Xhelozi mes mikeshash, Nexhmije Hoxha rrëfen për një ngjarje të papëlqyeshme që i ka ndodhur me Fiqret Shehun, bashkëshorten e kryeministrit, teksa la përgjysmë një banket VIP. Scoop për kronistët e rubrikës së VIP-ave të medieve të sotme. Por atë natë dimri e vitit 1957 nuk kishte paparacë. Një darkë me gratë e liderëve komunistë të kampit socialist në Leningrad (sot Shën Petërburg), për pak sa nuk u kthye në skandal, nëse Nexhmija do t’i kishte bërë qejfin shoqes së saj.
Por në këtë ngjarje dramatike e komike vërtitet si personazh dhe albanologia e ardhshme, Nina Smirnova (1928-2001), përkthyesja e dy grave më të fuqishme të regjimit të Tiranës. Zonja Hoxha e konsideron Smirnovën “një vajzë të zgjuar”. Por për shkak se historiania u shfaq si antistaliniste dhe antienveriste, aludohet se është rekrutuar nga udhëheqja sovjetike dhe se ka sajuar incidentin me Fiqretin.
Megjithatë kontributi i Smirnovës për Shqipërinë dhe Kosovën është i jashtëzakonshëm: nga gjashtë monografi historike që ka shkruar mbi marrëdhëniet ndërkombëtare, rajonin ballkanik ,katër i kushtohen Shqipërisë dhe problemit shqiptar në Ballkan. Është autore e studimeve “Politika ballkanike e Italisë fashiste. Vështrim i historisë diplomatike (1936-1941)”, “Politika e Italisë në Ballkan. Vështrim i historisë diplomatike të viteve (1922-1935) , “Historia e Shqipërisë në shekullin XX” etj.
Ja fragmenti nga kujtimet e Nexhmije Hoxhës:
Trajtimi i veçantë
“Në vizitën për në Lenigrad unë isha me Fiqret Shehun… Në darkën e madhe që shtruan autoritetet e larta partiake e shtetërore të Leningradit u ndie prapë trajtimi im i veçantë, sigurisht, si bashkëshorte e Enver Hoxhës: mua më vunë në tryezën kryesore, ku ishin edhe gratë e udhëheqësve polakë. Po e theksoj këtë, se këtu ndodhi diçka e papëlqyeshme me Fiqretin. Sigurisht, jo për fajin tim, atë e ndanë nga unë dhe e vunë në një tryezë tjetër mjaft larg meje. Kjo ndarje nuk qe një ndarje thjesht protokollare, gratë e Sekretarëve të Parë veç e gratë e Kryeministrave veç, sepse edhe në tryezën time ishin të gjitha gratë e delegacionit polak, pa dallim, po ashtu edhe në tryezën ku qe Fiqreti, ishte edhe gruaja e Todor Zhivkovit, Sekretarit të Parë të PK Bullgare etj. Sidoqoftë kjo gjë na e kishte revoltuar Fiqretin. Kur darka vetëm sa kishte filluar, erdhi tek unë shoqëruesja jonë, Nina Smirnova, që e njihte mirë shqipen, e më tha: “Shoqja Shehu don të ikë në hotel…”. “Të presë edhe pak”, i thashë. Nuk kaloi shumë kohë dhe ajo erdhi përsëri, duke më thënë: “Shoqja Fikrete është mërzitur shumë dhe kërkon ta kthejmë në hotel…”. Këto fjalë ajo i shoqëroi me disa shprehje të fytyrës së saj, që tregonin se edhe ajo e kishte kuptuar fare mirë arsyen e mërzitjes së Fiqretit.
Vajza e zgjuar
Nina Smirnova ishte një ruse që kishte mbaruar studimet universitare për histori dhe ishte angazhuar për specializim e kërkime shkencore në Historinë e Shqipërisë. Për këtë ajo kishte ardhur edhe në Shqipëri. Nuk e di sa kohë ndenji, por mësoi mirë gjuhën shqipe, mblodhi materialin që i duhej, duke u ndihmuar sinqerisht nga historianët tanë të shquar Aleks Buda, Stefanaq Pollo e të tjerë. Dukej që ishte vajzë e zgjuar. Komiteti Qendror i Partisë e aktivizonte atë në shoqërimin e delegacioneve shqiptare si përkthyese e nuk e di se në çfarë detyra të tjera, punë të cilat ajo i bënte me përkushtim. Por, siç lexova këto kohë në burg, në një nga gazetat tona, ajo tani e paska kthyer fletën, duke i shërbyer po me aq përkushtim regjimit të ri të Jelcinit, madje, duke shtrembëruar historinë revolucionare të Bashkimit Sovjetik dhe po ashtu, duke parë më një sy tjetër historinë e Shqipërisë. Nuk na çudit më ky fenomen kameleonësh, qoftë në Bashkimin Sovjetik, qoftë këtu në Shqipëri. U mësuam me këto karaktere të dobëta njerëzish pa shtyllë kurrizore.
