Tiranë, 7 korrik 2011, NOA Update – Ndërkohë që mes debatesh Kolegji Zgjedhor po shqyrton padinë e 2 korrikut të Partisë Socialiste ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësuesja e këtij të fundit, Dëshira Pasko deklaroi se KQZ nuk shpall fitues, pasi atë e shpall KZAZ-ja.
Pasko ripërsëriti se kërkesa e PS-së nuk u shqyrtua për shkak se u paraqit jashtë afatit ligjor.
"KQZ shpalli rezultatin në 23 maj" tha Pasko, duke theksuar se "afati i ankimimit të vendimit nga Partia Socialiste skadoi në 26 maj".
Ndërkohë gjatë paraqitjes së fakteve përfaqësuesi ligjor i PS-së Damian Gjiknuri i bëri thirrje Kolegjit të mos ironizojë faktet e paraqitura nga opozita.
Ai apeloi se Kolegji Zgjedhor ka dy mundësi të vetme për të konkluduar mbi çështjen, ose të detyrojë KQZ-në të shqyrtojë kërkesën e PS-së për rrëzimin e vendimit të 25 qershorit ose Kolegji vetë të shpallë pavlefshmëri.
Gjiknuri nënvizoi se kërkesat e PS janë bërë brenda afateve.
Ai tha se KQZ e rrëzoi kërkesën ankimore të Partisë Socialiste në mënyrë arbitrare, duke i bërë apel Kolegjit Zgjedhor të urdhërojë KQZ-në të marrë në shqyrtim padinë për pavlefshmërinë e vendimit të saj të datës 25 qershor, duke e argumentuar këtë me problemet e vërejtura në tabelat e 284 qendrave të votimit, mospërputhjen e numrit të votuesve me fletët e votimit të gjetura apo të munguara në qendrat respektive.
Gjiknuri theksoi se kërkesa e PS-së iu dorëzua KQZ-së brenda afatit ligjor të ankimimit të vendimit.
Kolegji po shqyrton sot padinë e 2 korrikut të PS-së që kërkon nga Kolegji të detyrojë KQZ-në të shqyrtojë kërkesën e PS-së mbi pavlefshmërinë e vendimit të 25 qershorit për zgjedhjet në Tiranë, ku kandidati demokrat Lulzim Basha rezultoi fitues me 92 vota më shumë se kandidati socialist Edi Rama.
Ky rezultat erdhi pas shtimit në tabelat e QV-ve të Tiranës dhe tabelën përmbledhëse të votave të hedhura në kutitë e gabuara në 1793 kutitë e hapura në tryezën e KQZ pas urdhrit të Kolegjit Zgjedhor në 13 qershor, dhe u ankimua në KQZ, i cili nuk pranoi ta shqyrtojë për kalim të afateve të ankimimit.
Në krye të seancës së sotme në Kolegj, trupi i gjyqtarëve pranoi kërkesën e PD-së për të qenë palë e interesuar në padinë e opozitës.
Seanca e Kolegjit Zgjedhor vijon ende, mbledhje e cila pritet të dalë me një vendim sa i përket padisë së PS-së ndaj KQZ-së, që nënkupton se nëse Kolegji e pranon çështja rikthehet në KQZ, por nëse hidhet poshtë atëherë mbetet në fuqi vendimi që shpalli fitues të zgjedhjeve në Tiranë, Lulzim Bashën.
mit/NOA
No comments:
Post a Comment