Maks Velo është një ndër ata që e ka ndjerë komunizmin deri në palcë. Një arkitekt- piktor që u dënua me dhjetë vjet burg për “agjitacion e propagandë”. U dënua jo vetëm me burg, të cilin e kreu në një nga burgjet më famëkeq, atë të Spaçit, por dhe me djegien e punëve të tij.Ndërsa ende është i gjallë debati mbi librin e shkrimtarit Fatos Kongoli, “Iluzione në sirtar”, ku ai rrëfen se ka qenë dëshmitar në gjyqin e ishkolegut të shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, Hysenil Dume, Velo thotë se debate të tilla i bëjnë mirë shoqërisë. Sa i takon ndjesës publike të shkrimtarit, Velo thotë se do të kishte qenë më e udhës që Kongoli t’i kërkonte ndjesë Hysenil Dumes sa qe gjallë apo familjarëve të tij. Velo tregon për bashkëpunimin e artistëve me Sigurimin e Shtetit dhe në veçanti rastin e piktores Safo Marko, e cila rezulton të jetë agjentja (“Sh”), e cila ishte shkaku i vërtetë i dënimit të Hysenil Dumes. Sipas tij, ajo nuk ishte e shtrënguar të bashkëpunonte por ishte bashkëpunëtore e zellshme.
Z. Velo, keni bërë vite burg me akuzën “agjitacion e propagandë”… Dikush ju spiunoi edhe juve.. Ç’ndjesi ju përcjellin historitë me dëshmitarë të rremë e agjentë, aq më tepër nëse ata janë artistë…?
I lexoj me ëndje dhe vazhdoj të shoh si në një radiografi kancerin e pashërushëm të shoqërisë shqiptare. Agjentët që u mobilizuan nga Sigurimi, denoncuesit dhe dëshmitarët që dolën në gjyq janë mbi 30.
Një nga çështjet më të përfolura se fundmi është ajo “Kongoli”, ç’mendoni për gjithë këtë zhurmnajë? Është kjo e justifikuar apo janë të gjitha debate të kota?
Për mua është e justifikuar. Nuk është zhurmnajë. Nuk janë debate të kota. Shoqëria jonë ka shumë nevojë për këto diskutime. Duhet të mësohemi të kuptojmë se e liga, poshtërsia, krimi nuk fshihen kurrë. Vjen një moment që ato dalin në shesh dhe duhet të përgjigjesh.
Si ju duket kjo ndarje në dy “kampe” e opinionit mbi këtë çështje?
Alma, më duket se nuk ka një ndarje në dy kampe, jo. Ka ndarje në parcela private, në kampe pafund, se edhe këtu secili diskuton sipas interesit personal, secili do të mbulojë diçka apo të përfitojë diçka. Kështu jemi ne… Diskutimet parimore dhe principale te ne janë shumë të vështira. Kjo sepse jemi akoma popull në formim. Humbëm 500 vjet në kohën më të artë, më me vlerë; me kokën futur në kazanin e hallvës. Kurse Europa po kalonte Rilindjen dhe fillimet e Kapitalizmit.
Personalisht, si ju duket rrëfimi i Kongolit? Një gjest qytetar, një pastrim ndërgjegjeje, një megalomani….?
Janë të tria bashkë.
E njihni personalisht Kongolin, ç’mendim keni për të?
E njoh tani… Në kohën e diktaturës kishim vetëm një përshëndetje. Është shkrimtar shumë i aftë.
I biri i Hysenil Dumes, në gjyqin e të cilit Kongoli doli dëshmitar, është shprehur se Kongoli ka bërë ndjese publike, por nuk u ka kërkuar atyre falje. Mos do të kishte qenë më e udhës një falje personale, se sa kaq publike?
Po, djali i Hysenilit ka të drejtë. Fatosi po ta kish ndjerë vërtetë do të kishte shkuar ta takonte Hysenil Dumen pas daljes nga burgu dhe në gjunjë t’i kërkonte falje. Këtë nuk e bëri. Duhet të paktën tani vonë, para se të shkruante librin t’i dërgonte një letër familjes, djemve dhe gruas dhe t’ju kërkonte falje. As këtë nuk e bëri. Pastaj të na e rrëfente neve historinë. Në këtë rast ndjesa publike nuk ka vlerë, pa ndjesën që i kërkohet atij që i është shkaktuar vuajtja.
Po bëhen ca si shumë shkrimtarët e artistët që kanë dalë si dëshmitarë të rremë nëpër gjyqe apo kanë qenë agjentë të sigurimit. Vërtetë kaq shumë kanë qenë!?