E kishin ulur andej nga fundi
Por e kam fjalën te Nina Smirnova. Ajo, atë natë pas darkës së Leningradit, me siguri bëri informacionin për aparatin e KQ të Partisë, për çfarë ngjau me Fiqretin, për bisedat me mua. Por unë nuk e heq edhe tani bindjen se këtë “incident” ata e projektuan vetë me qëllim. Për shkak të insistimit të Fiqretit, më në fund u detyrova dhe kërkova leje, duke u justifikuar për një dhimbje koke dhe u largova bashkë me Fiqretin. Kur mbetëm vetëm në dhomën e hotelit, i thashë: “Ç’pate që ma dërgove Ninën aq herë?”. Ajo nuk mungoi ta shprehte hapur pakënaqësinë e saj pse e kishin ulur andej nga fundi dhe pretendoi se unë nuk duhej ta kisha pranuar një gjë të tillë. “Si mund të ma kërkosh mua një gjë të tillë, i thashë, e ç’mund të bëja unë?! Të bëja skandal…?!…Unë nuk isha në shtëpinë time!”. Por, me kaq u mbyll ky “incident”.
Jo ftesës së Hoxhës për drejtoren e kombinatit të Moskës
“Drejtorja e kombinatit të tekstileve të Moskës është tepër e zënë me punë për të ardhur në Shqipëri në përurimin e Kombinatit që mban emrin e shokut Stalin”. Udhëheqës të lartë të partisë dhe shtetit sovjetik si Susllov, Kosigin etj. mashtrojnë Enver Hoxhën. Nuk dihet arsyeja e vërtetë: luftë klasash apo intriga, ndaj një bolshevikeje me emër në BS. Në foton e rrallë që po botojmë nga vizita e Hoxhës në kombinatin e tekstilit “Xherxhinski” të Moskës, në mars 1949, majtas, me shpinë, është drejtorja e tij, Anna Aleksejevna Severjanova (1908-1969). Atë e ftoi Enver Hoxha pas dy vjetësh, në vitin 1951, për të qenë e pranishme në përurimin e kombinatit të tekstileve “Stalin”, por ka kundërshtuar ministri i atëhershëm i Industrisë së Lehtë të BS, Aleksej Kosigin, dhe ky inxhinier tekstili. Hoxhës, nëpërmjet sekretarit të KQ të PK të BS, Susllov, iu tha se Severjanova ishte e zënë me punë. Nga ana tjetër Enver Hoxhës, më më 26 prill 1949, iu bënë dhurata për bashkëshorten, Nexhmijen, me vendim të Qeverisë sovjetike, dy copa mëndafshi dhe një copë leshi, sigurisht, prodhime të kombinatit të tekstilit të “Trjohgornaja Manufaktura – Xherxhinski”. Ishin mostra pëlhurash, që po sheh me vëmendje Enver Hoxha në foton që po botojmë.
Luftë klasash?
Botuesit e dokumentit kanë vënë këtë shënim: “Arsyeja reale e kundërshtimeve nga ana e A. N. Kosiginit dhe Komisionit të Politikës së Jashtme të KQ të PK Panruse (b) ishte se A. A. Severjanova – e dekoruar me tre urdhra “Lenin” (1933, 1949, 1960), drejtore e kombinatit “Trjohgornaja manifaktura” në vitet 1946-1953, ka qenë gruaja e F. Aksionovit, që u përndoq dhe u pushkatua në vitin 1937. Për herë të parë u lejua të dalë jashtë shtetit vetëm pas Kongresit XX të PK të BS, në vitin 1958, kur kryesonte një delegacion të Komitetit të Grave Sovjetike”.
Intrigë?
