Wednesday, July 6, 2011

10 fakte që ndoshta nuk i dini për Afganistanin


Duke luajtur buzkashi

Për një dekadë ky vend ka dominuar lajmet. Përmendni këtë vend dhe çfarë ju vjen ndërmend? Ndoshta talibanët dhe terrorizmi, perçet dhe mjekrat. Por më poshtë keni 10 fakte për Afganistanin, të publikuara nga BBC, që ndoshta nuk i dini.

1.Afganët e festojnë vitin e tyre të ri më 21 mars, ditën e parë të pranverës. Mijëra njerëz udhëtojnë në qytetin verior të Mazar-e-Sharif për të mirëpritur një vit të ri në kalendarin islamik. Burrat më të fortë vendas ngrenë një Janda, një baner të madh islamik, që lajmëron fillimin e pranverës dhe fillimin e vitit të ri. Në rast se baneri ngrihet në mënyrë të qetë, kjo është një shenjë e mirë për muajt që vijnë.

2.Afganisani do të donte që loja kombëtare, buzkashi, të bëhen një sport olimpik. E konsideruar shpesh si loja më e egër në botë, ajo përfshin disa persona që duke kalëruar duhet të kapin kufomën e një dhie dhe ta vendosin në një rreth. Ajo është luajtur në stepat veriore të Afganistanit për shekuj të tërë. Loja ishte një sport për kryekomandantët ushtarakë rivalë, por tani financohet nga kompanitë telefonike afgane dhe nga linjat ajrore private. Por sërish nuk është një sport për ata me zemër të dobët dhe femrat nuk duhet ta aplikojnë.

3.Mbulimi me sinjal telefonik pritet të arrijë në 90 përqind të vendit këtë vit, edhe pse përqindja e afganëve me akses në elektricitet është ndër më të ulëtat në botë. Telefonat celularë po transformojnë jetën e afganëve dhe kulturën e tyre. Madje edhe talibanët kanë telefona celulare të shtrenjtë smartphone me e-mail dhe Skype. Ato janë simbole të statusit të njeriut- dhe nëse ke cash ose kontakte mund të marrësh një numër që memorizohet kollaj për shembull një me shkronjat e emrit tënd.

4.Poezia është e vlerësuar në kulturën afgane. Afganët i kanë treguar historitë e tyre në vargje për më shumë se 1 mijë vjet. E enjta në mbrëmje është ‘nata e poezisë’ në qytetin perëndimor të Heratit- burra, gra e fëmijë mblidhen për të ndarë vargje të lashta dhe moderne, për të dëgjuar muzikë tradicionale dhe për të shijuar çaj të ëmbël e ëmbëlsira gjatë gjithë natës.

5.Aleksandri i madh ishte i pari që ndërtoi kalanë e lashtë të Heratit kur pushtoi qytetin në vitin 300 Para Krishtit. E vetmja grua që pushtoi zemrën e perandorit ishte Roksana, nga provinca veriore afgane e Balkhit. Ajo lindi djalin e tij të vetëm përpara se Aleksandri të vdiste në moshën e re, 33 vjeç.

6.Arnold Shvarceneger është djali i posterit për të rinjtë afganë. Fotot e tij me muskuj qëndrojnë të varura në qindra qendra stërvitore e palestra për body building në mbarë vendin. Disa thonë se aktori i njohur duket si afgan.

7.Kuzhina afgane është më e sofistikuar se qebapi dhe orizi. Ky vend për shumë vite një kryqëzim i qytetërimeve të mëdha dhe kjo reflektohe edhe në meny. Kështu në meny është edhe Ashak, një ravioli i veçantë, makaronat Mantu, të mbushura me mish qengji dhe qepë. Në këtë vend mund të gjeni edhe sushi si ai i shefit Hiromi, i njohur me emrin persian Mursal, që do të thotë trëndafil.

8.Pista ajrore e Kandaharit në Afganistan thuhet se është pista ajrore e vetme më e ngarkuar në gjithë botën. Vitin e shkuar mbërritën më shumë se 30 mijë trupa shtesë nga SHBA, së bashku me personelin civil. Sigurisht shumë gazetarë dhe personalitete fluturojnë në një nga qytetet më të paqëndrueshme në Afganistan. Prej kohësh afganët thonë se kush kontrollon Kandaharin, kontrollon Afganistanin.

9.Pikturat e para në vaj nuk janë bërë në Rilindjen Europiane, por në shpellat e Bamijanit, në malësinë qendrore të Afganistanit. Bamijani lulëzoi si një civilizim budist nga shekulli i dytë deri në pushtimin islamik në shekullin e nëntë. Aty dikur ishin dy statujat më të mëdha të Budës derisa talibanët i shkatërruan në vitin 2001. Një kompani e re turizmi po përpiqet të tërheqë turistë në Bamijanin e bukur. Vitin e shkuar kishin vetëm dy, por ata mbeten me shpresë.

10.Dhe, mos harroni, afgani është monedha, afganë quhen njerëzit.

No comments: