Eshtë hera e dytë brenda pak ditësh që z. Fatos Lubonja më akuzon nëpërmjet një ftese apo më fton nëpërmjet akuzash për një debat publik në lidhje me rolin kritik të intelektualëve ndaj partive politike. Nuk e di pse më ka zgjedhur mua si “intelektual” që përfaqësoj këtë ndjeshmëri publike, pasi stihia ime është letërsia e deri diku ideologjia me të cilën lidhet letërsia. Por jo politika! Atë më mirë se unë mund ta përfaqësonin politologët apo politikanët që e ushtrojnë teorikisht apo praktikisht si profesion. Megjithatë, e pranoj ftesën, por z. Lubonja duhet të pranojë kusuret e kësaj zgjedhjeje, sepse unë do të flas si të më teket, brenda lirisë sime. Mirëpo, në të dyja rastet, shtrimin e kësaj çështjeje dhe zgjedhjen e diskutantit. Lubonja e bën duke akuzuar, shpifur e përlyer imazhin tim – pikërisht personin që e fton në debat. Duke vepruar në këtë mënyrë damkosjeje, ai hap një hendek të thellë pabarazie me personin që akuzon dhe, për çudi, shpreson që po ky person t’i përgjigjet, madje pa përgënjeshtruar akuzat e tij, se përndryshe zhgënjehet! E habitshme kjo për një njeri që barazitizmin e ka thelb të kauzës majtiste. Pasi ia hodha poshtë, me fakte, bazën e akuzave z. Lubonja në përgjigjen time të parë, tani le të provojmë t’i përgjigjemi ftesës së tij për debat publik, por jo siç e shtron ai këtë temë, në cilësinë e detyrave të shtëpisë. Dhe mendoj se duhet të flasim për tipologjinë e intelektualit që përfaqëson vetë z. Lubonja, tashmë përtej Lubonjës, sepse polemika me të ka vlerë vetëm për aq sa ai përfaqëson. Jo më shumë. Personalisht mendoj se shpërdorimi më i madh ka ndodhur me nocionin “intelektual”. Nuk është rasti të hapim këtu një debat, ndonëse të vyeshëm, mbi kuptimin e këtij nocioni, por dyshoj fort nëse gjenden në Shqipërinë postkomuniste një a dy të tillë, ndër të cilët, duke përjashtuar veten në radhë të parë, refuzoj edhe përpjekjen që bën z. Lubonja për të më konsideruar të tillë. Kam më për zemër një përkufizim të nobelistit Josif Brodskij: “Intelektual quhet ai personalitet që krijon një sistem apo antisistem vlerash, të cilin është gati ta mbrojë me jetën e tij”. Ndërsa për pretendimet megalomane dhe logjikën tyryfyçkë me të cilën janë mësuar ta përvetësojnë arbitrarisht këtë atribut ndër nahijet tona, duke e pandehur veten për misionarë të një morali të ri, edhe pse në fakt, të vërtetat që shqiptojnë janë përpos se diletante, edhe hipokrite, në këtë rast pra, për “rolit mesianik” të intelektualit në tipologjinë tonë intelektuale, do të shkonte më përshtat përkufizim i Fukosë: “Intelektuali? Nëse kjo specie ekziston, duhet heqë dorë nga roli i tyre profetik!”. Formati intelektual i z. Lubonja është një figurë antropomorfike, përjetësisht e ftuar në të gjitha studiot, që bllokon pjesën dërrmuese të ekraneve tona; të gjithë e kemi parë formatin e tij intelektual t’i nisë të gjitha trajtesat me frazën: “Unë nuk jam specialist në këtë çështje, por po jap mendimet e mia…”. Po çfarë është ajo tipologji intelektuali, që nuk i përket asnjë sfere dhe nuk është kompetent në asnjë fushë? Nuk e kam fjalën tashmë për shpifjet, alibitë apo thashethemet e kafeneve që ai i tregton për të vërteta. Nëse i pëlqen të rrojë në këtë ferr të ndërgjegjes së vet, Zoti qoftë më të! Pyetja është: çfarë profesioni, çfarë kontributi, çfarë ekspertize, me çfarë specialiteti e pasuron atributin “intelektual” kjo tipologji? Një fizikan që nuk ka mbaruar studimet, pa shkollë, pa diplomë, që s’ka punuar asnjë ditë në profesionin e tij? Dhe këtu nuk më rrihet pa përmendur një thënie të I. S. Turgenievit: “Specialiteti e përjashton diletantizmin: të jesh diletant do të thotë të jesh i pafuqishëm”. Atëherë mbetet që i vetmi specialitet apo “profesion” i formatit intelektual të tipit Lubonja është trajektorja endacake e tij nga njëra studio në tjetrën; itinerari nga një gazetë në tjetrën; vërdallosja nga një konferencë në tjetrën, duke nxituar të shtojë gjithkund: “Unë nuk jam specialist këtu, por po flas njëherë…”. Dhe ne e kemi