Po, kanë qenë shumë, është e trishtueshme po është e vërtetë. Shifra prej 250 është e vërtetë. Por, duhet të kemi parasysh se kjo shifër është kur Lidhja u bë masovike dhe kish mbi 1000 anëtarë, ish-perandoria e Dritëro Agollit dhe Kujtim Buzës. Në vitet gjashtëdhjetë Lidhja kishte afro 200 anëtarë (flas për vitin 1967 kur unë u bëra anëtar si arkitekt dhe piktor). Jam i bindur për një gjë, se nuk ka Shoqatë Artistësh apo Shkrimtarësh në gjithë historinë e njerëzimit, që të ketë aq karakteristika kriminale si ajo e jona. Kryetari i Lidhjes së Bashkimit Sovjetik, Fadejevi, mbas vdekjes dhe publikimit të krimeve të Stalinit vrau veten. Kurse këta tanët na u bënë demokratë të flaktë. Edhe në kurrikulat e shoqatave simotra të Lindjes Komuniste nuk ka një organizatë të tillë. Madje as në Kinën e Revolucionit Proletar Kinez. Kinezët i dënonin vetëm me riedukim. Kjo vinte kryesisht për arsye historike. Mos harrojmë se 500-vjetëshi i pushtimit Osman na ka shpërfytyruar dhe na ka shpartalluar ekonomikisht, moralisht dhe psikologjikisht. Jam shume kurioz dhe kam bindjen se është një gjë e domosdoshme, shkrimi i Historisë së Lidhjes, me gjithë arritjet dhe krimet e saj. Që në fillesat e saj, derisa u shkri. Ai që thurte gjithë intrigat, ishte sekretari i Përgjithshëm, Kujtim Buza, njeriu më i besuar në kryesinë e Lidhjes. Kujtimi ishte i lidhur direkt me Nexhmie Hoxhën dhe Ministrinë e Brendshme.
Çfarë i shtynte të bëheshin palë, pasiguria, mediokriteti, ndonjë njollë në biografi..?
Të gjitha bashkë… Arsyet kryesore të këtij degradimi ishin injoranca dhe ligësia, mentaliteti oriental, po mbi të gjitha mungesa e një integriteti moral. Këto vazhdojnë edhe sot, prandaj nuk bëjmë dot as demokraci. Ka shumë arsye, një nga më të padukshmet është dëshira e pashprehur që popullsia me karakteristika rurale të bëhet qytetare. Ai njeri bën luftë të tmerrshme që të bëhet qytetar. Ka kohë që më gërryen mendimi: Pse fshati im, Dardha, një fshat i jashtëzakonshëm që i rezistoi turkut, që kish mbi 20 ikonografë, me fotografë të shquar në vitin 1910, me personalitete dhe shumë profesionistë nga më të shquarit, degradoi në kohen e komunizmit në një nivel mjeran. Me shumë spiunë, me torturues nëpër degët e brendshme, gjeneralë vrasës, universitarë pa moral, shkrimtarë spiunë, arkitektë të bllokut etj., etj. Janë mbi 25 familje… pse.. pse..? Janë ata që komandojnë edhe sot.
Besoj se duhet të keni njohur shumë të tillë gjatë kohës së burgut…
Kam njohur shumë, shumë. Po kam shkruar një libër “Kohë Antishenjë”, që i tregoj të gjitha rastet. Këtu nuk është vendi. Po të tregoj vetëm një rast që është edhe për të qeshur. Në Spaç, një kohë drejtoja punimet për objektin e ambulancës. Tekniku i lirë i Ndërmarrjes së Lezhës, ishte një zotni burrë, sillej shumë mirë, po më kish porositur: “Maksi, thasët e çimentos mos i gris, m’i mblidh se i kërkojnë me numër..” Edhe unë këtë porosi ia kisha dhënë brigadës. Ishim gjithsej 15 veta. Aty kisha edhe një fshatar nga një fshat i Gramshit, Hysniun, i cili ishte tip i qeshur dhe më kujtonte xhaxhanë e Dardhës, Pandin. Kur numëroja thasët më dilnin gjithmonë mangët, një ose dy. Një ditë vjen Operativi, mbledh brigadën, na vë në rresht, nxjerr para brigadës Hysniun dhe fillon t’i bërtasë…: “O po merr vesh ti apo jo, o po të kam thënë disa herë.. nuk dua informata prej teje.. o Hysni se do të të dërgoj në Burrel.. ç’janë këto letra në thasë çimento.. se më bllokove edhe kutinë e postës… akoma nuk ke vënë mend.. Prandaj edhe të dënuam, se na e bëre fshatin çorap…do vesh mend..” Operativi iku i nxehur. Hysniu më kish grisur thasët. Se germat i bënte të mëdha, shumë të mëdha kur shkruante dhe i duhej një letër sa një çarçaf që të spiunonte shokët.. Atëherë u qetësova, e kuptova se ky është një popull i sëmurë…, që nuk rri dot pa spiunuar.
Kohëve të fundit kanë dalë fakte të reja, sipas të cilave edhe piktorja Safo Marko ka qenë bashkëpunëtore me Sigurimin e Shtetit. E dinit ju apo kolegët tuaj një fakt të tillë? I ruheshit?
