Disa e quajtën një akt të guximshëm, ca të tjerë e shfrytëzuan për të rrëmuar në të shkuarën e tij e për ta bërë palë me regjimin. Ndonëse u bënë muaj qëkur libri autobiografik i Fatos Kongolit “Iluzione në sirtar” (Botimet Toena) ka dalë në treg, debatet rreth tij nuk kanë reshtur. Nisën me 2-3 shkrime kur doli në periudhën e Panairit të Librit në nëntor dhe kulmuan ditët e promovimit të tij. Në këtë libër, të cilin ai e quan “pothuajse roman-për vetveten”, Kongoli rrëfen jetën e tij. Në një intervistë dhënë ditën e promovimit për gazetën “Panorama”, ai u shpreh ndër të tjera se këtë libër ia kishte borxh vetes, se kishte nevojë të thoshte ca gjëra që e mundonin prej kohësh dhe me të, të mbyllte një kapitull të rëndësishëm të krijimtarisë së tij, për të nisur një të re. Librat autobiografikë nuk janë ndonjë gjë e rrallë, por të rrëfesh se ke qenë dëshmitar në një gjyq komunist, kjo bën bujë që ç’ke me të, aq më tepër në Shqipëri, ku këto tema janë shumë të ndjeshme. Fatos Kongoli rrëfen mbi arrestimet e tre kolegëve të tij në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, në verën e vitit 1981. Një ndër ta ishte edhe Hysenil Dume, i arrestuar për veprime antiparti. Pikërisht në gjyqin e tij, Kongoli do të ishte dëshmitar. Po në këtë intervistë, Kongoli do ta quante pjesëmarrjen në këtë gjyq një “gabim”, por që gjithsesi nuk ishte shkaku i vërtetë i dënimit të kolegut të tij. Ky rrëfim shkaktoi jo pak zhurmë mediatike. Komentet janë nga më të ndryshmet, “pro” dhe “kundër” Kongolit. Krahas atyre që e quajnë një akt qytetar këtë rrëfim, ka edhe nga ata që i vënë gishtin si fajtor në dënimin e Hysenil Dumes, madje në këtë vazhdë kanë dalë edhe të tjera fakte, që implikojnë shkrimtarin Fatos Kongoli. Sot kemi shkëputur disa faqe nga libri i Fatos Kongolit “Iluzione në sirtar”, ku ai rrëfen se si u arrestuan kolegët e tij të shtëpisë botuese, mes të cilëve edhe Dume.
Zakonisht, kur shkoja mëngjeseve në ndërmarrje, unë nuk ndaloja në asnjë nga lokalet aty rrotull. Shkoja drejt e në zyrë dhe nuk e shpjegoj ç’më shtyu që pikërisht ditën e parë të kthimit nga zbori ta nisja, siç nuk e kisha pasur zakon, duke u futur për kafe te ai lokali i vogël, në kryqëzimin te “21 Dhjetori”, këndej rrugës së Kombinatit. Atje, personi i parë që takova tek pinte kafe i vetëm, ka qenë kolegu im i redaksisë, i ndjeri Kostandin Leli. Prej tij mësova të rejat më të fundit në shtëpinë botuese gjatë mungesës sime. Këto ishin shokuese: përkthyesi i njohur Eqrem Biba dhe përgjegjësi teknik i librit, Xhelali, ishin arrestuar. Nuk desha t’u besoja veshëve. Eqremi, i dalë në pension prej ca kohësh, me flokët ende të dendur, të bardhë, ishte një burrë fisnik, gjithnjë në humor. Xhelati, babaxhan e qejfli, me profesion tipograf, për më tepër ishte dhe anëtar partie. “Është krijuar një gjendje e nderë, më shpjegoi Kosta, nuk merret vesh ç’po ndodh!”. Tek pinim kafe në heshtje, pa ditur ç’komente të bënim, m’u kujtua një episod me Eqremin, në klubin e ndërmarrjes. Ishim mbledhur atje, s’di me ç’rast, punonjës nga të dyja shtëpitë botuese. Përkthyesi, i ardhur në qejf nga vera, zuri t’i bënte komplimente një kolegeje, atëherë doemos e re në moshë, dhe kjo me tallje ia ktheu: “Eqrem, aman ti edhe dhëmbët i ke të shtetit, ç’kërkon nga unë?”. Plasi e qeshura, por përkthyesi, pa e prishur qejfin, iu përgjigj: “Dhëmbët vërtet i kam proteza, të shtetit, siç thua ti, ama të tjerat, të siguroj, i kam të miat”. Nuk po mësohesha dot me idenë që ky njeri, bashkë me të varfrin Xhelal ndodheshin tani pas hekurave. Po përse?