dëgjuar. Gjithmonë. Të njëjtat gjëra. Ky lloj formati nuk e ka pasur as shqisën, as intuitën, as dhuntinë profetike të parashikojë e t’u paraprijë qoftë për 24 orë ngjarjeve. Prandaj bie ndesh me veten dhe gjithë udha e tij intelektuale paraqet një zigzag të stërgjatë kundërthëniesh. Çfarë është pra ky lloj intelektuali që nuk është specialist, që nuk ka një profesion, që nuk ka një vepër me vlerë në fushën e mendimit, që nuk ka një aftësi parashikuese t’u paraprijë ngjarjeve, por përkundrazi, paragjykon folklorikisht dhe ushtron dhunë verbale mbi ngjarjet që në embrionin stadial të tyre? E shtroj këtë pyetje për verifikim, ngase kjo tipologji intelektuali nuk ka një punë të qëndrueshme ku t’i garantohet pavarësia e tij e shumëpërfolur. Dhe, duke qenë gjithë ditën nëpër redaksi, studio-kafe e kafe-studio, pa pasur një profesion e punë stabël, ai ka shpikur të vetmen risi: ngritjen e problemeve! Dhe kur i mungon subjekti, tipologjia e Lubonjës i thërret fantazisë: më sajon mua si subvijon nga faqja 1 jekt shkrimi dhe pastaj mbetet i zhgënjyer kur sheh se personat e imagjinuar lodra, nuk i rrinë sus rolit që u ka caktuar ai. Shkurt, një kalama që hyn në konflikt me lodrat dhe trillet e veta. Por si t’ia bëjmë ne që e fillojmë ditën e punës nga ora 08:00 deri në 16:00? I zënë më një tjetër proces pune, krejt të ndryshëm prej të tij (unë nuk jam gazetar a publicist, por diç më shumë), nuk mund të bëj kritikë për çdo gjë e për gjithkënd dhe, nëse ia dal të ngre ndonjëherë një problem, këtë e bëj për të shfaqur shqetësimin tim, nervin tim qytetar, pa pretenduar honoraret e majme të Lubonjës dhe ky, mendoj, është përfitimi që ka shoqëria. Duke mos qenë kompetent për asnjë çështje, duke mos pasur asnjë certifikatë profesioni, duke i përzier të vërteta e thashetheme, mite e realitete, duke u hyrë problemeve nga “dera e pasme”, duke u ngatërruar në të gjitha temat, sipas parimit “ku leh qen e del tym”, me zellin e të vetmit botëkuptim marksist me të cilin është brumosur e strukturuar, na përftohet formati i intelektualit oral e grafoman, maniak e simulakër, gjykatës mbi palët e, mbi të gjitha, i pavarur e kontradiktor! E gjithë kjo tipologji sillet dhe shpështillet midis paradoksesh dhe oksimoronesh: sulmon të majtën nga pozicioni i djathtë, sulmon të djathtën nga pozicioni i majtë, gjithmonë, për hir të kritikës, transparencës dhe pavarësisë. Sigurisht ndodh ndonjëherë që edhe Lubonja të shtrojë probleme të drejta, siç ndodh ndonjëherë që edhe macja të kapë një lepur. Por kjo nuk përbën kurrfarë ligjësie. E kam vështirë të gjej një plan të përbashkët arsyetimi me konceptin marksist të kritikës së formatit Lubonja. Sepse, nëse formati i tij do ta kishte kuptuar sistemin demokratik, do të kishte mësuar tashmë me kohë se partitë dhe pushtetet i paguajnë kritikët e tyre që të legjitimojnë sistemin. Pikërisht në një kyç të tillë kuptimor, Lubonja është viktimë e tyre. Në rastin konkret, kujt do t’i interesonte një qeverisje e përsosur e PD-së? Vetëm opinionistëve të formatit Lubonja jo! Sepse në vend të opinioneve të tyre, në mungesë të një profesioni që garanton pavarësinë që ky format nuk e ka, gazetat do të mbusheshin atëherë me shpalljet: “BËJMË SHPIME ME MATRAPIK!”. Gjithsesi, kjo do të ishte një punë më e ndershme krahasuar me kritikën që më bëhet për mos kritikë. Sepse dihet: unë e mbroj të djathtën që nga viti 1990; ndryshe nga formati Lubonja, jam koherent, pa asnjë të çarë në mendimin tim, pavarësisht se jo gjithmonë e djathta i mbron parimet e mia. Por formati intelektual Lubonja po na promovon edhe një nihilizëm tjetër të ri, sipas të cilit, qenka turp i madh të punosh në administratën shtetërore, t’i shërbesh shtetit tënd, të mos përpiqesh ta shash, ta sabotosh, ta bllokosh, ta bojkotosh, përndryshe je automatikisht i paragjykuar si klientelist, si servil, si i korruptuar. Këtu botëkuptimi ynë mbi shtetin ndahet prerazi: ndryshe nga formati i intelektualit Lubonja, unë e kam për nder t’i shërbej shtetit tim, të marr