E kam njohur Safo Markon qysh në vitin ’60. Shpesh uleshim e pinim kafe te klubi i shkrimtarëve dhe artistëve. Ishte një grua e respektuar gruaja e Petro Markos, e bukur, e mençur, e aftë. Ishte një nga ilustratoret më të mira të kohës, realizonte pllakate shumë të mira, madje ajo ka realizuar edhe pllakatin e Sigurimit të Shtetit me krahët e shqiponjës dhe syrin. Me pak fjalë, ishte një kolege e nderuar dhe e respektuar. E kam njohur dhe të bijën e saj, Anitën, kur ishte e vogël, madje i kam shkuar edhe kur hapi një ekspozitë në teatrin e Kukullave. Më pas, në vitin 1975 mora vesh që i kishin burgosur të birin, Jamarbërin, të cilin nuk e kam njohur per-sonalisht. Llambi Blindo nguli këmbë aso kohe që t’i shkonim në shtëpi. U çudita me thënë të drejtën nga kjo këmbëngulje, megjithatë i shkuam për vizitë. Unë kam qenë shumë i kujdesshëm e nuk mbaj mend të kem thënë ndonjë politike, vetëm që duhet durim për ta kaluar këtë situatë. E ka besuar se ajo ishte agjente vetëm kur më arrestuan. Kur në Hetuesi Dhimitër Shkodrani më merrte në pyetje, kthehesha pas në jetën time, bëja të gjitha lidhjet dhe kuptova se dhe Llambi dhe Safoja ishin agjentë dhe shtytja e tij për t’i bërë vizitë Safos, nuk ishte e kotë. Ishte dhjetor i vitit 1979. Në burg mora vesh se edhe e bija ishte agjente dhe i biri kishte folur në burgun e Ballshit.
Mendoni se ka qenë e detyruar ta bëjë një gjë të tillë?
Jo, nuk e besoj këtë. Safo Marko nuk ka qenë e detyruar, përkundrazi ka qenë shumë e zellshme, aq sa shkonte vetë atje dhe në fillim e kanë përzënë, sepse thoshte gjëra të paqena. Rasti i Safos është shumë i veçantë. Do të thoja se ajo nuk është normale. E them këtë sepse nuk bëj dot përputhjen e asaj Safos artiste që njihnim ne me Safon superagjente. Madje, përveç problemeve që i biri kishte, mendoj se ajo e ka futur në burg edhe për këtë arsye. Një njeri normal nuk e bën këtë. Rasti i familjes Marko është shumë i veçantë dhe më vjen keq. Kur hapi ekspozitën te “Zenit”, shkova dhe e vizitova, mund dhe të mos e kisha bërë… Por kam një këshillë për Safon. E këshilloj të kërkojë falje. Nëse ajo nuk është në gjendje, atëherë ta bëjë e bija, Nita, dhe ajo të vdesë e qetë. Sepse në jetën e tyre ka dy etapa, ajo e spiunimit dhe ajo që vjen pas saj. Këta njerëz duhet të kërkojnë falje që të bien në paqe.
Të gjitha këto raste na risjellin në vëmendje çështjen e hapjes së dosjeve, ku mendimet gjithashtu janë nga më të ndryshmet. Ç’mendoni? Është koha për të ndërmarrë një akt të tillë apo mund të shpërthente ndonjë “luftë e vogël civile”, sepse dosjet mund të zbulojnë çudira..?
Po, koha është që dosjet të hapen. E kam theksuar gjithmonë. Bile jemi shumë vonë. Mos ki frikë Alma se asnjë lloj “lufte civile” nuk plas, as e vogël as e madhe. Sa për çudira, ne i kemi me thasë, çdo ditë, sa jemi bërë vetëm “vendi i çudirave”. Kjo tregon sa e vështirë është të jesh shtet normal, ku të mos ketë çudira…
Agjentja “Sh”
Agjentja “Sh” hyri në lojë kur drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, u shpreh në një gazetë të përditshme se kishte qenë pikërisht ajo që e kishte “zhytur” Hysenil Dumen, e jo Fatos Kongoli, i cili kishte qenë vetëm një koperturë për agjentët e vërtetë. Pas kësaj deklarate të Dervishit, i biri i Hysenil Dumes do të nxirrte identitetin e vërtetë të agjentes “Sh”, e cila ishte piktorja Safo Marko, bashkëshortja e shkrimtarit Petro Marko. Safo ka qenë një nga ilustratoret më të mira të librave në Shqipëri dhe një nga piktoret e pakta femra që operonte kryesisht me pllakatin. Ekspozitën e saj të fundit ajo e hapi 3-4 vjet më parë në galerinë “Zenit”. Momentalisht ajo është në një gjendje të rëndë shëndetësore.
ALMA MILE
No comments:
Post a Comment