“Më mirë se Hysenli Dume, askush nuk mund ta dijë këtë punë”, mendova kur u ktheva në zyrë. Si anëtar partie, shef kuadri, si personi që mbante kontakte të rregullta me operativët e Sigurimit, ai duhej të dinte shumë gjëra. Kështu, me naivitetin më të madh, i dhashë të drejtë vetes të zbrisja një kat më poshtë, të shkoja të shuaja kureshtjen te zyra e kuadrit. Hysenliun e gjeta atje, përtej ekranit me shufra hekuri që vinte fill pas derës, ulur pranë një tryeze. Ai nuk shfaqi ndonjë emocion kur, përmes syzeve të errëta më pa pas dy muajsh ndarjeje. I buzëqesha, e pyeta si ishte, ndërsa ai formuloi diçka të paqartë nëpër dhëmbë. Pastaj, duke e lënë karrigen ku ishte ulur, erdhi drejt meje. Fytyra e tij gjithnjë e zbehtë në të nxirë për shkak të ngjyrës së lëkurës, m’u duk edhe më e nxirë. “Largohu, më tha me zë të ulët, mos ec më këtu! Largohu që tani!”. I hutuar nga ky qëndrim, bëra siç më tha, u largova.
Prej afër tre vjetësh që ndodheshim në të njëjtën redaksi, me Hysenilin kisha qenë gjithnjë në marrëdhënie miqësore. Ç’është e vërteta, pasi më ngarkuan me detyrën e shefit të redaksisë pa emërim zyrtar, isha i pakënaqur prej tij, punën si redaktor i letërsisë së huaj për fëmijë, çka më interesonte mua dhe jo të tjerat me të cilat merrej, ai e kryente shkel e shko, unë bëja një sy qorr dhe një vesh shurdh, por ky është një aspekt ku nuk ia vlen dhe nuk dua të zgjatem. Atë ditë u ktheva në zyrën time i tronditur, nuk e kuptova përse u soll ashtu. Duket, i ngatërruar në vorbullën që ziente, ndoshta hynte e dilte në hetuesi, ai duhej të ndihej i survejuar. Pra, u soll ashtu që të më shmangte, të mos më ngatërronte edhe mua.
S’më kujtohet nga kush e mësova arrestimin e Hysenilit. Kam përshtypjen përsëri nga i ndjeri Kostandin Leli, madje në të njëjtat rrethana te lokali i vogël, ku jo më shumë se para disa ditësh kishim pirë kafenë e mëngjesit pas kthimit tim nga zbori e ai më kishte folur për arrestimin e Eqrem Bibës dhe Xhelalit. Hysenilin e kishin arrestuar në mbrëmjen e ditës së djeshme, në mbledhjen e organizatës bazë të partisë, mbajtur te zyra e drejtorit, thirrur posaçërisht për këtë qëllim. Më pas mësova disa hollësira nga nëndrejtori Ismet Cibaj, me të cilin kam qenë gjithashtu në marrëdhënie miqësore, qysh se erdhi në ndërmarrjen tonë e derisa e larguan prej andej për sjellje të padenja dhe vdiq papritur nga një goditje në zemër, në mes të rrugës, një natë të ftohtë dimri. Një i deleguar i Komitetit të Partisë të rajonit e paskej demaskuar pa mëshirë për veprimtari armiqësore antiparti dhe i mjeri Hysenli e paskej humbur keq, nuk paskej qenë në gjendje të reagonte, të thoshte qoftë një fjalë të vetme, përveç kërkesës që t’i sillnin pak ujë. Tek pinte ujë, i dridheshin duart, i kishin kërcitur protezat, ai mbante proteza të pjesshme dhe, me të dalë nga zyra pasi e kishin përjashtuar, i kishin hedhur prangat.
