Njerëzor, kundërnjerëzor, kombëtar, kundërkombëtar, shqiptar dhe kosovar
Nga Behxhet Sh. Shala
Katër personalitete, katër realitete : Papa Benedikti i XV, Adem Demaçi vet i 40 –ti, Halil Matoshi i Parë dhe i papërsëritshmi ( uroj të jetë ashtu, sinqerisht ) dhe Moamer el Gadafiq janë katër persona që janë aktualizuar kohëve të fundit. I pari, pra Papa Benedikti i XV si autoritet suprem i Vatikanit, jo që nuk po e njeh shtetin e Kosovës por po e përkrah haptas Serbinë. Një Kardinal i tij pati deklaruar haptas se Kosova është djep i Serbisë dhe se shqiptarët po bëjnë gjenocid etnik dhe kulturor ndaj serbëve të Kosovës. Kardinali vetëm ka përsëritur një pjesë të pohimit të eprorit të tij, dhënë më herët e që ka të bëjë me pronësinë mbi djepin, Kosovën pra. Vatikani asnjëherë nuk është distancuar nga këto qëndrime që nënkupton se në heshtje është pajtuar me deklaratën e Kardinalit. Është interesant se edhe Papa, edhe Kardinali me qëndrime serbe janë gjermanë . Papa ka pasur një të kaluar fashiste mirëpo u distancua nga kjo e kaluar apsi të njëjtin veprim e bëri edhe Ginter Gras. Kardinali që ka deklaruar siç ka deklaruar për Kosovën dhe shqiptarët është fashist aktual dhe po presim nëse do të distancohet apo pendohet. Deklarata e tij mund të jetë edhe pasojë e dehidrimit të tij gjatë enciklikës së Papës, urbi et orbi në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, pas vapës së madhe.
Adem Demaçi është njeriu që e ka një të metë shumë të madhe dhe që është rrethanë rënduese; gjithmonë dhe gjithkund e flet të vërtetën. Prandaj edhe nuk i falet. Prandaj edhe e quajnë të krisur, të matufosur dhe të marrë. Prandaj e quajnë antikombëtar, radikal dhe pjesë e kaluar e historisë. Kjo është arma që e përdorin injorantët, pakurrizorët, lëpirësit e të gjitha pjatave dhe frekuentues të të gjitha grazhdeve. Adem Demaçi paska bërë mëkat sepse e paska thënë një të vërtetë e një të pavërtete që e kanë thënë më parë Papa Benedikti i XV dhe kardinalë të tij apo zyrtarët e Vatikanit. Adem Demaçi paska mëkatuar sepse paska thënë se Turqia e sulltan Sylejmanit deri te sulltan Rashiti kanë qenë okupatorë të Kosovës. Ose se paska bërë shumë mëkat sepse paska deklaruar se Moamer el Gadafi dhe udhëheqësit e shteteve tjera arabe ( myslimane ) që nuk e kanë pranuar Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran janë shtete që udhëhiqen nga ata që nuk kanë lidhje me njerëzimin dhe fenë. Se nuk i shërbejnë as popullit të tyre .
Halil Matoshi është ish peng lufte. I internuar në llogoret e Serbisë, si kundërshtar i Mongolisë. Po falë Zotit, u kthye shëndosh e mirë në Kosovë, si Mesie për kumtimin e lajmit se po formohet një komb i ri, kombi kosovar. Me guximin dhe intelektualizmin e tij u vë në krye të këtij misioni të shenjtë. Dikush sot edhe mund ta shajë K ( H )alilin, Matoshin jo Xhibranin por e ardhmja do ta vlerësojë kontributin e tij prej misionari të formimit të kombit kosovar dhe Kosovës multietnike. Kësaj radhe K ( H )alili u vu në “mbrojtje” të Adem Demaçit. Tha se nuk duhet të sulmohet Adem Demaçi nga besimtarët e krishterë, siç po bëhet përmes internetit shkaku se e paska bërë një gaf ( huqje ) duke e inkriminuar deklaratën e Papë Benediktit të XV. E arsyetoi Bacën se ai ka kredit nga e kaluarë që të flasë ç’të dojë prandaj edhe kjo gafë është e lejuar. Me një fjalë, u bashkua me ata që e cilësojnë Adem Demaçin si matuf, i krisur, i dëmshëm politikisht dhe kosovarisht. Ama këtë e bëri në mënyrë më të sofistikuar se të tjerët. E bëri halilqe.
Moamer el Gadafi, njihet si mik i Rusisë, Serbisë, Behgjet Pacollit dhe Lulezezës. Dhe si armik i Libisë dhe popullit të saj. Ai, serbët i ka konsideruar si vëllezër, kosovarët si miq. Ashtu edhe duket se do ta ketë fundin, sikur vëllai i tij i krimit, Sllobodan Millosheviqi. Dhe jo vetëm ai. Ikën Ben Ali, Hosni Mubarak. Të tillë do ta ketë fatin edhe Moamer el Tarak. Për të gjithë këta Adem Demaçi e ka dhënë vlerësimin e duhur, në kohë të duhur. E jo si disa kontrabandues që janë bërë politikanë me shantazh dhe me para që kanë vallëzuar “ shiri kollo, shiri kollo Sllobodansko llollo “ që, pasi e kanë lëpirë “ kripën e Libisë” janë shndërruar në armiq të Serbisë .