Por kjo gjë është e çuditshme dhe flet për absurditetin e luftës së klasave në perandorinë e kuqe: drejtorja nuk do të shkonte në një vend “kapitalist”, por në Shqipëri. Dhe për çfarë: për të përuruar një kombinat me emrin e Stalinit në Tiranë, e ftuar nga kreu i regjimit komunist në Shqipëri! Dhe nuk e morën parasysh këtë fakt. Por mund të dyshohet për ndonjë intrigë nga vetë Kosigini. Dhe pse iu pushkatua i shoqi, F. Aksionov, në vitin 1937, po atë vit deri më 1941 ka qenë kryeinspektore e sektorit të shkollave në Komitetin e Sporteve pranë Këshillit të Komisarëve të Popullit të BRSS. Ndërkaq, më 1941-1943 Severjanova ka punuar në drejtorinë e 4-të të MGB (ministria e Sigurimit të Shtetit). Nga viti 1946 -drejtore e kombinatit “Trjohgornaja manufaktura – Xherxhinski”. Pas kongresit XX, u emërua zëvendësministre e Industrisë së Lehtë të BRSS, anëtare e Komitetit Shtetëror të Punës dhe Pagës. Vdiq në maj të vitit 1969.
“Asnjë diskutim serioz me diplomatët rusë”
Me diplomatët e Stalinit në Tiranë në vitet 1946-1949 nuk mund të bëhej “asnjë diskutim serioz”. Stalinisti i fundit në Evropë, Enver Hoxha, është i pezmatuar me përfaqësuesit e Kremlinit. Shefi i regjimit të Tiranës thotë se marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik e PK të BS gjer në këtë kohë, 1947, realizoheshin kryesisht nëpërmjet ambasadës (më saktë: “legatës”, “misionit”. Vetëm pas vdekjes së Stalinit, në gusht të vitit 1953, marrëdhëniet diplomatike Shqipëri – BS u ngritën në nivel ambasade). Enver Hoxha i konsideron diplomatët sovjetikë si “njerëz të mirë”, por që “ishin vetëm “nëpunës” që nuk nxirrnin nga goja asnjë fjalë”. Lideri shqiptar është i pakënaqur me faktin se përfaqësuesit e Moskës u largoheshin “si ujku nga zjarri” bisedave për qëndrimet e jugosllavëve ndaj shqiptarëve. Enver Hoxha, pak kohë para vdekjes, në vitin 1982, konstaton në librin “Titistët” se sovjetikët nuk e panë me vend të përziheshin në çështjen e kontradiktave të Nako Spirus me Koçi Xoxen dhe jugosllavët. Konsiderata jo të mira për sovjetikët ka dhënë dhe në librin “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë se re” (1984), ku ka sulmuar ashpër shefin e misionit ushtarak sovjetik pranë Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë partizane, majorin Konstantin Ivanov, dhe pse e kishte dekoruar në vitin 1945. Te “Titistët”, 1982, shkruan se “majori Ivanov gjynah që përfaqësonte një ushtri të tillë si Ushtria e Kuqe. Ishte tip i zgjuar, finok e, siç u duk më pas, edhe ai kishte ardhur me mision ushtarak, por dhe me të tjera, “speciale”". Megjithëse në vitin 1979 kishte botuar një libër të tërë me panegjirikë për Stalinin, në vitin 1982, ai shkruante me mllef se Bashkimi Sovjetik po e njihte Shqipërinë me syzet e shefit të misionit ushtarak jugosllavë pranë shtabit të Përgjithshëm Velimir Stojniç (1916-1990) dhe jo vetëm në prag të Çlirimit, por edhe disa vjet më pas”. Sipas Enver Hoxhës, Shqipëria nuk pati asnjë përfitim nga Ivanovi, asnjë informacion të saktë nuk jepte dhe, kur e pyesnin për diçka ose i kërkonin ndonjë mendim, e vetmja përgjigje e tij ishte: “Do të vë Moskën në korrent me anën e radios”. Ivanovi e dinte që shqiptarët kishin nevojë edhe për armë e për furnizime ushtarake, por asnjëherë nuk punoi radioja e tij për t’i transmetuar komandës sovjetike nevojat e shqiptarëve dhe asgjë nuk erdhi që andej, thotë me mllef lideri shqiptar pak para vdekjes, në vitin 1984.