Arrestimi i Hysenliut më shpërqendroi, e gjithë qenia ime u vu në alarm. Vatrat e ankthit që kisha përjetuar dikur, me thirrjet pa fund në hetuesira, në Tiranë dhe në Elbasan, u ringjallën. Bëja çmos të zotëroja veten, të sillesha i qetë, të kryeja detyrat e mia të përditshme, arrestimet s’kishin lidhje me mua, prej dy muajsh isha ndodhur larg, pa kurrfarë kontakti me personat fatkeqë, veçanërisht me Hysenliun. Pikërisht në ato rrethana më ra në sy diçka, ndoshta shenjat e para të asaj që e quajnë “mania e persekutimit”. Mëngjeseve në trotuarin rrugës për në ndërmarrje, diku në Unazë, pothuajse gjithmonë në të njëjtin vend, pranë një kinkalerie, kryqëzohesha me një fytyrë të njohur në mjediset letrare jo thjesht si “talent i ri”, që shkruante dhe botonte herë pas here ndonjë tregim. Ishte operativi i Sigurimit V.M., i pranishëm shpesh dhe në Klubin e Lidhjes, s’mund të them në ç’funksion të “talentit të ri” e, si i tillë, nuk shkëlqeu kurrë, apo të Sigurimit, ku mund të thuhet se shkëlqeu, duke ua nxirë jetën edhe disa njerëzve me të cilët ulej pa të keq të pinte kafe në një tryezë, ndër ta edhe unë. Mbase kryqëzimet e mia mëngjesore në V.M. në rrugën e Unazës ishin të rastit, por mua, tashmë i rënë një herë nga fiku, më shpërqendronin. Mbërrija në zyrë i hutuar, më duhej një kohë e gjatë të qetësohesha, domethënë t’i mbushja mendjen vetes se këto s’kishin lidhje me arrestimin e kolegut Hysenli Dume edhe unë nuk duhej t’i trembesha një thirrjeje të mundshme në hetuesi për të sqaruar marrëdhëniet e mia me të, për më tepër, – kjo ide më turbullonte keq,- një dalje në gjyq si dëshmitar. Sepse, për çfarë duhej të dëshmoja? Gabohesha ose jo për natyrën e kryqëzimeve të mia mëngjesore me V.M.- ai nuk denjoi të më përshëndeste një herë të vetme, megjithëse njiheshim, – nuk vonoi edhe një ditë, me anë të një telefonate, unë u thirra prej tij të paraqitesha në degën e Punëve të Brendshme. Ndryshe nga rreth shtatë vjet të shkuara, tashmë e dija mirë ku ndodhej.
Këtë thirrje të parë në hetuesi nga V.M. e kam përshkruar te romani “Kufoma”. Ashtu si personazhit kryesor të librit, edhe mua m’u desh të prisja gjatë, më se një orë, i pështjelluar. Qysh se mora telefonatën, m’u bë e qartë: po niste loja e maces me miun. Tek prisja në një sallon, përballë sportelit të policit, i përfshirë nga një gjendje, – të më falet shprehja, – vërtet e pjerdhur, ku s’më shkonte mendja! Tjetrin e kanë rrasur brenda s’dihet përse dhe, një ditë të bukur, pasi e kanë rrasur brenda, vetëm sepse kemi qenë kolegë, të thërrasin në hetuesi dhe ti vret mendjen të gjesh përse të kanë thirrur, ç’lidhje ke ti me burgosjen e kolegut dhe në fund përfshihesh nga paniku: mos vallë të kanë vënë gishtin edhe ty?
vijon nesër…
FATOS KONGOLI
No comments:
Post a Comment