Paralelizmi dhe idiotizmi : Besimtarët e krishterë që po e gozhdojnë Adem Demaçin në kryqin e tyre, vetëm se e paska folur një të vërtetë, nuk kanë të bëjnë fare as me besimin, fenë e lëre më me Zotin. Për të qenë besimtar i mirë dhe i devotshëm duhet të jeshë njeri, në kuptimin e plotë të fjalës. Adem Demaçi nuk e ka krahasuar Papën me Gadafin mirëpo realisht, sa i përket qëndrimit ndaj statusit të Kosovës dhe shqiptarëve, këta të dy nuk dallojnë fare. Që të dy e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës ndërsa kanë qëndrim miqësor ndaj Serbisë . Vatikani, me të gjithë papët dhe kardinalët e dinë shumë mirë se sa kanë pësuar Kosova dhe shqiptarët pikërisht nga Serbia dhe regjimi serb andaj është dashur të marrin qëndrim në bazë të mësimeve të Zotit e jo në bazë të intereseve politike, fetare etj. Këtë është dashur ta kenë parasysh edhe besimtarët e krishterë në Kosovë dhe viset tjera ku jetojnë shqiptarët para se të organizojnë orgji për të diskredituar njeriun i cili është më besimtar se të gjithë ata sepse e flet të vërtetën, e mbron të vërtetën dhe flijohet për të vërtetën. Ka dhënë shumë prova për këtë dhe ka paguar çmim shumë të lart për këtë. Burgun thuaja 30 vjeçar e konsideron provë por jo edhe një çmim në formë të vuajtjes nga e cila përpiqet të përfitojë materialisht apo politikisht. Dikush konsideron se lumturia fitohet duke mashtruar, vjedhur, gënjyer, fituar para nga këto që i përmenda më parë. Këta e kanë ngritur injorancën në atë shkallë të përsosmërisë sa që harrojnë se ka Zot. Të tillët janë kundër të së vërtetës, kundër besimit dhe kundër Zotit. Shqiptarët kanë besuar shumë në Vatikanin. Ish presidenti i Kosovës , Ibrahim Rugova e ka pasur për më shumë se 10 vite fotografinë e Papës mbi kokë, duke besuar se në këtë mënyrë do të ketë përkrahje politike nga Vatikani. Nuk doli asgjë nga kjo punë. Madje, vatikani përmes “Shën Exhidios”, në kohën e represionit më të madh të Serbisë kur shqiptarët flijoheshin për liri, përpiqej të na “mërrotë” një autonomi kulturore brenda Serbisë. Edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, po i njëjti “ Shën Exhidio” bënte përpjekje të ndërmjetësonte midis serbëve dhe shqiptarëve. Ujku qimen e ndërron por vesin nuk e harron.
Si përfundim: E pranoj se edhe unë ndaj mendimin me Adem Demaçin. Për këtë arsye më kanë sharë dhe mallkuar edhe besimtarët e Vatikanit edhe talibanët ( islamistët ) e Afganistanit në Kosovë. Prandaj cilësimet që vlejnë për Adem Demaçin ( në aspektin afirmativ si: i marrë. i çmendur, i krisur etj.) vlejnë edhe për mua. Le të jetë edhe kështu. Mirëpo, të gjithë ata që qenkan sulmuar nga Adem Demaçi si Papa Benedikti i XVI apo Moamer el Gadafi e kanë lehtë të na demantojnë. Thjesht, le ta pranojnë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Adem Demaçi asgjë nuk po kërkon më shumë . Prandaj , ka plotësisht të drejtë që nuk ua bënë hallall, as Papës e as Gadafit e as atyre që në emër të fesë dhe Zotit punojnë pikërisht kundër fesë dhe Zotit. Zoti nuk është me kriminelët prandaj nuk duhet të jetë me Serbinë. Zoti duhet të jetë me viktimat prandaj duhet të jetë me Kosovën dhe shqiptarët. Le të marrin shembull nga Turqia. Ani se Adem Demaçi i kaquajtur sultanët e Turqisë okupatorë, Turqia ishte njëra ndër shtetet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës. Pastaj, nëse Halil Matoshi si njëri ndër kardinalët e Kohës Ditore do të dilte me ndonjë qëndrim kundër Papës ( Vetonit ), a do të mbetej në këtë gazetë. Kurrë. Prandaj , mos ta mësheh Papën prapa deklaratës së Kardinalit. Dhe, krejt në fund, Zoti u ndihmoftë Papës Benediktit të XVI, Moamer el Gadafit dhe Halil Matoshit. Nëse arrijnë të kualifikohen deri te AI.
* Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale
No comments:
Post a Comment