“Incidenti” i Enverit me dollinë për Francën
Enver Hoxha ka zemëruar ministrin fuqiplotë të Parisit në Beograd me një dolli për Francën gjatë një pritjeje në misionin shqiptar. Dy shefa misionesh në Tiranë, ai i BS dhe i Jugosllavisë, “eglendisen” dhe me histori ekzotike, ku personazhet janë të rangut të lartë. Lideri shqiptar Enver Hoxha i kushton një kapitull të tërë në librin “Titistët” një vizite që ka bërë nga 23 qershori gjer më 2 korrik 1946, një krye të një delegacioni qeveritar me “ftesën e papritur të Titos”. Po ashtu edhe në arkivat sekrete ruse të politikës së jashtme është shklasifikuar dhe një dokument për ngjarjen e mësipërme. Më 5 korrik 1946, i dërguari sovjetik në Shqipëri, D. Çuvahin, ka raportuar në Moskë për një bisedë që ka bërë me ambasadorin jugosllav në Tiranë, Josip Gjergjia në vitet 1945-1945. Sipas dokumentit me siglën “Sekret”, Çuvahini i ka “bërë një vizitë Gjergjias me iniciativën e vet. Ai sapo ishte kthyer nga Beogradi, ku kishte shkuar bashkë me delegacionin qeveritar shqiptar të kryesuar nga Enver Hoxha”. Ambasadori sovjetik thotë se i ishte lutur kolegut jugosllav, një shqipfolës nga Zara e Kroacisë, t’i tregonte për përshtypjet e tij nga udhëtimi i shqiptarëve në Beograd. Pasi, jo vetëm shoqëronte delegacionin qeveritar të Tiranës, por ishte dhe përkthyes i bisedave tête-à-tête midis Titos dhe Hoxhës. Kjo vizitë ka dhe episode pikante, që janë gjah i preferuar dhe për tabloide me lajme nga “high life”. Autori i “Titistëve” ka ndjenjën e humorit në faqe të veçanta të librit. “GRAND UNIFORMA”
Enver Hoxha tregon se për këtë vizitë i “mungonte uniforma e duhur e gjeneralit”. Lideri 38-vjeçar donte të shkonte civil, por bashkëpunëtorët ngulnin këmbë se duhej të kishte me vete edhe uniformën ushtarake të gjeneralit, si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë, një “grand uniformë”.
“Prandaj duhej të sajonim një, që nga këpucët lustrina deri te kapelja me lulka. Mirë këpucët i bëmë, i bëmë dhe pantallonat blu me shirit të gjerë të kuq, por duhej gjetur xhaketa, kësaj si i bëhej halli!” Thirri Sokolovin, atasheu ushtarak sovjetik në Tiranë, dhe i tregoi hallin. Sokolovi i dha një copë të paprerë ushtarake. Kështu u rregullua edhe çështja e “grand uniformës”, tregon Hoxha.
“Tortura” e llucës
Gjatë vizitës në Jugosllavi i ndodhi që këpucët lustrina dhe rrethi i këmbëve të pantallonave t’i bëheshin pis me llucë. Dhe më e keqja do të shkonte në pritje të madhe ku ishte mbledhur elita e Beogradit me veshje luksoze. “Kur hodha sytë e i pashë në të hyrë të salloneve, ku gumëzhinin njerëzit… u skuqa nga turpi. Nuk kisha ç’bëja, vetëm nuk duhej të lëvizja shumë… Duhej t’i hiqja këmbët zvarrë, që të mos më dukeshin thembrat e këpucëve. Dhe kështu bëra. Por provova një torturë të vërtetë”, tregon autori i librit. “Mirë që sytë e të gjithëve drejtoheshin nga mareshali” Tito.
“Incident”?
Josip Gjergjia rrëfeu për një “incident” diplomatik, që kishte ndodhur në misionin shqiptar në Beograd në pritjen e dhënë për nder të Enver Hoxhës, ku ishte ftuar dhe Titoja, i cili nuk erdhi për arsye sigurimi. Kështu kishte njoftuar, sipas Enver Hoxhës, Josip Gjergjia.
Josip Gjergjia i tregon të dërguarit të BS në Tiranë: “U ngritën shumë dolli. Më në fund, e mori fjalën Enver Hoxha. Ai tha se propozon të ngriheshin shëndete për të gjithë popujt përparimtarë, demokratikë, por “gjithashtu dhe për Francën. Ambasadori francez në Beograd, që ishte i pranishëm në këtë ceremoni, Zhan Pajar (Jean Payard), që i kishte ikur gjaku në fytyrë nga zemërimi, protestoi dhe gjoja, duke iu drejtuar Enver Hoxhës, e pyeti: “Përse ‘gjithashtu për Francën’?”
Gjithë “incidenti”, sipas Gjergjias, u mbyll këtu. Enver Hoxha gjoja, pasi e pa që kishte folur pa takt, e ndreqi disi, pasi propozoi të të ngrihej dolli për traditat revolucionare të popullit francez”, raporton në Moskë D. Çuvahini. Por diplomati i stërvitur sovjetik, me sa duket, nuk e beson Gjergjian përderisa ironizon me stilemën e thonjëzave “incidenti” apo me frazën “gjoja, duke iu drejtuar Enver Hoxhës”. Nuk mund të gjykohet sot se kush thotë të vërtetën Gjergjia apo Çuvahini, i cili ishte dhe një mik personal i Hoxhës.
Thanas Mustaqi
No comments:
Post a Comment