përgjegjësitë dhe jo t’u iki atyre, të ngulmoj me sa mund në përmirësimin e gjendjes, e jo të hedh gurë e popla mbi ata që punojnë, pa marrë kurrë mbi vete riskun e përgjegjësinë të bëj diçka. Sipas këtij formati duhen braktisur vendet ku të kanë zgjedhur, për të bërë sehir, në shmang, me dashakeqësi, se si degradojnë gjërat kur në pozicionet e braktisura vendosen gdhenjtë. Në këtë vend që vetëm shahet, që shihet vetëm me ngjyra të zeza, ka një jetë, ka një përpjekje, ka sakrifica që prodhojnë vlera, ka ngjarje të bukura dhe shembuj që meritojnë një fjalë të mirë, një përshëndetje. Ka, por jo për formatin e intelektualit Lubonja, syri i të cilit sheh gjithkund ngjyra të përzishme, andaj e vetmja muzë që e vë në lëvizje oreksin e tij oral e grafoman është muza e rrënojave dhe qiparisave. Nuk mbaj mend të ketë shkruar ky format intelektuali për ndonjë gjë që ta ketë ngrohur shpirtërisht, “intelektualisht”, njerëzisht. Megjithatë, intelektualit simulakër e grafoman i duhet të tundë një flamur, të themelojë mitin e vet, që mandej të punojë miti për të. E meqë i ka shumë për osh mitet formati i intelektualit Lubonja, le t’ia nënshtrojmë dekonstruksionit edhe mitin e tij të të qenit i pavarur. Rregull kryesor: për të justifikuar alibinë e pavarësisë së vet, formati Lubonja kapet pas personash të tjerë, duke i përlyer ata me gjithfarë thashethemesh, si ato që ka shkruar në dy shkrimet e tij të mëparshme kundër meje. E, meqë formati simulakër i intelektualit Lubonja bëhet zëdhënës i thashethemeve, po i kujtoj cazë edhe unë atë emisarin që pati dërguar te Berisha për të psonisur prej tij një pension të përjetshëm. Pikërisht pension të përjetshëm për formatin e intelektualit Lubonja, ashtu thjesht, sa për të zgjeruar paksa spektrin e tij të pavarësisë! Ndërkaq, po t’i shohësh më nga afër flamujt e pavarur të formatit Lubonja, na dalin shtresë pas shtrese ngjyra të përçudshme: anëtar bordi në MTKRS në kohën e Ramës; anëtar bordi disa herë te fondacioni “Soros” e një sërë fondacionesh të tjera private; komisar i Forumit për Demokraci në vitin e artë e të paqtë 1997, etj., etj., gjithkund dëshmi të palëkundshme të pavarësisë së tij intelektuale!! Pavarësia e formatit të intelektualit Lubonja përftohet, sipas tij, duke qenë herë pas here i varur për segmente kohore nga dikush që e ushqen, mandej nga kafshimi i po asaj dore, për t’u hedhur suksesshëm te dora tjetër. Por formati i intelektualit Lubonja ka kritikën, që e bën të pavarur! Dhe çfarë kritike se! Ai e kritikon shpengueshëm njërën palë pse s’i ka dhënë asgjë, ndërsa palën tjetër pse s’e lë t’i gëzohet asaj që ajo i ka dhënë, p.sh., sarajet në Petrelë, në të cilat, hë për hë këndojnë kukumjaçkat e asaj ane, për shkak se ai fle përnatë nëpër studiot e televizioneve private. Por sa të poshtër dhe këta pronarët e TV-ve! Nga njëra anë të japin sarajet në Petrelë, nga ana tjetër s’të lënë t’i gëzosh! E, me sa duket, ky qenka shkaku i shpërqendrimit të tij të shpeshtë në debatet televizive… Gjithë në frymën e filozofisë intelektuale të formatit Lubonja, nxjerrim edhe ne një moral cinik: Një prostitutë na dalka më e ndershme se një grua që e shkon jetën me burrin e saj. Sepse prostituta bën naze vetëm për të rritur pazarin. Edhe vetë formati intelektual i tipit Lubonja e di se midis të ngjashmëve me veten nuk ka rivalitet, nuk ka tjetër si ai që të solojë i vetmuar mbi të gjithë. Ka mbetur, për fat të keq, sall ai, tek pullë, i braktisur, vetmitar, i keqkuptuar, se nuk po e shpallim publikisht “intelektual kombëtar”, por me shpresën e fortë se, herët a vonë, do ta pranojnë të tillë nga e keqja, në mënyrë plebishitare, përshtat me një proverb: “Në mungesë të zogjve, edhe b… është bilbil”. Të më ndjejë lexuesi i nderuar, por në varësi të personazhit të formatuar si tepër intelektualisht, nuk gjeta gjë më serioze për t’iu përgjigjur.
Panorama
Saturday, July 9, 2011
Agron Tufa: Shakaja e të qenit edhe intelektual, edhe i pavarur
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment