka një makinë me cilindrat 1600 m3, me benzinë dhe të prodhuar në vitin 2001, pra 10-vjeçare
Aktualisht ai paguan:
2.4 mijë lekë në vit, taksë qarkullimi
7 mijë lekë në vit, taksë regjistrimi
Në total 9400 lekë në vit
Me formulën e re do të paguajë
1600 (Cilindrata në cm3) x 20 (taksa fikse për benzinën x 0.24 koeficienti për makinat 10 vjecare.
Në total me taksën e re do të paguajë 7680 lekë në vit.
REDI GJUZI
No comments:
Post a Comment